More
    KreuLetërsiShënime mbi libraShqiponja Axhami: Dashuri në shtratin e vdekjes

    Shqiponja Axhami: Dashuri në shtratin e vdekjes

    Romani “Shtrati 13” i Petrit Palushit, botimet Ombra GVG, Tiranë 2016; libri u shpall romani më i mirë në Panairin e librit, Prishtinë 2017

    Romani “Shtrati 13” i Petrit Palushit arrin në mënyrë të patjetërsueshme misionin që ka letërsia, funksionin estetik të saj në përcjelljen e së bukurës përmes artit edhe në hijet më të terrta të jetës. “Dita e vdekjes është më e bukur se dita e lindjes”…

    “Vdekjen sikur e kishte para syve, po e merrte kaq mendjelehtësisht, madje tek e shihte si një vallëzimtare të shkathët. Ajo mund ta tërhiqte edhe atë në valle dhe, pak përpara se t’ia ndalte frymën, zhdukej menjiherë prej sallës së vallëzimit…”.

    “Shtrati 13”, ka si pikëvështrim vdekjen ose me saktë luftën me të. Qëndrimi shtatë ditor i Ulpian Agshtegut (personazhi kryesor) në spital jepet përmes një rrëfimi që ngjan herë-herë me një klithmë e here-herë me një nënqeshje të përsonazhit kryesor, i cili edhe fatalitetin vdekje e merr hera herës me moskokëçarje. Përshkrimi i situatave të qëndrimit të tij në spital, lidhja me ngjarje reale dhe surreale, kujtimet e bukura, por dhe të trishta janë një spirale kërkuese që përshkruan gjithë romanin, kthjella e epërme e së cilit është shërimi i personazhit, i cili në këtë udhëtim shtatë ditor përjetoi atë që nuk e kishte përjetuar kurrë imagjinatën në kufijtë skajorë të ëndrrës së pajetuar dhe të jetuar njëkohësisht. Por zymtësia e këtij vështrimi zbutet nga aftësia e jashtëzakonshme e autorit i cili krijon parale, prej përshkrimesh gati poetike sa lexuesi pluskon mbi fatalitetin vdekje gati përçmues.

    Përmes një arti që krijon tablo dhe rrethana krejt moderne të përceptimit të vdekjes lexuesi kupton se si Ulpian Agshtegu në momentet më të vështira të jetës, në shtratin e vdekjes bën një udhëtim imagjinar. Por udhëtimi që sjell autori përmes personazhit  të vet në një muzg të trishtë vdekjeje nuk është dramatik e as i trishtë, personazhi në çdo situatë i bën sfidë vdekjes jo përmes guximit, por përmes përceptimit të thellë psikologjik  të kësaj gjendje si një gjendje fluide gati-gati të domosdoshme  në të cilin njeriu sheh për herë të parë atë që nuk e pa kurrë në jetën e shëndoshë. Në këtë udhëtim ai sheh në fillim varrin  e tij të hapur, më vonë hijet ngjyrë verdha, do të luajë ose të kërcejë me to dhe përmes një shkallëzimi rritës të forcës artistike nga fundi shfaqet gruaja, fëmijët, ndonjë përronjëz, lumi, përroi i andrrave, dashuria… Në momentet e fundit të jetës të dënosh vdekjen me dashuri është misioni më i pamundur, por më i gjetur artistik që vetëm një mendje e hollë krijuese arrin ta bëjë (Unë nuk dua të lë amanete siç lënë të tjerët… Unë shëtis në oborrin e spitalit më Fjollën…)

    Dialogjet e personazhit me infermieren dhe mjekun janë të veshura me nje tis të hollë ironizues, ai herë ndien frikë por herë moskokëçarje. Dyzimi i tij i brendshëm nuk ka të bëjë me naivitetin e tij, por intelekti i tij mundohet t’i japë kuptim çdo absurdi, çdo gjendje qoftë edhe vdekjes (Vdekja është e arsyeshme, e bukur…)

    Autori i vesh personazhit petkun e mortjes me hijet përreth, të vdekurit imagjinarë me sy hapur, por nga ana tjetër personazhi me kujtimet e tij, dialogjet e tij krijon një vorbull ere që orvatet të jetë dhe është triumfuese duke gjerbur deri ne grahmën e fundit një arsye për vazhdimësi qoftë kjo edhe përmes një kujtimi. Megjithëse kujton Natën e Varrit, ai ndjell dhe ka aftësinë të ftojë dhe vdekjen në vallëzim.

    Tulipanët e verdhë të dikurshëm për dashurinë e tij të vërtetë, Fjollën, dhe prania e të verdhës së Van Gogut në mur, tek infermiera, tek hijet (… kjo vdekje me ngjyrë të verdhë që po i avitet) shihen në dy paralele. Së pari si një forcë e brendshme e shpirtit të tij në luftë me vdekjen, ato hije vdekatare ndoshta nuk janë gjë tjetër veçse penelatë Vangogiane që sjell imagjinata e tij si ngushëllim për të sfiduar mbi mortjen dhe së dyti e verdha e trishtë në këtë shtrat vdekje është dhe e verdha që pëlqejnë dhe lyhen të gjitha muret e spitaleve psikiatrike. Ndoshta në shtratin e vdekjes të gjithë kemi fatin të përjetojmë një kompleksitet të pashpjegueshëm të qenurit nga pak të çmendur dhe frymojmë atë që e jetuam por dhe deshëm ta jetojmë përmes çmedurisë së skajshme duke i dhënë formë dhe vdekjes. Fundja kjo botë vdekatare mjerisht është një spital i madh me të sëmurë psikikë të babëzitur për t’i dhënë kuptim absurdit jetë. Jo më kot personazhi numëron krevatet (jane shumë…), madje në çdo paragraf të romanit ndihet orvajtja e autorit për të shpjeguar atë që po ndodh… Për të nuk është më e rëndësishme nëse do i shpëtojë vdekjes apo jo, për të më e rëndësishme është të jetë i qartë brenda egos së vet: Pse duhet te ndodhë vdekja ? Pse vjen pa e ftuar? A mund t’ia dali? A do ringjallet?

    “Iu shmanga dhomës së ferrit, deshi të thoshte, por drita e syve të saj sikur ia rrudhi fjalët…

    As i shkoi nëpër mend se po kalonte edhe nata e pestë, kur pa orën se duhej edhe pak me çelë drita e mëngjesit. Të gjitha netët janë të njësojta, iu dha të thoshte, por veçse ajo te dhoma e rigjallnimit qe mashtruese…”.

    Nëse do rrekeshim të gjenim një vepër krahasuese moderne do kishte disa, por nuk e di pse këto shtatë netë te sprovës së vdekjes me udhëtimin imagjinar te “Shtrati 13”, të çojnë tek Dantja, por jo ai udhëtim i botës së përtejme, por një udhëtim midis dy botëve, shtatë rrathët e të cilave janë shtatë netët sfilitëse të unit njerëzor, që nga fëmijëria deri tek vdekja me pa dyshim triumfusen gjer në grahmat e fundit – dashurinë, derivatet e së cilës mbeten të përjetshme.

    Elemente të tjera si mëvetësia leksikologjike, ruajtja me fanatizëm, por pa dëmtuar efektin estetik që krijon shenjuesi si trevë, dialogjet e shkurta, por me një simbolikë dhe nëntekst të fuqishëm i pudrosin kësaj vepre uniken në formë dhe stil.

    I erdhi ndërmend se, do ditë para se të vinte në dhomën e rigjallnimit, dikund, në rrethina të qytetit, sytë i kapën një trup pishe, mu në zemrën e një shkëmbi. E zhveshme krejt, rrënjët thuajse i kishin dalë, por prap vazhdonte të ruante drejtpeshojën. Kishte marrë ngjyrën e ashpër të shkëmbit, sa vetëm sy të vëmendshëm mund ta dallonin se qe trup pishe. Pakëz më vonë, kur e pa së largu s’i ngjau me një trup pishe, siç iu duk në fillim, por me një vijë uji në shkëmb, veçse ujë s’dallohej kund. Kështu, i ngjau se po ndodhte dhe me të…

    Elementet folklorike si këngët e dashurisë, zanat, krijimi i fjalëve të reja, personazhe të përzgjedhur të së shkuarës, por që mbeten thellë në kujtesë si shkrimtarja surrealiste, vajza që krijonte poezi të çuditshme, etj., e bëjnë këtë vepër, vepër të një niveli të lartë artistik dhe me një kahje moderne të padiskutueshme.

    Fundi i romanit është kulmi i artit të Shtratit 13. Ai e dënon vdekjen me dashuri dhe kujtimet për të. Shtrati i 13 është shtrati i vdekjes në një dhomë me pesë dritare të një spitali jashtë oborrit të të cilit ecën me hapa të paqtë ai dhe dashuria e tij dikurshme – Fjolla (fjollë ere, fjollë drite, fjollë kuptimësie). Ai u nda me të për një arsye të pakuptimtë, ngjyra e ullinjtë e syve, por fundja edhe vetë jeta, vdekja kanë një arsye gati të pakuptimtë që vijnë, ikin por duke lënë zgjuar brenda nesh kafshën që e vetëquajtëm njeri, orvajtjet dhe dilemat e të cilit në luftën për të jetuar mbeten gjithsesi te bukura….

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË