nga Yzedin Hima
Poezia “Saharaja”(1974) është poezia më e arrirë e Vilson Blloshmit. Ajo është një kryevepër e kohës kur u shkrua. “Saharaja” është një tekst i hapur poetik. Lexuesit e gjejnë këtë tekst si një krijim ambigue që lejon këndvështrime e interpretime të ndryshme dhe të shumta. Pikërisht kjo begati kuptueshmërie e tekstit poetik u shfrytëzua nga ekspertët letrarë të policisë së fshehtë, të cilët e ngurtësuan, e hermetizuan tekstin, zbuluan shenja e kode të cilat, jo se nuk ekzistonin në këtë tekst, por i veçuan mekanikisht ato për të bërë dekodifikimn e tekstit vetëm në një plan, në planin ideologjik, duke e varfëruar nga shenjat e kodet e begata të domethënieve filozofike e estetike dhe në analizë të fundit e fundosën autorin e poezisë. Poezia “Saharaja” është shkruar në njëmbëdhjetë rrokësh, varg i metrikës italiane, varg me të cilin Danteja shkroi “Ferrin”. Strofat janë katërshe me rimë të kryqëzuar (abab). Figurat kryesore janë simboli, metafora, aliteracioni, anafora, analogjia etj. Që në titull kemi një symbol – Saharaja, shkretëtirë që mund të zhvendoset në çdo cep të globit, shkretëtirë që sulmon, rrethon individin me shkretinë e saj, shkretëtirë që mbërthen shtetin, logjikën e tij, memorjen e tij, shkretëtirë që shkreton kujtesën e një kombi, e një populli, shkretëtirë që përfshin shpirtra njerëzorë duke i kthyer ato në shkëmb, rërë e gur. Simboli është një figurë letrare enigmatike dhe kurrë e deshifruar gjer në fund, ndaj mund të renditen edhe shumë e shumë kuptime të tjera.
Fjala Saharaja kthehet në shenjë në këtë tekst, për të shenjuar dukuri, objekte që kanë humbur identitetin dhe janë kthyer në shkreti, fenomene që i sulen gjithçkaje jetësore për ta shkretuar. Fjala Saharaja është shenjë që dehumanizon mjedisin, dehumanizon turmën dhe sulmon e përpiqet të ç’njerëzojë individin. Batica e saj është e pandalshme dhe e pashpirt. Metaforat: s’sheh ëndërra, s’sheh as drurë, Saharaja s’di të ëndërrojë, Ajo bluan gurë me mënd’ e saja, Saharaja s’ka këngë të këndojë, Saharaja s’ka as lotë të qajë japin dimesionin e dehumanizmit të saj.
Në pesë strofat e para të poezisë “Saharaja” autori bën portretin e shkretëtirës. Në katër strofat e tjera të tekstit Saharaja shfaqet në baticën e saj drejt hapësirave të tjera. Ne pesë strofat e para mungesa është shenjë që shenjon përmasat e shkretisë. Me pjesëzat s’ e nuk ndërtohen këto strofa: s’sheh ëndërra,s’sheh as drurë, s’di të ëndërrojë, s’ka këngë, s’ka as lotë, nuk ka miq, nuk ka shokë, nuk ka bijë, as bir, s’shkon mirë, s’i pëlqen, Fjalë e dashuri e njerëz s’ka, Perç’ e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë.[1] Edhe simbolet e tjera në këtë tekst si ëndrra (e ardhmja më e mirë, më dinjitoze, më njerëzore), drurë ( gjelbërim, jetë), këngë ( gëzim, hare), lot (ndjeshmëri, dhimbje, mëshirë), janë në funksionin e portretizimit të së keqes (Saharasë). Nata, si simbol i fshehjes , i qetësisë dhe i prehjes refuzon të mbulojë këtë shëmti e shkreti: Saharaja është një një copë tokë, / Thonë se dhe me natën s’shkon mirë. / Natës s’i pëlqen Saharaja, / S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë; / Fjalë e dashuri e njerëz s’ka; / Perç’ e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë.[2] / .
Në pjesë e dytë, siç përmendëm edhe më lart, në tekst e takojmë shkretëtirën jo thjesht si portret, por si objekt (madje edhe si subjekt) në lëvizje, jo në zbaticë, por në baticë. Madje metaforat: e mban vesh e qesh ( Saharaja shënimi im , Y. H. ), fillon të gëzojë, në kundërshtim me dehumanizmin e Saharasë në pesë strofat e para, shprehin personifikimin e saj me njeriun, por me njeriun e çnjerëzuar, që thirret në ndihmë për të ndëshkuar: Prandaj kur urrejtja e fortë e nxehur / Mbi dikë mallon e shfryn e shan, / Që nga skuta del kujtimi i dehur / Dhe thërret menjëherë Saharanë.
Saharaja si shenjë shenjon në këtë pjesë të tekstit dhunën, represionin, instrumentat e tyre.Teksti është ndërtuar me mjete që takohen në stilistikën estetike të teksteve poetikë të simbolistëve si pyll simbolesh, alegori, analogji dhe muzikalitet të vargut dhe imazh që realizohen nga aliteracioni, rima, enumeracioni etj, Aliteracioni: Saharaja, larg është Saharaja, ku bashkëtingëllorja e shurdhër r përsëritet në çdo varg dhe të jep përshtypjen e ecjes në rërë. Në vargun: Shkretëtirës shket e shkrepëtit kemi bashkëtingëlloret t, r, sh dhe k, të cilat japin lëvizjen tinëzare të baticës së shkretëtirës. Vargu është marrë nga strofa e dytë e pjesë së dytë të tekstit poetik. Të njëjtin aliteracion e gjejmë edhe te vargu i strofës së fundit në pjesën e dytë të poezisë: Shkretëtirë e shkretë mbetet shkret, që mbyll poezinë, ku kemi bashtingëlloret sh, k, r, t të përsëritura respektivisht nga tre herë dhe bashkëtingëllorja t gjashtë herë, duke të lënë mbresën se batica vjen e vjen pa ndalim, madje është pranë autorit. Muzikaliteti i vargut përftohet edhe nga përdorimi i zanoreve si: Saharaja, larg është Saharaja, ku keminëntë zanore a (dukuri e rralle) dhe dy e. Vargu pa bashkëtigëlloret ka një grafemë të tillë: a a a a a e e a a a a . Jehona e zanoreve të jep imazhin e një hapësire shkretie pa anë e pa fund.
Bien në sy edhe përdorimi i figurave të ndërtimit( sintaksës poetike) si anafora: Saharaja nuk ka miq e shokë, / Saharaja nuk ka bijë , as bir. / Saharaja është një copë tokë, Thonë së dhe me natën s’shkon mirë./ Në fillim të çdo vargu përsëritet fjala Saharaja.
Si lindi poezia Saharaja? Nuk kemi shënime për këtë tekst nga vetë autori, të paktën nuk ka të botuara, ose nuk janë gjendur ende. Sidoqoftë në Veprën l të Vilson Blloshmit gjejmë edhe disa përgjigje të tij para hetuesit për të cilat kemi folur edhe më lart. Në një pjesë të përgjigjes së Vilson Blloshmit thuhet: “Në vitin 1973 kam bërë një poezi tjetër mbi veten time. Atëherë kam qënë në gjendje ankthi… Në atë kohë unë punoja druvar në Stravaj, isha i lodhur, i mërzitur, më dhimbte stomaku. Siç e kam thënë, unë kam qënë pesimist dhe e kam pasur në natyrë trishtimin.” Poezia është shkruar pikërisht në harkun kohor 25.10.1973 / 25.10. 1974, kohë për të cilën flet Vilson Blloshmi. Ai flet për një vend të quajtur Stravaj, ku rropatej si druvar. Gjendjen shpirtërore dhe fizike ai përshkruan si të rëndë. Stravaj, ky toponim ku qe dënuar të punonte poeti përbëhet nga dy silaba: stra dhe vaj. Rrokja e dytë vaj (kuje) përqaset me gjendjen e vajtueshme të poetit, i lënë mënjanë, i veçuar, i dënuar të punojë në punë të rënda, ndërsa rrokja e parë stra kur shqiptohet i përngjet çjerrjes së një korbi: stra-stra-stra! Mendoj se në bazë të asocacioneve poeti V. Blloshmi ka krijuar në mendje shkretëtirën: korbi (stra, stra, stra) + njeriu gjysëm i gjallë e gjysëm i vdekur (subjekti poetik) + kuja e vetmisë (vaj) = shkretëtira e Saharasë.
Jurij Lotman shkruan: “Vepra e artit është modeli i kufizuar i një bote të pakufizuar. Ajo është imazhi i një realiteti tek një tjetër.”[3] Natyrisht kjo përpjekje për të zbuluar se si u krijua teksti “Saharaja” është thjesht një persiatje.
Piktura: Vilson Blloshmi, nga Aleksandër Vreko
[1] Vilson Blloshmi, Vepra l, Tiranë, 2008, poezia “Saharaja”, f. 85.
[2] Po aty.
[3] Jurij Llotman- The structure of artistic text, London- 1991.