More
    KreuIn memoriamShkrimtari antikomunist që duhet ta nxjerrim nga “burgu”

    Shkrimtari antikomunist që duhet ta nxjerrim nga “burgu”

    Homazh për Astrit Delvinën

    Nga Ndriçim Kulla 

    Mes shumë njerëzve që kanë pasur fatin të njohin shkrimtarin disident Astrit Delvina, jam edhe unë. Më ka ngacmuar vazhdimisht mbijetesa njerëzore e vuajtjeve të këtij njeriu, por edhe thjeshtësia e pashprehur kurrë e këtyre vuajtjeve, i cili antikonformizmin e tij kundër ideologjisë komuniste e pagoi me çmimin e lartë të shkatërrimit fizik të jetës së tij. Më ka bërë përshtypje tronditëse jeta qëndrestare, modestia dhe qetësia me të cilat ka mbrojtur idetë në ndeshje me diktaturën, në luftë me vështirësitë dhe torturat që aplikuan instrumentet e forcës me kundërshtarët politikë si Astriti. Por më ka tërhequr më shumë talenti i tij artistik si shkrimtar dhe mënyra se si ai e bëri të pamundurën të mundur për ta shprehur këtë mundësi. Ai, fatkeqësisht, u nda nga jeta në kohën kur sistemi politik pluralist kishte filluar që të vinte, por nuk ishte vendosur plotësisht në Shqipëri. Dhe periudha gati 30-vjeçare e lirisë pluraliste nuk tregoi ndonjë shembull të qartë, ku shoqëria shqiptare t’i kushtonte ndonjë vëmendje kujtimit apo rivlerësimit të veprës së tij, për të bërë të mundur njohjen e vlerave të tij. Rënia në kontakt me Astrit Delvinën, sidomos si shkrimtar, për mua ka qenë një befasi e madhe, por dhe një tronditje e thellë, e cila më ka bërë të mendoj gjithmonë me shpresë se çfarë mund të bëhet për ta nxjerrë nga kasafortat e mallkuara të hetuesive të diktaturës, ta botoj dhe ta paraqes publikisht atë. Pikërisht atë që ne si shoqëri duam të bëjmë sot. Ajo që më ka munduar gjithmonë, të bëj diçka që të flasin idetë dhe dëshirat e tij, nuk është fatkeqësia e prezencës së tij sot, për t’u kujdesur për veprat e tij, por vepra e tij e rrallë e shprehur në romane, novela, tregime, poezi; është cilësia e veprës së tij, e shkruar në burgje dhe internime, që shpreh një shkrimtar të veçantë shqiptar, por, për shkak të rrethanave tragjike, njihet pak ose aspak. Sigurisht që në drejtim të rivlerësimit të tij, si mjaft mbrapshti të tjera, shoqëria dhe shteti ynë ka shfaqur një formalizëm ekstrem, në mos të themi mospërfillje. Kam pasur rastin të botoj një pjesë të rëndësishme të veprave të këtij autori të ndaluar, të dënuar dhe të përçmuar nga diktatura, si librat: “Ëndrra me ngjyra”, “Globi në rrjetë”, “Hielita”, “Dhe e bukura nuk u zgjua”, “Pikëpjekje shpirtrash”, “Kalimi i Rubikonit”, “Humnerat e Plutonit” etj. Puna për t’i bërë ato të botueshme është një histori e vështirë më vete prej meje, për shkak të gjendjes që ai i kishte lënë apo që ia kishte sekuestruar hetuesia, të papërfunduara apo të paredaktuara prej tij në kushtet e internimit, si dhe të fshehtësisë së detyrueshme të të shkruarit. Si botues, ndërkohë edhe lexues i parë i dorëshkrimeve të tij, jam ndier edhe njohës i dramës së tij njerëzore. Në asnjë moment nuk kam ndier se vlerat artistike të këtyre autorëve qëndrojnë më poshtë se veprat e atyre autorëve që zgjodhën rrugën e konformizmit me regjimin komunist, të cilët ne i ruajmë më së shumti në vazhdimësi edhe sot, duke i mbajtur me fanatizëm si vlera për librat e rekomanduar jashtëshkollorë dhe nëpër bibliotekat e shkollave, por dhe si pjesë të kapitujve të librave shkollorë. Megjithatë, Astrit Delvina dhe shumë të tjerë si ai, mbeten të shpërfillur. Nuk bëhen as debate për vlerat e veprave të tij dhe ai ende vazhdon të jetë i dënuar, i nënçmuar dhe i paragjykuar. Qëndron si i fshehur me veprat ende të paeksploruara plotësisht, sepse ka munguar përkushtimi ynë individual, shoqëror dhe institucional për ta bërë veprën e tij letrare dhe biografike pjesë të trashëgimisë sonë më të mirë kulturore dhe demokratike. Pasi lexova dorëshkrimin e romanit të tij të parë “Ëndrra me ngjyra”, për të cilin kemi punuar shumë së bashku me prof. Gjergj Zhejin, për ta deshifruar e për ta sjellë në gjendje leximi, të botuar nga shtëpia botuese PHOENIX, ndjeva se rashë në magjinë e artit të një shkrimtari për të cilin askush nuk kishte krijuar ndonjë legjendë. Niveli artistik i kësaj vepre dhe kompozicioni letrar i një romani surrealist të paparë më parë në letërsinë shqipe, të jepnin të kuptoje se në këtë rast nuk kishim të bënim me ndonjë shkrimtar të rastësishëm, që kishte shkruar një vepër të radhës dhe aq, por me një fenomen letrar në letërsinë shqipe. Ndërsa përmbajtja mjaft interesante e këtij libri nënkupton një njeri që ecën përbrenda regjimit, një kundërshtar të ndërgjegjshëm kundër tij, i cili, megjithëse ishte i burgosuri i diktaturës, brenda vetes së tij jetonte me ëndrrat e lirisë. Është e besueshme për ato që janë thënë mbi të nga mjaft njerëz që e njihnin dhe që kanë qenë bashkëvuajtës burgu dhe internimi, se një pjesë e veprave të tij të kenë humbur në rrethana diskriminuese. Por këtij fakti dëshpërues, përveç dhimbjes dhe keqardhjes, nuk kam se çfarë t’i shtoj më tepër. Por më duhet të pyes mbi përgjegjësinë që ndiej: me veprat e tjera të tij, që kanë një adresë, ku janë, çfarë do bëjmë? Do t’i lëmë në mëshirën e fatit barbar që iu rezervoi diktatura komuniste shqiptare e cila, e zhytur në paranojën e saj, nuk guxoi që t’i jepte asnjë moment “leje dhe liri” asaj bote mendore shqiptare, që donte të ringjallte shpresën, apo të zgjohemi dhe të nxitojmë t’i nxjerrim nga heshtja e pluhurosur prej atje ku janë mbyllur dhe t’u krijojmë shansin e merituar për të cilin janë vetësakrifikuar?
    Të kujdesemi dhe t’i përgatisim për botim, s’do bënim më shumë se detyrën e detyrueshme për ta. Rasti krejtësisht i veçantë i krijimtarisë letrare të këtij autori, i cili me ato vepra që i janë botuar është provuar se është një shkrimtar i mirë dhe që veprat e tij letrare më së shumti ndodhen si aktakuza prej organeve të sigurimit të shtetit, nëpër arkivat e ish-hetuesive, tregojnë se këto vepra i përkasin fondit të asaj letërsie që quhet letërsi kombëtare dhe mendimit kombëtar të kombit. Çdo vend normal në botë, edhe i varfër qoftë, të cilin e drejton një shtet, nuk harron që të kujdeset për vlera të tilla shumëdimensionale, të cilat do të ishin mjaft të rëndësishme për kulturën, trashëgiminë kombëtare, njerëzore dhe demokratike. Unë nuk i kam vënë vetes si qëllim që të krijoj ndonjë legjendë në lidhje me të, por nuk mund të mos shpreh shqetësimin tim përpara opinionit për këtë nënvleftësim, i cili tregon rangun e ulët të kujdesit që kemi ne si shoqëri dhe si shtet kundrejt rivlerësimit dhe integrimit të kësaj trashëgimie. Ç’mund të bëjë një botues i varfër me këto vepra që, fatkeqësisht, autori i tyre ka qenë i ndaluar, ç’mund të bëjë botuesi të cilit “i ka mbet kjo letërsi në dorë”, e cila do kohë për ta nxjerrë nga qelia, sepse është shkruar vetëm njëherë fshehurazi në kushtet e përgjimit policesk, që do para për t’u deshifruar, për t’u radhitur, redaktuar, korrektuar, shtypur dhe reklamuar? Më kanë rënë këmbët nëpër fondacione dhe firma private për të gjetur ndonjë kacidhe për botimin e këtyre librave, por më janë shfaqur të gjithë dorështrënguar. Nuk më ka ndihmuar fare “fati” në këtë drejtim. Por ndërkohë që koncerteve dhe spektakleve të zbukuruara me femra të bukura dhe me imazhe fantazmagorike, bujaria u vërshon si lumë, për këto lloj librash nuk e zgjidh askush qesen. Sigurisht që vlerat letrare dhe filozofike të këtyre librave dhe të dhjetëra librave që kanë të bëjnë me mendimin shqiptar janë mijëra herë më të larta se gjendja e kënaqësisë dehëse që mund të japin për disa minuta spektaklet dhe këtë e ka provuar çdo lexues me punën e çdo botimi që është bërë deri tashti në këtë drejtim. Por dihet, gjithashtu është e pashmangshme deri në njëfarë mase, që publiku i thjeshtë ka marrëzitë e tij në këtë drejtim, prandaj këtu duhej të shfaqej etika e përgjegjësisë shtetërore, e cila me politikën e saj publike subvencionuese, duhej të orientohet nëpërmjet individëve të spikatur për diferencimin dhe ndërtimin e hierarkisë së këtyre vlerave për botim dhe përdorim në dijet mësimore. Pikërisht, për një sërë arsyesh të tilla, por edhe për arsye më të përligjura që kanë të bëjnë me nevojat që ka kultura dhe dijet mësimore që mbartin këto vlera, të cilat është e pamundur të thuhen në një shkrim, shteti duhet të bëhet kujdestar real dhe i drejtpërdrejtë i saj, si dhe të parashikojë programe për t’i marrë në mbrojtje në të gjithë procesin e rivlerësimit, derisa t’i çojë në duar të lexuesve, por edhe bibliotekat e shkollave, që nxënësit dhe mësuesit të fillojnë të bien në kontakt me këtë literaturë të ndaluar kombëtare, duke marrë si fillim të paktën një informacion.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË