More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSkënder Karriqi: Motivi romantik i malit

    Skënder Karriqi: Motivi romantik i malit

    Premisë për interpretimin e prometeikes në letërsinë shqipe

    1- Imazhi epror i heroit lirik        

    Studiuesja franceze Ėlise Radix bën fjalë për një frymë të përgjithshme në fillim të shekullit XIX, të cilën ajo e cilëson si prometeiane dhe që zbulohet përmes një serie imazhesh romantike me vlera simbolike e, mbi të gjitha, përmes një shfaqjeje të përsëritshme, edhe pse ashtu e maskuar, të profilit të Titanit[1]. Çelësi për të kuptuar këtë seri imazhesh është vizioni i shkëmbit, i shenjuar fillimisht si shkëmbi (mali) i Kaukazit, përndryshe vendi i dënimit, i refuzimit kokëfortë, i revoltës, i izolimit, i dhimbjes dhe i soditjes tragjike. Në këtë kuptim ky vizion  do të jetë shenjë tipologjike përsa i përket formës dhe përmbajtjes së produktit letrar romantik. Kështu, përgjatë përvojës krijuese romantike këtë vizion do ta gjejmë në imazhet e malit, majës, çukës, kreshtës, kodrës, bregu etj, si të prejardhura nga imazhi i një shkëmbi romantik (Kaukazi). Jo në pak raste këtë vizion shenjues tipologjik do ta gjejmë edhe të nënkuptuar qartësisht nëpërmjet kuptimeve ndajfoljore vendore (poshtë, lart, tutje, përtej, tej etj)

    Vizioni i Titanit të gozhduar apo të lidhur në shkëmbin apo malin e tij, ishte i tillë që mund të korrenspondonte me shumë ide të vyera për romantikët. Por ajo çka është e rëndësishme ka të bëjë me faktin se ky vizion ngrihet në nivelin e një motivi thelbësisht romantik, që ka si përmbajtje ndjesinë e të qënit mbi masën (lart, sipër saj, mbi majë). Kjo është një ndjesi epërsie që, padyshim, lidhet me modelin olimpik-hyjnor, sipas të cilit epërsia intelektuale dhe morale përputhet apo është e lidhur, në kuptimin e të shprehurit, me të qënit lart, mbi mal (shkëmb,majë, çukë kodër, breg etj). Në këtë kuptim mund të bëhet fjalë për olimpizëm në letërsinë dhe veçanërisht poezinë romantike, produkt i të cilit është poezia e majës dhe më gjerë, poetika e kësaj poezie, në themel të së cilës është imazhi epror i heroit lirik. Ky ishte momenti i shkëputjes nga tradita epike e legjitimimit të ligjërimit letrar nëpërmjet Muzave. Edhe në i pafshim praktika të tilla, ato janë thjesht elemente të formave të retotikës poetike klasike në nivele rudimentare, pasi vendin e tyre në poetikën romantike e ze heroi lirik gjithmonë mbi malin, (majën, shkëmbin, kepin, kreshtën, bregun) romantik. Largimi prej këtyre formave klasike të tipit Këndo hyjneshë mërin e Akil Pelidit…, apo minimizimi rudimentar i tyre, ishte një tregues i rëndësishëm formal dhe konceptual i veçorive të romantizmit si metoda që do t’i hapte rrugë afirmimit të unit poetik romantik, i cili nëpërmjet udhëtimit dhe kënvështrimit epror, do të legjitimojë ligjërimin e vet poetik.

    2-Olimpi i zotave, Kaukazi i poetëve

    Arketipi  i këtij këndvështrimi të ri për romantikët është titani Promete, i lidhur dhe i braktisur në malin shkëmb të Kaukazit. Tek ai romantikët do të gjejnë sivëllain e tyre, duke iu referuar mitit të tij si shprehje e titanizmit dhe prometeizmit të tyre. Në përvojat e para, pikërisht shkëmbi-mal paraqitet si një vend i rrezikshëm, ku rrebeli (Prometeu) vuan dënimin, por edhe një vend i panjohur  dhe për këtë arsye edhe ekzotik.

    Në traditën mitologjike shkelësit e rendit hyjnor apo përbetuesit gremiseshin në Tartar. Kështu ka ndodhur me shokët e Prometeut (Titanomanika), kështu ka ndoshur me gjigandët (Gjigandomanika), kështu ka ndodhur me Atlantin e po kështu ka ndodhur me Tantalin e Titiun. Ndërsa me Prometeun ndodh ndryshe: ai gozhdohet apo lidhet me zinxhirë në shkëmbin – mal të Kaukazit. Zeusi (Jupitri) me këtë dënim krijoi një Olimp tjetër ,(përndryshe Kaukazin) me heroin olimpik (përndryshe kaukazian), Prometeun, të cilit do t’i referoheshin të gjithë ata që, në emër të njerëzimit, do të kërkonin një altrrnativë tjetër, filozofia e së cilës do të ishte humanizmi. Ky është një gabim fatal i Zeusit, por që duhet të klasifikohet në ato gabimet që do të ndodhnin domosdoshmërisht. Olimpi ishte i zotave, Kaukazi apo shkëmbi-mal (romantik) do të ishte i njerëzve dhe parasëgjithash i atyre njerëzve të veçantë, poetëve, të cilët në rrugën e afirmimit të tyre (nëpërmjet njërit prej më të denjëve, gjeniut Gëte) arritën deri në konceptimin e poetit krijues me të njëjtat atribute si të Zotit. Jo mohimi, por përballja, kundërqëndrimi, të maturit me Zotin, ishte fitorja e çmueshme, metafizike, me produktin e vet, frymën humaniste.

    Imazhe të tilla romantike (në male, shkëmbinj, kodra, brigje, kreshta etj) të cilat do të legjitimojnë panoramimin dhe ligjërimin poetik romantik dhe që lidhen pikësëpari me nevojën e shprehjes së unit poetik romantik, do të gjenden tek poetët evropianë. Këto imazhe, duke qenë referenca në praktikat e këmbimeve kulturore-letrare të shek XIX, domosdoshmërisht do të reflektojnë, drejtpërdrejt apo tërthorazi, në kultura të tjera.

    3- Mishërime poetike evropiane

    Mishërimin poetik të kësaj tradite Èlise Radix e ve re që në poemat e para të Lamarttine-it, tek vëllimi Meditime poetike ku ky motiv duket në lidhje me një tingull religjozshpërndahet në pamje të peizazhit dhe ku vjen të strehohet ai që nuk shikon gjë të përbashkët ndërmjet tokës dhe tij).[2] Më pas në këtë udhë do të shfaqet më qartësisht Alfred de Vigny me poemën Moisiu.

    Nga Nebua shterpë duke ngjitur malin

    Moisiu, njeriu i Zotit, ndalet dhe pa krenari

    Mbi një horizont të gjerë hedh një vështrim të gjatë.[3]

    Në këto vargje vihet re se mali është konceptuar si një vend i ngritjes në sensin gjeometrik të lëvizjes ngjitëse … ngrihet në një rang superior eminent[4]. Simbolikisht mali pra, e ngren në një pozicion të volitshëm atë që e ngjit, (në rastin konkret Moisiun) dhe i lejon të hyjë në kontakt me Zotin. Është pikërisht kjo ngjitje e vetmuar e heroit biblik të kthyer në një hero romantik që e shkëput atë nga njerëzit e tjerë, duke e vendosur mbi ta. Falë pozicionit të ngritur, të lartë, mbi, ky vend ( mali, shkëmbi, kodra, bregu, etj) bëhet burim i epërsisë, në kuptimin që me të lidhet forca, aftësia e heroit, në kuptimin e gjerë të kësaj fjale. Që nga maja e lartë e malit (në rastin konkret të Moisiut në vargjet e Vigny-së), shikimi i tij përfshin universin, siç duket nga togfjalëshat poetikë horizont i gjerë dhe vështrim i gjatë. Deri pak më parë Mojsiu është kokulur, jo krenar. Fill pas dominimit në lartësi ai karakterizohet në qëndrimin e tij nga një dukje prometeike, sikurse mund ta shohim në vargjet :

       Dhe në këmbë para Zotit Mojsiu duke zënë vend

       Në mjegullën e errët fliste ballë për ballë.

    Pozicioni në këmbë i Moisiut, në mos hakmarrës, të paktën është kurajoz për të kontestuar gjendjen njerëzore, për të arritur në shfaqjen më të plotë të asaj që ne e quajtëm dukje prometeike, e cila kulmon në qëndrimin ballë për ballë, qëndrim të cilin Ėlise Radix e komenton të tillë, që sjell situatë lufte apo barazie ndërmjet kundërshtarëve. Ky motiv i shkëmbit- mal i ka mundësuar heroit biblik të shndërruar në hero romantik, takimin me Zotin, pra i ka lejuar të pamundurën. Pikërisht ky hero, i ardhur prej fundeve drejt majës, vendoset në pozicionin e forces, duke e ndjerë veten moralisht të denjë për të kërkuar nga Zoti shpjegime për egzistencën e vet. Në të njëjtën kohë kjo ngjitje e heroit tonë është edhe ndarje, është edhe veçim, është vetmi dhe ekzil i heroit të zhgënjyer, dyshues, i cili për këtë arsye, tenton qiellin për të marrë përgjigje rreth pyetjeve të tij ekzistenciale. Padyshim që ky do të jetë një hap i rëndësishësishëm i qëllimit prometeik për të sfiduar Zotin (Zeusin, Jupiterin), që rrinte mbi Olimp. Në këtë kuptim mali (shkëmbi, kodra, bregu apo kreshta) bëhet streha e privilegjuar e heroit romantik (përkatësisht poetit) dhe më gjerë, njeriut në vështirësi për të jetuar. Pikërisht me këtë vend dominues (i lartë, mbi) lidhet shprehja e unit romantik si kundërvenie  ndaj Zotit, e nuancuar në variante të shumta letrare, e për më tepër, që nga ky vend do të shohim projektimin e deri shprehjen e elegjisë dhe lirizmit romantik. Lidhur me  një asosacion të tillë të malit (shkëmbit, kodrës, bregut, kreshtës) romantik(e)  do shpjegohet magjia rusoiane të natyrtës .

    Interesantnt në këndvështrimin tonë është edhe Senancour[5] me veprën Oberman, në të cilën personazhi me të njëjtin emër gjen veten mbi malet, mbi majat paqësore, atje ku mendimi nuk është i ndruajtur, përkundrazi, është më aktiv[6]. Senancour e paraqet personazhin e vet fill pas mbrritjes në një majë të vendosur simbolikisht dhe poetikisht sipër një deti resh. Në këtë vend dominant Oberman ka ndjesinë e një ëndrre kozmike, i ndodhur në një botë hapësinore, por edhe në kontakt me botën poshtë, tokën e njerëzve: është pikërisht maja që i ruan lidhjet me të. Ky stacion hapësinor i Oberman-it është një gjetje intuitive e traditës mitike. Si argument të ndjesive të tij  romantike  heroi në fjalë i majave rrëfen anekdotën në lidhje me Rousseau-in si më poshtë: Disa njerëz një ditë mirëpritën në një majë mali ku mblidhnin bimë, filozofin e shquar. Ata ishin të bindur se ai, si dashamirës i shpallur i natyrës, do t’u mbante një ligjëratë elokuente. Por filozofi ulet në tokë, luan me një fije bari dhe me vështrim të tretur në hapësirë, nuk flet asnjë fjalë. Ndërkaq njerëzit e kuptuan se ai e kishte thënë ligjëratën e tij të heshtur.

    Mali (shkëmbi, kodra, bregu apo kreshta), për autorë të tjerë do të jetë vendi i mërgimit, i vuajtjeve dhe i dënimit politik të heroit. Një kuptim të tillë psh e gjejmë tek Hygoi, i cili e kishte provuar mbi supet e veta mërgimin politik. Si i tillë ai e përfytyron veten në shkëmbin e Guernesey-it. Këtij ishulli ai i dedikon romanin  Punëtorët e detit, ku  evokon këtë shkëmb të mikpritjes dhe të lirisë[7]. Ndërsa në një nga veprat e rinisë së tij dhe pikërisht Shpella e Islandës, me anë të një subjekti të paraqitur në vetën e tretë, autori transmeton dhimbjen nëpërmjet personazhit Shumaker. Në këtë vepër dominon imazhi i heroit, ulur në një shkëmb të rrahur vazhdimisht nga dallgët në mes të detit, tek sa vuan mungesën e vajzës së tij, zëri i së cilës i vjen i ëmbël nga larg. Për më tepër, akoma me më shumë dhimbje, heroi vuan mosmirënjohjen e njerëzve për të cilët sakrifikoi. Megjithatë ky vend dënimi dhe izolimi politik, jo vetëm që nuk e ngushton, por e zgjeron hapësirën e heroit, i cili rritet virtualisht mbi këtë shkëmb dominues, deri në përmasat e njerëzve të mëdhenj, që pranojnë fatin e tyre tragjik në këmbim të shërbimit ndaj njerëzve.

