Romani “Njerëz të zakonshëm” i Ylljet Aliçkajt
Ç’është kaq fascinante me dështakët athua, që na shtyn t’u kthehemi vazhdimisht në letërsi? Don Kishoti i Servantesit, Candide te Voltarire, Çerviakovi i Çehovit, ushtari Shvejk i Hashekut, Pnin te Nabukov, shoku Zylo te Agolli, Gregor Samsa te Kafka, e pothuajse të gjitha personazhet te Hollebecque. Letërsia gëlon nga galeri dështakësh. Dhe ne lexuesit, të mbledhur kruspull nga sikleti i dramës dhe patetikës së tyre, s’nginjemi dot me ta. William Henry Hudson, një kritik amerikan i letërsisë, thotë se gjindja shkruajnë për ”satisfaksion estetik” dhe kjo mund të jetë e vërtetë, por çfarë satisfaksioni të çuditshëm estetik nga jep neve si lexues athua kur përjetojmë degradmin gradual të një personazhi në libër? A bëhet fjalë për eksplorim të frikave tona? Për projektim? Për ritual magjik, që të na mbajë larg mësyshin?
Mbase s’do të arrijmë dot kurrë ta saktësojmë arsyen finale, por diçka e rëndësishme do të jetë patjetër, që mban të gjallë prodhimtarinë dhe konsumin e dështakut si figurë letrare. Tash edhe në autorësi të Ylljet Aliçkës, profesor i psikologjisë edukative dhe shkrimtar. ”Histori njerëzish të zakonshëm” është libër me episode nga jeta e personazhit kryesor, Shazivarit, ku ngjarjet dhe interpretimet që u bën ai ngjarjeve sajojnë bashkarisht një jetëshkrim të tij dhe njëherit një pledim pafajësie. Ndërtimi i narracionit është tradicional kronologjik, lexuesi e ndjek jetën e kryepersonazhit të komprimuar ndër vite. Shazivari pëson dështim mbas dështimi, në jetë private, në punë, e rrjedhimisht edhe në planin shoqëror. Ai vetë është i bindur se është viktimë rastësish të përsëritura, pse thjesht s’ka fat, se takon njerëz të gabuar në kohë të gabuar, në vend të gabuar. Viktimologjia e Shazivarit është gozhda ku ai var tërë kuptimin e botës së vet. Lexuesi, ndërkaq, mund të bëjë edhe interpretime të tjera, nga ai marksist për pabarazitë e shoqërisë, te ai feminist për natyrën e statusit burrnor, e te ndërtimi i psikologjisë së individit; diskrepanca midis perspektivës së lexuesit dhe botëkuptimit të vetë personazhit krijon një dinamikë të fortë të tekstit.
Margareth Hunaberger shkruan se letërsia është ajo që ndodh në takimin midis tekstit dhe lexuesit, e pra kjo vlen absolutisht për veprën e Aliçkës. Në një intervistë me Arta Markun në RTSH, Aliçka thotë se i ka bazuar personazhet e librit në persona të vërtetë dhe kjo mund të qëndrojë. Por mua më bëri përshtypje mënyra se si Aliçka, në atë intervistë, sikur kërkonte që të mbajë sa më larg pritshmëritë ndaj tij si shkrimtar. E vërteta është se kjo ”Histori njerëzish të rëndomtë”, me 18 kapitujt e vet në gjithsejt 132 faqe, të ofron një përjetim estetik cilësor. Leonard Bloomfield ka shkruar për tensionin midis gjuhës dhe idesë, duke eksploruar se cila i duhet më shumë një shkrimtari letrar. Aliçka ka absolutisht një ide të qartë, por e vërteta është se ai edhe shkuan një shqipe të gjallë e të rrjedhshme, me interpunksion të herëpashershëm dialektal në dialogje, e me një relief gjuhësor të përthyer midis fjalish të gjata e të shkurtra që krijojnë dinamikë të tekstit, e arrijnë që të mbajnë vëmendjen e lexuesit. Vepra përshkohet si me fill të kuq nga një humor inteligjent, sidomos kur Aliçka përcjell sociolektin bombastik të njerëzve të gjysëmedukuar që tentojnë të ruajnë dinjitetin në takim me ndeshtrashën. Ja, ta zëmë, si justifikohet Shazivari në komisariat mbasi është rrahur – në një indicident jotipik për karakterin e vet por shumë tipik për fatin e vet të lig – me një hundëlesh që del se paskësh qenë deputet popullor:
”Së pari, do të doja t’ju sqaroj se nuk e dija që ai burrë pa edukatë qenka deputet, që, sipas meje, nuk e meriton aspak atë mision. Më falni, ky është mendimi im. Së dyti, më e rëndësishmja, kam mendimin, si çdo qytetar i Republikës sonë, pra se askush nuk ka të drejtë të fyejë a të përdhosë dinjitetin e një gruaje të ndershme, një kamariereje të devotshme, vetëm e vetëm pse ai ka veshur një kostum e një kollare.”
Lexuesi e kupton menjëherë që kjo qasje s’ka për të përfunduar mirë për të ngratin Shazivar. Ai sa ka mbrojtur nderin e një Dulcinje kamariere nga një përfaqësues i Partisë. Hetuesit kërkojnë si e si ta fundosin. Në komisariat i gjejnë edhe një faj të pasherr dhe, shkurt, si rezultat, Shazivarit i shqepin dy vjet heqje lirie. E ndërsa ky i shkruan letra dashurie kamarieres nga burgu, pardon: nga Institucioni i Riedukimit (Shazivari është shumë i vëmendshëm me termet e sakta), Dulcinja ikën me anije tok me një të dashurin e vet. E kështu me radhë, në kapitull mbas kapitulli.
Personazhet tjera të librit janë më tepër në funksion të kryepersonazhit, si ta zëmë kolegu i tij Dulo, drejtori i shkollës ku punojnë të dy ”me edukimin e brezit të ri”, nëna e Shazivarit, që del herët nga rrëfimit, tezja që e rrit si bir, galeria e grave të Shazivarit që ikin prej tij si prej një leprozi. Ndonjë lexues mund të sfidohet nga karrikaturat burleske të grave dhe ”hireve të tyre”, por personazhet e grave vështrohen me sy të Shazivarit, të tezes së tij, e të gjithë antiheronjve të një brezi që na dërdëlliste për familje të mirë, ndërsa u merrte masat e trupit aspiranteve për nuse. Personazhin e Shazivarit, i cili quan kurvë e të pamoralshme çdo grua që lodhet me të, mund ta lexosh edhe si metaforë të shqiptarëve; veç kujto ankesat për ”Evropën kurvë”, e mënyrën si glorifikojmë ne veten mbas çdo vetëposhtërimi ku na shtyn natyra jonë!
Në anën tjetër, personazhet gra te Aliçka mbase vërtet s’janë feministe, se s’kanë ambicie për të ndryshuar botën, mirëpo s’e lëshojnë hisen e vet nën diell. Të gjitha duan një burrë ”që e bën atë punën”. Gratë kanë agjenci të veten, me dëshira e vullnet të vetin. Ato zënë dashnorë, ia plasin në sy Shazivarit dhe tezes së tij, i vënë në siklet gjykatësit duke i edukuar botërisht për nevojat e seksit dhe, kur s’durojnë më, ia mbathin: ato s’e lejojnë veten të rehatohen si statiste në viktimologji të Shazivarit. Një personazh dytësor që të ngel në mendje është ai i birit (?) shëndetlig të Shazivarit, që vizaton rrathë për t’u fshehur brenda tyre. Përshkrimi që i bën Aliçka një relacioni memec babë e bir është ndër më të saktët që kam hasur në letërsinë shqip dhe, më duhet të them, më ngel si peng i vetëm i këtij libri. Pse ky relacion s’është eksploruar edhe më, pse ky personazh s’është shtjerruar. Unë për vete do të doja të kisha lexuar shumë më shumë për të.
Në intervistën e sipërpërmendur u problematizua titulli, mua m’u duk titull i qëlluar pikërisht pse konfirmon se s’ka asgjë të zakonshme në jetët e njerëzve që i quajmë të zakonshëm. Kush mpreh shikimin, do të vërejë se çdo jetë njeriu në instancë të fundit është një tragjedi – ose, si në rastin e Shazivarit, një tragjikomedi.