Të rrëfesh nga sytë e një foshnjeje
nga Namir Lapardhaja
Për Italo Calvinon saktësia në letërsi ka tre elemente të rëndësishme: një skicim të veprës së përcaktuar dhe të përllogaritur mirë; evokimin e imazheve të dukshme, që të nguliten në kujtesë dhe një gjuhë të saktë, si leksik dhe si dhënie e kuptimeve të mendimit dhe të imagjinatës.
Mbi parimin e saktësisë është ngritur romani i Besnik Mustafajt, “Dëmtuar gjatë rrugës”. Si personazh modern, autori e shpreh që në faqen e parë arsyen e shkrimit. Ai tregon se historia që do të rrëfejë është mbajtur gjatë si një tumor në kokën e nënës së vet, për tridhjetë vjet, kurse ai po e shkruan me dëshirën e saj, madje, ashtu siç ai thotë, me urdhërin e saj, por krejt me stilin e tij. Në pak rreshta duket sikur plotësohet i gjithë përfytyrimi i saktësisë së rrëfimit, i cili, pavarësisht se niset nga një fakt i vërtetë, përgjatë gjithë romanit ruan autencitetin autorial.
Rrëfimi duket se realizohet nga sytë e një foshnjeje që është gjithmonë aty për të treguar ngjarjen, e cila si kohë letrare është vendosur diku në vitet ’60, kur Shqipëria komuniste është në marrëdhënie të mira me Bashkimin Sovjetik, në krye të së cilit ka ardhur Nikita Hrushovi. Fabula e romanit është e thjeshtë, kurse galeria e personazheve e kursyer: Shoqen S., nënën e foshnjes që rrëfen, e thërret vet Sekretari i Parë i Partisë në zyrë. Gjatë këtij momenti dhe tregimit të arsyes se pse e kanë thirrur në zyrë, në kokën e gruas qarkullojnë një shumësi aludimesh nga më të çuditshmet. Në momentin e takimit të saj me zyrtarin e lartë të zonës veriore, i bëhet e qartë një arsye, në dukje, banale: kërkohet punimi me dorë i një palë opingave, që të jenë një kryevepër e vërtetë artistike. Për realizimin e kësaj kryevepre asaj i ofrohet çdo gjë në dispozicion përveç kohës: vetëm dy ditë. Gjithçka duhet realizuar në sekret të plotë, madje aq diskret saqë asaj nuk i jepet ndonjë shpjegim më tepër përsa i përket atij që do t’i vishte opingat, do të ishte femër apo mashkull, çfarë moshe, numri i këmbe etj. Mes dilemave të mëdha në vetvete, gruaja e realizon atë që i kërkohet. Kur gjithçka zbulohet se ato opinga do t’i dhurohen Hrushovit gjatë vizitës së tij në Shqipëri, për gruan e re, shtëpiake dhe të pamësuar me jetën jashtë avllisë, fillon një histori e re e një “ylli në ngjitjeje” në karrierën partiake. Ajo do të dekorohet nga vetë udhëheqësi komunist i vendit me “yllin me pesë cepa” dhe do të shërbejë si model i lartë frymëzimi për gratë e tjera të zonës, madje dekoratën do të vijë t’ia dhurojë vetë Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Pikërisht mes këtij momenti dhe rënies së saj në çastin e prishjes së vendit tonë me Bashkimin Sovjetik ndodhin një shumësi ngjarjesh që mbushin faqet e romanit. Përshkrimi psikologjik i botës së brendshme të shoqes S., dilemat e mëdha, monologu dhe zërat e brendshëm, ëndrrat dhe përjetimet, marrëdhëniet me vjehrrin, burrin dhe shoqet e partisë, por edhe me njerëz të shpallur apo armiq në dispozicion, ndërthuren mes njëra-tjetrës, ku na japin një vepër të mirëfilltë artistike. Romani ka formën e një testamenti të pashkruar të nënës së shkrimtarit, i cili, ashtu siç shprehet ai gjatë ndërhyrjeve të herë pas hershme si zë autorial në roman, duhet t’i jepet bashkëshortit të saj në gjallje për të parë vuajtjet e mëdha gjatë “transformimit” të saj nga një shtëpiake në një yll në ngjitje në karrierën partiake.
I gjithë rrëfimi është përqëndruar tek karakteri psikologjik i nënës së autorit, të cilin ai e ka realizuar me mjeshtëri, duke i tejkaluar notat autobiografike dhe duke u kapur fortë pas parimeve të letraritetit. Nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë dhe leksiku të zgjedhur, ai ka arritur t’i japë lexuesit imazhin e personazhit të tij, duke e futur atë thellë në psikologjinë e brendshme, duke i lexuar mendimet e duke u futur në ndjenjat e saj më të fshehta.