Autori i shumë librave, Anthony Horowitz, karriera e të cilit shtrihet në disa dekada dhe përfshin serinë e dashur Alex Rider si dhe romane për të rritur, si Magpie Murders, ka zbuluar se përdor ChatGPT “gjatë gjithë kohës” në procesin e tij të të shkruarit, një praktikë që ai pranon se e bën të ndihet “nervoz”.
Shkrimtari 71-vjeçar, i cili aktualisht po planifikon pjesën e radhës të serisë së tij të njohur Hawthorne and Horowitz, rrëfeu se ndien njëfarë shqetësimi për mbështetjen e tij te inteligjenca artificiale.
“Ndihem nervoz për këtë, sepse a është mashtrim? Më duket pak sikur po mashtroj në një provim në shkollë,” tha ai. Ai tregoi një rast kur i kërkoi ChatGPT-së një mbiemër për të përshkruar formën e një patateje dhe mori fjalën “elipsoidale”. Kjo, sipas tij, nxori në pah kufizimet e inteligjencës artificiale. “Pikërisht këtu duhet ta lësh mënjanë inteligjencën artificiale dhe të përdorësh inteligjencën tënde – lexuesit, kur të dëgjojnë se patatja në pjatën e saj ishte ‘elipsoidale’, do të thonë: ‘Çfarë dreqin po flet ky tipi?’”
Horowitz, i njohur për kërkimet e tij të imtësishme, të cilat e shtynë të lexonte tre deri në katër libra për çdo episod të dramës së tij të ITV-së Foyle’s War, e pranon lehtësinë që ofron AI-ja për marrjen e menjëhershme të njohurive. Megjithatë, ai thekson rëndësinë e gjykimit njerëzor. “Është e dobishme të kesh njohuri të menjëhershme, por jo të pakufizuara. Gjithmonë duhet të gjykosh atë që po të thuhet dhe gjithashtu të kërkosh një burim të dytë.” Ai e krahason këtë me metodat e tij të dikurshme: “Në kohët e mëparshme, shkoja në bibliotekë, kërkoja gjëra në libra. Cili është dallimi mes përdorimit të AI-së dhe shkuarjes drejt e te përgjigjja?”
Përtej eksperimenteve të tij me AI-në, bibliografia e gjerë e Horowitz-it përfshin tre romane të James Bond, dy rishkrime të Sherlock Holmes, si edhe kontribute në seriale televizive të suksesshme si Midsomer Murders. Aktualisht ai po promovon A Deadly Episode, librin e gjashtë në serinë e tij Hawthorne and Horowitz, i cili zhytet në një rrëfim meta-letrar, ku detektivi dhe autori hetojnë një vrasje në sheshxhirimin e një filmi që po përshtat librin e tyre të parë.
Duke reflektuar mbi tërheqjen e qëndrueshme të mistereve me vrasje, një zhanër që dominon një pjesë të madhe të krijimtarisë së tij, Horowitz sugjeron se ajo buron nga një nevojë themelore njerëzore. “Unë ia atribuoj këtë ndjesisë se njerëzit kanë nevojë për të vërtetën absolute,” mendon ai.
Në një epokë të mbushur me “lajme dhe lajme të rreme, media sociale dhe të gjitha teoritë konspirative”, ai beson se romanet kriminale ofrojnë një lloj ngushëllimi të veçantë. “Një roman kriminal, të paktën, i vendos pikat mbi i, i sqaron të gjitha dhe të jep të vërtetën absolute. Vrasësi ishte ky person. Këto janë të dhënat që duhej t’i kishe vënë re. Kjo është arsyeja pse ai ose ajo e bëri, dhe do të ndëshkohet.” Ai shton se ky zhanër plotëson gjithashtu dëshirën për drejtësi dhe përmbyllje, duke ofruar ndjesinë e një “komuniteti që është shëruar”.
Pavarësisht këtyre temave të rënda, Horowitz kujdeset që librat e tij të mos jenë pa humor, duke pranuar se shpesh e bën veten të qeshë ndërsa shkruan. Edhe pse nuk i pëlqen termi “komedi kriminale aventureske”, ai vëren se seria Hawthorne and Horowitz ka zhvilluar një “anë më të lehtë”, ndoshta si kundërpeshë ndaj “kohëve të zymta dhe të errëta” në të cilat jetojmë.
Në përgjigje të këtij ankthi bashkëkohor, Horowitz, i cili u nderua me titullin CBE për shërbime ndaj letërsisë në vitin 2022, ka përqafuar disa praktika të reja personale. Ai i është kthyer leximit të poezisë, duke e gjetur atë “pafundësisht inkurajuese dhe pasuruese për jetën”, dhe tani e nis ditën me një poezi në vend të lajmeve.
Ai gjithashtu mori vendimin të largohej nga mediat sociale, duke braktisur X — dikur Twitter — dy vjet më parë. “Jam i lirë nga të gjitha mediat sociale dhe ndihem shumë më i shëndetshëm dhe më mirë për këtë – ndryshimi është vërtet mjaft dramatik,” thotë ai, pasi kishte kuptuar se po “zhytej gjithnjë e më shumë në to” dhe po ndeshte përmbajtje “dukshëm më toksike”.
Sa i përket James Bond, pasi ka shkruar një trilogji romanesh për agjentin 007, Horowitz refuzon prerazi të përmendë aktorin e tij të preferuar për mishërimin e ardhshëm të spiunit, duke e quajtur këtë “një rrugë pa krye ku nuk duhet të futesh”.
Megjithatë, ai shpreh mendimin se përzgjedhja e një Bond-i femër do të ishte “gabim”, duke përmendur Modesty Blaise si një personazh ekzistues spiunazhi femëror. Edhe pse i përshkruan librat e Modesty Blaise si “të tmerrshëm”, ata zënë një “vend të veçantë në zemrën time”, pasi kanë qenë të preferuar në familje.
Horowitz gjithashtu i është rikthyer letërsisë klasike, duke rilexuar Thomas Hardy me bashkëshorten e tij, producenten Jill Green. Ai gjen një bukuri prekëse në këtë proces. “Kam arritur në moshën kur jam i vetëdijshëm se këta libra tani do t’i lexoj për herë të fundit, dhe kjo është e trishtueshme – por është gjithashtu shumë ngushëlluese t’u rikthehem librave që i kam dashur kur isha më i ri,” reflekton ai. Për të, “gëzimi i letërsisë së madhe është se, nëse e lexon kur je 20 vjeç dhe pastaj e rilexon kur je 60 ose 70, ajo të mban një pasqyrë përpara, duke të treguar sa shumë ke ndryshuar”.
Përkthimi © ExLibris


