More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSkënder Karriqi: Dyshimi i Prometheut

    Skënder Karriqi: Dyshimi i Prometheut

    Histori e shkurtër

    Miti i Prometeut, që në periudhën antike arkaike (Hesiodi) e deri në kohërat moderne, ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë letërsinë e kultivuar. Si i tillë ai ka historinë e vet letrare, e cila vjen e plotë në studimin e Raymond Trousson me titull: Tema e Prometeut në letërsinë evropiane. Pasi fitoi  mbi Zeusin dhe i hapi rrugë njerëzimit me zjarrin dhe idenë e dritës së diturisë, heroit të paepur iu desh të luftonte me kohërat shpeshherë të errëta historike. Betejën më të ashpër e pati  me Mesjetën, periudhë gjatë së cilës u pa si rival i Jezus Krishtit. Kur u kuptua se beteja me heroin e njerëzimit ishte e humbur, po gjatë kësaj periudhe, u punua për integrimin e mitit të tij në kristianizëm. Betejën e fundit e pati me Rusoin, i cili, në këndvështrimin e filozofisë së kthimit të njeriut në natyrë, zhvillimin e shkencës dhe të arteve i quan gabime historike, duke fajësuar Prometeun, të cilin e shpall armik të njerëzimit dhe artizan të dekadencës. Prej goditjes rusojane do ta rehabilitonte Volteri, i cili shkruante se, nëse bëhet fjalë për të ardhmen, ajo është përpara dhe jo mbrapa. Stigmatizimi i Volterit ndaj Rusoit  arrin kulmin, kur ai shprehet se, kur lexon Rusoin, ke dëshirë të kthehesh tek qenia me katër këmbë. Ndërsa, në përgjithësi, përfaqësuesit e lëvizjes Stuhi dhe vrull do të mishërojnë në imazhin e Prometeut artistin që krijon jo sipas modeleve të Zotit, por si një Zot i vërtetë. Lavdinë letrare Prometeu e pati në periudhën romantike, thelbi i së cilës do të ishte transfigurimi i heroit lirik romantik në përmasat e heroit mitologjik. Në këtë kuptim, Prometeu u shenjua si romantiku i parë. Në periudhën moderne heroi ynë i njeridashjes shkëlqen, përveçse si sjellës i shkencës, arteve dhe progresit në përgjithësi, edhe si edukator i madh i njerëzimit, pa mohuar rastin e Kafkës, i cili në tregimin e vet për Prometeun, jep idenë e mitit dhe heroit të pakuptimtë.. Gjithsesi, gjenia krijuese e njerëzimit edhe përgjatë shek. XX dhe në vazhdim sjell invariante apo variante të reja letrare të Mitit të Prometeut, në kërkim të heroit të përbotshëm të njerëzimit, pertej hapësirave dhe kohërave, me dramën reale tragjike, e cila, në fund të fundit, më shumë se sa e vertëta e heroit Promete, është e vërteta e vetë njerëzimit plot kontradikta me vetveten në planin historik. Më shumë se kush, këtë sens të krijuesit modern e ka patur edhe gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadareja.

    Në vitin 1967,  në një tregim jo më shumë se dy faqe, ai sjell figurën e Prometeut të braktisur, madje edhe nga shkaba, qeni fluturak i Zeusit, torturat e së cilës, në fund të fundit, e mbanin gjallë. Rikthimi, më në fund, i shkabës tek i mbërthyeri në pranga, e rikthen në jetë Prometeun. Parabola e heroit të motivuar nga vuajtja e përjetshme për njerëzit është fillimi i historisë kadarejane të Mitit të Prometeut. Më pas, në parathënien e botimit të veprës së plotë të Eskilit si dhe në esenë Eskili, ky humbës i madh, Kadareja bën të ditur planet e tij krijuese në lidhje me rikonstruksionin e trilogjisë së humbur të Eskilit mbi Prometeun. Në vitin 1990 ai  boton një tregim më të plotë trilogjik prej afërsisht dhjetë faqesh, që sipas Eric Faye, do të jetë  fillimi i rikonstruksionit të veprës eskiliane, prej së cilën njerëzimi trashëgonte vetëm  një pjesë, për të mbërritur në vitin 2002, me botimin e së vetmës pjesë teatrale të tij; Stinë e mërzitshme në Olymp, ku, përveçse sintetizohet gjithë historia letrare e mitit të  heroit të njeridashjes, pasurohet dhe rinovohet ajo në përputhje me shqetësimet dhe ankthet ekzistenciale të njeriut modern.

    1-Miti i Prometheut, si një cikël i përfunduar

    Në tragjedinë: Stinë e mërzitshme në Olymp Kadareja sjell mitin e Prometeut me cikël të përfunduar, duke thyer tabunë e padiskutueshmërisë së veprës njeridashëse.  Ai sjell tragjedinë e përjetshme të heroit të përjetshëm, të përbotshëm, përtej kohërave dhe hapësirave, në një variant përfundimtar dhe shterues. Në historinë e trajtimit letrar të këtij miti, qenia e tij me cikël të hapur ishte për shkrimtarët motivi referues për të krijuar, duke mëtuar sjelljen e diçkaje të re. Më së shumti, para se Kadareja të botonte këtë tragjedi, heroi i njeridashjes, Prometeu, vjen  në raporte të papajtueshme konflikti me diktatorë olimpikë (parabol e diktatorëve tokësorë), me etër te shenjtë, me filozofë të iluminuar, siç është rasti i Rusoit, me servilë të pushtetit, me mëshirues hipokritë, me njerëz cinikë, që nuk e kishin për gjë të tradhëtonin shenjtët e tyre, madje vjen  në raporte konflikti edhe me prostituta.  Por, asnjëherë ai  përgjatë historisë së tij letrare nuk vjen në raporte konflikti me vetveten,  për sa kishte bërë për njerëzimin, për zjarrin që u solli, për shkencën, artet e bukura, shkronjat dhe dijet e shumta, falë të cilave u bë një progres i jashtëzakonshëm, që gjithsesi, paska edhe anën tjetër të medaljes. Siç duket, pa përmasën kritike brenda vetes, pa këtë këndvështrim homocentrik, edhe heroi i dashur për njerëzimin, Prometeu, nuk do të ishte i plotë dhe, në këtë kuptim, nuk do të  ishte edhe i vërtetë. Pa këtë përmasë, ai kurrsesi nuk mund ta realizonte veten në kuptimin funksional heroik: gjithmonë do t’i mungonte jo vetëm përmasa e plotë dramatike  tragjike, por edhe maturia në qëndrimet, veprimet dhe vendimet për  ndriçimin e njerëzimit në udhën e progresit. Kësisoj, kjo mungesë në raport me veten si më sipër, bart rrezikun e shndërrimit lehtësisht të dramës në farsë dhe të tragjedisë në komedi, të shndërrimit të heroit tragjik në hero komik, lehtësisht i mohueshëm në përmasat e tij heroike, i kritikueshëm dhe i shkërbyeshëm, komedia e të cilit do të ishte bumerang për qëndrimet dhe aktet e tij, qofshin këto edhe me qëllime të qarta njeridashëse.

     Gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadaresë, e kupton këtë mungesë të madhe të mitit të Prometeut përgjatë  historisë letrare të trajtimit të tij, ndaj, përtej rikonstruksionit të veprës eskiliane me dy pjesë të humbura, në tragjedinë e vet: Stinë e mërzitshme në Olymp e pasuron dhe e rinovon këtë mit letrar. Për herë të parë në variantin e rikonstruktuar dhe rinovuar të tij, Prometeu  vjen  në fund të historisë së vet me figurën e një cikli të mbyllur, në raporte konflikti me vetveten, i mëdyshur për aktin e tij, edhe pse, gjithsesi, kurrë i penduar për veprën e tij të njeridashjes. Pikërisht, në fund të këtij cikli drama dhe tragjedia e tij përmasohen si kurrë më parë, kuptimësohen përfundimisht dhe sublimohen në përmasën e heroit të përjetshëm, si thelb i së vërtetës së tij në raporte me njerëzimin, në një vetmi të përbotshme, i pakuptuar, i braktisur dhe së fundi, i mëdyshur, duke vuajtur përjetësisht (tani jo në malin e tij të Kaukazit, por  në një Mal të Badhë, ku bëhen prova bërthamore) dramën dhe tragjedinë e njerëzimit në kontardiktë me vetveten.

    2-Fragment nga dialogu i fundit.

    Jemi në dukjen e trembëdhjetë (të parafundit) të tragjedisë, në një mal, ndoshta Mali i Bardhë, ku veç Zeusit e Prometheut ndodhen aty edhe Posejdoni, Hefesti, Hermesi, Eskulapi dhe zyrtarë të tjerë të Olympit. Të tërheq vëmendjen aty edhe një  shërbëtor që mban në duar prangat e Prometeut, të cilat herë pas here i fshin me një leckë të thatë. Pas nje dënimi të gjatë, Prometeu është në ditën e parë të lirisë. Pikërisht në këtë ditë, Zeusi i ka rezervuzar befasinë e madhe, së cilës i paraprin një dialog epik: dialogu i fundit ndërmjet midis të dyve, njëlloj si fjala e fundit, përtej së cilës nuk ka më kuptim asgjë. Një fragment i këtij dialogu të fundit është si vijon: Meqenëse mbetet edhe pak kohë gjersa të vijë çasti i ngjarjes, po përfitoj të të them nja dy gjëra. Ne  u grindëm kohë më parë për punën e njerëzve. Tani ti je prapë hyjni, njëlloj si më parë, me të gjitha të drejtat. Dhe unë jam shefi yt, ashtu si dikur. Ti ke mendimet e tua. Unë të miat. Unë kam menduar se njeriut nuk i duhet dhënë as përkryerje e as liri pa cak. Ti ke qenë për të kundërtën. Unë kam menduar se truri njerëzor është bisha më e lemeritshme që ka njohur gjithësia, ndaj, si çdo bishë e egër, duhet të jetë i lidhur me vargoj. Ti, përkundrazi, ke qenë për lirinë dhe për harlisjen e tij. Ti ke mbrojtur mendimet e tua gjer në fund. Unë të miat, gjithashtu. Pas kaq kohe që ka kaluar, secili ka të drejtë të pyesë: kush ka patur të drejtë megjithatë? Zeusi apo Prometeu?Apo ndoshta të dy, apo ndoshta askush? Meqenëse Zeusi zotëron informacionin, në dialog e sipër ai është superior, pikërisht atëhere kur, pas lirimit të Prometeut,  rolet duhet të ishin këmbyer. Fjala e tij është e qartë, në raporte përballjeje vetore: Unë-Ti, si një përshtatje moderne e dialogëve para dyluftimeve herioke. Dikur Zeusi nuk e dinte enigmën e rrëzimit të vet nga froni olimpik,  ndaj çonte orë e çast të dërguarit e vet tek shkëmbi i Kaukazit, me shpresën se do të mësonin diçka  nga Prometeu në torturë, që zotëronte informacionin. Tani është Prometeu që, pas një shkëputje të gjatë për shkak të dënimit, nuk e di deri ku ka vajtur  marrëzia njerëzore. Në kohën e një progresi të paparë, Zeusi  i kthehet në këtë dialog përsëri çështjes së lirisë dhe të trurit njerëzor, bishës më të lemeritshme që ka njohur gjithësia, që, si çdo bishë e egër, duhet të jetë lidhur me vargoj. Për herë të parë në historinë letrare dhe teatrore të mitit të Prometeut, spektatori apo lexuesi, sipas rastit, është në anën e Zeusit, madje duket sikur edhe vetë Prometeu i jep të drejtë atij, kur në dialog e sipër, njihet me faktin se njerëzit kanë ndarë të pandashmen, kanë kapërcyer kufirin fatal, kanë  ndarë atomin. Të vetmet fjalë të tij në dialogun e fundit me Zeusin, ishin klithma dhembjeje (Dëgjova klithma me dhembje, i thotë Zeusi)

    3-Leximi i tragjedisë në këtë kontekst marsian ankthi bërthamor

    Tragjedia e Kadaresë: Stinë e mërzitshme në Olymp, mund të kategorizohet në atë grup të llojit me kulm në fund të veprimit dramatik në tërësi, konkretisht në dukjen e trembëdhjetë, të parafundit. (E gjithë tragjedia ka katërmbëdhjetë dukje). Në fakt, në këtë moment kulmor, veprimi dramatik nuk është një veprim aktorial, por një shpërthim bërthamor, vepër e marrëzisë së njeriut në lirinë e tij të pacakë. Njerëzit bëhen gati të hedhin në erë vetveten, krejt rruzullin tokësor e, natyrisht, me të bashkë, edhe Olympin, edhe (ne) hyjnitë, dhe vetë kohën.

    Është folur për vetminë prometeike, për heroin e vetmuar tek shkëmbi i tij i Kaukazit,  prej nga, në vuajtje e sipër,  shihte rruzullin përtej kohës dhe hapësirës, në një distancë perspektive,  një hapësirë informacioni kjo, e mbushur me meditimet e heroit për progresin njerëzor,  me plot optimizëm dhe besim tek qenia inteligjente. Sipas këtij modeli, shkrimtarët e të gjitha kohërave, veçanërisht romantikët, përshtatën modelin e tyre prometeik (romantik) të heroit lirik, që, lart, sipër mbi kodër, breg, majë mali etj, meditonin dhe këndonin poemën e tyre humaniste. Në tragjedinë e Kadaresë ky model, megjithëse i ngjashëm për nga  forma, vjen  në shenjën e thyerjes së tabusë prometeike. Edhe në këtë moment heroi ynë i njeridashjes është në Malin e Bardhë, prej nga sheh gjithë rruzullin, por tani  distanca perspektive si një hapësirë informacioni është e dominuar nga vepra e marrëzisë njerëzore: O tmerr, O fund bote, Ditë e moskurrit, Mallkuar qofshin njerëzit, Heshtje, Vetmi.

    Kjo nuk është si të gjitha heshtjet që heroi kishte përjetuar dhe vuajtur më parë, kur ishte me pranga në duar  apo i mbërthyer në shkëmbin e Kaukazit,  ku i vetmi vizitor ishte qeni fluturak i Zeusit, shkaba me sqepin torturues. Përkundrazi, kjo është vetmia e madhe, të cilën heroi ynë nuk e kishte njohur kurrë:  vetmia në ditën e parë të lirisë me dekret nga Qendra e mbibotshme. Për më keq akoma, vendin e qenit fluturak në vetmitë e mëparshme e ka zënë dyshimi për njerëzit, më torturues se sqepimet e mëlçisë. Ky dyshim gërryes e bën të pamundur profilin e heroit, e anullon atë. Ai do të sjellë ftohjen me njerëzit, besimi dhe dashuria ndaj të cilëve  ishin motive të qenies heroike. Ndaj i lutet Qiellit t’ia largojë dyshimin e zi. Jo, kurrë nuk do të ketë ftohje me njerëzit. Të gjitha i duken të kota pa ato qenie të brishta, të mençura,të marra, besnike dhe të pabesa.

    Kësisoj vjen në të vetmen pjesë teatrale: Stinë e mërzitshme në Olymp, profili përfundimtar dhe i përjetshëm i heroit Promete, me dashurinë, vuajtjen dhe dyshimin e përjetshëm për njerëzit.  Kështu vjen ai, si një tabu e thyer,  në këtë kontekst marsian ankthi bërthamor, edhe pse e ndjen se kurrë nuk do të ndahet prej njerëzve, vuajtja për të cilët motivon qenien e tij tragjike.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË