Një syzim estetik
Ideja e vdekjes së artit, e artikuluar për herë të parë nga Hegel (1770-1831), është interpretuar dhe keqkuptuar në mënyra nga më të ndryshmet. Hegel, në realitet, nuk është shprehur kurrë për fundin e artit si të tillë, por për hyrjen e tij në një fazë të re të zhvillimit. Kjo fazë e re zhvillimi dallohet prej humbjes së dalëngadalshme të referencave përngjasuese.
“Përfaqësimi i një realiteti nga një vepër arti” bëhet përherë e më i vështirë dhe përherë e më i tërthortë. I ashtuquajturi “pasqyrim i realitetit” vjen dhe mbushet me kaq shumë elemente konceptuale, sa humbet çdo menjëhershmëri. Imediatia vihet në dyshim.
E gjitha kjo trondit në themel idenë tradicionale të bukurisë. Kategoria estetike e së bukurës me këtë rast vihet në dyshim, apo më së paku ndërlikohet dhe nis të tërhiqet mënjanë, duke mos iu imponuar më veprës së artit, si një kusht i domosdoshëm. Procesi tradicional i “pasqyrimit” të realitetit vjen dhe pasurohet prej dhjetëra elementesh intelektuale. Kësisoj ky arti “i ri, i intelektualizuar” shndërrohet në një fakt përherë e më privat, i lidhur pazgjidhshmërisht me subjektivitetin e artistit.
Pra e thënë me pak fjalë, fundi i artit duhet të kuptohet vetëm si fundi i metodës së pasqyrimit artistik tradicional dhe si lindje e një “pasqyrimi të ri”, gjatë të cilit proces, përparësinë e merr koncepti, mendimi dhe jo hedonistikja.
Ideja e vdekjes së artit është ideja e fundit të çdo lloj autonomie të krijimit artistik. Po kështu ajo shënon edhe fundin e pretendimit të përparësisë së artit, mbi filozofinë, siç pretendonin romantikët.
Në këtë kontekst historikisht të largët dhe kulturalisht më të afërt se kurrë për ne shqiptarët, mendoj se duhet vështruar vepra artistike e Lekë Tasit (1929). Lekë Tasi, i cili nuk ka kaluar asnjë ditë në shkollat artstike, as të Shqipërisë e as të ndonjë vendi tjetër, është në mendjen time, shembulli i vetëm dhe absolut në historinë e artit shqiptar, i atij që ka kuptuar dhe zbatuar në mënyrë konseguente, çfarë nisëm të themi më lart.
Lekë Tasi, piktura e të cilit nuk ka jetuar as edhe një ditë të vetme në epokën e Realizmit Socialist, nuk është vetëm artisti pamor, që ka vertetuar në praktikën e përditshmërisë së vet problematikat e reja estetike, por në përgjithësi artisti shqiptar me A të madhe, që na ka dëshmuar angazhimin e vet martir, në realizimin e këtij koncepti të ri posthegelian.
Lekë Tasi vazhdon të jetojë në mënyrë permanente një status të lartë të të menduarit për të renë. Dhe kjo shihet qartë në gjestet e tij minore të artit bashkëkohor, art i cili s’është asgjë tjetër përposë se një përgjigje ndaj sfidës së Hegelit.
Nëse Hegeli ka deklaruar diçka si puna e asaj që “arti ka vdekur”, atëhere duhet të kuptojmë se ai e ka pasur fjalën te fakti se arti nuk është më i aftë të përmbushë detyrën themelore, të cilën kishte marrë përsipër: të na tregojë të vërtetën. Sepse ndërkohë vetë e verteta na kishte dëshmuar se është diçka përtej pamjes natyrore dhe shqisore, përtej pamjes sensuale, se është e çliruar nga kufijtë natyrorë të rregullit. Kësisoj të vërtetat më të larta të vetëdijes dhe intelektit nuk mund të kapen në mënyrë sensuale. Sipas Hegel, koncepti i Zotit nuk ishte më i aftë të kuptohej me ndjeshmëri. Zoti nuk kishte më një imazh ose tingull të mundshëm, dhe së fundmi realiteti i plotë i lirisë nuk mund të kapet nga asnjë vepër arti.
Parë nga kjo prespektivë, te piktura e Lek Tasit kemi përpjekjet titanike që qenia njerëzore bën për eksteriorizimin e vet. Kemi të kuptuarit që na sjell njohja e asaj që jemi përtej çdo paraqitje sensuale, sepse vetë realiteti që ai na përcjell është më shumë se pamja sensuale e botës. Spektatori i pikturës së Lek Tasit duhet të jetë i përgatitur se piktura së cilës po i qaset nuk mund t’i sigurojë pasqyrën e realitetit të vet dhe asesi t’ia përmbushë nevojat për vetëkuptim. Ato janë thjesht disa instrumente që na ndihmojnë ta kuptojmë më qartë natyrën e botës.
Vepra të tilla piktorike si: “Ribalte”, “Teatri”, “Mbrëmje automanivelle”, “Sing(er) all”, “Koncert”, “Grua në kopësht”, “Mbrëmje fatale”, “Autobuz III”, “Permetina”, “Beratina” etj, etj, shënohen më së tepërmi nga autoriteti intelektual i artstit, me të gjitha përparësitë që i burojnë nga zotërimi i fushave të dijes, shkencës dhe filozofisë. Vetë arti i Lekë Tasit i ka hapur shteg këtij personaliteti autorial. Kësisoj ai na fton për konsiderata intelektuale, dhe kjo me qëllim krijimin e një arti dhe spektatori të ri.