“Poeti e shikon botën ashtu si burri e shikon gruan.” Rrallëkujt mund t’i shkojë sa Vehbi Skënderit dhe poezisë së tij ky përcaktim i poetit amerikan të shekullit të kaluar Wallace Stevens.
Më 1995 Vehbi Skënderi botonte librin e tij të dymbëdhjetë poetik i tij dhe të parin pas largimit të diktaturës së Enver Hoxhës e Ramiz Alisë. Ky libër vinte shtatë vite pas librit të tij të mëparshëm “Nxitoj”, shtatë vite, pra, që poeti të freskonte mjaftueshëm muskujt dhe frymëmarrjen e poezisë së tij sa për të dalë përsëri para publikut të tij admirues.
Libri botohej në fillim të moshës së tretë të poetit. Askush nuk mund të parashikonte askohohe se hapte një fazë të re dhe më të lartën e poezisë së Vehbi Skënderit, as vetë autori i tij me një karrierë nga më origjinalet e brezit të tij krijues dhe të krejt poezisë shqipe të pas Luftës së Dytë Botërore. Ndryshe nga shumë prej kolegëve të penës të atij brezi, ai nuk vinte nga universitetet e huaja, por formohej, njëherësh nxënës dhe profesor i vetvetes, duke formuar vetë shkollën e tij poetike.
Nuk e kishte kritikën zyrtare sa e kishte me vete publikun admirues, i cili zgjerohej e zgjerohej pas çdo botimi të ri. Librin e parë e sjell kur është 26 vjeç. Me librin “Fletë nga ditari im” ai është i përkëdheluri i lexuesit të breznisë së re si “Anakreont i poezisë shqipe”. Përqaset me njërin nga nëntë lirikët më të mëdhenj të antikitetit greke, ngaqë tematika e tij më e parapëlqyer është ajo e dashurisë, larg çdo skeme, pra, edhe larg skemave të imponuara nga realizmi socialist. Ai tashmë e shikon botën nëpërmjet bukurisë së femrës, nëpërmjet bukurisë së ndjenjës për femrën, duke i shkrirë në një rrafsh të vetëm njerëzoren me hyjnoren, tokësoren me qielloren.
I vetmi veteran i Luftës së Dytë Botërore nga radhët e shkrimtarëve me tri plagë plumbash në trup, Vehbi Skënderi gjatë karrierës së tij krijuese të pasluftës, do të ketë shumë plumba dhe shumë plagë. Merr goditjen e parë nga regjimi kur është 40 vjeç, kur është afirmuar si poet e gazetar, kur ka fituar çmime republike e çmime në konkurse kombëtare. Përballet me riedukim të detyruar disavjeçar në kantieret e Vaut të Dejës, i fillojnë presionet e Sigurimit të Shtetit, të cilat nuk i ndahen gjatë gjithë regjimit. I ndalohet krijimtaria kur është 47 vjeç, librat i hiqen nga libraritë dhe nga bibliotekat i dërgohen për karton. Përballet me dëbimet, me papunësinë, pastaj me punët më të rënda e më poshtëruese. Vetëm pas dhjetë vjetësh i lejohet krijimtaria, por nuk lejohet promovimi i kësaj krijimtarie nga kritika.
Dy librat e botuar pas lejimit të krijimtarisë, janë “Kumbojnë vitet” (1984) dhe “Nxitoj” (1988), dy tituj me të cilët jepet alarmi se koha po i ik fluturim poetit, natyrisht, pa denoncuar dot autorësinë e krimit ndaj tij dhe poezisë së tij.
KËNGË TË PAKËNDUARA
Vehbi Skënderi, nga të gjitha lirikat zgjidhte “Bëjmë sikur…” për titull të librit të tij të ri në kushtet e lirive estetike të krijuara. Tri pikat e heshtjes kanë peshë të madhe shprehëse të mëdyshjes dhe të dyshimit të poetit ndaj pritshmërive të panjohura në horizontin e kohës. Ndjenja nuk është mes dashurisë dhe urrejtjes, është mes lojës dashurore dhe çmendjes dashurore, mes mërzisë së kotësisë, boshit, monotonisë dhe dehjes së haresë, magjisë, shpresës, mes gënjeshtrës dhe së vërtetës. Poezia përfundon me vargjet: “Thua më do vërtet, vërtet çmendesh për mua?/ A bën sikur. Sikur. Sikur…/ Dhe as ti nuk më do. Dhe as unë nuk të dua! Veç lozim komedi./ … E nga kjo kotësi, që ndesh ngado të shkosh:/ Gjithçka të duket kot! Gjithçka të duket bosh!” Në mes të ndjenjës ndërhyn kështu parandjenja, e cila nuk vë thjesht hendek mes dy individëve, midis dy të dashuruarve njëherësh të padashuruarve, por midis njeriut dhe shoqërisë, midis shoqërisë dhe kohës.
Me këtë libër poeti do të dëshmonte se nga i gjithë brezi i tij është krijuesi që e jeton dhe e shpërblen më me sukses dhe më frytshëm lirinë. Dhe më vonë nga libri në libër ai do të rilindte e do të rilindte përsëri. Kështu më 1996 do të vinte libri “Hëna e vjedhur”, më 2004 do të vinte “Zvicra, Shqipëria ime”, më 2012, një vit pas largimit të tij nga jeta, do të vinte libri “Mirëmëngjesi, Shqipëri – Lirika të një tetëdhjetëvjeçari”, secili me një fizionomi më vete, secili në një lartësi të re. Nga një libër në tjetrin shpërthejnë akumulimet e heshtura, akumulimet e fshehura edhe ndaj vetë poetit, me flatrat e frymëzimeve të reja që nuk e përfillin moshën e shtyrë të poetit.
Ndoshta, kur është fjala për një poet të përndjekur e të ndaluar, librit të ri do t’i kishte shkuar edhe titulli “Këngë të pakënduara”. Poeti këndon këngët që, me dekada, nuk ia kishin lejuar t’i këndonte, i hedh në vargje frymëzimet që ia kishin mbajtur peng, e lëshon zërin e tij jashtë kafazit të dogmave të praktikuara nga institucioni më i vrazhdë i censurës në gjithë ish kampin socialist, jashtë frustrimeve të autocensurës të imponuara dhunshëm nga sistemi dikatorial.
Poeti nuk rifillon nga aty ka e ka lënë me librin e tij të para shtatë viteve, e rifillon aty ku e ka lënë para 32 vjetësh, pra, me lirikat dashurore, me optikën, me botëvështrimin e lënë në mes në vitin 1963. Por tashmë ai e ngre zërin me disa oktava më lart.
Libri kishte 77 lirika, të përmbledhura në tetë cikle. Cikli i parë “Mos ik” është edhe më i gjati. Nga 25 poezi të tij, 24 ishin lirika dashurore. Ndërsa i gjithë libri kishte 44 lirika dashurore. Paralajmërohet, pra, kështu jo vetëm lënda e një libri, por edhe një stinë e begatë poetike, ku muzës së tij i rikthehet integriteti i plotë, ajo nuk është më hija e vetvetes, nuk është më gjysma e vetvetes, ajo është hënë e plotë.
Dashuria nuk është vetëm ndjenjë eterike, është edhe lëndore, është edhe fizike. Nuk iu këndohet vetëm syve, zemrave, shpirërave, përmallimeve, takimeve, ndarjeve, kujtimeve, harrimeve, pikëllimeve, iu këndohet edhe gishtave, duarve, buzëve, vetullave, qerpikëve, pulpëve, kërthizave, pushit të faqeve, gjoksit, gjunjëve, iu këndohet deri edhe “zonave të ndaluara”, “zonave të palejuara” apo “zonave të pushtuara”, iu këndohet edhe ndjenjave të rrezikshme për “gruan e një tjetri”, edhe ndjenjave të çuditshme të pamoshë. Iu këndohet shumë pritjeve, iu këndohet shumë përjetimeve, gati asnjëherë ndarjeve, iu këndohet edhe dyshimeve në dashuri, edhe mërzitjeve në dashuri, edhe ndjenjave të lënduara, por të gjitha nga pafajësia, e cila është sinonim i bukurisë, pra sinonim i femrës. Si te asnjë poet tjetër, te Vehbi Skënderi, në çdo rrethanë, të xhelozisë, të refuzimit, të ndarjes, femra është pafajësia.
Dhe vjen poezia që ndokush mund ta akuzojë si blasfemi “Unë kam shkruar një Bibël për vetullat e qerpikët”, një poezi manifest i bandillit modern: “Unë që i kam sfiduar erotikët. Dhe heretikët./ Që kam ngritur një Bibël për vetullat e qerpikët;/ Që jam katitur rrugëve dhé e pluhur (Fshehur kaçubeve të mjegullave e muzgjeve) veç për të puthur pak këmbën tënde të bukur)/ Të kam shpletitu leshrat, kopsat të kam shkopsitur…/” Më tej: “Të kam thithur, si pite mjaltë, buzën e tharë nën hënë”. Apo “Të kam zhveshur sa herë: golf, bluzë e këmishë/ Të kam puthur plot zjarr: sy, buzë e kërthizë”.
NDJESHMËRI GJITHËSHQISORE
Lirika dashurore e Anakreontit shqiptar bëhet gjithnjë e më trupore, ku ndjesia jo vetëm përjetohet shpirtërisht si hijeshi, si sharm, si bukuri femërore, pra si përkryerje e bukurisë njerëzore, por edhe fizikisht si njomështi, butësi, ëmbëlsi, kur poeti i thotë së dashurës në lëndinë, në stolin e parkut apo në shtrat: “Dhe unë që buroj plot vrull lumenj në fjalë dhe emra abstrakte/ Më pëlqen të hyj rrugicave e ngushticave (pa dritë)/ të mistereve e të shpellave me shumë kate”. Dhe më tej: “Mbaroj për këtë trup! Këto dy duar e këto dy buzë/ dhe këta sy të zes… që mbushin shpirtin plot tym/ plot re e shkrepëtima…” (Poezia “Tani ti je e tëra e imja”)
“Poeti e shikon botën ashtu si burri e shikon gruan.” Thoshte poeti amerikan Wallace Stevens. Me anasjellë, mund të arrijmë edhe në përfundimin tjetër se edhe bota i reagon si gruaja poetit. Shkëmbejnë mes tyre joshjet, tundimet, zotërimet, kureshtjet, intimitetet, ndijimet, bashkëveprimet, ndërveprimet.
Dhe mund të themi se poezia e Vehbi Skënderit është pikërisht poezi e shqisave burrërore, pra poezi e sensualizmit mashkullor, e ndërveprimit të dendur e të larmishëm të shqisave brenda tërësive trupore partnerëve në dashuri, ku vihen në punë sa më gjerësisht të gjitha shqisat: shikimi, dëgjimi, prekja, nuhatja, shijimi. Kjo ndihet, natyrisht, më shumë tek lirikat dashurore. Mund të veçoj këtu për analizë disa vargje nga poezia “Qimkëzat” (ndoshta e vetmja në poezinë botërore me këtë temë), e cila ka në qendër pushin e faqeve të femrës së dashur: “Po këto qimkëzat e tua si gjilpëra/ Oh! Këto qimka, që përhapin tinguj si zilka/ E më bëjnë kaq të prekshëm e sensibël!/ … Sikur fishkëllejnë heshtazi, si bilbilka/ Sikur më cimbisin lehtazi, si çimka./ Oh! Këto qimkëza të hijshme, si gjilpëra/ u fryjnë halkave të pishave e të ëndërrave…” Brenda këtyre vargjeve shfaqen krahas njëra tjetrës dhe bashkë disa ndjesi, secila më e bukur, përveç shikimit edhe prekja, sepse qimkëzat janë si gjilpëra që i ndjen edhe në largësi, por që cimbisin lehtas kur ato të prekin apo kur ti i prek, përveç shikimit dhe prekjes edhe dëgjimi se ato fërshëllejnë edhe pse “heshtazi”, se ato luajnë edhe në instrumentet e tyre, sepse “u fryjnë halkave të pishave e të ëndërrave”. Ndjesitë shqisore ndërveprojnë edhe si mbresa të ruajtura gjatë në kujtesën e elementëve fluidë apo të ngurtë të natyrës: “Nuk do ta kisha besuar…/ Po mos të kiste ruajtur ajri ende erën tënde/ Dhe rëra kapriçioze e plazhit gjurmët e tua”. Atë që e bën ajri i plazhit në poezinë “Nuk do ta kisha besuar” e bën uji i detit në poezinë “Ajo që kërkon ti”.
Përmasa bodleriane është gjithnjë e më e dukshme në poezinë e Vehbi Skënderit. Bukuria femërore shndërrohet në një lente nëpërmjet së cilës poeti, në prani a në mungesë të saj, e shikon edhe të shëmtuarën, të ligën, tragjiken, të cilat aq shpesh, aq pamungueshëm ndeshen në përditshmërinë njerëzore. Bukurinë femërore, edhe nëse “rri si zog i strukur” në “thes të pistë me arna “që nxin si re nga kandrat”, edhe nëse shëmtohet në “xhingla-migla, kopsa, tela, teneqe, edhe nëse e ndryn brenda çdo gëzhoje, brenda çdo ambalazhi të shëmtuar e të neveritshëm, nuk mund ta fshehësh, sepse ajo “Prap shkrepëtin, si diell, tri herë më e bukur!”, sepse “Ajo shkrep përsëri, si hëna mes një shkrepe!”, sepse ajo “ndriçon si zjarr, si yll përshkënditet”, “dhe kur e nxjerr ne ankand dhe kur e kall në hije”. (Perla) Magjia e bukurisë e sfidon edhe vetë vdekjen: “Kleopatrën e magjishme a s’e kafshoi nëpërka nga shporta e fiqve?” Bukuria e sfidon edhe vetë vdekjen, sepse vetëm ajo nuk i trembet vdekjes: “Asgjë nuk i shpëton asaj! Askush! Askund!/ Vetëm prej sa nuk trembet/ Ajo që edhe shelgut frikacak, edhe lisit trim i qepet pas si kulpra/ E nga vështrimi i saj edhe Perëndia çmendet:/ E bukura! O Zot i Madh! E bukura! E bukura!”
TJETËR PËRMASË BODLERIANE
Poeti Vehbi Skënderi, me librin e parë të botuar në postkomunizëm këndonte plot këngë të pakënduara, thyente plot tabu të deriatëhershme. Ai lë pikëtakime të reja kujtese me fëmijërinë, ai ritakohet pas sa dekadash me Dibrën e adoleshencës së tij partizane. Për herë të parë, drejtpëdrejt në sy, pa tërthore, i flet edhe vdekjes. Për herë të parë përballet me vuajtjet e tij të një gjysmë shekulli, për herë të parë nuk iu druan lotëve të tij, nuk iu druhet vetmive, trishtimeve, marrëzive poetike, për herë të parë përballet, pa teklif tashmë, me sfidanten më të rëndë e më jofalëse ndaj njeriut, madje të njeriut poet – pleqërinë. Për herë të parë, ai fiton të drejtën për të protestuar ndaj fatit të padrejtë të Kosovës me dimër aq të gjatë dhe pranverë aq të shkurtër (“posi një lulekuqe mes dëborës”).
Përmasa bodleriane vërehet gjthnjë e më fuqishëm në marrëdhëniet herë më të lëmuara, herë më të ashpra midis kategorive të kundërta estetike, të cilave në realitetin jetësor iu përgjigjen dukuri përkatëse herë të pajtueshme e herë armiqësore mes tyre. Nëpërmjet bukurisë dhe pafajësisë fëminore, tek poezia “Dy ushtarët” poeti sjell ndërvënien e përkryer të tragjikes dhe groteskes. Sepse e tillë, makabre, ngjethëse, e habitshme, e kobshme, komike dhe unikale është vdekja që iu ofron toka e huaj, toka shqiptare, një ushtari grek dhe një ushtari italian, dy pushtuesve, që vazhdojnë të mbajnë njëri- tjetrin nëpërmjet bajonetave të ngulura njëri-tjetrit dhe të cilët bora që po shkrin ua zbulon para syve kureshtarë fëmijëve të luftës. Është një statujë që iu mungon të gjitha galerive të botës, përveç galerisë aq të pasur të poetit Vehbi Skënderi.
Fëmija është dukshëm te plaku, kur ky i përjetëson në poezi dy të ndërvrarët e Luftës së Dytë Botërore. Fëmija është dukshëm te plaku edhe tek poezitë që ia kushton Dibrës, ku ai ka qenë partizan dhe, bashkë me plumbat në trup, ka marrë mbresat më të pashlyeshme të një jete shumë të gjatë në vite, shumë të ndërlikuar nga pësimet, shumë të rënduar nga zhgënjimet. Fëmija është padukshëm te plaku në të gjitha poezitë e ciklit “Vdekja vjen gjithmonë herët”. E thotë titulli i ciklit, por edhe titujt e poezive: “Burgu”, “Kur më fiksohet bindja se edhe pak ditë më mbeten”, “Kam një të mirë: unë mbaj mend”, “Prit, o i verbër, prit”, “Vdekja” e tjerë. Te “Epitaf i nipit për gjyshin e vet veteran vrarë si armik i Partisë” fëmija e kupton plakun dhe plaku fëmijën se jeta që iu është shërbyer ka qenë një lugë – më keq se të ishte bosh – një lug plot helm. Një lojë fëminore sa dhe një tragjedi. Përballë vdekjes, burri, plaku është me armët e fëmijërisë, me armët e kujtimeve, të përjetimeve, vuajtjeve, pendimeve, me imunitetin e fëmijërisë është burri ai që e mban në këmbë njeriun. Dhe bashkë me të – botën!
RIKTHIMI
Vehbi Skënderi para 26 vjetësh vinte me librin e tij të dymbëdhjetë poetik, kur kriza mes lexuesit shqiptar dhe letërsisë shqipe kishte marrë çarje të madhe që vetëm sa do të thellohej, kur nga censura më e skajshme e botimeve u kalua në improvizimet më të skajshme, në maniera nga më të hallakaturat e nga më boshet, kur shoqëria ishte plotësisht e hutuar dhe e shushatur ndaj vlerave të vërteta. Botimi i ri, “Thuaja hënës”, tashmë në dhjetëvjetorin e ndarjes së poetit nga jeta, e rikthen tek lexuesi poezinë e Vehbi Skënderit në shenjë të rikthimit të lexuesit shqiptar tek poezia më e mirë shqipe, tek letërsia më e mirë shqipe.