    4- Sublimimi

    Nga lartësia ku ndodhet poeti, poetikisht bëhet gur, bëhet mal. Nëpërmjet këtij asosacioni (mal-poet, shkëmb-poet etj), që në shkallën më të lartë përjetohet si një imazh simbolik, mund të hidhet dritë edhe mbi ndjesinë e sublimimit të heroit lirik romantik. Me përmbajtjen e kësaj ndjesie lidhet kuptimi i parë latin i fjalës sublime, që do të thotë lëvizje ngritëse. Është sublim ai që ngrihet sipër të tjerëve, sipër meje. Akoma më i rëndësishëm është kuptimi i sublimes si një tranzicion deri në cakun e ruajtjes së ekuilibrave dhe shumë-shumë, deri tek një destabilizim i përkohshëm. Gjithçka përtej këtyre kufijve do të ishte tejkalim i masës, i shenjuar si i dëmshëm ky në të gjitha qytetërimet antike.

    Ky kuptim i sublimes na ndihmon të bëjmë diferencën. Gëte, siç kemi përmendur nga ç’na thotë vetë ai, hoqi dorë nga Prometeu se nuk i pëlqente fryma qiellpërmbysëse e Titanit. Në rastin romantik heroi lirik (përndryshe poeti apo personazhi paralel i tij), merr një pozicion ilegal, si një Promete, që me zjarrin e tij ve në diskutim rregullin dhe botën. Pra në rastin romantik s’kemi thjesht sublimim por një të tillë të shoqëruar nga revolta dhe dëshira për ta ndryshuar gjendjen. Ky personazh i sublimuar dhe i revoltuar njëkohësisht, qoftë dhe një kundërvënës i butë, me ndriçimin e tij që nga lart vështron armiqtë e tij, ndërkohë që here-herë në pozicione soditëse, mediton thellë në kuptime të ndryshme, por gjithsesi për fatin e njerëzve, apo përshkruhet në raport me ta. Është pikërisht kjo lartësi sublime, që e zbut dhe e shndërron revoltën e tij deri në urtësi dhe maturi.

        ***         

    Ėlise Radix duke konkluduar për motivin e malit shprehet: Është një fenomen i vërtetë letrar që ky motiv i shkëmbit kthehet në majë, në një pike kulminante nga ku mund të pushtohet Universi[8]. Ky përcaktim të ndriçon që shprehjen romantike ta shohësh të lidhur me një përmasë prometeike, e cila përpara se të ketë shprehjen e vet përmbajtësore, ka shprehjen e vet formale funksionale. E në këtë kuptim strukturat poetike dominohen nga kompozime, ku ndërthuren imazhe të lartësisë dhe hapësirës, që në lidhje me heroin, përbëjnë kushtin e: a)  përftimit të informacionit, b) të veçimit si moment i formimit dhe shprehjes së individualitetit, c) të meditimit si akt i prodhimit të ideve ndriçuese për të tjerët, për njerëzimin. Një këndvështrim i tillë padyshim, merr vlerë metodike në kërkim të argumenteve formale dhe përmbajtsore të prometeikes në letërsinë shqipe, si një veçori që e karakrerizon atë në të gjitha periudhat historike të zhvillimit të saj, por që si kulmim ka periudhën e Rilindjes Kombëtare.


    [1]  Élise Radix. L’Homme- Prométhée vainqueur au XIX-e siècle. L’Harmattan, Paris, 2006, fq 22.

    [2] Ėlise Radix, vepër e cituar, fq 23, ku citohet Lamartine, Méditations poétiques , (Vepra poetike e plotë), “Biblothéque de la pléiade”, Gallimard, Paris, 1963.

    [3] Po aty, ku citohet Alfred de Vigny, Poema antike dhe moderne, (Vepra e plotë), Gallimard, Paris, 1986

    [4] Po aty

    [5]  Ėlise Radix, Vepër e cituar, fq 25, ku citohet Senancour, Oberman, Paris, 1984.

    [6]  Po aty

    [7] Po aty, fq 26.

    [8] Po aty, fq 28

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË