More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSkënder Karriqi: Për një kapitull historik me protagonist autorin Besnik Mustafaj

    Skënder Karriqi: Për një kapitull historik me protagonist autorin Besnik Mustafaj

    Këndo hyjneshë…     

    Për Umberto Eco-n, Metanarrativiteti, si përsiatje që bën teksti mbi veten dhe natyrën e vet, ose si ndërhyrje e zërit të autorit që përsiat rreth asaj që po rrëfen, dhe madje thërret lexuesin që t’i ndajnë bashkë përsiatjet e tij, është mjaft më i lashtë se postmodernia. Në fund të fundit ai ulet këmbëkryq te “Këndo hyjneshë…”. Që këtej duket se për të (Eco-n) fillimi i letërsisë (nëse Iliadës i referohemi si vepër fillimi) qenkërka metanarrativ dhe kjo metanarrativë si shenjë e postmodernes, s’qenka tjetër, veçse kthim tek fillimi i largët, një konstatim ky që nuk duhet të lihet jashtë vëmendjes, kur është fjala për vetën autoriale. Përtej këtij fakti letrar, më pas vjen historia interesante e letërsisë si një histori psikanalitike e kësaj vete (autoriale), deri në fillimet e postmodernes, kur metanarrativiteti, së pari, është shenja e sigurt e çlirimit të autorit prej kompleksit të inferioritetit ndaj Olimpit dhe olimpikëve/eve.                

     Thjeshtimi i autorit              

    Kur Homeri në veprën e fillimit i drejtohet Muzës, bashkë me arketipin e rrëfimit (homerik), po lindte edhe vesi i kompleksit të inferioritetit të autorit ndaj Muzës, duke e thjeshtuar atë (autorin) në veshin dhe zërin transmetues të mesazhit përgjegjës të kësaj të fundit, pas lutjes “Këndo hyjneshë…” apo “ Rrëfemëni tani, Muza, që mbi Olimp banesën keni-/ ju jeni hyjnesha, ju jeni kudo, shihni gjithçka,/ne dëgjojmë thjesht zhurmë, s’dimë kurrgjë-/cilët ishin udhëheqësit e Danajve dhe cilët prijësit?…/” Në fakt, kjo ishte mënyra e aedit Homer për legjitimimin e së drejtës së rrëfimit përtej masës njerëzore të kohës dhe hapësirës; kjo ishte mënyra se si ai, paraku Homer, mund të tejkalonte vetveten e zhytur prej rëndese në fund të kohës dhe hapësirës së kufizuar ku ishte. Vetëm Muzat kishin përmasën e gjithkohësisë dhe gjithhapësisë. Aleanca me to ishte alibia më e mirë e përmasimit të vetvetes dhe legjitimimit të së drejtës për rrëfim. Ndonëse rezultatet letrare do të ishin të shkëlqyera, pakti apo aleanca me Muzat flijonte në mënyrë ndrydhëse ndjenjën e autorësisë, të cilën, siç duket mjaftueshëm nga citimi i mësipërm (…ju jeni kudo, shihni gjithçka-/ ne dëgjojmë thjesht zhurmë, s’dimë kurrgjë) Homeri nuk e kishte. Rrëfyesi i gjithdijshëm i kohëve moderne letrare, nuk ishte dhe nuk është, veçse hija e Muzave që ishin kudo dhe shihnin gjithçka. Me sa duket, postmodernizmi është, para së gjithash, momenti i shpërthimit të autorit të ndrydhur historikisht prej kompleksit të inferioritetit ndaj Hyjneshave, që do të thotë momenti i vetçlirimit të tij, reflektuar ky vetçlirim në aspektin metanarrativ të stilit letrar në kohën postmoderne letrare, ku, padyshim, dominon në evidencë të plotë veta e parë autoriale si vetë ndërtuese, madje edhe më tej: si vetë krijuese.

    Për një kapitull historik…

    Kur është shkruar për tipare postmoderniste të romanit të ri shqiptar pas viteve 90,   në fakt është dashur të konceptohet fillimi i një kapitulli të historisë postmoderniste të këtij romani (edhe pse, sipas studiuesve, shenjat janë për një histori të shkurtër), e cila, më së pari, bën beli me metanarrativën  si prishje e rregullit klasik të rrëfimtarit të gjithdijshëm dhe të padukshëm, përndryshe hijes apo variantit modern të Muzave antike. Dhe, nëse këtë kapitull historik (postmodernist) romanor shqiptar do ta detajonim, sikurse është e domosdoshme, me data, tituj veprash dhe autorë, të cilët  në këtë moment historik tregojnë se nuk kanë vdekur, sikurse ua kishte shpallur nekrologjinë R Barthes më 1967 në artikullin “Vdekja e autorit”, argumenti më kuptimplotë i tij do të përkonte me botimin e romanit Gjinkallat e vapës, në vitin 1992, të autorit Besnik Mustafaj, ku, me sa duket, për herë të parë në letërsinë shqipe, veta autoriale jep shenja të sigurta të vetçlirimit prej kompleksit të inferioritetit, me zanafillë olimpike.

    Në fakt, Besnik Mustafaj do të tërhiqte vëmendjen e lexuesit dhe kritikës që me romanin e tij të parë “Vera pa kthim”, me të cilin, për herë të parë në letërsinë shqipe, vjen një subjekt onirik, i cili, në qoftë se nuk do të kishte zgjim (të personazhit), pra kthim në botën e njëmendë, nuk do t’u linte asgjë mangët veprave evropiane të këtij lloji, që për autor kanë Kafkën, Buxatin, Joneskon, Pirandelon etj. Me sa duket, zgjimi i Sanës ishte haraçi që autori i ri, Besnik Mustafaj, duhet t’i paguante metodës në ikje. Gjithsesi, për ta vendosur analizën në kontekstin historik, do të thoshim se me këtë roman Besnik Mustafaj ezauron faqen moderniste të tij si shkrimtar, për të filluar, pas dy vjetësh, kapitullin postmodernist pikërisht me romanin “Gjinkallat e vapës.”

    Kronisti i munguar si kushti që legjitimon të drejtën për rrëfim

    Vetës autoriale, që në romanin e dytë (“Gjinkallat e vapës”) të autorit, i paraprin figura e kronistit, e cila, historikisht, përkundrejt konvencionit të vetës së rrëfimtarit të gjithdijshëm, ka qenë alternativë narrative, duke u legjitimuar si e tillë me të drejtën e pakundërshtueshme të dëshmitarit synor. Në shenjën metanarrative, nëse nuk do të mungonte, figura e kronistit me kronikat e tij do të na kishte lënë një tekst me siguri më pak argëtues, por më bindës, në kuptimin që lexuesi i sotëm, i ushqyer me konkretësinë e jetës materiale, beson te faktet dhe jo te imagjinata. Por kronisti dhe kronikat e tij mnugojnë…Ndërkaq, logjika narrative nuk i përshtatet dhe aq më pak i bindet faktit të kronistit të munguar. Që në krye të herës, nevoja e referencës ndaj një kronisti është prirja subltile për t’i ikur skemës së Muzës antike apo hijes së saj, rrëfimtarit të gjithdijshëm. Prandaj, edhe pse mungon, ai duhet të ekzistojë ashtu, i munguar, madje i tillë ai është më funksional në aspektin e një narraciani në shenjën e metanarativës, përndryshe, postmodern. Një kronist i munguar mund të plotësohet dhe ndërtohet si një mundësi e hamendësuar, qoftë në imazhin e atij që shkruan apo rrëfen (kronistit), qoftë në çfarë ai shkruan apo rrëfen (kronikës).

    Në këtë pikë, autori (Besnik Mustafaj), në kuptimin autorial të fjalës, duhet ta ketë ndjerë veten mirë. Ai i ka ikur imazhit robërues të të ashtuquajturit rrëfimtar i gjithdijshëm, përndryshe, hijes fantomatike të Muzës, pa ndihmën e së cilës rrëfimi do të ishte i pamundur, siç thonë Homeri dhe Hesiodi (mësuesit e parë) dhe ka ndërtuar imazhin e një kronikani të munguar, i cili, nuk thotë, nuk shkruan, nuk shënon, por vetëm do të kishte thënë, do të kishte shkruar, do të kishte shënuar. 

    Me sa duket, prania e kushtores është zgjidhje funksionale deri në atë masë sa mund të perceptohet qartë se kjo mënyrë gramatikore vetiu përbën një zgjidhje stilistike për të motivuar dhe legjitimuar të drejtën për rrëfim si plotësim të  kushtit (kronistit) të munguar. Që figura e kronistit është shtegu i kërkuar për t’i ikur hijes së Muzës, (përndryshe standardit të rrëfimtarir të gjithdijshëm) kjo duket në shenjën e metanarrativës, që në fillim të romanit,  me ndërhyrjen e drejrpërdrejt të autorit, kur ai e quan punën e vet një ushtrim romanesk.

     Ushtrimi romanesk pa komplekse

    Por ushtrimi romanesk i Besnik Mustafajt nuk mund të përfundonte me figurën e kronistit të munguar. Kurrë ai nuk do të mjaftohej me një zgjidhje tjetër varësie, qoftë kjo e lidhur me figurën e një kronisti të munguar, kronikat e të cilit duhet t’i shkruante ai, autori Besnik Mustafaj. Duhet t’i tregohej lexuesit se ishte pikërisht ai që zotëronte plotësisht hapësirën romanore të botës së vet të trilluar (romanit “Gjinkallat e vapës”), ishte ai pra një Zot i vërtetë i saj. Gjithashtu ai duhet t’i tregonte lexuesit se në botën e tij të trilluar (“Gjinkallat e vapës”), ishte ai, shkrimtari Besnik Mustafaj, që zotëronte kohën në tri përmasat e saj themelore: të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen dhe si një Zot i kohës në botën e tij, ai e anullonte atë, e kthente mbrapsh, në kundërshtim me rregullin skllavërues të kronologjisë. Ishte ai i gjithdijshmi, i gjithkohshmi, i kudogjenduri dhe kurrfarë hijeje fantomatike e rrëfimtarit të gjithdijshëm nuk ekzistonte. Në fund të fundit, ishte ai vetë, Besnik Mustafaj, Zoti i botës, përkatësisht botëve të tij/a të trilluar/a. Oh sa herë, sa herë (pothuaj vazhdimisht) ai dhe sivëllezërit e tij shkrimtare e kanë ndjerë këtë përmasë hyjnorë përbrenda vetes dhe po kaq herë e kanë ndrydhur sipas kodeve konvencionaliste të Muzave (Hyjnshave) apo rrefimtarit të gjithdijshëm (hijes fantomatike)!

    Në këtë përvojë të dytë romanore (“Gjinkallat e vapës”), në koherencë të plotë me   impulsin e brendshëm autorial dhe në inkoherencë po të plotë me parimin kronologjik të rrëfimit, në një moment jo thjesht trillan të subjektit, përkundrazi, në një moment stilistik metanarrativ, ai, shkrimtari, autori Besnik Mustafaj, do të shfaqet jo thjesht si rrëfimtari, por edhe si shkruesi e  krijuesi i parë. Kur banorët e fshatit, të intriguar nga emri YLL i protagonistit të romanit, përsiaten sipas mënyrës së tyre dhe e quajnë pagëzimin e tij si punë dreqi, autori (BM) ndërhyn drejtpërdrejt, si asnjëherë tjetër, duke thënë: “Banorët e katundit nuk do e merrnin vesh kurrë se përgjegjësi për atë emër të përveçëm jam unë që po shkruaj historinë e tyre. Yll Përlala me baskëkohësit kanë ndërruar jetë. Por edhe sikur ta merrnin vesh, nuk do ta kuptonin dot mendjelehtësinë, me të cilën unë zgjodha një emër, që ata do t’i vinte gjatë në një siklet të pashembullt, duke gërmuar nëpër kokat e veta të lodhura, për të gjetur, qoftë edhe me vonesë, shenja paralajmëruese, ardhur nga larg, lidhur me munxyrën që po hiqnin natë e ditë.”

    Ky imazh provident i autorit Besnik Mustafaj, shpërfaqur në këtë përvojë të dytë romanore (“Gjinkallat e vapës”) në vitin 1992, kohë kur ai e kishte përpara karrierën letrare, e ve automatikisht nën shenjën e vet (providente) gjithë veprën e autorit. Në këtë kuptim, Besnik Mustafaj arrin të artikulojë dhe legjitimojë imazhin e vet autorial si krijues i botëve të veta letrare: Zoti i kohëve, hapësirave dhe banorëve të tyre, me stil të spikatur metanarrativ, i çliruar prej hijes fantomatike të Muzave apo rrefimtarit të gjithdijshëm, duke shkruar kështu edhe një histori psikanalitike të pasionit për vetën autoriale.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË