(Kushtuar Prof. Pashko Gjeçit)
Shqipëruesi kishte zbritur në rrethin e nëntë të Ferrit të Dantes dhe e ndiente veten të magjepsur e të lodhur. Rruga nëpër Ferr kishte qenë e mundimshme. Ferri shqiptar është më i tmerrshëm se ai i Dantes, tha me vete. Ai kishte qenë i burgosur në Vloçisht dhe e kishte provuar vetë se ç’ishte ferri i vërtetë. Kur e mendonte, çuditej sesi kishte mbetur gjallë. Iu fanit Tasi Marko, komandanti i kampit të përqendrimit të Maliqit. Në Ferrin e Dantes, nuk ka ndonjë shëmbëlltyrë si Tasi, tha me vete. E largoi mendjen me përbuzje nga Tasi, që brente kokat e të burgosurve dhe u përqëndrua te kont Ugolini, i cili brente kokën e arkipeshk Ruzherit…
“E ngriti gojën nga ushqim’ i vështirë”, shqipëroi vargun e parë të tercinës. “E ngriti”… jo, s’është fjala e duhur, tha me vete. “E largoi” … jo, as kjo. Duhet një verb më i figurshëm.
– Profesor, e ke parasysh Dritën? – ia ndërpreu papritur arsyetimin Drini, shoku i dhomës.
Tjetri ngriti paksa supet.
– Atë mësuesen bionde, nga Kruja…
– Po, – iu përgjigj pavëmendshëm përkthyesi.
Drini u ndje mirë që u fut në bisedë. Ishte e vështirë të hyje në botën e profesorit të vjetër, aq më tepër kur ai punonte. Shkëputej nga çdo gjë tjetër dhe përthithej i tëri në përkthim. Kur e kishte pyetur një herë se ç’ishte gjithë ai përqendrim i pandërprerë, ajo vetmi dhe e folur me vete: mani apo marrëzi, profesori i ishte përgjigjur: Dashuri! Drini ishte habitur, po s’e kishte shtyrë më tej, sepse profesori ishte mbyllur sërish në guaskën e vet.
Atë mbrëmje Drini e kishte të nevojshme të bisedonte pikërisht për këtë ndjenjë dhe të çlirohej nga një ankth.
Banonin në një dhomë të vogël në godinën e shkollës shtatëvjeçare të Fushë-Krujës. Drini ishte një mësues i ri, që jepte lëndën e matematikës dhe që mblidhej në dhomë veç në mbrëmje, ngaqë s’kishte ku të shkonte tjetër. Aty e gjente profesorin, i cili, mbasi shpjegonte me pasion mësimin e shqipes paradite, gjithë kohën tjetër e kalonte i mbyllur në dhomë. Mirëpo muhabeti nuk u ecte. Profesori ishte i sjellshëm, por i përkorë. Mezi i nxirrte fjalët. I largohej çdo bisede, si djalli temjanit. Ishte i kredhur në përkthimet, apo druhej? Drini nuk ishte i sigurt. E dinte që kishte qenë në burg, që ishte beqar dhe i panjeri, sepse nuk i vinte kush ta takonte, ndërkohë që ai nuk afrohej me kërkënd. Tip i çuditshëm, një gërxho, thoshte me vete Drini.
– Ç’mendim ke për Dritën? – e pyeti pas pak.
Priti që profesori të thoshte diçka, qoftë edhe një fjalë, por ai heshti dhe u zhyt edhe më tepër në punën e tij. Ishte rreth të pesëdhjetave, por dukej tejet i moshuar, për shkak të rrudhave të thella, flokëve të bardhë dhe syzeve me qelqe rrathë-rrathë.
– Profesor!
– Urdhëro, – iu gjegj tjetri pa e ngritur kokën.
– Dritën e kam për zemër dhe më pëlqen ta marr.
– Merre.
– Mirëpo ka një kleçkë biografie e s’di si t’ia bëj.
– Lëre.
– Por është vajzë e mrekullueshme. I ka gjithë të mirat. Apo s’është e pashme!
Drita ishte vërtet e bukur: trupderdhur, fytyrëhënore, me sy në formën e gjetheve të pjeshkës dhe flokët ngjyrëokër.
– Merre.
Përkthyesi ishte i fokusuar në kërkim të fjalës së duhur dhe po vuante sa ta qëmtonte. Tërë qenia e tij ishte ngulur atje. Ndërsa i përgjigjej shkurt, pa e pasur mendjen. E gjeta! klithi së brendshmi i kënaqur: e zhvati gojën… Tamam kafshërore…
– Kam frikë se mos e pësoj nga kjo lidhje, tha Drini me zë të zvargur.
– Lëre.
Drinit po i vinte të pëlciste. Kërkonte një këshillë, donte t’i hapej dikujt, për një çështje kaq delikate, por…me kë të fliste!? Ishte ulur mbi krevatin e drunjtë dhe vështronte njeriun e rrëgjuar e të thinjur, që mërmëriste dhe shkruante pa e ngritur kokën. Në një tjetër botë.
– Në fakt, nuk ka ndonjë gjë të madhe, thjesht është stërmbesë e Merlikajve, si thua?
– Merre.
– Po unë…
– Lëre.
Drini zjeu nga brenda, por u përmbajt. I hodhi një vështrim gjithë mllef njeriut, që kishte futur kokën mes librave e fjalorëve dhe s’pyeste për gjë tjetër në botë. Njeri i fshtymur, i mbaruar, foli me vete. A ka dashururuar ndonjëherë?
Përkthyesi u ngul te tokfjalëshi: ushqim i vështirë. Frazë e rëndomtë, pa ngjyrim, pa emocion,- mendoi. Duhet diçka tjetër. Ah, po e gjeta! u gëzua ai si një fëmijë: gjell’e pështirë…
Djaloshi ia këputi sërish mendimin.
– Unë jam nga një familje e luftës.
– Lëre atë cucë, mos e trazo në fatin e saj. Më lërë edhe mua të qetë!- e ngriti zërin përkthyesi fytyrëngrysur.
Drini u hutua nga dalldia e tjetrit. S’e kishte parë kurrë të zëmërohej. Nuk e di ç’pati, mendoi hidhur.
Shqipëruesi u kthye në botën e tij dhe nisi të fliste me vete: gjellë e pështirë, tamam e pështirë, që të ngjall krupën. Të bresh, të gërryesh me dhëmbë kafkën e një tjetri për hakmarrje…
Mandej e shestoi me mend gjithë vargun: E zhvati gojën nga gjell’e pështirë dhe e ndjeu veten të lehtësuar, madje të lumtur, ndonëse përcillte një akt të neveritshëm.
Vetëm atëbotë e ngriti kokën dhe e vështroi në sy Drinin.
– Më fal! – i tha.
Drinit i erdhi çudi, por edhe mirë që i kërkoi falje një flokëthinjur, një i ditur, i cili, siç thoshin, kishte bërë të fliste në shqip Homerin dhe Danten, por që vetë ishte vulëhumbur.
– Unë ju kërkova thjesht një këshillë, asgjë tjetër.
– Një këshillë? Nuk jap kurrë këshilla. Po të isha aq i mençur për këshilla, nuk do të isha katandisur kështu, shfreu hidhur profesori.
Drini mbeti pa fjalë.
Përkthyesi nuk u ndje mirë. Edhe një herë që kishte folur pak më tepër, e kishte djallosur. Kishte aluduar për vete. Ndaj donte të thoshte diçka tjetër, thjesht njerëzore e lehtësuese, që ta mbyllte atë bisedë cingëruese dhe të mos e lëndonte atë djalë.
-Ai që dashuron me të vërtetë, guxon, – i tha përhumbshëm dhe iu kthye punës, duke i dhënë të kuptonte tjetrit, që të mos e trazonte më.
Drini qendroi i ulur më bythë për disa kohë. Ç’të bënte? Natën Fushë-Kruja ishte një qytezë e vdekur. Ku të shkonte? I hodhi një vështrim përçmues plakut dhe librave pirg, që e rrethonin si një mur i heshtut. . Botë e vjetër, mendoi.
U shtri mbi krevat, siç ishte i veshur dhe pas pak nisi të gërrhiste.