More
    KreuLetërsiBibliotekë“Shtëpia me dy kate”, tregim nga Bardhyl Minxhozi

    “Shtëpia me dy kate”, tregim nga Bardhyl Minxhozi

    Nëpunësi i rojës përmendi emrin e saj me një lloj nervozizmi. Unë mbeta paksa i topitur me telefonin në dorë duke u kthyer shumë larg në kohë. Ashtu i përhumbur në disa kujtime të hershme, hezitova t’i thosha menjëherë nëpunësit të rojës që ajo të ngjitej në zyrën time. Buzëqesha lehtë dhe m’u duk shumë e çuditshme shfaqja e saj. Edhe skenaristi më kontraversal në një film romantik nuk do ta risillte këtë grua nga një botë e humbur në dyert reale të një zyre. Kurrë s’e kisha menduar që do ta shihja atë përsëri dhe për më tepër, se ajo vetë do të vinte të më kërkonte.

    Goni, nëpunësi i rojës, nuk po e kuptoja pse vazhdonte të mos merrej vesh me Katian. Nga telefoni ndihej më shumë zëri i saj. Megjithëse zëri i ishte më i vrazhdë dhe disi i gërvishtur, ndjeva që ishte e njëjta, si atëherë, kokëfortë, kryeneçe. Vetëm se atëherë ishte vërtet një çupëz shumë tërheqëse. “Atëherë”, do të thotë të paktën tridhjetë vjet më parë. Unë duhej të isha në atë kohë rreth pesëmbëdhjetë vjeç dhe ajo, Katia, ishte pak a shumë në moshën time. Por vajzat duken dhe sillen si më të rritura se djemtë në atë moshë. Megjithëse ajo ishte një histori e vjetër, pamja e saj edhe sot e kësaj dite ka mbetur në kujtesën time me detajet më të bukura dhe interesante femërore. Nuk mund të them që ishte dashuria e parë. Por mënyra se si u njohëm dhe si rrodhën ngjarjet i dha asaj një vend të veçantë në kujtimet e mia të hershme.

    Ne qëlluam fqinjë në Plazhin e Durrësit, i cili ishte vendi më i bukur për të gjithë të rinjtë e viteve `70. Gënjen ai që nuk ka pasur një histori te “Hekurudha” apo tek “Iliria”. Të gjithë tentonin të shijonin një shkallë tjetër lirie në Plazhin e Durrësit. Visheshin ndryshe, silleshin ndryshe. Deti dhe gjithë ambienti ishte në një kontrast me jetën e përditshme që bëhej në Tiranë apo në qytete të tjera. Të gjithë kalonin një copëz jete më të ngjyrosur dhe sikur merrnin pakëz energji për të mbijetuar në ditët e dimrit dhe në rutinën e rregullave të bezdisshme dhe tmerrësisht strikte të shkollës. Plazhi i Durrësit ishte një hapësirë fare e vogël liberale, ku të rinjtë mund të rrinin deri vonë duke kënduar edhe këngë që formalisht ishin të ndaluara, mund të mbanin flokët pak më të gjatë dhe vajzat u gëzoheshin fundeve më të shkurtra. Pikërisht me një fund shumë të shkurtër e pashë për herë të parë Katian. Ajo kurrë nuk mund ta vishte një të tillë në Tiranë. Një gjë e tillë do të konsiderohej një shfaqje e huaj me karakter ideologjik, d.m.th. e pamundur për atë kohë.

    Mëngjesi ishte një nga bukuritë e veçanta të plazhit. Deti i qetë, pa dallgë, ku reflektoheshin rrezet e diellit, ishte një tërheqje mjaft e këndshme dhe e shëndetshme. Kishte njerëz që edhe vraponin për t’u ushtruar si dhe jo pak notonin. Më të shumtit ishin të moshuarit që bënin shëtitjen e mëngjesit buzë detit, siç thoshin, për të marrë jod. Më pas fillonte vapa dhe zhurmat e paradites, ku të rinjtë nuk linin vend pa luajtur me top. Në një nga këto mëngjese të qeta u njoha me Katian, kur ende nuk më kishte dalë gjumi. Si më i vogli i familjes, isha i detyruar të ngrihesha herët për të ngulur çadrën e diellit. Këtë detyrë duhej ta bëja patjetër rreth orës 7:00 të mëngjesit, sepse më vonë ishte e vështirë të gjeje vend të lirë. Por ky lloj dënimi më doli për mbarë. I njëjti dënim i ishte caktuar edhe Katias. Kështu, atë mëngjes të paharruar gushti, ndërsa isha i kërrusur duke nxjerrë me shumë përtesë rërën me duar, papritur u zhduk dielli. Dikush ishte pas meje ose, më saktë, mbi kokën time. U ktheva disi i çuditur drejt hijes për të parë njeriun e guximshëm, ndërsa sytë e mi në vështrimin nga poshtë-lart u përballën me këmbët e bukura të një vajze të panjohur. Fundi i saj i shkurtër dhe pozicioni më dhanë mundësi të shijoja një pamje shumë sensuale që më mbeti për një kohë të gjatë në kujtesë. Kur i humbëm kontaktet ose, më saktë, kur nuk arrita ta gjej përsëri, nga Katia gjithmonë më mbeti në kujtesë pikërisht ajo pamje. Shumë çudi se si te njeriu mbeten të paharruara disa mikrongjarje, rrethana apo detaje që po t’ua tregosh të tjerëve jo vetëm nuk do t’i kuptonin, por do të të shikonin me pakëz dyshim. Për shembull, nëse do t’i thosha tani Gonit, nëpunësit të rojës, që gruan që po vjen lart e kam njohur në plazh vite më parë duke hapur gropën e çadrës dhe se qysh atëherë mbaj mend formën e këmbëve, ngjyrën e fundit, të gjoksit etj., ai do të më vinte vizën. Por Goni, nëpunësi i rojës, insistonte që Katia duhej të firmoste si të gjithë vizitorët që hynin në zyrat tona. Ajo, me sa duket, refuzonte.

    – Foli vetë kësaj zonje, – më thotë Goni, – se nuk më dëgjon të zbatojë rregullat e vendosura për të gjithë.

    – Alo, alo, Koli, – dëgjova zërin në anën tjetër të telefonit. Ishte një zë krejt tjetër nga ai që mbaja mend. Po, kisha të drejtë: zëri i saj ishte dhe pakëz i ngjirur.

    – Po, po, të dëgjoj, – përgjigjem, natyrisht, duke bërë menjëherë dallimin e Katias së hershme me këtë të sotmen. Normal që njerëzit ndryshojnë, jetojnë, plaken…

    – Katia, – nisa të flas, – duhet të firmosësh. Kështu i kemi rregullat këtu.

    – Meqenëse po thua ti, po shkarravis këtë regjistrin tuaj copë-copë. Sikur jemi në Nju-Jork, – e mbylli fjalinë ajo po me atë vrazhdësi.

    Mbylla telefonin duke menduar çuditshëm se si biseda me Katian në telefon pas kaq vitesh ishte sikur ishim takuar dje. Nuk e pyetëm njëri-tjetrin në mënyrën standarde: Si je? Edhe atëherë ajo erdhi drejt meje pa më përshëndetur. “Ej, – më foli atë mëngjes gushti, – do të më ndihmosh të hap edhe një gropë për çadrën time”. “Çfarë?” – thashë i hutuar me sytë te këmbët e saj. “Ej çun, sillu mirë. Mos i hap sytë shumë, se nuk të bën mirë. Të pashë edhe dje që i hapje mirë gropat!” U ngrita në këmbë krejt i nënshtruar nga ato rrethana krejt të papritura. Duhej të isha skuqur, sepse ajo më vështroi sa me krenari aq edhe me një lloj triumfi. Më dha dorën dhe më tha emrin. Edhe unë bëra të njëjtën gjë. Ndenjëm pa folur për disa çaste dhe ajo në vijim të epërsisë më tha të vazhdoja punën për hapjen e gropës sikur të ishte shefja ime. Ende s’e kisha marrë veten dhe u ula përsëri te gropa ime e çadrës.

    Kështu, që nga ajo ditë deri në ditën e fundit të plazhit takoheshim çdo mëngjes në kundërshtim me të gjitha stereotipat e takimeve nën dritën e hënës apo në vende të fshehura. Kishte aq shumë hapësirë dhe dritë, saqë nuk kishim ku të fshiheshim. Hiqeshim, të paktën unë me siguri, sikur po bënim një punë që na e kishin ngarkuar të tjerët me detyrim dhe se nuk e kishim aspak me dëshirë atë punë. Katia, në fakt, bënte sikur lëvizte duart, sepse unë bëja punën  kryesore. Në njëfarë mënyre, isha viktima e saj. Në atë kohë kjo nuk më bënte përshtypje. Përpiqesha të mos e lëndoja në çdo gjë, ndonëse kontaktet tona gjatë ditës ishin të rralla. Nuk bëhej fjalë të shiheshim në darkë. Ndodhte që e shikonim njëri-tjetrin në xhiron e darkës, unë me shokët e mi, ajo me shoqet e veta. Një ditë bëra një hap të madh: e ftova për akullore. E pranoi ftesën. Që të mos na shihnin të tjerët që po shkonim së bashku, u nisa i pari dhe ajo pas disa minutave. Arrita te klubi dhe bleva dy akullore dhjetëshe. Duke pritur Katian, një shoku im që ishte ulur në një tavolinë më thirri: Hej, ke filluar të qerasësh femra? Ktheva kokën nga erdhi zëri, por ndërkohë Katia e kishte dëgjuar idiotin dhe bëri të ikë. E ndoqa nga pas, por nuk mund të vrapoja me dy akullore. I hodha të dyja mjaft i mërzitur dhe i gatshëm për ta rrahur tipin e tavolinës. U deshën dy ditë për ta bindur Katian që nuk e kisha organizuar enkas atë skenë. Gjëja më e bukur ishte kur notonim bashkë, d.m.th. në disa metra distancë. Kushti i Katias ishte që mund t’i qëndroja pranë, por jo ta prekja. Ato minuta në det ishin fantastike. Përpiqesha të flisja pa pushim dhe ajo gjithmonë e mbyllte duke thënë: vetëm budallallëqe thua. Dhe më pas qeshte duke shpejtuar notimin. Unë e ndiqja me inat duke tentuar t’i kapja flokët në formë ndëshkimi. Ajo ndalej dhe bëhej serioze duke treguar me gisht që prekja ishte e ndaluar. Pavarësisht nga kjo, mezi prisja që të shkoja përsëri në det me të. Kështu kaluan të gjitha ditët e pushimeve duke u ngritur herët me dëshirën për të parë Katian, për të notuar bashkë me të. Dhe asnjëherë nuk e harroja ditën e parë të takimit.

    Kur një makinë e tipit “Zuk”, një lloj furgoni i ditëve tona, ndaloi përpara kabinës së saj, e kuptova që po e humbisja Katian. Nuk dija si ta fshihja mërzinë. U ula në një cep dhe shikoja se si ajo lëvizte me plaçka dhe çanta drejt makinës. Kishte veshur një palë pantallona të shkurtra dhe një bluzë të hollë. Duke ditur që unë po e vështroja, hiqej sikur nuk i bënte përshtypje asgjë. Me një indiferentizëm të shtirë lëvizte me përtesë me plaçka në duar. Por dikur ajo shkëputet drejt meje paksa me nxitim. Duke më dhënë dorën dhe një gjysmë përqafimi e çerek puthjeje, më tha: mos u mërzit, do të shihemi në Tiranë! Unë mbeta i ngrirë pas largimit të saj. Nëse dikush do ta kishte parë këtë skenë, do të ishte shkrirë gazit nga pamja ime e përvuajtur. Duke menduar që ky ishte fundi, nisa të largohesha për nga bregu i detit. Bëra disa hapa dhe u ktheva përsëri për ta parë. Ajo ishte pranë makinës duke pritur të ngarkoheshin disa plaçka të tjera. Shoferi po fliste me këmbë dhe duar me prindërit e saj. Me sa duket, po grindeshin për hapësirën që u takonte. Ajo më pa dhe ma bëri me dorë. Ndërkaq, u kujtova që nuk më kishte dhënë adresën e shtëpisë së saj. Kjo më dha disi guxim dhe nxitova për ta pyetur:

    – Ej! Po ku të të gjej në Tiranë?

    – Ku të më gjesh? Te Rruga e Dibrës, kthesa e dytë majtas, pas rreth 100 metrash është një shtëpi me dy kate. Aty do të më gjesh. Mirupafshim!

    E ngulita në kokë vendndodhjen e saj dhe kjo më lehtësoi disi. Gjithsesi, ditët e mbetura në plazh pas ikjes së saj ishin shumë të mërzitshme. Në shtëpi u rebelova duke mos shkuar për të ngritur çadrën. Për herë të parë mezi po prisja të ikja nga plazhi. Gjatë gjithë kohës mendoja se si do të shkoja te lagjja e saj dhe përfytyroja se si do të reagonte ajo kur të më shikonte. Do të më jepte vetëm dorën apo do të më përqafonte? I dhashë krahë fantazisë duke kërkuar rrethanat dhe detajet më joshëse. U mbylla në vetvete dhe nuk doja të flisja me njeri. Familja nisi të shqetësohej se mos isha sëmurë. Shokët më kërkonin të luaja dhe unë refuzoja. Gjithë ditën mendoja për kthesën e Rrugës së Dibrës, për shtëpinë me dy kate, për parvazet e dritareve, për vazot e luleve në dritaren e saj, për Katian e veshur me një bluzë të kuqe duke pritur ardhjen time të beftë.

    Dera e zyrës sime u hap dhe në fillim u shfaq Goni, ashtu trupmadh dhe me prepotencën e rojave që shfrytëzojnë kompetencat deri në fund. U ngrita si i zënë në faj që kisha shkuar aq larg në kujtimet e mia. Katia ishte pas tij, por përmasat e Gonit nuk e lejonin të dukej. Ajo nuk ishte vetëm. Ishte me një shoqen e saj. Zëri i saj ndihej deri në fund të korridorit. Nuk mund ta fsheh që kisha emocion, por më shumë kuriozitet. Sa dhe si do të kishte ndryshuar? Normal që ajo ishte shndërruar në një tjetër person. Për më tepër, faqen e majtë e kishte disi të fryrë. Duhej të kishte pasur ndonjë problem me dhëmballën. Ajo e kuptoi stepjen apo habinë time dhe duke më dhënë dorën, tha:

    – Ej! Si je, miku i vjetër? Mbrëmë nuk kam vënë gjumë në sy. I kam dhëmbët copë-copë. I thashë Edës për ty që të njoh shekuj më parë dhe mund ta ndihmosh pa problem. Po pinim një kafe dhe krejt rastësisht përmendi emrin tënd dhe i thashë eja të shkojmë bashkë se do të kryesh punë shumë shpejt, – e mbylli ajo prezantimin dhe arsyen e ardhjes. Ndërkaq, nga goja e saj vinte era ilaçeve të dentistëve dhe nuk po arrija të orientohesha. Thashë disa fjalë mirëseardhjeje duke i ndihmuar që të zinin vend dhe me sa duket, portreti im e tregonte që nuk isha i qetë. – Ej, mos ke qenë gjë sëmurë? Dukesh si i prerë. Ky gripi në këtë kohë nuk kursen njeri. Mamaja ime qëndroi në krevat dy javë. Me kompresa, çaj dhe aspirinë. Pse, i binte temperatura? Shikoje këtë punën e Edës se po e sorollatin. Bëni kafe këtu? Një ekspres do të ishte fantastike.

    Ndërsa ajo vazhdonte të fliste me shoqen e saj, porosita kafetë dhe mora telefonin për të sqaruar problemin e shoqes së Katias. Pas pak u riktheva disi në realitet. Para meje qëndronte një grua që, në fakt, nuk kishte asnjë lloj lidhjeje me mua. Bile, për një moment m’u duk që e kisha shpikur vetë ato ditë vere në Plazhin e Durrësit ose Katia po hakmerrej që nuk e takova pas plazhit.

    Atëherë, me të mbërritur në Tiranë, u përpoqa ta gjej. Në atë kohë kishte biçikleta me qira. Pasi gënjeva mamanë se më duheshin lekë për të blerë libra, shkova mora një biçikletë me qira për një orë për t’i bërë përshtypje sa më shumë Katias. Pak a shumë siç bëjnë të rinjtë e sotëm që bredhin nëpër rrugë dhe sidomos te “Blloku” me makina për t’u rënë në sy vajzave. Ishte një biçikletë e vjetër “Diamant” pak si e madhe për mua. Pas dhjetë minutash arrita te Rruga e Dibrës. Ndalova te një trotuar me pak vështirësi. Gati sa nuk përplasa një grua plakë. Ajo më ulëriu sa mundi duke më thënë se ku e kisha mendjen. Pse asaj do t’i tregoja se ku bridhte mendja ime? Bëra një llogari të shkurtër dhe mendova se shtëpia me dy kate e Katias nuk ishte larg. U dhashë pedaleve sikur të isha çiklist profesionist dhe pas disa minutash vura re se ishin dy-tri shtëpi me dy kate. Kishte edhe njëkatëshe edhe trekatëshe, por ato i përjashtova. Ndalova diku te një shtyllë telefoni pa zbritur nga biçikleta, për t’i dhënë vetes një pamje garipi. Qëndrova rreth çerek ore ashtu duke vështruar shtëpinë, por atje nuk po lëvizte njeri. Të pyesja se ku e kishte shtëpinë Katia nuk ma mbante. Zbrita nga biçikleta dhe e mora për dore duke shpresuar se ajo do të shfaqej. Ecja nëpër atë rrugicë sikur kisha lënë një takim preciz me një person dhe se ai personi po vonohej. Ndërkohë, minutat kalonin dhe përveçse nuk kishte asnjë shenjë apo gjurmë të Katias, mua më duhej të dorëzoja biçikletën. Nuk kisha më shumë para se për një orë. Gjithsesi, i bindur që isha afër gjetjes së saj, u ktheva për të riardhur të nesërmen. Edhe të nesërmen, të pasnesërmen dhe disa javë nuk e pashë Katian.

    – Eda, të thashë që ne njihemi që kalamaj. Ka qenë një çun i mirë, çun për s’mari, si i thonë. Në krahasim me ca të tjerë që të ngjiteshin si rrodhe, ky bënte dallim. Eh, si kalojnë vitet! Po si nuk u pamë më? Nejse, jeta bën të vetën. Gjithsecili në hesap të vet. Të kam dhënë të njohur një herë kur ishim studente në paradën ushtarake, por ti nuk reagove. Kishe të drejtë. Me rroba ushtarake ku njifet robi. E ndjeva që nuk më njohe dhe nuk desha me të vu në siklet. Pastaj nuk të pashë më…

    – Me thënë të drejtën, nuk më kujtohet kjo puna e paradës… Mbase më ke përshëndetur, por nuk më vjen hiç në mend…

    – Normal! Ti ishe rritur, zgjatur, me goca vërdallë. Njohjet e reja u zënë vendin të vjetrave. Por atëherë një shoqja ime të njihte ty. Ej, më tha ajo, ky tipi është komshiu im. Me sa mbaj mend, të kishte qejf. Sapo të pashë, përnjëherë m’u ndez llamba dhe m’u kujtua që kishim qenë komshinj në Plazhin e Durrësit… Pse moj këtë ke komshi ti? U qyqja, po unë e kam pasur komshi para teje, me pantallona të shkurtra bile dhe me rroba banje duke hapur gropa për çadra, – e mbylli ajo duke qeshur disi me nënkuptim, por gjithsesi m’u dha mundësia që të vëreja që asaj i mungonin të paktën dy dhëmballë. Ndërkaq, si për të ndërprerë këtë dialog zhgënjyes, ngrita telefonin për të pyetur për kërkesën e Edës.

    Duke mbajtur telefonin në vesh, përsëri u riktheva në Plazhin e Durrësit si për të verifikuar vetveten. E marrtë dreqi, thashë me vete, edhe pas tridhjetë vjetësh përsëri ajo në avantazh. Përveçqë m’i bëri plagë atëherë duart duke hapur gropat në rërë dhe më rrënoi nga ata pak lekë që kisha duke marrë biçikleta me qira. Gjithsesi, pata edhe ditë që shkoja edhe në këmbë për të kërkuar shtëpinë me dy kate, por, përveçse ishte disi e lodhshme, nuk ishte aspak frymëzuese. Sapo mbërrija atje, vapa e gushtit më kishte trullosur. Kulmi ishte kur i mora një shokut tim një biçikletë “Bianki”, të cilën e përplasa me një shtyllë elektriku ku, përveç bërrylit tim që e bëra copë, shkoi u këput edhe timoni. Edhe sot e kësaj dite shoku im nuk ma ka harruar atë gjëmë. Biçikleta në atë kohë ishte sikur të kishe makine luksi sot. Pas këtij aksidenti i humba shpresat për ta gjetur shtëpinë me dy kate dhe u mjaftova vetëm duke kujtuar ato ditë vere në Plazhin e Durrësit.

    Ndërsa ato po largoheshin nga zyra ime gjithë zhurmë dhe entuziaste për pritjen time jo vetëm të ngrohtë, por edhe të dobishme, unë ende nuk isha shkëputur nga e shkuara e largët. Duke i përcjellë deri te dera e jashtme e korridorit, isha shumë i kënaqur që Katia po ikte. Ishte hera e dytë në jetë që po e përcillja. Me siguri që nuk do të ndodhte më.

    – Ej, miku im i vjetër. Faleminderit. Ke mbetur djalë i mirë. Ashtu siç të mbaj mend atëherë. Mirupafshim! – tha ajo duke më shtrënguar dorën.

    – Mirupafshim! – thashë edhe unë. Dhe ndërkaq krejt papritur e pyes: – Ej, Katia, atje vazhdon të banosh, te Rruga e Dibrës, 100 metra majtas. Tek ajo shtëpia dykatëshe…?

    Katia ndali dhe për herë të parë gjatë gjithë takimit u bë disi serioze.

    – Ç’është kjo adresë?! Jo, more robi, asnjëherë nuk kam banuar në atë rrugë. Po më ngatërron me ndonjë tjetër më duket, – mbylli ajo bisedën dhe u zhduk pas derës.

    Nuk e kuptova kurrë kur më kishte gënjyer Katia, atëherë apo pas tridhjetë vjetësh. Por kjo enigmë nuk e largoi Katian çupëlinë, me atë fundin e shkurtër, me këmbët e bukura, nga bregu i detit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË