More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSkënder Zogaj: Rrëfime për mjaltin e mjaltit të shpirtit 

    Skënder Zogaj: Rrëfime për mjaltin e mjaltit të shpirtit 

    Bajram Sefaj: “40 Gjyshër rrëfejnë”, tregime për fëmijë, ShB “Faik Konica”, Prishtinë – 2021   

    Në shumësinë e përbotshme të bukurive dhe mirësive, kryevlera më e çmuar është dashuria, kontrolluesja e ekuilibrit të botës dhe e drejtpeshimit të aspiratës zhvillimore të trashëgimisë materiale e shpirtërore të shoqërisë njerëzore, brez pas brezi. Dashuria është e përgjithshmja e infinitit të veçantive, njëra prej të cilave, – nga më të shkëlqyeshmet, – është dashuria ndërmjet gjyshërve dhe nipërve e mbesave. Përvoja gjithënjerëzore e ka vërtetuar se kjo dashuri përbëhet nga mrekullia e mrekulllive, sepse e ka aureolin e shjenjtë që, me plotëkuptimin e fjalës, realizon ndërlidhjen e hyjnores me shpirtëroren.

    Gjeniu popullor i ka quajtur nipërit dhe mbesat “mjalti i mjaltit të shpirtit”. Këtë vlerësim e kanë vërtetuar mendjet më të ndritura të artit, kulturës e shkencës, ata që, me shekuj, veprat e tyre më të mira ua kanë dedikuar nipërve dhe mbesave dhe anasjelltas, nipërit dhe mbesat ua kanë kushtuar gjyshërve. Kësaj rrjedhe i bashkohet dhe e pasuron edhe vëllimi me tregime për fëmijë “40 gjyshër rrëfejnë”, ” i Bajram Sefajt, gazetarit, publicistit dhe shkrimtarit të mirënjohur, i cili me krijimet e shumta e të shumëllojshme, me dekada e ka joshur qenien kombëtare shqiptare të Kosovës, duke ia forcuar qëndresën dhe ecjen racionale drejt dritës së lirisë.

       Shkrimtari i madh shqiptar për fëmijë, Odhise Grillo, thoshte se “në suksesin e çdo krijuesi, talenti është një përqindëshi, ndërsa 99 për qind i përkasin punës”. Ai shtonte se “këtë raport e ndryshojnë vetëm krijuesit me talent të rrallë…”, pra, ata të cilët nuk i ndahen lapsit e letrës dhe dëshmojnë talentin e tyre duke shkruar vepra të veçanta artistike.

    Pa anim ndjenjash miqësie, dua të them se Bajram Sefaj është një talent i tillë. Me lapsin e tij ai ka hedhur në letër qindra krijime, të cilat, jo vetëm që janë mirëpritur nga lexuesit dhe kritika, por ato janë quajtur shkrime model, si në gazetari e publicistikë, ashtu edhe në krijimtarinë letrare, duke bërë që librat e këtij autori të radhiten në fondin e veprave të zgjedhura të letërsisë shqipe. Ky vlerësim i përket krijimtarisë së tij për të rritur, por, me gjasë, ka nevojë për rivlerësime plotësuese, duke qenë të bindur se edhe krijimtaria letrare për fëmijë e Sefajt është njësoj e denjë për t’u radhitur ndër vlerat më të mira të letërsisë shqipe për fëmijë.

    Dëshmia më e re vjen me librin  “40 gjyshër rrëfejnë”, ku janë përfshirë dyzet rrëfime të gjyshërve, apo më saktë, janë përjetësuar artistikisht dyzet portrete të personaliteteve më elitare dhe më domethënëse për Kosovën dhe për shqiptarët e stërvuajtur të Ballkanit, të cilët pas civilizimit më të lartë në rruzullin tokësor, janë djegur e shkatërruar mizorisht, janë groposur në tokë dhe janë mbuluar me errësirën e zezë, me qëllim që të hidheshin përgjithmonë në harresë.

       Kësaj gjëme të lashtësisë historike i rikthehet tërthorazi Bajram Sefaj, për të treguar se mizoritë serbe, sado të egra kanë qenë, nuk kanë arritur ta shuajnë kujtesën historike të shqiptarëve, sepse ata, porsi Feniksi, janë ringjallur nga hiri i vet dhe i janë rikthyer jetës dhe traditës së tyre të lashtë, rrënjët e së cilës i ka ruajtur nëntoka. Prandaj, shkrimtari e nis rrëfimin letrar me Arkeologun. Gjyshi Arkeolog i flet Nipit për zbulimet e arkeologëve tanë që dëshmojnë për një civilizim mijëvjeçar të shqiptarëve në këto troje, duke rrëzuar tezat e rrejshme dhe mitin mesjetar serb, se gjoja Kosova na paska qenë “djep i popullit serb”!

       Gjerdani letrar i Sefajt vazhdon me tregimin “Akademiku”, ku Gjyshi Akademik ia shpjegon nipit prejardhjen, kuptimin dhe funksionin e fjalës akademik, njeriun e pajisur me dituri të larta shkencore apo artistike, që u përket mendjendriturve, atyre që përbëjnë trurin e kombit.

       Në këtë formë shtrirje të shkrimit letrar, autori e zgjeron bashkëbisedimin ndërmjet gjyshërve dhe nipërve e mbesave me dyzet figura elitare të eminencës së shoqërisë shqiptare. Ato radhiten sipas shkronjave të alfabetit, siç janë me shkronjën A: “Aktori”, “Ambasadori”, “Albanologu”, “Agronomi”, “Avokati”, “Arkitekti” e “Astronomi”; me shkronjën B: “Biologu” e “Botuesi”;  me shkronjën D: “Dekani”, “Dentisti”, “Dirigjenti”, “Docenti”, “Doktori” e “Dramaturgu”; me shkronjën E: “Ekologu” dhe “Epidemiologu” e kështu me radhë, deri të shkronja V: me tregimin “Veterineri”, me të cilin përmbyllet vargu i dyzet tregimeve të mrekullueshme. Ato rrjedhin si valë ujëvare, me lëndë të pasur përmbajtjesore dhe freski artistike, duke shpalosur me invencion kreativ galerinë e personazheve lirike dhe botën e tyre të pastër shpirtërore.

    Dyzet nipër e mbesa kureshtare dëgjojnë me ëndje, porsi në përralla, ligjërimet e gjyshërve të tyre mendjendritur, të cilët ua fisnikërojnë zemrat dhe mendjet me njohuri të reja nga jeta dhe fushat e ndryshme diturore. Ky është lajtmotivi i të gjitha tregimeve dhe është poenta kryesore e shkrimit letrar të Sefajt.

    Gjyshi Ambasador, ia sqaron nipçes se “fjala ekselencë në gjuhën e bukur shqipe do të thotë shkëlqesi, se në gjuhën shqipe ajo tingëllon bukur dhe është, sa poetike, po aq edhe kuptimplote”. Ndërsa Biologu – Gjysh, i tregon mbesës se shkenca është një “det i madh”, një “oqean i pafund” dhe se “Bota me të gjitha qeniet e gjalla mbi tokë, është përherë në lëvizje, në zhvillim”.

    Autori mbledh dijen e Gjyshërve eruditë, porsi bleta nektarin, për t’i gatuar” tregimet në formë të përrallave, me porosi të shumta e të shumëllojshme edukativo mësimore, përmes të dhënash konkrete, nga realiteti i shoqërisë së sotme shqiptare.

    Mesazhet e këtyre tregimeve kapen lehtë, në saje të diskursit funksional dhe të mirëfilltë artistik, i cili reflekton ndikim të vlefshëm etik dhe estetik te recipienti. Autori i tregimeve arrin që përmes të folurit të figurshëm midis personazheve ta dinamizojë pulsin dhe intensitetin e narracionit.

    Ja, si realizohet ky synim artistik te tregimi “Filozofi”, ku zhvillohet ky dialog i bukur dhe shumë dashamirës:

      ‘ – Sot, i dashur Nipçe, do të ngjitemi në katin 471 të “Kullës” sonë, -tha Gjyshi,

    – Ku është kjo kullë kaq e lartë, Gjysh?

    – Në raftin e tretë të vitrinës, në studion time.

    – Kulla në raft, Gjysh? Ç’është ky llaf?

    – Të pastë Gjyshi, ty! Jemi dijetarë unë e ti, apo jo? Po flasim me figura. “Kulla” është Fjalori, kurse “kati 471” – faqja 471 e tij.

    Aty, Nipçe, do t’i gjejmë shpjegimin që po na duhet sot. Së pari, ç’do të thotë fjala filozof?…”

    Kjo dhe shumë pjesë të tregimeve të tjera nxjerrin në pah fenomenin letrar të përafrimit të qëndrimit “militant” me atë “meditant” të autorit dhe i njëjtësimit të tij me veprën e vet, ku, “i kthehet njeriut e jo sistemit dhe krijon figurën e vet të veçantë, autentike dhe të vetëmjaftueshme, pa e llogaritur funksionin e saj si kompensim të krijimit”*.

    Të dyzet tregimet e librit të Sefajt janë plotësisht të mëvetësishme. Mirëpo, ato njëkohësisht shkrihen brenda një diskursi të përbashkët letrar që është realizuar përmes imazhesh dhe tablove me ndjesi të kthjellëta emocionale, si dhe përmes dialogësh dhe monologësh të ngjeshura metaforike. Duke i veshur tregimet e tij me ngjarje, gjendje, veprime dhe situata të veçanta, autori ka arritur të pasurojë me sukses nëntekstin e tyre, por edhe të shpëtojë nga “rreziku” i rrëfimit stereotip. Këto tregime, porsi dyzet qirinj të ndezur, lëshojnë rreze të ngrohta drite dhe motivuese për lexuesit. Si rrallë në ndonjë vepër letrare, lexuesit e këtij libri do të ballafaqohen këndshëm me kolosë të fuqishëm dhe të dobishëm, me më mendjendriturit dhe më zemërartët e shoqërisë njerëzore – Gjyshërit.

    Libri  “40 Gjyshër rrëfejnë”, ndonëse është shkruar për fëmijë, me lëndën letrare dhe mënyrën e strukturimit të saj përmbajtjesor e artistik, prek me ndjeshmëri problemet jetike të realitetit jetësor, preokupimet e përgjithshme dhe të përjetshme të njeriut. Kjo e bën këtë libër të rëndësishëm dhe të dobishëm për të gjitha moshat e lexuesve, sepse, të gjithë kanë rastin të njihen e të mësojnë gjëra interesante e shumë të dobishme, nga historia, kultura, shkenca, artet, profesionet e ndryshme, doket e zakonet, që nga lashtësia deri te pandemia e Coronavirusit Covid-19, që po e kërcënon gjithë njerëzimin, ngjashëm me Kolerën e vitit 1918, që ua kishte marrë jetën 50 milionë njerëzve.

    Nga të dhënat e shumta në këtë libër me tregime të Bajram Sefajt, lexuesi bindet sa shumë ka pasur të drejtë gjeniu popullor, që ka thënë se njeriu mplaket duke nxënë!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË