More
    KreuLetërsiBibliotekë"Solidaritet njerëzor" tregim nga Qazim Shehu

    “Solidaritet njerëzor” tregim nga Qazim Shehu

    Si zakonisht, në mëngjes, çohem herët dhe ose dal e pi kafe në lokalin e lagjes, ose rri në dritare dhe vështroj sesi dalin nga shtëpitë njerëzit, të cilët tek-tuk ngarendin për në punë.

    Pallatet ku banoj vijnë në formë katrori, para tyre, ndodhet një shesh i madh, përreth të cilit vjen një rrugë jo shumë e gjerë, e shtruar me asfalt. Ajri i freskët i mëngjesit frushullon ngadalë, duke dhënë pak optimizëm për ditën që po nis.

    Nga katrorët intimë të dritareve fillojnë e duken shenjat e jetës, diku shoh një grua që del në dritare, vëren një minutë, pastaj e mbyll atë me nxitim, siç duket, sapo ka përfunduar një zënkë me burrin, sepse e tërheq perden me nervozizëm. Një grua tjetër, nuk pret një orë më të volitshme, po në parmakët e shkallëve godet me rrahëse një tapet, me gjithë forcën e krahëve të saj. Njerëzit kalojnë pranë saj dhe nuk i thonë gjë.

    Më bëhet se kjo radhë pallatesh ka njerëz të krisur, sidomos gratë që rrinë gjithë ditën nëpër shkallë, ulur grupe- grupe, duke diskutuar për një botëzë interesante, të cilën, në kuptimin e saj vertikal, s’mund ta vjedhësh lehtë as të futesh në të. Më pëlqen të sodis fillimin e ditës si një ritual fragmentar, i përsëritur sa e sa herë, por gjithmonë shkrydhës dhe i bukur.Përzemërsia e butë e këtij rituali më forcon një bindje afektive, sidomos kur shoh çifte që puthen shqeto në dritare, pa pikën e drojës, sikur të mos u ketë mjaftuar nata ose të parandjejnë gjatë ditës një ndarje të gjatë. Të gjitha pallatet e vendosur në formën e katrorit sikur janë ndërtuar kështu, që asgjë mos u shpëtojë nga njëri-tjetri, s’ka asnjë fshehje, asnjë mundësi, për të mos u parë nga dikush. Ky ndërtim djallëzor ka shmangur edhe rrugën, për të hyrë zjarrfikësja, ndonëse gjer sot zjarr s’ka rënë, përveç zjarrit të intimiteteve dhe brengave që djegin çdo ditë këtë hapësirë të mirëpërcaktuar, si në një teatër memec, ku ulërima duket sikur ka gjithnjë një fuqi tmerruese, për t’u zhytur kokëposhtë në gremina të mistershme, sesa të ngjitet lart.

    Gjithë këto mendime, kam dëshirë t’i provoj dhe t’i thërras mëngjeseve, ndërsa zhurma e rrugës së madhe duket se nuk do që nuk do të depërtojë në Katror. Pasi vështrimi im shëtit gjithë dritaret, duke qenë i pafajshëm prej natyrës sime kurioze, befas ndal tek kazani i plehrave, aty ku një rom po rrëmon në të. Nuk më duket rom i lagjes sime, pasi të gjithë i njoh.Qenka treguar guximtar duke ardhë nga lagja e Breglumit gjer te Katrori ose i mençur, sepse të tjerët, siç duket, kanë kuptuar se s’duhet të rrëmojnë më në plehra.Lagjja ime është disi e mbajtur, vetëm në shkallën time banojnë tre drejtorë drejtorish dhe hedhin te kazani ushqime gjysmë bajate, rroba të mira, por të dala mode. Çfarë nuk hidhen aty, këpucë, aparate telefoni, orë, zinxhirka nusesh, pako me djathë etj. Një ditë, orën time të vjetër e pashë në një tezgë dhe shitësi ma ofroi që ta blija. Kështu është kjo botë, riciklim plehrash, mendova, ndërsa romi rrëmonte në kosh dhe nxirrte nga kazani ato që një sojli i quan plehra.Dukej sikur i falenderonte njerëzit për gjahun e mirë, sepse punonte nxitimthi, sikur të kishte rënë në një thesar të cilin e kishte pritur prej kohësh. Ja tek nxori nga kazani një shishe uiski, që ndoshta dikush e kishte hedhur aty gabimisht. Pa një herë me vëmendje, i hoqi tapën dhe e ktheu. Pastaj e futi në xhepin e vet të xhaketës, sepse ajo vetëm aty duhej ta kishte vendin.Ndonjë send që nuk i pëlqente, ai e merrte, e kqyrte njëherë e mirë, sikur të kishte kapur ose gjetur ndonjë perlë, pastaj e fuste në thesin e vet, që e mbante afër, ose, po të mos i pëlqente, ngrinte krahun lart, si të gjuante ndonjë hobe dhe e flakurinte në kazan, ose jashtë tij. E pashë sesi e hoqi kapelen dhe e hodhi tutje, sepse siç duket kishte gjetur një kapele më të mirë. Dhe nuk gabova, ai vuri në kokë një kapele ushtarake, kasketë allaruse, nga ato që mbanin operativët e sigurimit dikur. Ndoshta kjo do t’i jepte autoritet më shumë dhe s’dihet se me çfarë ndjenje të një rizgjimi të ëndrrës bënte lojë. Njëherë ai e ngriti thesin lart, për të provuar peshën e tij ose sikur ai të ishte vërtetë aty, s’dihet nga ç’frikë që iu faneps në mendje, se mos thesi bënte këmbë e ikte. Njerëzit kalonin pranë tij, askush nuk i fliste, ata ishin mësuar me pamje të tilla. Një grua rome kaloi pranë tij dhe i foli, po ai nuk ia vari fare e kjo e tërboi më shumë gruan që iu afrua dhe, nga pozicioni i lëvizjes së trupit dhe gjymtyrëve, dukej se i fliste e nxehur. Qetësia e tij e çarmatosi dhe ajo u largua duke rrahur me dorë prapanicën. Mund të qe punë dashurie ose tradhtie ose mbase punë plehrash, sepse ky rom kishte hyrë në ngastra të tjera. Sidoqoftë, ai nuk e vriste mendjen, punonte me ngut, me nxitim, një nxitim që tregonte një orar të caktuar, i cili duhej zbatuar, një kohë për t’u kapur.

    Veçse ky nxitim i tij nuk kishte qenë i kotë, sepse se nga mbiu një qen i madh, i zi,i cili ia nguli dhëmbët thesit të mbushur deri në gjysmë, duke e tërhequr me fuqinë e tij prej qeni, sa romi u hepua, gati- gati të binte mbi shpinën e qenit.Veçse, shpejt e mblodhi forcën dhe qeni për një çast e lëshoi thesin, por duke qenë qen këmbëngulës, sapo romi e ngriti thesin në një lartesi të caktuar, ai hovi përpjetë, kapi fundin e thesit dhe e tërhoqi me një egërsi të furishme.

    Njeriu për pak u rrëzua, mbështeti trupin te kazani i plehrave, për të marrë një pikëmbështetje, shpëtoi nga rrëzimi, po qeni prapë nuk e lëshoi thesin.

    Desha të thërras, po thirrja ime u mbyt në vetvete, si gazrat e trupit në ujë. Skena të tilla, shumë njerëz i argëtojnë, po unë e prisja me një ankth të lehtë se si do të përfundonte kjo betejë midis njeriut dhe kafshës. Me siguri do fitonte njeriu, po dale…qeni ia rrëmbeu sërish thesin romit, i cili me një manovrim të shpejtë arriti ta tërheqë, duke e lakuar trupin prapa.Të ishte ndonjë thes me para ose ndonjë kuletë politikani, ia vlente, po në të vërtetë as romi nuk e dinte çfarë kishte brenda, ai dinte se aty kishte diçka të rëndësishme, se një thes aq i madh s’duhej të ishte pa gjë, pastaj, ç’donte ai qen aty, jo, një thes aq i madh s’duhej të ishte pa gjë. Tani po luhej në nderin e ekzistencës së tij prej romi, ekzistencë, të cilën, ajo kafshë e zezë po ia lëkundte fort.

    Dikur thesi u ça, po nuk doli gjë jashtë, kjo qe fat për romin, me siguri, thesi duhej të ishte prej materiali të mirë. Pranë tyre kalonin njerëz dhe s’i shihnin, s’kishin kohë ose ishin mësuar me skena të tilla. Dikush duhej të afrohej, të trembte qenin dhe t’i vinte në ndihmë këtij njeriu, po të merresh me qentë është punë e rrezikshme.

    Desha të zbres shkallët e pallatit, të ndihmoja atë njeri të mirë, por, më ikte skena. Nga aty, si në një llozhë teatri, pa pasur nevojë për dylbi, e ndiqja këtë skenë me një përfundim që nuk dihej si do vinte. Të dy ishin të fortë, qeni dhe njeriu, nuk i lëshonin pe njëri- tjetrit dhe, më e rëndësishme, ishte një skenë pa duartrokitje, pa aktorë të tjerë, diçka e heshtur, që fliste me gjuhën e gjesteve si në një teatër absurd. U dëgjua një zhurmë e zakonshme. Ishte makina e plehrave e cila, pasi bëri rrotullimin, u afrua te kazanet e plehrave. Punëtorët dolën nga makina, morën lopatat dhe u nisën drejt kazanit. Lufta e romit vazhdonte. Befas, njëri nga punëtorët iu turr qenit me bishtin e lopatës, i cili, duke ndjerë veglën kërcënuese, ia krisi vrapit.

    Romi e tërhoqi thesin drejt vetes, sikur të shpëtonte një fëmijë nga dallgët e lumit. Pastaj e vuri thesin, të shkalafitur pak nga dhëmbët e qenit, në karrocën e tij të vogël, pranë thesit tjetër. Ai e pa thesin, e mbylli sërish dhe vuri gishtin kokës. Siç duket qe penduar pse nuk ia kishte lënë qenit.Thesi nuk duhet të kishte ndonjë vlerë, por ndoshta egoja e tij prej triumfatori e bëri që thesin të mos e hidhte..S’dihej sesi do kishte përfunduar kjo betejë po të mos vinte kjo makinë dhe po të mos shfaqnin solidaritetin me romin punëtorët…Romi u drejtua nga ata, ndoshta për t`i falenderuar, pastaj ktheu kurrizin dhe iku me karrocën e tij të vogël…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË