More
    KreuLetërsiBibliotekë“Shpagimi i Tarzanit”, tregim nga Alberto Moravia

    “Shpagimi i Tarzanit”, tregim nga Alberto Moravia

    Përktheu: Zija Vukaj

    Asaj vere, në mungesë të një pune tjetër më të denjë dhe serioze për mua, pranova të endesha me biçikletë, në rresht me pesë të tjerë, për të bërë propagandën e filmave të një kinemaje të re. Secila biçikletë mbante një tabelë të ngjyrosur me një rrokje prej dy a tri shkronjash dhe të gjashtë së bashku, duke parakaluar ngadalë nëpër rrugët e qytetit, formonim titullin e plotë të filmit. Pra, ishim njerëz sanduiç mbi dy rrota. Në fakt ka edhe zanate më të mira; aq më tepër që për të na bërë më të dukshëm, na kishin veshur ca kostume bojë qielli në të cilat dalloheshin gjithë ata engjëj që mbahen në procesionet e festës së Pashkëve. Po ç’ti bësh? Nëse doja të haja, atë punë do të bëja. Nxirrnim në qarkullim “Më duaj sonte”, “Flakë mbi arkipelag”, “Dy zemra në furtunë”, “Bija e vullkanit” e shumë të tjerë. Unë rrija gjithmonë në biçikletën e kreut, sepse, duke qenë tashmë pesëdhjetë vjeç, me flokët krejt të bardhë, isha gjithmonë më i vjetri dhe prandaj agjencia më besonte mua përgjegjësinë e karvanit. Pas meje vinte Poldini, çunak flokëverdhë shtatëmbëdhjetë vjeç, me fytyrë të mprehtë si turi bukle, me sy të kaltër si prej xhami; sa për karakter, i dhunshëm e i pabindur, tamam i pahajër. Katër të tjerët ishin edhe ata çuna mes pesëmbëdhjetë dhe njëzetvjeçarë. Mund të isha babai i të pestëve dhe ata, në fakt, për lojë, më thërrisnin xhaxha. Ishin të gjithë të së njëjtës racë si Poldini: çunakë të dalë në jetë pas luftës, me kontrabandën, zezakët amerikanë dhe zonjushat. Mbi ta nuk kisha ndonjë autoritet, siç e njoftova menjëherë agjencinë; dhe ata, sa herë që mundnin, bëheshin grup kundër meje. Ishte verë, korrik, dhe të endeshe rrugëve, dalëngadalë, nën diellin që digjte, ishte vërtet një mundim. Pastaj udhëtimi ishte i gjatë dhe pa ndalime: niseshim nga kinemaja, pas Shën Mërisë së Madhe, përshkonim me ritmin e hapave të njerëzve rrugën Kavour, sheshin e Stacionit, rrugët Volturno, Piave, Salaria, Po, Veneto, Bisolati, Nacionale, Depretis e pastaj, më në fund, Shën Mëria e Madhe. Këtë xhiro e bënim disa herë, paradite dhe pasdite, sipas marrëveshjes me agjencinë. Skuadra, pastaj, ishin dy: njëra e meshkujve, të veshur siç thashë, me bojë qielli; tjetra e femrave, të veshura edhe më keq se ne: me tunika të bardha, të mbuluara me mëndafsh të argjendtë dhe pantallona zuavësh, kolonialistë frëngë, të verdhë ngjyrë ari.

    Një prej atyre paraditeve, u nisëm si zakonisht, nga kinemaja, me një qiell me re, që në fillim më bëri të shpresoja se i nxehti i ditëve të tjera ndoshta do të pakësohej. Por sa filluam marshimin, vura re menjëherë se zagushia, pikërisht për shkak të atyre reve të zeza që paralajmëronin stuhi, ishte rritur. Djersija, në kostumin tim të mbyllur, më keq se të ishte diell; dhe në atë ajër të rëndë, më dukej se në çdo rrotullim pedali, më fryheshin duart, këmbët dhe fytyra sikur gjaku ndehej për të më shpërthyer jashtë lëkurës. Titulli i filmit atë ditë ishte “Shpagimi i Tarzanit”, me ngjyra. Unë kisha rrokjen Shpa; pastaj vinte Poldini me Gi, pastaj me radhë, Mi, i Tar, Za, Nit. Në tabelë shihej Tarzani, i veshur me lëkura si një i egër, që luftonte kundër një majmuni dhe mënjanë, e trembur, një vajzë e bukur edhe ajo gjysmë e zhveshur. Tani, tek po lëviznim dalëngadalë në atë ajër mbytës, vura re menjëherë se pas meje ishte formuar grupi i zakonshëm. Agjencia publikuese na porosiste, sidomos të mos bënim potere, të mos pinim cigare, të mos flisnim. Pra, duhej të jepnim përshtypjen e qenieve gati të mekanizuara, si biçikletat: të shurdhër, të ngadalshëm, apatikë, pa shprehje. Kështu publiciteti,

    thoshin, ishte vërtet i efektshëm, sepse njerëzit nuk merreshin me ne dhe shikonin tabelat. Thashë se pesë të tjerët kishin bërë klan dhe po e shpjegoj. Sapo qemë në sheshin e Stacionit, i dëgjova të pestë prapa meje që bënin me njëri- tjetrin britmën e Tarzanit, ashtu siç dëgjohet në kinema; jo aq fort, vërtet, por bajagi, sepse kalimtarët e dëgjonin. Unë s’mund të kthehesha, sepse duhej t’i drejtoja dhe, po të kthehesha, në një vend si sheshi i Stacionit, kishte rrezik që gjithë karvani të përfundonte nën rrotat e ndonjë autobusi; por kur hymë në rrugën Volturno, u solla dhe thirra fort: “Ç’është kjo potere?” E dini si m’u përgjigj Poldini? Me një britmë tëturpshme. Nuk thashë gjë dhe vazhdova drejt Ministrisë së Financave. Kaluam Ministrinë; dolëm në rrugën Piave, në sheshin Fiume. Roja në majë të kullës së tij me vija bardhezi, ndaloi trafikun dhe ne na u desh të ndalonim. Përfitova për të vënë këmbët në tokë dhe u ktheve të shihja si shkonin punët. Vura re menjëherë se shkonin shumë keq: o e kishin lënë të takoheshin, o i kishin takuar rastësisht, Poldini dhe të tjerët kishin gjetur dy rrugaçe, prej atyre që dalin për të shitur lule nëpër restorante, të shkurtra e të shtrembëta, njëra bionde e tjetra zeshkane dhe po luanin e bënin shaka, a thua se karvani i publicitetit nuk ekzistonte. Pastaj, kur roja ngriti shkopin, ja të dy vajzat kërcyen në hekurin e biçikletave, zeshkania me Poldinin dhe biondja me atë pas Poldinit. Kësaj radhe u zemërova, sepse e kam ndjenjën e detyrës dhe kjo ishte tepër. Zbrita, iu afrova Poldinit dhe i thashë, pa e ngritur zërin: “Zbrite, ecim… dhe mos bëj përralla.” Ai, i kacagjelosur ndoshta nga ajo shëmtira që ishte mbërthyer pas timonit, u përgjigj: “Çfarë do? Kush të njeh?” “Ecim,” i thashë dhe e kapa vajzën për krahu. “Uli duart,” thirri ajo. Dhe Poldini: “Shikoje pak këtë plakush, i fut duart vajzës sime.” Ndërkaq i gjithë trafiku ishte ndalur, automobilat pas nesh u binin borive dhe njerëzit po na rrethonin dhe komentonin ngjarjen: s’ka nevojë të thuhet, ishin të gjithë kundër meje. E kuptova se s’kisha ç’të bëja, i hipa biçikletës dhe me zemrën plot vrer mora rrugën Salaria. Në kryqëzimin e rrugës Salaria me rrugën Po, u solla në drejtim të bulevardit Italia, por menjëherë vura re se po ecja i vetëm, sepse Poldini dhe të tjerët ishin nisur drejt sheshit Kuadrata. U ndala, i përhumbur, thirra: “Ku po shkoni këndej?” Poldini u ndal edhe ai dhe u përgjigj: “Po shkojmë në Tever, të lahemi pak.” “Po çfarë, jeni çmendur?” Dhe ai, me përçmim: “I çmendur je ti me ata flokë të bardhë, i veshur me bojë qielli, si palaço.” Vajzat qeshnin dhe mua më erdhi turp dhe, megjithëse nga zemërimi do të doja ta vrisja, e mblodha veten edhe një herë më shumë. Morëm rrugën Po, bëmë gjithë shëtitoren Liexhi, sheshin Hungaria, gjithë shëtitoren Parioli. Tashmë karvanin e udhëhiqte Poldini dhe unë vija i fundit, edhe sepse e kam frymëmarrjen e shkurtër dhe ata tani shkonin fluturim. Tani titulli i filmit lexohej kështu: “Za, i Tar, Gi ,Mi, Nit, Shpa, që nuk do të thotë asgjë dhe kalimtarët në trotuare, ndaleshin e shikonin ata pesë të rinj me ato dy lavire në hekurat e biçikletës që vraponin sa mundnin, veshur në bojë qielli, të ndjekur nga një plak edhe ai i veshur në bojë qielli; dhe tundnin kokën e qeshnin. Ata, tani ulërinin britmën e Tarzanit, sikur të ishin vërtet në një pyll dhe jo nën çinarët e një rruge të Romës. Nga sheshi Santiago i Kilit, fillon tatëpjeta dhe m’u shkëputën kaq shumë, sa më në fund mbërrita i vetëm në Akuaçetoza. Humba rrugën nja dy herë, u ktheva mbrapa, më në fund m’u duk se i pashë larg, që po kalonin nëpër një shteg, përgjatë bregut të lumit. I tërbuar, i qullur në djersë, u lëshova në atë drejtim. Kishin zgjedhur një vend ku bregu i lumit zgjerohet si një platformë natyrale, me rërë dhe shkurre. Teveri aty merr një kthesë që duket si gjarpër dhe në bregun tjetër shihet një nga ato rrjetat me rrota që shkojnë poshtë e lart nga forca e rrjedhës. Kishin hedhur në tokë biçikletat, tabelat dhe çdo gjë tjetër dhe tashmë po zhvisheshin. Dy vajzat, të paktën, ishin fshehur pas një shkurreje, ata as nuk fshiheshin. Kërceva nga biçikleta dhe i tërbuar, iu lëshova Poldinit që po lante këmbët dhe i thirra: “Maskara, kjo është ndërgjegjja jote, ë?” Po ai arrogant: “Çfarë do?

    Mund ta di çfarë do? Mund të më thuash çfarë do?” Në çdo “çfarë do” më godiste në gjoks, krejt poshtë fytit me njërën dorë, sepse me tjetrën mbante mbathjet; dhe unë, pak nga gulçi i vrapit, pak nga mosha, po ndjeja të më lëkundeshin këmbët dhe në fund, në një goditje të katërt, rashë në tokë. Menjëherë, si me sinjal, u zgjidhën. Vajzat dolën nga kaçuba e tyre duke u mbajtur për dore, në një veshje të brendshme prej pambuku të bardhë, pak të bukura, në fakt, sepse siç kam thënë, ishin të shkurtra e rondokope, të ngushta në gjoks, por me vithe të forta, siç janë të gjitha lypëset dhe endacaket që hanë pak e ecin shumë. Pesë të tjerët, si në një valle u dolën atyre përballë duke mbajtur mbathjet me dorë. Filluan të vallëzonin mes kaçubave, pastaj zunë të vraponin e të ndiqeshin. Poldini bërtiste: “Jam Tarzani… tani po të kap e të marr me vete,” dhe duke ulëritur si Tarzani, ndiqte zeshkanen që ishte dhembshuri ta shihje, sa gjysma e tij, e bardhë, e ligësht, e hajthshme. Më në fund, me vrap e kërcime shkuan te lumi dhe u hodhën të gjithë në ujë, njëri pas tjetrit. Mbi breg mbeta vetëm unë, duke mbikëqyrur kostumet e kaltra dhe leckat e femrave, unë, i veshur me bojë qielli e me flokë të bardhë si një palaço dhe me fytyrën e të papunit kronik e me cigaren e vendit gjysmë të zbrazur mes buzëve që më dridheshin. Isha i lënduar, gati sa të qaja; dhe, nëse nga njëra anë urreja ata që më kishin trajtuar në atë mënyrë, nga ana tjetër urreja vetveten që s’kisha pasur kurajën të çlirohesha nga ndjenja e detyrës. Edhe tani, që s’kisha ç’të bëja më asgjë, duke i parë tek notonin të lumtur në mes të Teverit, nuk mund të rrija pa pyetur veten me ankth: “Çfarë thonë në agjenci?” dhe zemërohesha që e provoja atë frikë dhe në të njëjtën kohë, nuk mund të mos e provoja. Do të kisha dashur të isha si ata e të hidhesha edhe unë në ujë dhe të bëja edhe unë britmën e Tarzanit, me të dy vajzat. Por isha i vjetër dhe kisha ndjenjën e detyrës e nuk kisha ç’të bëja më asgjë. Krejt të lumtur, u llokoçitën në ujë deri sa qielli u bë i zi dhe pikat e shiut ngjethën ujërat e verdha të Teverit. Atëherë dolën nga uji dhe Poldini bërtiti se duhej ai shi: kështu, nëse do t’u bënin vërejtje, do të mund të thoshin se kishin qenë të detyruar të gjenin strehë. Njëra nga vajzat, pasi u vesh, m’u afrua dhe më kërkoi një cigare. Ia dhashë. Atëherë edhe biondja e deshi një. Pastaj edhe pesë të tjerët dhe mbeta pa cigare, por u pajtuam. Ndërkaq, pas atyre pikave të shiut, retë kishin kaluar mbi Tever dhe ishin larguar drejt fushës. U vumë sërish në rresht, sipas titullit të filmit dhe u nisëm bregut, drejt Akuaçetozës. Këtu dy vajzat morën autobusin dhe ne u ngjitëm nëpër shëtitoren Parioli. Pak më vonë, me hap të përmortshëm, marshuam mes makinave luksoze dhe kafeneve, në mesin e rrugës Veneto.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË