More
    KreuLetërsiShënime mbi libraShumëllojshmëria krijuese e Mid’hat Frashërit

    Shumëllojshmëria krijuese e Mid’hat Frashërit

    nga Bashkim Kuçuku

    Vepra e shumanshme e Lumo Skëndos/ Mid’hat Frashërit ka qenë përherë e domosdoshme dhe e dëshiruar për shqiptarët, kudo që kanë qenë, me përjashtim të të padritëve të ideologjizuar, se, me sistemin e vet filozofik, politik, shoqëror e kulturor që ofronte, ishte në kundërshtim me utopitë e tyre negative. E mbyllur në shtatë çelësa për të mos e gjetur, e keqparaqitur dhe e përbaltur gjatë gjysmë shekulli për ta zhvlerësuar, më në fund, lexuesi për herë të parë po e merr në dorë kaq të gjerë, në një sistem të vijueshëm, në 12 vëllime, dhe të organizuar sipas llojit të dijeve, të fushave studimore e letrare. Me idealizmin sakrifikues, përkushtimin atdhetar dhe palodhshmërinë, me llojshmërinë e pabesueshme të fushave të lëvruara prej tij, me ndikim formues tej kohës që jetoi dhe tej atdheut të vet, Shqipërisë së njëmendtë, në një shqipe të kulluar e të formësuar si rrallëkund në atë periudhë, ajo është në themelet e patundshme të kulturës, dijeve, lirisë e të qytetërimit të shqiptarëve.

    Puna akademike e historianit dhe e shkrimtarit Uran Butka

    Për ta nxjerrë prej errësirës së ndalimit në dritën e së vërtetës së vet, faktit, kanë punuar historianë, shkrimtarë e publicistë të ndryshëm. Megjithatë, botimet e saj dhe studimet për të kanë qenë të pjesshme, të pamjaftueshme dhe të paorganizuara në një korpus të madh. Historiani dhe shkrimtari Uran Butka i është përkushtuar figurës dhe veprës së tij. Ka shkruar e përgatitur disa libra: Kthimi i Mid’hat Frashërit (1997), Dritë mbi veprën e Mid’hat Frashërit (1997), Gjeniu i kombit (2001), Elita shqiptare (2008), të cilat parathoshin përmasat madhore, të njohura dhe të panjohura deri sot.

    Duke qenë mjaft e pasur, e shtrirë në shumë fusha dhe në disa gjuhë, e botuar dhe në dorëshkrim, e shpërndarë në organe të shtypit shqiptar dhe europian, botimi tërësor i saj kërkonte projekte publike afatgjata të institucioneve shkencore, të Akademisë së Shkencave, të cilat, në dhjetëvjeçarët e pluralizmit, do të ishin kryer. Në mungesë të projekteve të tilla, Uran Butka e mori vetë përsipër. Me një grup kolegësh krijoi Institutin e Studimeve Historike Lumo Skëndo (2016) për të hedhur dritë mbi ngjarje dhe figura të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, kryesisht, të anatemuara ose të braktisura për arsye politike. Në katër vjetët e veprimtarisë, instituti ka nxjerrë rreth 20 libra studimorë, ritmikë kjo konkurruese me institucione publike, ku punojnë grupe specialistësh të përhershëm. Pesha e rëndë e tij janë: Mid’hat Frashëri Vepra të Zgjedhura 1 (2017), 2 (2018), 3 (2018) dhe 4 (2019), e sapodalë, dhe në vijim, falë punës akademike, hulumtuese, studimore, organizuese të Uran Butkës në të cilat do të përfshihet edhe bibliografia, e përgatitur nga Maksim Gjinaj. Botimi me cilësi të lartë teknike, paraqitje estetike, deri në zgjedhjen e ngjyrave emocionuese të mbulesës, është nën kujdesin e z. Bujar Hudhri, president i Onufrit. Projekt tjetër i rëndësishëm do të jetë Vepra e plotë e filozofit dhe e shkrimtarit Isuf Luzaj. Përvoja e këtij institucioni jopublik që kryen detyra të pakryera të institucioneve publike, është një gjedhe se si aftësitë shkencore, idealizmi atdhetar e kulturor, edhe me organizim modest, japin ndihmesa të mëdha. Për arsyet tona profesionale do të përqendrohemi në Vepra të zgjedhura 3, veçanërisht në krijimtarinë letrare të Lumo Skëndos/ Mid’hat Frashërit.  

    Letërsi, historiografi, antropologji, albanologji  

    Vëllimi 3 përmban: proza, të botuara dhe të pabotuara, kujtime, fjalë të urta, paraqitje librash, analiza dhe kritika, bibliografi albanologjike, çdonjëra ndihmesë më vete në letërsinë, studimet letrare dhe historike, antropologjinë, kulturën shqiptare. Prozat e Lumo Skëndos prej një shekulli kanë qenë në leximin dhe në historinë e zhvillimit të tregimtarisë shqipe.

    Kujtimet, një lloj shkrimtarie midis letërsisë dhe historiografisë, për shkallaren kulturore të lexuesit, në atë periudhë, ishin të pëlqyera, sepse plotësonin anasjellas kërkesat dhe mangësitë e njëra-tjetrës. Kujtimet e Mid’hat Frashërit, origjinale në këndvështrimin e atdhetarizmit/ shqiptarizmës idealiste, të pasura në të dhëna mjedisore e historike, janë origjinale edhe në letrarësi. Të përftuara nga ngjarje dhe bëma të figurave historike, për të qenë sa më afër njëmendësisë së tyre, janë shndërruar në rrëfime të kompozuara, kryesisht, realiste me doza romantike e patetike, herë-herë me dramatizëm.

    Rrëfimet për ngjarjet zhvillohen, duke u këmbyer me portretizimin e pjesëmarrësve në to nëpërmjet ligjëratës së rrëfimtarit autor dhe dialogëve të tyre karakterizuese, që zbulojnë me përparësi tiparet psiko-morale atdhetare dhe cilësitë vetjake. Portretizimi i figurave historike nuk është nisur nga njohja e rastit, as nga dëshira për të kënaqur thjesht kërshërinë e lexuesit, por nga qëllimi i dokumentimit të cilësive dhe bëmave të njëmendta të tyre. Dhe, meqë ky është qëllim shoqëror, pastaj letrar, edhe kriteret e portretizimit janë shoqërore, pastaj letrare. Qëndrimi i shkrimtarit është i përcaktuar, nga njëra anë, nga idealizmi i pastër atdhetar/ shqiptarizma, lartësia kulturore dhe morale, që ka zgjedhur për gjedhe dhe, nga ana tjetër, nga funksioni shtetëror apo misioni shoqëror i figurave historike. Konkretisht, sa dhe si i përgjigjet kultura, inteligjenca, morali qytetar atij funksioni. Portreti më i arrirë letrarisht është i Naim Frashërit, me përshkrimin psikologjik, ndjeshmërinë poetike dhe njerëzore, pastërtinë morale, dhembshurinë, ëmbëlsinë e këshillës dhe ndihmën ndaj kujtdo. Tek ai, autori njëmendësisht ka gjetur harmoninë mes njeriut, poetit dhe misionit shoqëror atdhetar, të cilën e ka pikturuar me ngjyresat e fjalës së hollë shqipe. Arritja letrare është përftuar edhe nga një harmoni e brendshme e subjektit krijues. Në filozofinë dhe veprimtarinë e Mid’hatit, vëllezërit Frashëri, i ati, Abdyli, dhe ungjërit, Naimi dhe Samiu, ishin gjedhja e misionarit, shëmbëlltyrën e të cilëve ia jepte vetes, dëshironte e punonte ta kishte çdo shqiptar.

    Mid'hat Frasheri, skicë nga Bujar Kapllani
    Skicë nga Bujar Kapllani

    Spikasin me rëndësinë shoqërore dhe letrarësinë: Kujtime, 1912 për qeverinë shqiptare, në Vlorë, të vitit të parë të pavarësisë, funksionimin e brendshëm të saj, mbledhjet, ministrat, virtytet dhe dobësitë, dhe Tiranë, 5 nëntor 1922, për organizmin dhe funksionimin e qeverisë, të administratës, mungesën e kulturës së përshtatshme, të mospunuarit, dhënien pas fjalëve dhe bixhozit. Te Kujtime, 1912, si rrallë në këtë lloj të shkrimtarisë shqipe, ministrat e qeverisë së parë të Shqipërisë, ndonëse me intimitet dashamirës, vizatohen me ngjyra humoristike e groteske. Burimi i humorit dhe i groteskut është mospërputhja e formimit kulturor, e aftësive të tyre me rëndësinë e detyrës, e përgjegjësisë së madhe me ngadalësinë dhe amatorizmin e punës, pasojë e mungesës së kushteve dhe të përvojës. Portretet-sharzh (komike) të nëntë ministrave dhe të kryetarit, më tepër se aftësitë e virtytet, kanë të trashuara mangësitë, dobësitë e veset, herë-herë, paraqitjen fizike të shëmtuar, gjestet vulgare. Ministrat janë nëntë, por në mbledhje shumë herë hyjnë edhe të tjerë dhe bëhen nëntëmbëdhjetë. Pesë janë pepe, dy nuk dëgjojnë mirë dhe tre janë të belbër, flasin me pengime, duke përfshirë dhe vetë Mid’hatin. E dhëna fizike e njëmendtë është parashenja komike për të tërhequr vëmendjen te moskuptimet dhe mospajtimet, pavarësisht se, për hir të njësisë, merren vesh në vendime. Kryetari i qeverisë, Ismail Qemali, shëmbëllehet me tre epitete: “maçoku”, beu, Plaku. “Maçoku”, se rri në krye të kuvendit/ vatrës, ku rri maçoku, dhe në punë nuk u lë pjesë të tjerëve. Plaku se është më i moshuari, i urtë, e dëgjojnë dhe duhet ta respektojnë. Bej, është përmbi ta, bën sikur i dëgjon e do mendimin e të gjithëve, por, kur vendos, nuk i pyet. Qëndrimi dhe karakteri i dy ministrave përballë detyrës është paradoksal. Ai i Luftës nuk do oficerët e rinj, as projektet e tyre për milici dhe xhandarmëri. I Punëve të Brendshme rri me frikë dhe përhap frikë, se mos vjen komandanti i forcave turke për t’i ndëshkuar. Edhe autoportreti humoresk i autorit rrëfimtar përftohet nga kundërthënia e vlerësimeve të të tjerëve me mendimin e vet.

    Kultura – lidhje letrare e ndërletrare

    Mid’hat Frashëri, me dije enciklopedike, politike, albanologjike, antropologjike, historiografike, sociologjike, dallohej edhe për kulturë psikologjike e letrare. Me kulturën prej së cilës është përftuar, qoftë edhe me atë letrare, disa proza të tij risore, në trajta bërthamash, kanë prirë proza të caktuara të shkrimtarëve shqiptarë pasardhës. Kështu, ato dalin nyje të ngjizjes së atij homogjenizmi kulturor, tematik dhe llojor të prozës shqipe me përbërës të njëjtë a të afërt, që u formësua në dhjetëvjeçarë të mëvonshëm. Për ta argumentuar, do të veçohen tregimet Or’ e fundit, Plaku i Ylynecit dhe përsëri proza poetike Përpara shegës me lule.

    Cilësi risore të tilla, jo të kontekstit të prozës së atëhershme, vënë në diskutim mendimin se është realiteti shoqëror që detyron tematikat e qëndrimet. Ndoshta, më tepër apo më parë se realiteti shoqëror, është kultura që e nxit dhe e detyron ndjeshmërinë ndaj realitetit, perceptimin, trajtimin e tematikës dhe qëndrimin. Tregimi Or’ e fundit, Shkodër, 25 maj 1913 (vëllimi Hi dhe shpuzë, 1915), është me tematikën e gjakmarrjes, një dukuri shumëshekullore në botën shqiptare, që, në trajta të degjeneruara, vepron edhe sot. Të përcaktohej letërsia vetëm nga forca e realitetit, do të duhej të ishte trajtuar edhe nga shkrimtarë të tjerë bashkëkohës të Mid’hat Frashërit, pse jo edhe paraardhës. Në një rrafsh më të epërm dhe më të ndërlikuar është trajtuar nga Ernest Koliqi (Gjaku, 1929), Ismail Kadareja (Prilli i thyer, 1980; Lulet e ftohta të marsit, 2000).

    Mid’hat Frashëri, në mjegullat e mendësive arkaike të kohës, gjen zgjidhje shpirtërore, te falja e krishterë në emër të sakrificës së Jezusit dhe të një flladi të lehtë tolerance, që kishte nisur të vinte prej shkollimit perëndimor. Mirëpo, në botën shqiptare ende ishin të pafuqishme përballë egoizmit të verbër të gjakmarrjes së ngulitur në shekuj. Or’ e fundit, me konflikt të fortë psikologjik, është ndërtuar në mënyrë dramaturgjike. Pak përshkrim i brendësisë së shtëpisë së varfër malësore me disa hollësi e orendi dalluese, dialogë të karakterizimit psikologjik, të shkurtër e të prerë, me gjendje dhe veprime të personazheve si në dramë. Me receptim më se njëqindvjeçar është ndër tregimet përurues me mjeshtëri arti të mirëfilltë.

    Ernest Koliqi, në atmosferën e shkollimit perëndimor, që po niste në Shqipëri, e sheh kapërcimin e gjakmarrjes te zgjidhja shoqërore, në ndryshimin e mendësive tradicionale të vjetruara nëpërmjet shkollimit dhe vetëdijes racionale të tolerancës. Heroi i prozës së tij psikologjike Gjaku, mësues, që përcjell te nxënësit mendësi të qytetërimit europian bashkëkohor, ndonëse kundërshtar i flaktë i zakoneve prapanike, nën trysninë e mjedisit, bie viktimë e tij. Nuk mjafton individi që bie theror, as propaganda vetjake. Shpëtimi prej moçalit të gjakmarrjes është shkollimi e qytetërimi, ndryshimi rrënjësor i shoqërisë, i mendësive, moralit, ligjeve të saj.  

    Ismail Kadareja te Prilli i thyer jep një zgjidhje universale, filozofike dhe emocionale. Në ndeshjen fatale mes jetës dhe vdekjes së pashmangshme ngrihet në shkallaren e epërme të madhështisë dashuria për jetën, fuqia morale e njeriut për t’i dalë më të keqes ballas.

    Me Plaku i Ylynecit, shkruar në Vlorë, 11 mars 1913 (vëllimi Hi dhe shpuzë, 1915), mund të thuhet se fillon tregimi fantastik shqiptar. Zanafilla krijuese ka përbërës biografikë të familjes Frashëri. Hapësira gjeografike e lëvizjes është një udhëtim i heroit rrëfimtar përgjatë lumit të Vjosës që kalon në Përmet. Në malësi të tij është Frashëri, vendlindja e të parëve dhe të të atit të Mid’hat Frashërit. Ngasja prej vendlindjes së tyre, ndoshta, e pangjitur në vetëdijen krijuese të autorit, prandaj dhe e paqëllimshme, është shndërruar në art letrar, në histori, legjendarizim dhe mitizim. I atit i tij, Abdyl Frashëri, dhe ungjërit, Naimi dhe Samiu, qenë ndër më të rëndësishmit, që u mësuan shqiptarëve histori, letërsi dhe shkencë, dhe po ashtu, bënë histori, letërsi e shkencë. 

    Ecuria e tregimit është figuruar filozofikisht e letrarisht mbi përngjasimin e kohës me rrjedhën e lumit, përngjasim i filozofisë së lashtë greke (Herakliti), i cili haset edhe në filozofinë popullore shqiptare. Qenësia dhe lashtësia shqiptare tërthorazi janë njësuar me qenësinë dhe lashtësinë greke. Shkëmbi, shpella ku shfaqet Plaku dhe bota fantastike janë simbole të lashtësisë, por vetëdija e tij është edhe bashkëkohore. Lumi që rrjedh, Vjosa, është koha e shqiptarëve, me shtresëzimet historike më të rëndësishme. Ajo ka parë grigjet e Pellazgëve, ushtërit’ e Piros, legjionet e romanëve, ushtarët e Skënderbeut, Allajet e Turqve, njerëzit e Ali Tepelenës, shokët e Tafil Buzit. Bashkë me kohën, nëpërmjet lidhjes me vendburimin e lumit, njësohet edhe hapësira shqiptare me hapësirën e Greqisë së lashtë. Vjosa buron nga malet e Pindit në Greqi.  Ecja në të kundërt të rrjedhjes së lumit dhe të kohës, për mbërritur te burimi, në Greqi, shpie te lashtësia historike dhe mitike e saj. Tregimi mitizon historinë pellazgo-shqiptare, Vjosën dhe Përmetin/ Frashërin, që ishte “burimi” kryesor prej nga dolën rilindasit e mëdhenj dhe nëpërmjet tyre mitizon Shqipërinë, një mënyrë autosugjestive dhe sugjestive, për të bindur autori veten dhe lexuesit në një të nesërme të sigurt të saj.

     Në një rrafsh të dytë, më konkret, koha personifikohet me Plakun e Ylynecit. “Jam koha, – thotë Plaku. – Jam i keq dhe i mirë. Kam nomet e mi. Kam vdekjen dhe gjallërinë. Brenda në këtë shkëmb po ruaj botën.”

    Shëmbëlltyra e tij ka tipare e bëma fantastike dhe legjendare. Mosha e papërcaktueshme: gjashtëdhjetë, nëntëdhjetë, njëqind apo dyzet vjeç? Flokët e bardhë, si dëborë mali, përvoja, urtësia, pastërtia, vërtetësia e të thënave janë bashkëngjitur me një fytyrë djaloshi plot shpirt e shëndet, me sy të kaltër si ujët e Vjosës, simbol i rinisë së përjetshme dhe i pavdekësisë. Këmbët e çelikta janë të vogla dhe të bukura. Veshja – një napë e gjatë e hollë, me fije të hekurta… Ai është i njohur për rrëfimtarin. E njohura është e tanishmja. Por nuk e di cili është. E panjohura është e ardhmja. Heroi rrëfimtar përjeton në njëmendësi/ realitet. Ka udhëtuar përgjatë Vjosës dhe ndodhet përballë një shkëmbi madhështor. Me shpellën që hapet, prej nga del Plaku, përjeton si në ëndërr, sheh një botë fantastike.

    Mendimi kalon nga bota shqiptare në mbarë planetin, të ndarë në dy pjesë. Mënjanë është skëterra, me ata që kanë jetuar e kanë vdekur, me gërmadha, anije të copëtuara, kufoma, eshtra e skelete njerëzish, me moçale e gjarpërinj, bota e vdekjes à la Dante dhe à la Kuran. Më anën tjetër, lëndina e jetës, me luadhe, brigje, kopshte, me qytete të zbukuruar, njerëz të gjithë tok me punëtorësi të palodhur, plot bekim, idealizmi, utopia à la Mid’hat Frashëri dhe e utopistëve të mëdhenj botërorë.

    Koha e lashtë, mitike dhe historike e pellazgëve, dhe periudhat e mëvonshme priten nga bashkëkohësia, viti 1913, kur është shkruar tregimi në Vlorë, disa muaj pas pavarësisë dhe në vigjilje të Luftës Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, të cilat do ta rrezikonin Shqipërinë me fshirje nga harta ose me copëtim. Tregimi fantastik për të kaluarën, në pikëprerjen e bashkëkohësisë, që njëson kohën e rrëfyer dhe kohën e rrëfimit, shndërrohet në simbolikë të fatit të saj ende në pikëpyetje qenësore/ ekzistenciale. Ky është thelbi i tij, filozofik dhe historik. Djepi me foshnjën e bukur, në të cilin është shkruar SH.Q.I.P.Ë.R.I.A., luhatet në tehun e humnerës, në do të bjerë në skëterrë apo në hapësirën e jetës dhe të utopisë. Djepi, atdheu – Shqipëria, dhe foshnja – pavarësia, shteti janë në tehun e humnerës. Heroi rrëfimtar, alter ego i autorit, zgjat dorën ta tërheqë djepin. Plaku kohë nuk e lejon. Shkëmbi mbyllet. Historia, e nesërmja, ngjarjet dhe rrethanat, dhe jo idealizmi, as individi, do të përcaktojnë nga do të shkojë dhe si do të shkojë Shqipëria.

    Tregime me përbërës fantastikë, të marrë nga përrallat me zana dhe ora, do të shkruajë më vonë Ernest Koliqi. Nga brezat e shkrimtarëve pas tij do të shquajnë novela E madhe është gjëma e mëkatit (1947/2000) e Mitrush Kutelit dhe romani Kush e solli Doruntinën (1980) i Ismail Kadaresë.

    Po rikthehemi përsëri te proza poetike Përpara shegës me lule për një dukuri tjetër, shenja të kuptimit psikanalitik të unit njerëzor. Uni është shkruar tri herë, me U të madhe dhe i nënvizuar. Unë, veta e parë, pa shkronjë të madhe dhe i panënvizuar është i njohur prej subjektit përsiatës: gjendet në zbrazëti, pa mbështetje dhe dhembshuri, pa qëllim, pa një ngrohtësi, ku të zbutet akulli i jetës. Uni me U të madhe dhe shkronja të nënvizuara është labirint, rrjet i ngatërruar kalimesh prej nga mund të dilet me shumë vështirësi dhe kaos, pështjellim i madh, çrregullim i plotë. Përpara tij është i dobët dhe i pafuqi. I mungojnë aftësitë për ta zotëruar. Dhe trembet jo vetëm se nuk e zotëron, por edhe nga përfytyrimi që ka për të: më dukej një gjë e thellë dhe e zezë, si nëndhesat e shtëpive të mëdha, kur isha i vogël. Uni emërtohet me fjalën e papërcaktuar gjë, me dy cilësi konkretizuese: e thellë dhe e zezë. E thellë ndërmend nënvetëdijen, e cila është poshtë thellësive të vetëdijes. Po ashtu, e zezë, që mund të jetë edhe e errët, e paqartë, e pandriçuar nga drita vetëdijes. Edhe fytyra e motrës së dashur, Mimikës, që më parë nuk gjallonte në mendimet e tij, i shfaqet nga thellësia e Unit, ku rrinë të fshehtat e shpirtit. Këtyre u shtohet krahasimi si nëndhesat, të përngjashme me nënvetëdijen. Fjalor i gjuhës së sotme shqipe për nënvetëdijen jep edhe kuptimin: Fusha e mendimeve, e përfytyrimeve, e ndjenjave dhe e gjendjeve psikike jo të qarta, pjesa e turbullt e vetëdijes. Në frëngjisht, nënvetëdijes i thonë subconscience/ subnën dhe conscience/ vetëdije. Për psikanalizën funksioni i unit është të zgjidhë konfliktet midis idit, shtytjeve seksuale dhe mbi-unit ndalesave, parimeve morale, pra, midis nënvetëdijes dhe vetëdijes.

    Shega me lule bëhet shkak i jashtëm për zbulimin e Unit të subjektit përsiatës. Lidhja e rastit, që ka krijuar shkrimtari pa e paramenduar, mes Unit, dukuri psikike, dhe shegës, objekt i natyrës, gjithsesi, shpie në disa domethënie. Në simbolikat e kulturës lindore një nga kuptimet e frutës së shegës është pjellshmëria mëmësore, kuptim që është edhe në kulturën perëndimore. Por, me kristianizmin, druri i shegës ka marrë edhe kuptimin e pjellshmërisë shpirtërore, të bekimit hyjnor, të dashurisë qiellore. Simbolizon edhe priftin e mbushur me dashamirësi. Subjekti përsiatës kalon përpara shegës me lule si para një objekti a qenieje që e adhuron, si para një altari. Nuk është thjesht tërheqja përpara bukurisë së pemës. Ka diçka njerëzore, më të thellë, më të ndjerë ndaj asaj, që ndërlidh Unin e tij, në zbrazëti e padhembshuri, me Mimikën foshnjë, lule jete e sapoçelur, që i jep fuqi e gëzim, e bën të ketë në zemër një dashuri. Mimika femër është e pranëvënë me lulet e shegës, që do të kthehen në fruta të saj, simbol i pjellshmërisë mëmësore. Mid’hat Frashëri, i shëmbëllyer, në tregim, në subjekt përsiatës, ishte mishërim i pjellshmërisë shpirtërore, i predikuesit, priftit apo imamit. Sa e sa të rinj kanë marrë prej tij bekime atdhetarie, idealizmi, kulturore e letrare.

    Edhe trauma e Asijes, kushërirës, shihet në këndvështrim psikologjik e psikanalitik, pasojë e mungesës së afeksionit familjar, e cila cilësohet fatkeqësia më e rëndë për njeriun.

    Proza poetike Përpara shegës me lule, e mbetur në dorëshkrim deri dje, ka poshtëshënimin e autorit: Shkruar herën e parë më 1898-1899 në Eren-Qoj (Stamboll). Megjithëse në fillim të shekullit XX psikanaliza del nga qarqet e ngushta shkencore, është shumë herët për të hyrë në kulturën shqiptare. Poshtëshënimi: shkruar herën e parë më 1898-1899, lë të nënkuptohet se është plotësuar apo rishkruar, ndoshta, kur psikanaliza ishte e njohur në rrethet kulturore e letrare europiane. Përsëri mbetet diçka e vështirë për t’u sqaruar. Përse në një motërzim të kësaj proze poetike, e titulluar Fytyra e motrës, me mbishënimin Athinë, 6 korrik 1923, mungon, pikërisht, pjesa e Unit?

    Për ta shtrirë përafrimin me ndonjë vepër letrare të njohur jashtë kontekstit të letërsisë dhe të kulturës shqiptare të asaj kohe, do të përmendnim romanin Pështjellimet e Tërlesit (1906) të shkrimtarit austriak Robert Musil, që ka në qendër krizën e zhvillimit individual, konkretisht, zbulimin e unit të heroit adoleshent, që, për arsye të moshës, është ende pa identitet vetjak. Përafrimi i prozës poetike Përpara shegës me lule me Pështjellimet e Tërlesit, vepër paradigmatike e letërsisë moderne europiane të fillimshekullit XX, është vetëm për shenjën e modernizmit, sa për të ndërmendur diçka nga klima kulturore në Europë dhe jo për të krijuar ndonjë ide krahasimi, aq më pak barazuese.

    Shenja të kuptimit psikanalitik të botës njerëzore ka edhe në proza e shkrime të tjera.

    Mid’hat Frashëri – Dashuria seksuale është pak e përzier me smirë, urrejtje dhe epsh, se ai që dashuron vërtet, jep diçka nga jeta e tij.

    Sipas Frojdit, në një tip të dashuruarish, me xhelozinë pasioni arrin kulmin dhe femra fiton vlerën e plotë. Frojdi flet për xhelozinë, gjetiu edhe për urrejtjen dhe sadizmin, në dashurinë seksuale. Mid’hat Frashëri sheh në të përzierjen e smirës, urrejtjes dhe epshit.

    Mid’hat Frashëri – Cili mund ta mohojë që poezia dhe aktiviteti mendor nuk ka një burim tek instinkti seksual i njeriut? Paaftësia e instinktit seksual për të krijuar kënaqje të plotë, pohon Frojdi, me t’iu nënshtruar kërkesave të kulturës, bëhet burimi i veprimtarisë kulturore më të lartë, e cila kryhet me një sublimim gjithnjë e më të thelluar të komponentëve të tij instinktivë.

    Mid’hat Frashëri – Fytyra e gruas ndërron si qielli dhe si deti. Vetëm dashnori mund ta gjykojë bukurin’ e gruas, se ai e sheh në ekstazë; ai njeh vështrimin dhe buzëqeshjen, që i jep asaj dashuria. Fytyra, pamja e gruas/ femrës ndryshon nga thellësitë e qenies, njëmendësisht nga gjendja hormonale. Bukuria e saj e mirëfilltë, më e madhe, është në ekstazë, në kulmin e kënaqësisë seksuale, prandaj e sheh vetëm i dashuri.

    Në mungesë të të dhënave biografike të këtij lloji, nuk mund të themi se Mid’hat Frashëri ka lexuar për psikanalizën a Frojdin. Përshkrimi, disa përcaktime, karakteristika, sidomos përfytyrimi është i ngjashëm me përfytyrimin e kuptimit psikanalitik. Pas këtyre përqasjeve dhe krahasimeve paraprake nuk mund të mos gjenden, se nga dhe si kanë hyrë shenjat dhe përbërësit e modernizmit. Më e qarta është se nuk janë detyruar, së pari, nga realiteti dhe kultura brendashqiptare, por nga kultura moderne perëndimore, e nxënë prej Mid’hat Frashërit, qysh në fillimet e shfaqjes së saj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË