More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSkënder Karriqi: Silueta prometeike e De Radës

    Skënder Karriqi: Silueta prometeike e De Radës

    1-Tabuja e Prometeut dhe çlirimi prej saj

    Në kontekstin letrar të Rilindjes Kombëtare, në fakt, jemi në rrethanat e një qëndrimi tabu ndaj figurës së Prometeut. Një qëndrim të tillë do ta vërejmë tek të gjithë autorët e kësaj periudhe, të cilët, edhe pse njohës të mirë të mitologjisë dhe letërsisë klasike antike si dhe të autorëve evropianë që e kanë trajtuar pozitivisht temën e Prometeut, pothuaj nuk e përmendin fare këtë hero dhe mitin e tij, as në formën mitologjike, as në formën letrare. Janë vetë këta autorë pra, që e mbajnë larg nga vetja emrin e titanit.

    Por nga ana tjetër, letërsia shqiptare e Rilindjes Kombëtare karakterizohet dukshëm nga prometeikja. Po të kemi parasysh praktikën leksikologjike të tabusë  e cila domosdoshmërisht sjell me vete edhe qëndrimin tjetër, atë eufemistik (pra zëvendësimin e fjalës tabu me një fjalë tjetër), asgjë paradoksale s’ka në rrethana të pranisë së prometeikes që karakterizon letërsinë shqipe të Rilindjes pa praninë e shpallur të Prometeut. Prometeikja e kësaj letërsie ka patur heroin e vet eufemistik. Ndër përdorime të tilla si: dritë, yll, diell, engjëll etj, të cilat përmbushin funksionin eufemistik, është edhe emri profet, i përdorur me funksion eufemistik për të shmangur përdorimin e drejtpërdrejt të emrit Promete. Siç është në natyrën dhe funksionin e zëvendësimeve të tilla (eufemistike), roli i tyre është zbutës, shmangës dhe arrin deri në krijimin e iluzionit për tjetërsimin kuptimor etik të fjalës përkatëse të ndaluar.

    Parimet e estetikës De Rada thotë …Si ai që shtynte Gurin…[1] S’ka dyshim se fjala është për Sizifin, emrin e të cilit ai nuk e përmend, sepse ky hero mitologjik bënte pjesë në familjen e titanëve të rebeluar ndaj Zeusit, figurës mitologjike paralele me Zotin e krishterë. Ndërsa në poemën Odiseu ai thotë …/ Njerinë aq të bukur dhe me aq përgjërim, / të nxjerrë në dritë nga gjysmëperëndi,[2]duke mos ia përmendur fare emrin Prometeut, gjysmëperëndisë për të cilën e ka fjalën, i cili, sipas mitit dhe variantit letrar të tij, u solli njerëzve zjarrin dhe u ndriçoi mendjen, të njihnin veten dhe të parashikonin të ardhmen. Në rastin e De Radës është vetë ai që e modelon këtë lidhje konkrete tabu-eufemizëm dhe më pas janë edhe të tjerët që e përdorin atë, qoftë për arsye të njëjta me të, qoftë duke pasur në konsideratë shenjën poetike të fjalës profet. Për raste të tjera që do të vijnë më pas, siç është, fjalavjen Naim Frashëri, krahas tabusë si qëndrim i brendshëm i vetë poetit, është dhe modeli që funksionon.

    Pra, gjithsesi, tabuja është një ndalim në aspektin e jashtëm komunikues. Në përjetueshmërinë e subjektit, në rastin tonë autorit, ky ndalim nuk e anulon idenë, opinionin, bindjen e tij për objektin e ndaluar, i cili si çdo ndalim, do të jetë në arkivin e subkoshiencës së subjektit, (në rastin tonë De Radës). Kështu objekti i ndaluar është i pranishëm në ëndrrat e poetit, në lapsuset e tij, në shakatë etj. Por, ndonjëherë, ky objekt i ndaluar artikulohet hapur, duke i shpëtuar edhe censurimit të koshiencës. Kjo gjë ndodh në momente të një gëzimi të madh apo të një zemërimi a dëshpërimi po të madh. Kështu ndodh me De Radën, kur në një moment dëshpërimi, me anë të një letre më 20 prill 1893, të shkruar në Maki për De Gubernatisin, ndër të tjera shprehet: Në moshën 20 vjeçare, pa e kuptuar ndërmora një vepër shumë më të madhe se mundësitë e mia. Larg prej mëmëdheut që nuk e njihja asfare, i lindur në një shtëpi të vogël, (nuk i kalonte 100.000 lira të ardhura) dhe në fshatin më të vogël italo-grek, mendova të restauroj gjuhën e vendlindjes sime dhe t’i ktheja racës sime dashurinë për të. Sed est Deus in nobis. Një shëndet i veçantë, një qëndrueshmëri e paepur, megjithëse nuk ushqehej nga ndonjë shpresë, kursimet e vogla që arrita të mbledh, ose  që më kishin lënë të parët e mi, lavdërimet e mëpasshme nga personalitete të shquara – Lamarttine, Tomaseo, Cantu, De Gubernatis,- s’më lanë të hiqja dorë… Ju e shihni Kont i nderuar sesi me pak gjë (E ka fjalën për 500 lirat e pagës qeveritare në vit për leksionet e shqipes në San Demetrio) as me korrespondencën e gjerë me mëmëdheun, as nevoja e botimit të leksioneve për t’i bërë të përbashkëta për të gjitha kolonitë italo-greke mund të më mbushin si një jetë e vërtetë … Tani për tani unë eci në via exulis.. Përpjekjet për ta bërë të njohur Shqipërinë duke e lidhur me Italinë, i shoh të më shkërmoqen nëpër duar…Pamundësia është mbështjella që i hëngri zemrën Prometeut, por nuk më ka përkulur.[3]

    Ky dëshpërim, madje i avancuar në kufijtë e zemërimit, do ta karakterizojë autorin edhe dy vjet më vonë, siç duket nga letra tjetër e datës 16 qershor 1895, si më poshtë: E ç’të them për veten, trashëgimtar i mërguar që predikoj në shkretëtirë. Me Gramatikën dhe Konferencat …500 lira dhe deri tani kam marrë 166. Nuk e di si do ta gjykojë Zoti punën e mendjes sime përderisa gjithnjë e më shumë ndiej Omnia vanitas.[4] Në këtë letër De Rada nuk e përmend Prometeun, por, siç mund të shihet, ai me zor e përmban zemrimin ndaj Zotit, i cili, me sa duket, nuk i paska gjykuar mirë punët e mendjes së tij (De Radës). Ky zhgënjim në fund të jetës anullon edhe ndjenjën e mitit të profetit të dërguar nga Zoti për të ringjallur gjuhën shqipe dhe kombin shqiptar. Prandaj pikërisht në këtë moment dëshpërimi (më vonë zemërimi) ndjenja dhe figura e Prometeut çlirohen nga tabuja dhe De Rada shfaqet në profilin e vërtetë të modelit prometeik.

    Kështu, ndërmjet imazheve alternative të kalorësit të mrekullueshëm, profetit apo Prometeut, është De Rada që përfundimisht e përcakton veten Promete, duke u vetëçliruar nga tabuja dhe duke u shfaqur në këtë mënyrë me madhështinë e figurës së kontribuesit nismëtar dhe të pashoq në rilindjen e gjuhës, kulturës dhe kombit shqiptar.

    2-Silueta prometeike e De Radës

    Ky ballafaqim i pamundur i të dyja figurave (profetit dhe Prometeut) flet, pa diskutim, për epërsinë e Prometeut brenda personalitetit dhe përjetueshmërisë së De Radës. I artikuluar nga vetë poeti në dhjetëvjeçarin e fundit të jetës, ky vetëpërcaktim në masën prometeike është i atillë, që e mbulon gjithë veprimtarinë dhe përpjekjet intelektuale të tij në favor të gjuhës shqipe dhe të rilindjes së kombit shqiptar. Evokimi i këtij përkushtimi nis që në zanafillë, kur ai ishte 20 vjeçar, e deri në momentin kur po flet (Tani për tani…, i shoh…,por nuk më ka përkulur). Siç shihet, koha gramatikore e referencës së Koliqit (nga e tashmja në të kryerën), përkon me kohën reale prej afro 70 vjetësh, gjatë së cilës u shkrua vepra deradiane. Madje, shprehja Tani për tani, si leokucion ndajfoljor, përmban kuptimin e kundërvënies të së tashmes (që po kalon autori) me të ardhmen (që do të jetë ndryshe). Në këtë kuptim, ky leokucion ndajfoljor përcjell të nënkuptuar edhe dimensionin e së ardhmes optimiste të De Radës Promete. Është pikërisht ky optimizëm që e motivon qëndresën e tij prometeike (…por nuk më ka përkulur).

    Kështu që nga ky moment shfaqjeje në dhjetëvjeçarin e fundit të jetës ne shohim anën tjetër të medaljes, përsa i përket figurës së De Radës, dhe kjo s’është gjë tjetër, veçse silueta e Prometeut, të cilën ne e kemi ndjerë përgjatë gjithë përsiatjeve në kërkim të profilit të vërtetë të tij. Është përsëri vetë ai, De Rada, që na e ndriçon këtë profil. Ai s’mund të bënte më shumë se kaq, përveçse të na krijonte për veten idenë e siluetës prometeike. Dhe, që nga momenti i perceptimit të kësaj siluete, ne s’na mbetet gjë tjetër, veçse të bëjmë detajimin e saj. Më tej do të shohim figurën e plotë prometeike të heroit të gjuhës shqipe dhe mbarë Rilindjes Kombëtare, figurë të cilën De Rada e çliroi prej qenies së tij në kushtet e një dëshpërimi të madh për atë që, sipas tij, s’ka mundur të arrijë (…Pamundësia është mbështjella që i hëngri zemrën Prometeut, por nuk më ka përkulur), por edhe për mosvlerësimin e kësaj pune titanike (E ç’të them për veten, trashëgimtar i mërguar që predikoj në shkretëtirë. Me gramatikën dhe Konferenca …500 lira dhe deri tani kam marrë vetëm 166. Nuk e di si do ta gjykojë Zoti punën e mendjes sime përderisa gjithnjë e më shumë ndiej Omnia vanitas).

     Në vazhdim të detajimit, në konturet e siluetës prometeike të De Radës, të cilën thamë se e kemi ndjerë përgjatë gjithë kërkimit tonë, ne fillimisht duhet të kemi ndriçuar ndjeshmërinë e veçantë ndaj fisit. Pa fisin ai ishte një njeri i zakonshëm, thjesht një mërgimtar i kahershëm, që ende s’e kishte ndjerë grupin, kolektivitetin etnik, të cilit i takonte shpirtërisht. Ndërsa me identifikimin e këtij kolektiviteti, në një klimë më se të përshtatshme të humusit etnik shqiptar, do të fillonte brumosja heroike e De Radës. Tani që e gjeti, ai do t’i bëhet heroi fisit të tij, për ta nxjerrë atë nga errësira ku ka rënë, duke manifestuar në shkallën më të lartë ndjenjën e përkushtimit vetëflijues. Ne duhet të kemi ndriçuar edhe ndjenjën e vetmisë krijuese. Është figura e heroit që veçimin dhe vetminë i ka të domosdoshme për përmbushjen e aktit të krijimit. Kjo përkon me imazhin e De Radës, që, për të përmbushur veprën e tij, tërhiqet në Makin e vogël, në mes të vreshtit, në kasollen e mobiluar me një stil të thjeshtë, ku s’ka se si të mungojë kandili me flakën dritësuese. Ky imazh i De Radës, perceptuar në dinamikë, lëviz kodrave të Makit, në distancë horizontale dhe vertikale, distancë kjo që s’është gjë tjetër, veçse hapësira e domosdoshme medituese romantike. (Jo më kot Prometeun e kanë quajtur si heroin e parë të romantizmit). Për t’u përfunduar, silueta prometeike e De Radës do të detajohet me dritësimin e brendshëm të poetit, qëndresën heroike, vizionin optimist për të ardhmen e deri tek zhgënjimi ndaj atyre që duhet ta vlerësonin punën e tij, përfshi këtu edhe vetë Zotin (Nuk e di si do ta gjykojë Zoti punën e mendjes sime perderisa gjithnjë e më shumë ndiej Omnia vanitas). A nuk ishte mosmirënjohja e njerëzve një ndër brengat e Prometeut dhe argument i kundërshtarëve për ta luftuar atë, pasi njerëzit nuk po e ndihmonin në hallin që  kishte?

    Silueta Prometeike e De Radës, e detajuar prej nesh si fytyra e vërtetë e tij, do të projektohet në veprën letrare, sikurse do të rrëfehet në Autobiografinë e tij vetë poeti dhe do të reflektojë gjithashtu e teorizuar edhe në Parime të estetikës. Ndër të tjera, në këto dy vepra De Rada vetëpërcaktohet edhe përsa i përket raporteve të veprës së tij artistike me realitetin. Sipas tij, këto raporte s’janë gjë tjetër, veçse raporte imitimi e referimi ndaj jetës dhe përvojës së tij.


    [1]  J. de Rada. Parimet e estetikës, fq. 129.

    [2]  J. de Rada. Vepra I, e cituar, fq. 154.

    [3]  E. Koliqi. Vepër e cituar, fq. 147.

    [4]  Po aty, fq 146.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË