Në krye të kësaj kaptine me titull Ismail Kadare, një peng imi krijues më shtrëngon të bëj një parantezë të zgjeruar, e cila më është përvjedhur dhe ka mbetur brenda meje qe plot dyzet vjetë. Fjala është për një shpjegim aspak të lehtë të një udhëkryqi jetësor e krijues, tek i cili u gjenda në krye të udhëtimit tim të deriatyshëm. Ka ndodhur në pranverën e hershme të vjetit ’82, pak para se të përfundonte semestri i fundit i studimeve postdiplomikë, siç quheshin atëherë, koha kur duhej bërë përcaktimi i një teme studimore për mbarimin e magjistraturës. Temën duhej caktuar vetë në marrëveshje me mentorin, duke e paraqitur me shkrim dhe të shoqëruar me një arsyetim themelor për qëllimin dhe përmbajtjen kryesore të saj.
Mentorin e njihja jo vetëm si mësimdhënës timin të mëparshëm dhe udhëheqës të Shkallës së Tretë të Studimeve që kisha ndjekur së fundmi, por edhe si njërin nga kolegët e respektuar jo aq të afërt dhe sidomos si bashkëbisedues të shpeshtë për çështje të ndryshme letrare, kulturore e shkencore me anë bisedash e intervistash me të për redaksitë ku punoja.
Për të mos e zgjatur, duhet të them se atëherë synoja të mbaroja shkallat e studimit në një udhë të natyrshme, duke e përmbyllur atë punë me një studim për veprën latrare të Ismail Kadaresë, të vështruar e të hulumtuar në disa aspekte krejtësisht të veçantë. Një shkas fillestar të kësaj ideje më kishin dhënë dy punime që kisha paraqitur në atelienë e punës seminarike e të diplomës, të bëra më parë si student. Për më tej më udhëhiqte synimi të bëja diçka krejtësisht ndryshe, duke e vështruar në tërësinë e saj veprën letrare të shkrimtarit të shquar, me përqendrim tek prosedeu krijues i tij. Formulimi ishte i thjeshtë dhe i qartë: “Transformimi ndërgjinor e ndërzhanror i temave dhe motiveve në veprën letrare të Ismail Kadaresë”. Me një fjalë, doja të përvijoja hulumtimin e kalimit të formave të vogla krijuese në ato më të mëdha, ose lëvizjen e motiveve dhe të temave të poezisë tek proza etj. Pra doja të bëja një prerje të profilizuar duke i vështruar e analizuar nuancat jo vetëm tematike-motivore, por sidomos ato stilistike e gjuhësore.
Para mentorit nuk kisha ndonjë drojë e as ngurrim, lëre më çfarëdo mëdyshjeje. Në ambientin e njohur të zyrës së tij plot orendi e shkëlqim, ku ai qëndronte ndanë tryezës së mbushur deng me libra, prore ndihesha i patrazuar. Edhe ai më shikonte dhe më dëgjonte në qetësi. Përnjëherë m’u kujtua fytyra e tij e mërdhezur e plot hutim e një vjeti më parë, kur kisha trokitur në të njëjtën derë me tjetër shkas. Ishte mesi i prillit ’81. E kisha gjetur fikall vetëm. Zjarri ende nuk ishte shuar në Prishtinë dhe në tërë Kosovën, kurse tymin e bartnin tutje mjegullat e erërat. Të dukej se gjithçka do të pëlciste midis asaj qetësie vrastare. Ankthi e terrori pllakosnin mbi njerëzit dhe çdo gjë të gjallë e të vdekur. Ai më kishte parë symadhuar. Unë shpejt qeshë përmendur. Doja ta rrëkëlleja habinë e tij. Në atë përpjekje të mekur, mezi kisha njomur buzët sa t’u çelja udhë fjalëve të zhveshura nga çdo kuptim i natyrshëm. Edhe ato i kishte mveshur klima e rëndë përjashta nesh, sikur rroposeshin përbrenda vetes. Nxitimthi i kisha thënë: kam ardhur të bëj një intervistë me Ty! I pati rënë një prush fytyrës Profesorit. Nuk kisha pritur të më bënte asnjë pyetje, sepse pyetjet i kisha bërë vetë! Ia lashë në dorë fletën e letrës me pyetjet, ashtu siç donte t’i bënte ai të gjitha intervistat atëherë dhe u ngrita të ikja. Në vend se të përshëndeteshim, për një çast mbetëm të athur të dytë. Mezi arrita t’i thosha se mund të vinte kur të donte dhe do të flisnim për çfarë të donte.
Kjo pamje më kaloi në mendje si insert i një filmi tek i cili nuk kap dot më shumë se disa sekonda të vetme. Kur e këputa shiritin e paranjëvjetshëm, i cili mbeti pezull në hapësirën midis ne të dyve, nëpër format e valëzuara të atij shiriti pashë fytyrën relievore të Mentorit tim që po bëhej gati të më jepte një përgjigje me seriozitetin e vet me kumbim solemn: – Ti je një kandidat shumë serioz, prandaj do të marrësh një temë shumë më serioze: “Gjeneza e simboleve në poezinë shqipe”.
Mulliri i trurit tim zuri të bluante drithin që sapo i vihej atje ku unë prej kohësh mbaja drithin e arës sime! Befas u ndal gjithçka. U këput diçka e madhe në çast. Nuk më vinte dot një fjalë e vetme të thosha çfarëdo qoftë. Ai e lexoi shpejt situatën e re. Hutimi i tij i dikurshëm, në një trajtë të përçudnuar, po kalonte i shumëfishuar tek unë. Tjetrit nuk kishte si t’i shkonte mendja se mund të qe një mospajtim, larg qoftë refuzim! Bëri goditjen tjetër me të njëjtin mjet të topitur: – Ose, për shembull, “Natyra në poezinë shqipe”.
Më futi kaq papritur në bërrakën e një situate ku nuk dija si të sillesha, lëre më të më shkonte mendja se mund të gjendej ndonjë shtegdalje. Ndonëse kisha rënë keq në këtë grackë të bukur, ende vazhdoja të mos ia thosha as vetes këtë gjë, sikur të më pëlqente vazhdimi i të besuarit në iluzionin që s’e kisha ushqyer kurrë! Me zë të ngjirur mezi arrita të mërmëritja diçka të domosdoshme. Çështjen kryesore ia shtrova në formë të pyetjes: çfarë do të ishte rezultati konkret hulumtues i evidentimit të simboleve dhe gjenezës së tyre në poezinë shqipe? Njësoj edhe i natyrës. Nuk e priti reagimin tim, sidomos përbuzjen që shpërfaqja për kotësinë e një pune të mundimshme me bërë evidentim e regjistrim në krahasim me një hulumtim të thelluar e të përimtuar të një vepre shumëdimensionale letrare.
Ndërkaq njai shiriti fluturues i paranjëvjetshëm s’kishte mbetur pezull; ndoshta do të ketë rënë përdhe prapa shpinës së tij, apo ishte ngjitur në raftet që përftonin sfondin përpara syve të mi. Unë, me mullirin tashmë të ndalur të trurit tim, po frenoja me zor tërë atë që më vinte te gryka. Po përpëlitesha ta zija fijen për së mbari. M’u kujtua se ishte kohë e rëndë për të gjithë: për të, për mua dhe për të tjerët. Nuk doja që atë peshë t’ia bëja më të rëndë dikujt tjetër, aq më pak Mentorit tim! Më erdhi kthjellimi t’ia thosha me tërë çiltërsinë atë që, për fat të keq, ai nuk e meritonte. I thashë se nuk e kisha me ngut këtë punë, prandaj mund të pritja sa të donte ai, duke mos e bërë me dije askë tjetër… Do të ishte ai që do të më ftonte të paraqitesha kur ta shihte se ishte e mundshme dhe e arsyeshme ta mbroja atë tezë studimi para komisionit të udhëhequr prej tij.
Unë doja të hiqja çfarëdo përgjegjësie prej tij, por duket që kjo nuk i mjaftonte. Ishte ky çast yni që thellë në mua përftoi hendekun që s’munda ta kaloja kurrë në jetën time. Por, për çudi, më shërbeu shumë ta bëja parim të përhershëm të marrëzisë sime bujare me i ngarkuar vetes edhe fajin e pabërë; mos me ecur kurrë pas ligësive të askujt. Nuk i thashë kurrë përse ia kisha kërkuar intervistën në prill ’81, kur edhe toka digjej flakë; përse në ballinën e revistës me intervistën e kisha vënë portretin e tij sa zinte tërë faqja, ndonëse vetë unë gjendesha në shënjestrën zhbiruese si askush tjetër rrotull meje. Nuk u ligështova t’ia thosha këto pallavra. Assesi. Sepse nuk kisha bërë asgjë më shumë se të hiqja mjegullën e asaj kohe të vështirë, nëpër të cilën përflitej gjithandej se e kishin arrestuar Profesorin, i cili tash qëndronte si i mpirë duke më vështruar i nemitur. Nuk ishte ndonjë meritë fakti që një vjet më parë kisha dashur të jepja një lajm të mirë për të, një nojmë njerëzore për dikë!
Në këtë mënyrë, në heshtje të plotë e në kohë të gjatë, e lashë të vdiste natyrshëm iluzioni im i bukur krijues prej studiuesi me epoleta e grada. Vazhdova atje ku isha dhe ku mbeta. Gjeta mundësinë e parë të ofruar që veprës letrare të Ismail Kadaresë t’i qasem në një mënyrë tjetër, duke e vështruar atë së bashku me autorin e saj zulmëmadh, të cilin me kohë e bëra një bashkëbisedues të mrekullueshëm dhe përherë të gatshëm të ecnim bashkë në kohë të ndryshme me përqasje të shumanshme në çdo preokupim krijues e njerëzor.
Në ballin e kësaj kaptine kam vënë sprovat e mia të kryehershme, për t’i vazhduar ato me një bisedim të pakëputur në kapërcyell të mijëvjeçarëve tanë, të cilëve Kadare, bashkë me pak personalitete të tjerë, u japin ngjyrimin më të thellë të një kulture, arti e letërsie me rrënjë autentike të identitetit të përmasave më përfaqësuese të botës moderne.
Tash, kur e shoh në qetësi të plotë këtë bashkëbisedim e komunikim publik me kryemjeshtrin shqiptar, them që kompensimi i atij pengu ka qenë një shtysë kreative të bëj në një mënyrë tjetër tërë atë që ndoshta nuk do t’ia dilja dot ashtu siç e kisha menduar në atë vrullin tim të parë juvenilian. Përkrye të gjithave, ndonëse nuk m’u dha mundësia e sprovimit nga Mentori i shumë të tjerëve, një gjë me vlerë të madhe e mësova që e mësova edhe prej atij Mentori të gjithkujt: se mëria dhe përbuzja janë hidrat që pjellin të gjitha të këqijat e ligësitë e botës njerëzore sot e gjithmonë.
Në kundrimin tim të paskëtajmë, në tërë dyzet vjetët që kanë rrjedhur, hutimi i parë i tjetrit, që kishte kaluar tek unë pa vonuar shumë, duke u shpërndërruar kryeneçësisht në një përendje pa fund, atë shirit hutese që ndenji pezull dikur, me kohë e ka ngurosur në një hije të përhershme. Dhe ajo hije e ngrirë, ajo frymë pa shpirt, ka gjëllirë vetëm duke përshkardhur gjithkë që është ndodhur në atë kolonë pa mbarim të mjerimit me maja të larta…