More
    KreuLetërsiShënime mbi libraShpendi Topollaj: Arbëreshët, si i pa dhe si i njohu Fatmir Toçi

    Shpendi Topollaj: Arbëreshët, si i pa dhe si i njohu Fatmir Toçi

    E vërteta është se deri para disa kohe, sa herë përmendeshin arbëreshët e Italisë, në përgjithësi, na ishte krijuar mendimi se ata fill pas vdekjes së Heroit tonë të madh Skënderbeut, për t’iu shmangur raprezaljeve dhe hakmarrjes të hordhive turke, ua hipën anijeve dhe u dyndën drejt bregut tjetër, ku gjetën mikpritje dhe paqen e nevojshme. Po ashtu dimë se ata ruajtën gjuhën, doket, zakonet, veshjet, folklorin dhe sidomos mallin për atdheun e të parëve për shekuj të tërë. Po ashtu, sidomos nga mesi i shekullit të XIX – të dolën një aradhë intelektualësh, kryesisht shkrimtarë e poetë që me veprën e tyre, jo vetëm e rizgjuar dashurinë për Shqipërinë, por edhe i paraprinë Rilindjes sonë kombëtare. Kjo njohje e cunguar, ndofta ka ardhur edhe nga mangësitë e informacioneve serioze, nga mosmjaftueshmëria e botimeve dhe kontaktet e pakta që kemi pasur me arbëreshët. Por, ja ku na vjen një libër studimor i plotë, prej mbi 900 faqesh, që dikush me të drejtë e ka quajtur enciklopedi, i shkruar nga i mirënjohuri Fatmir Toçi dhe i botuar nga Toena, në hyrje të të cilit shkruhet: “Arbëreshëve të Italisë, për historinë e tyre të dhimbshme të mbijetesës dhe krenarinë për prejardhjen arbërore, që na jep dinjitet si komb e na bën t`i duam e t`i çmojmë, por, para së gjithash, t`i njohim më mirë”. Nuk mund të flasësh për këtë libër, pa kujtuar me respekt të veçantë përpjekjet e jashtëzakonshme që ka bërë autori i tij për vite me radhë, duke rëmuar nëpër arkiva, duke vizituar thesare shkrimore të pluhurosura kishash, kryesisht ato që vijojnë traditën bizantine, duke gjetur e shfletuar pa fund libra të kësaj teme nga autorë të ndryshëm, duke shkelur vetë çdo trevë ku arbëreshët kanë qenë ngulur apo vijojnë të jetojnë dhe jo vetëm në jugë të atij vendi por, edhe në ishuj, si fjala vjen në Siçili e Korsikë, apo në veri, duke marrë kontakte me njerëz të politikës, kulturës, arteve e deri atyre të zakonshmëve, gjë që do të qe një ndërmarrje aspak e lehtë edhe për vetë Akademinë tonë të Shkencave. Dhe si rezultat i gjithë kësaj pune, del që “Lëvizjet në masë e shqiptarëve drejt brigjeve italike kanë filluar pas fushatës ushtarake së vitit 1336 të Perandorisë Bizantine, në bashkëpunim me serbët e Stefan Dushanit, për shtypjen e revoltave popullore”. Dhe ishte kjo periudhë që i parapriu atij eksodit biblik të shekullit të XV – të dhe që vijoi edhe më vonë në kushte, forma dhe përmasa të tjera, pasojë e fatit tonë të keq që na kishte rezervuar padrejtësisht historia. Por duhet pasur parasysh se emigrimi i fazës së dytë dhe të tretë favorizoheshin edhe nga disa rrethana, si fjala vjen; aleanca e Gjergj Kastriotit dhe ndihma që ai i dha Alfonsit të Parë të Napolit në shypjen e rebelimit të baronëve të Kalabrisë dhe vendosjen si shpërblim të familjeve të ushtarëve shqiptarë atje, e pastaj, përkrahja nga djali i tij Ferdinandi. Nga libri mësojmë edhe për familje e qytetit tonë, Durrësit që u vendosën atje. Kështu, familja e Gjon Durrësit (Giorgio Durazzo), qysh në vitin 1387 shkon në Gjenovë, ku merren me tregti, përpunim lëkurësh dhe transaksione financiare. Pasi u konsolidua dhe fitoi një reputacion mjaft të mirë, nga kjo familje kanë dalë nëntë kryeministra të Gjenovës që aso kohe quheshin doxhë, tridhjetë senatorë, dy kardinalë, pesë peshkopë, gjashtëmbëdhjetë ambasadorë e plot burra të shquar në fusha të nga më të ndryshmet. Por pati edhe disa faktorë të tjerë që kushtëzuan edhe lëvizje të fiseve apo kolonive shqiptare, pra migrimin e tyre në treva të tjera brenda Italisë, pasi fjala vjen, dihet se Siçilia dhe Kalabria janë quajtur “Terra ballerina” pra “Toka Valltare” për shkak të tërmeteve të fuqishme. Kështu kujtojmë se si pasojë e këtyre goditjeve erdhi boshatisja nga banorët autoktonë pas viteve 1693, 1783 apo 1909 ku gjetën vdekjen qindra mijra banorë të cilët duheshin zëvendësuar edhe si krahë pune. Për më tepër, arbëreshëve iu dha leja e organizimit dhe për këtë u caktuan sipas rasti edhe ata më të shquarit që kishin dhënë edhe prova trimërie e besnikësie, si feudali i fuqishëm Dhimitër Kapucimati e Llazar Mate, kalorësi stratiot që me 300 ushtarët e tij kishte fituar simpatinë e mbretit Ferdinand. Mjafton të kujtojmë referimin e autorit te prof. Jose Floristan edhe për prurjen nga Peloponezi të rreth 8000 vetëve, shumica arvanitas nga ana e admiralit emërmadh Andea Doria në Napoli e Mesinë apo faktin që edhe sot e kësaj dite një lagje në Taorminë në provincën e Agrixhentos vazhdon të quhet “Lagja e shqiptarëve”. Dhe kudo që shkuan, arbëreshët me punën e tyre të ndershme, ditën të përshtaten dhe të ndërtojnë me dinjitet jetesën e tyre. Në gjysmën e dytë të shek. të XVII – të, 700 emigrantë shqiptarë, vetëm brenda një viti, pasi zbarkuan në Korsikë mes shumë vështirësive, arritën të ngrenë fshatrat Pankone, Korona, Rondolina, Saliçi dhe Monte Rose dhe më pas edhe një kishë, çka i bëri shembull edhe për vetë popullsinë vendase. Por historia pranon vetëm të vërtetat, prandaj Fatmir Toçi nuk ngurron të na tregojë se nga popullsia vendase ka pasur edhe reagime për të mos i pranuar të ardhurit, si ai i banorëve dhe klerit të qytetit të Bozës apo ata të Sant Antiokos. Një vend të rëndësishëm zë në këtë libër përshkrimi i fatit të familjeve të mëdha që u larguan nga atdheu pas pushtimit turk si Kastriotët, Muzakët, Arianitët, Zenebishtët, Matrangët, Skurajt, Topiajt, Buat, Shpatajt, Gropajt, Dukagjinët, Spanët, Engjëjt, Drishtit etj. Natyrisht që kurreshtja jonë përqendrohet te gruaja e heroit, Donika dhe pinjollët e Kastriotëve pas rënies së Shkodrës që sqarohen fare mirë nga autori i cili u referohet autoriteteve studimore si Paolo Petta dhe Domenico De Filippis. Ndër të tjera del edhe figura e Gjoni Kastriotit i vendosur në Napoli dhe i shquar në luftime kundër turqve, venecianëve dhe francezëve i cili u martuar me Irenë Brankoviçin, vajzën e despotit Llazar të Serbisë me të cilën patën pesë fëmijë, ku veç Ferdinandit dhe Gjergjit të suksesshëm, u dallua Maria për kulturën e saj të spikatur në atë kohë dhe që u bë edhe engjëlli mbrojtës i arbëreshëve. Fatmiri, duke i kushtuar rëndësinë e duhur ruajtjes së gjuhës nga arbëreshët, thotë se rol të madh në këtë drejtim ka luajtur feja ortodokse që ata mbrojtën nën juridiksionin e Vatikanit, ku spikati Papa me origjinë shqiptare Klementi i XI – të që qëndroi në atë detyrë për 21 vjet dhe dha një ndihmesë të konsiderueshme për vendin tonë dhe pas tij Lorenco Orsini, Papa Klementi i XII – të dhe Benedikti i XV – të në vitin 1919. Ndaj nuk është për t`u habitur përse nga 91 kisha të ritit bizantin edhe pse ka kaluar një kohë kaq e gjatë, 26 prej tyre edhe tani i kryejnë shërbesat sipas traditës. Autori Toçi thekson se “Për Shqipërinë, kultura dhe gjuha arbëreshe janë një pasuri shumë e vyer kombëtare”, ku natyrisht ka dhe dallime pasi arbërishtja ka italianizma, sikurse shqipja nuk u ka shpëtuar turqizmave. Edhe pse, arbëreshi me shqiptarin mund të kuptohen fare mirë. Patjetër që rol të pamohueshëm në ruajtjen e gjuhës, ka luajtur çelja e shkollave dhe e kolegjeve si manastiri bazilian i Munxifsit, “Korsini”, “Shën Adriani”, “Shën Mërisë” etj. ku meritë kishin dy herë ish kryeministri i Italisë me origjinë shqiptare Françesko Krispi, Gjergj Guxeta, Antonio Brankatos me shokë. Kjo bëri që të dalin nga gjiri i popullit arbëresh një plejadë intelektualësh e shkrimtarësh atdhetarë tashmë të njohur prej nesh si Gavril Dara i Riu, Jeronim de Rada, Zef Skiroi, Jul Variboba, Dhimitër Kamarda, Anton Skura, Françesk Santori, Vinçenc Stratigoi etj. etj. që me gazetat dhe veprat e tyre jo vetëm ndriçuan realitetet politiko – sociale të arbëreshëve dhe nxitën kulturën rilindase shqiptare, por dhe shërbyen si iluministë të botkuptimit të popullit tonë për liri e pavarësi dhe sikurse shprehet autori “e ngjallën dhe i dhanë shtysë çështjes shqiptare, duke ndihmuar në njohjen e saj botërisht”. Në historinë e letërsisë tonë nuk harrohet ajo që bëri Jeronim De Rada me gazetat e tij “L`Albanese d`Italia” dhe më pas me revistën “Fjamuri i Arbërit” dhe lidhjet e tij me burra atdhetarë si Naim e Sami Frashëri, Thimi Mitko, Dora d`Istria, Zef Jubani etj. Më tej ky libër voluminoz vijon me përshkrime, mbresa, të dhëna historike, gjeografike, turistike, kulturore, folklorike, fetare, arsimore, muzeale, objekte kulti, shoqëruar me një mori hartash, toponimesh, referencash dhe fotografishë etj. për plot 18 Krahina dhe 114 Provinca ku jetojnë arbëreshët e Italisë, çka flet për një punë mëse të lavdërueshme atdhetare të politikanit të mençur  dhe të ekuilibruar  Fatmir Toçi i cili me një vepër të tillë, ndofta të pashoqe, jep shembullin se si me vullnet, urtësi,  thjeshtësi, sakrifica dhe mbi të gjitha me ndershmëri, mund t`i bësh vendit dhe popullit tënd shërbime të çmuara dhe të meritosh mirënjohjen e përherëshme të tij.     

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË