More
    KreuArte pamoreSi i kontrabandoi e bija e Shagallit pikturat e tij nga Europa...

    Si i kontrabandoi e bija e Shagallit pikturat e tij nga Europa e pushtuar prej nazistëve

    Nga Karen Chernick

    Marc Chagall arriti në New York në Qershor 1941, duke mbajtur një reputacion të madh botëror arti por bagazhe të lehta. Veprat e tij folklorike po vinin veças në një anije nga Spanja – ose të paktën kështu mendonte ai – si aktorë mbështetës në një hile që i mundësoi artistit hebre të shpëtonte nga një Evropë gjithnjë e më e pushtuar nga nazistët.

    Alfred H. Barr, drejtor i Muzeut të Artit Modern në New York, e ftoi Chagall-in për të çelur një ekspozitë solo si një marifet për të marrë vizën amerikane. Mbështetur prej organizatave hebraike-amerikane dhe koleksionistëve që paguan për udhëtimin e tyre, artisi dhe gruaja e tij Bella, përfituan nga kjo mundësi dhe u larguan nga Franca sa më shpejt që mundën. Morën sa mundën, por në mënyrë të pashmangshme lanë pas disa thesare të çmuara.

    Një prej këtyre ishte fëmija i vetëm i çiftit, Ida, e cila nuk arriti të merrte vizë me anë të ftesës së Barr-it. Tjetri ishte ngarkesa me pikturat e artistit.

    Marc Chagall, Ditëlindja, 1915

    Para se të largohej nga Europa, Chagalli-i u përpoq të niste për në SHBA, valixhe me kanavacët e tij plot ngjyra që shfaqnin lopë, fyellistë, dhe fshatarë rusë. “Kapitali më i madh i Chagall-it ishin pikturat e tij”, shpjegon Susan Tumarkin Goodman, kuratore e nderuar te Muzeu Hebre në New York, e cila organizoi ekspozitën “Chagall: Dashuri, Luftë, dhe Dëbim” në 2013. Por artisti, sidoqoftë, nuk kishte bërë marrëveshje që njëzetepesëvjeçarja Ida dhe i shoqi i saj, Michel Gordey, të kapërcenin Atlantikun drejt sigurisë.

    “Ishte tepër urgjente për të bërë plane të tjera,” vuri re Galya Diment, një profesoreshë e letërsisë ruse e cila ka bërë kërkime mbi marrëdhënien e Chagall-it me Ida-n, rrethanave kaotike mes të cilave artisti (i cili shkurtimisht u arrestua nga policia Vichy në Marseille) u largua nga Franca. “Patjetër që ishin të shqetësuar për mirëqenien e Ida-s por menduan se Chagall-i, prej dukshmërisë së tij, ishte në rrezik të vërtetë për t’u arrestuar sërish dhe për t’u dërguar në kampe,” vijon Diment. Jo vetëm që Chagall-i ishte hebre, por nazistët gjithashtu e kishin etiketuar si artist “të degjeneruar”.

    Kështu që Chagall-i dhe Bella u arratisën me nxitim, duke i dhënë fund dy vjet shmangie nga Rajhu i Tretë. Çifti u largua nga Parisi në 1939, duke migruar gjithnjë e më në jug ndërkohë që trupat gjermane i afroheshin kufirit verior francez, duke transportuar sërish arkat me vepra arti me çdo shpërngulje.

    Marc Chagall, Promenade, 1918

    Kur Chagall-ët mbërritën në Amerikë, zbuluan se dogana spanjolle kishte sekuestruar arkat e tyre. I shqetësuar, Chagall-i i shkroi Ida-s, ende të bllokuar në jug të Francës. Ajo filloi një përpjekje heroike për të shpëtuar veprën e të atit nga humbja në luftë, dhe udhëtoi vetë për në Spanjë për t’i liruar arkat.

    Michel, pak ditë më vonë, u arrestua në kufirin spanjoll, duke i shtuar përpjekjes së Ida-s për të liruar pikturat e Chagall-it nga dogana, nevojën për të nxjerrë të shoqin nga burgu. Ajo ia doli të dyjave me zgjuarsi. “Ida luajti harpën burokratike me aftësi dhe këmbëngulje, duke tërhequr telat e duhur,” shkruan Sidney Alexander, biografja e Chagall-it.

    Pastaj u shfaq një pengesë tjetër në dukje e pamundur: zor se po largohej ndonjë anije nga Europa.

    Në fund të verës së 1941, ishin të pakta anijet si ato Mouzinho të refugjatëve që çuan çfitin Chagall në New York. Me pak fat – dhe para nga prindërit e tij – Michel bleu dy bileta të shtrenjta nga $600, që vlejnë $11,000 sot (Chagall-ët nuk kontribuuan), i hipën një anije refugjatësh hebrenj. Më ambicie, çifti tentoi të hipte jo vetëm me jetën e tyre, por edhe me një arkë të madhe me piktura të Chagall-it.

    Të nxirrje piktura kontrabandë nga Europa gjatë fillimit të tërbuar të Luftës së Dytë Botërore nuk ishte e lehtë, edhe me mjete. Koleksionistja hebreje-amerikane Peggy Guggenheim bleu furishëm piktura nga artistët më të mirë bashkëkohorë në Paris deri në pushtimin gjerman në 1941, ajo i nxorri nga Europa duke mbështjellë kanavacat në një ngarkesë batanijesh e pëlhurash.

    Këto kushte të rehatshme ishin shumë më superiore ndaj rrethanave në të cilat Ida, Michel, dhe një arkë 2-me-2-me-3 metra me vepra arti, u përballën së fundmi në anijen me avull Navemar në gusht 1941. Anija, e ndërtuar për të akomoduar ngarkesa dhe 15 njerëz, shpejt u mbush me 1,180 pasagjerë (plus katër dema të gjallë që shërbyen si furnizim me mish gjatë udhëtimit 40-ditor në mungesë të frigoriferëve). Kushtet ishin mizore, por kjo ishte mënyra e fundit e refugjatëve për t’u arratisur, disa prej të cilëve vdiqën, dhe trupat e tyre u hodhën në det.

    Anija e famshme Navemar u largua nga Lisbona në 17 gusht. Në New York, Chagall-ët shpejt lexuan në gazeta përshkrimet e udhëtimit. “Lexojmë sot… se ‘Navemar’ është një kamp pluskues përqendrimi”, i shkroi i dëshpëruar Chagall-i Morris dhe Ethel Troper, drejtorët europianë të organizatës së ndihmave American Jewish Joint Distribution Committee. Në një mesazh tjetër, Chagall-i përshkruan një letër të cilën ia kishte dërguar Ida kur u ngarkua anija në Lisbon. “Ishin të sëmurë, me temperaturë 40 gradë, pa mjekime, pa ujë, pa ushqim,” u ankua Chagall-i. “Nuk flemë natën. Nuk mund të hamë, duke menduar se si jetojnë si kafshë fëmijët në kushtet më të këqija.”

    Ida dhe Michel po jetonin vërtet si kafshë, mes kafshëve. Çifti udhëtoi në kuvertë – ku gjithashtu ishte një stallë me dema – për të shmangur dëmtimin e pikturave nga lagështia. Është e paqartë se sa vepra solli Ida në Navemar; sidoqoftë, do të ishte sfiduese në një anije ku çdo centimetër përdorej për të shpëtuar jetë njerëzore.

    Gjithsesi, Ida, Michel, dhe pikturat i mbijetuan udhëtimit. Intuita e saj për të udhëtuar në kuvertë qe me mend, duke qenë se gjithë bagazhet në anije ishin kalbur dhe u hodhën në New York.

    Ida mund t’i ketë vazhduar heroizmat e saj pas luftës, në 1945, sipas pasardhësve të Konrad Kellen, një ushtari amerikan që shërbeu në Europë në ato vite. Në historinë e pakonfirmuar të Kellen-it, Ida iu afrua në një kafene parisiene, dhe e pyeti nëse do të kthehej në shtëpi. Kur iu përgjigj se po, ajo e bindi të transportonte një pirg të madh të kanavacave të babait të saj (dhe të mbante një për vete, në shenjë mirënjohjeje). Kellen pranoi jo fort me dëshirë, duke i përcjellë pikturat përmes shiut (e me siguri në kushte të tjera të rrezikshme) përgjatë një muaji para se të arrinte në Amerikë.

    Vitin e ardhshëm, në 1946, Chagall çeli ekspozitën e tij solo te MoMA, si ajo që i kishte premtuar Barr në fillim të luftës. Ishte një mirëseardhje për në normalitetin e karrierës së tij pas vitesh kaosi global e personal. Në pasojat e menjëhershme të holokaustit, shfaqja nxori në pah një artist hebre në lulëzim – dhe pikturat prizmatike të dashnorëve duke pluskuar, të gjelave të mëdhenj, dhe lepujve të menduar të cilat do të ishin zhdukur po të mos kishte qenë për vendosmërinë dhe trimërinë e Ida-s.

    Përktheu Enxhi Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË