Kjo poezi është shkruar për të nderuar poetin Arthur Rimbaud si edhe të tjerë si ai, poetë të mëdhenj, të ndaluar, jo për të stigmatizuar botimet e një kohe pasi për to, siç dihet, kam shprehur respektin tim në esenë Jeta dhe libri. Por botime të dobëta ka pasë atëherë e ka edhe sot, them, jo më pak. Ndryshimi është se atëherë dobësitë vinin nga fuqia e pushtetit, kurse sot vijnë nga liria.
TRI TERCINA PËR TË NDERUAR RIMBAUD-NË
Jam në një hije me një libër në dorë
Mendime, kujtime më vijnë si dridhje dheu
E gjitha kjo ka lidhje me Rimbaud-në
Ç’luzmë m’i trazon poshtë nën kafkë flokët
si dikur ndër përroje zallit të djegur
kur shkoja rënduar nën diellin e zhegut?
A mos shpirtrat e zogjve i lënduam me shokët
ndërsa shuanin etjen ujërave të sheut?
-Jo, janë orët që ke vrarë kur lexoje mediokrët!
1993/2023
Një shtesë shënimi për më të vëmendshmit:
Me sa duket, kjo poezi ka në vete një lëndë të fortë, të pakonsumueshme nga koha pasi jam marrë disa herë me të. Te përmbledhja “Nga dëshira për të jetuar”, kam paraqitur një variant të ripunuar të saj por në botimin e parë te libri “E pamundura”, 1993, poezia fillon me këto vargje:
Lexoj Rembonë dhe sikur e shquaj
Te mjegulla gri mbi pyllin e zi
Për mua, janë disa gjëra si kjo këtu, dhe si kjo poezi, që përbëjnë argumentin e të qenit tim poet.
Më duhet të them gjithashtu se kjo, në atë kohë, nuk vinte nga ndonjë njohje e madhe e veprës së poetit francez, por ajo pak njohje ka mjaftuar për të më dhënë impulsin më të fortë poetik ndër të gjitha leximet e mia deri atëherë, e më pas, deri sot
Kjo poezi është botuar te libri “Zogjtë e perëndimit”, 1995. Nuk është përfshirë në përmbledhjen “Nga dëshira për të jetuar”, 2020.
PËR T’MË KUJTUAR MUA
S’e kam parë kurrë Parisin
ëndrrën udhëtare në botë
me urën Mirabo mbi Senë
dhe imazhin e Rembosë,
dhe me një çift pëllumba natyrisht
majë më majë çative
për t’më kujtuar mua thirrjet e fëminisë
buzë lumit të vendlindjes.
1995
Kjo poezi është shkruar, dhe gjithashtu botuar, më 1995 te libri “Zogjtë e perëndimit”. Aty mban titullin “Dita që perëndon si shpresë”. Por botimi i parë, nuk është përfshirë në përmbledhjen me titull “Nga dëshira për të jetuar” ndërsa tash, këtu kemi një variant të dalë nga ripunimi i saj. Motori që ka vënë në lëvizje të shkruarit e kësaj poezie, gjithmonë ka qenë dëshira për ta nxjerrë këtë personazh vezullues të eposit nga skematizmi folklorik dhe për ta sjellë më pranë natyrës njerëzore, përmes mjeteve të poezisë që garantojnë një lexim të këndshëm, një kënaqësi estetike dhe shpirtnore.
KANTATË PËR TANUSHËN
Mjalt dhe helm, Tanushë, kjo kupa e jetës
vashë me qerpikun si krah’ i dallandyshes
ti që të shoh
me gishtat e hollë mbërthyer në shkëmb
si një meduzë e flakur nga deti,
Oh! Ti je e flakur nga fati
e flakur nga mamë dhe atë
nga shtëpia ku linde
nga porta e madhe prej ku
të qe shfaqur bota me më shumë ngjyra
se lulet që të vareshin ndër dritare
Kush je ti?
Njëfarë Helene por më afër zemrës–
Ndërsa i dashuri yt pret në pranga
mes një ushtrie që dëgjohet
ma shumë se shihet-
e tërhuzët, nën shtylla dhe zjarre-
Dhe dielli që larg perëndoi
në det / la në qiell
një hanë vezulluese / si një kamë
me majën te zemra jote…
Por ja: një erë e artë t’i trandi hijet
dhe një zog i beftë ta përshkoi ajrin
dhe një zë t’u dha mbi shkamb
me lahutën e detit:
……………………………………………..
Ku e ke n’oren mori hanë
Ku e ke n’oren mori zanë
………………………………………………
Pra, hiqe atë gur nga qafa si zambaku
dhe gjoksin mbushe plot me lulet e bregdetit
dhe lulet lagi me lotë krahnori
si yjet që muzgut bien në det
a si mendimet kur pikojnë të arta
nga një zemër në plagë dhe dashuri
që prapë jetën e ndjen si detin
e pamatë që shëron vetveten
se e bekuar është dita që perëndon në besim
qoftë dhe pa e ditë te kush a në çfarë…
RRETH NJË ARTI POETIK
Duhet me u ndie plot emocione jete
për me u ndie plot poezi
si kova në shi nën një strehë shtëpie.
*
Kush e lexoi vërtet poemën
ndjeu që nuk e mori thjesht me sy
as thjesht me mendje
por me të gjitha poret e qenies
siç marrim erën e detit
në port, natën
tek presim anijen që po afrohet
ndër vezullima
dhe do na sjellë njeriun e dashur.
*
Në rrugë qytetesh
unë eci shpejt
se e di që nuk i gjej
ato çfarë kërkoj
Në rrugë fushash
shkoj penguar
në një panair vegimtar
gjërash që më ofrohen
Por në kthim… unë…
njësoj, duarzbrazët…
I them vetes: Banka e Poezisë
është kudo dhe askund…
…Vonë vë re grimca ari
që, pa e ditë, i paskesh’…
***
Në fushën e lulëzuar të poezisë
ndajfoljet vegjetojnë në hije metaforash
si bari i keq në hijen e një peme!
***
U mblodhën fjalët e një poezie
të binin dakord për kuptimin…
Por, sa nazelie
këto fjalët e metaforave!
***
Shkrova një poezi dhe dola i kënaqur
se pashë që isha i qetë
pa asnjë shqetësim se ç’do të ndodhte me të
se ç’do të bënte vetë kjo
në botën e panjohur të Poezisë
ku ndodhin të gjitha fenomenet e Natyrës…
Ajo thjesht u shkrua dhe do të mbetej përgjithmonë
në jetë të jetëve
që janë së paku sa jeta ime
***
Kështu, tash mundesh me shkue poezi
me iu qasë botës se je e saj
dhe unë me qenë vetëm me veten
pa rëndësi dhe pa vëmendje
si lëvoret e portokallit mbi tryezë
si këmisha hedhur në shpinën e karriges
si buzëqeshja që ia dhuruam ditës
teksa ajo po zbardhte
a si ironia e harruar
mbetë në cepin e buzës
gaztore a idhnake
një dite atipike të një stine-
një pupël e pakapshme drite
e zogut të jetës…
***
E mblodha këtë natë
në dorë,
e hodha në gotë
dhe aty ranë drita, hije, yje, hënë
pa fjalë, dhe yje që këputen
Dhe piva gjithë i qetë
por plot përfytyrime
pak nga pak gjithë natën
deri sa zbardhi
mbi male e në shpirt
dhe gota tingëlloi me ditën!…
***
Nëse për natyrë, mendimi
teksa ndërron trajtë, të jep lodhje,
tjetër shfaqet frymëzimi
si një burim te një gurore.
***
Kush po kthehet në vendlindje
gjendet në këto rrethana, thotë Mjedja:
Bylbylat po e marrin me vedi!-
Si ti që merr një libër poetik në duar,
***
Nganjëherë metaforat dalin nga poezia
duke shkundur dritë dhe ngjyra
si rosat kur dalin nga pellgu
dhe shëtisin lëndinës së së gjelbëruar.
2023
JETË BALADASH
Nëse je ulur n’anë liqenit
me një libër poemash në shpirt
dhe sheh tri gra veshur në të zeza
tek hedhin valëve trëndafilë
ty do t’kujtohen varkat pas mesnate
nën sy dritash të paqeta shtëpive
dhe si velë e hollë një melodi balade
që në dritë qielli valëve ua përkëdhel kurrizin
Atëherë poemat që shkrove dikur për liqenin
kanë me të shkëlqye në idhnim,
ndërsa vetima kregce ta përshkojnë zemrën
si në shiun që bie mbi një trëndafil.
2021
LULET E NJË RRUGE
Lulet në rrugën e xhamisë Ebu Beker
kanë formë zemre
dhe kanë aromë librash të vjetër
ndërsa lexohen si rubaira persiane
2008
KOPSHT
Kaltërsia kundruall
Dhe dridhja në shpirt
Dhe freskia që shëtit mes pemëve
Dhe qetësia përkul’mbi libër
Balli i bekuar
Dhe shenjtnia e dallëndyshes
Pranuar pa kurreshtje
Si Vdekja e panjohur
2008
NJË DITË VJESHTE
Jam në një bar. Ditë vjeshte
mendoj një poezi
Drita jashtë asht e mugët
se asht vranët. Bie shi
Por tej rrugës, nj’argjendari
shikimin ma ka kapur
teksa shkëlqen dhe farfurin
e gjitha një brilant i hapur
2022
PËR NJË VDEKJE
E mora atë emër
në dorë,
e shkrova në një guacë
hidhërimi
dhe
e hodha errësirës
kah yjet
Tash kujtoj si përgjoja
dritares
tingullin që hapej
teksa një anije
çante ajrin
asaj nate
me qiell të kulluar
JETA JONË
Jeta jonë është si frutat e shtrenjtë
me më shumë se një shije
Në do e kërkonim me një shije t’vetme
do mund t’na dilte një frut i hidhtë