Kreu Opinion Sevdai Kastrati: Romanet që janë konsideruar gabimisht (pjesa 5)

Sevdai Kastrati: Romanet që janë konsideruar gabimisht (pjesa 5)

Më bën përshtypje se si Fotaq Andrea nuk ngurron para hipotezave dhe ec përpara pa fakte. Pajtohem pjesërisht se Konica nuk i ka përmendur, por kjo nuk do të thotë se ai nuk kishte dijeni për ‘romanet misterioze’. (Në parim, romanet nuk janë të panjohura për Konicën). Romani “Sotiri e Mitka” është shitur për lexuesit gjatë kohës që Konica e drejtonte “Diellin”, ndërsa Fan S. Noli ka qenë i pari që na njofton për romanin në fjalë më 1911. Pastaj romani “Sotiri e Mitka” është shitur për disa vjet: herë në shoqërinë “Besa-Besa”, herë në “Vatër”.

Shkakun dhe natyrën e kësaj marrëveshje për romanet e porsitur të Aladro Kastriotit është vështirë ta besojmë. Argumentet e radhitura më sipër nga F. Andrea janë në fushën e hamendësimve dhe është e çuditëshme se si një hipotezë e tillë (aspak e njohur dhe e trajtuar deri më sot në historinë e letërsisë shqipe) është pranuar si tezë bindëse nga Th. Gjika.

Për këtë hipotezë (pa asnjë provë) kemi një përgjigje, siç shkruan vetë Konica në polemikat e tij: 

«Ata që kanë studiuar pakë frëngjishten e vjetër, do të kenë vënë re në kohërat e shkuara ka patur në Francë një soj njerës që quheshin valets de plume, do me thënë hyzmeqarë të pëndës. Njerës të pasur që kishin bujq-skllev vëjin nonjë të mësojë të shkruaj nga prifti i vëndit, dhe skllavi-nxënës bëhej pastaj hyzmeqar i pëndës, shkruante mi gjunjë dhe duke u-dridhur urdhërat e të zot».

Dhe më pas vazhdon:

«Në Shqipëri, ku rastet e historisë, dhe as pakë dëshira e popullit, e çliruan vëndin dhe po e shtrëngojnë me zor të modernizohet shpejt a von, në Shqipëri leu një zanat i çuditshëm, më i poshtër se ay i hyzmeqarëve të pendës: – zanati i larove pëndës. Gjith’ ata njerës të cilët, po të kish mbetur Shqipëria siç ka qënë, do t’ishin bërë laro, do me thënë njerës të paguar për ta ndihur në vrasje e në grabitje, mbeten sot pa punë; dhe që të mos rinë pa bukë, ndruan formën e veprimit tyre, dhe nga laro pisqollës, u-bënë tani laro të pëndës, do me thënë i japin me qira pëndën e tyre të mykur çdo njeriu i cili u heth një urdhër, u dëfton me gisht një shënjë, u flak një këlbazë me një kuletë, dhe i lë të “punojnë” ».

Me interes të veçantë është përkufizimi që Konica bën për larot: të dyfekut për të vrarë trupin, kurse të penës për të vrarë nderin.

Në një rast tjetër F. Andrea përmend vitin 1909, pikërisht në këtë vit Faik Konicën e ka kapluar një krizë ekonomike. Sipas tij:

«Dhe si përherë e mbi të gjitha i duheshin të holla. Ah, ato të shkreta të holla!!!… »

Nuk pajtohem me pohimin F. Andreas për vështirësitë ekonomike që kishte Faiku në vitin 1909, sepse në këtë vit Faiku vazhdon të marrë subvencionin e caktuar nga Vjena për të mbuluar shpenzimet tipografike për botimin e “Albanisë” në çdo tre muaj. Siç dihet e përkohshmja e famshme “Albania” pushoi së botuari më 15 shkurt 1909 dhe po në këtë datë u nis botimi i gazetës “Dielli”.

Është një gjë e ditur se Faik Konicën vështirësitë ekonomike do ta shoqërojnë gjithë jetën: mbas botimit të numrit të shtatë të Albanisë s’kishte asnjë para, kurse në vitin 1902 në një letër që i dërgon Át Pashk Bardhit i kujton ‘një barrë të rëndë që ka dhe ajo është vobektësia’. I ftuar prej Shoqërisë “Besa-Besa” për ta botuar “Diellin” arriti në Boston më 9 tetor 1909. Ai nisi punën e redaktorit më 30 tetor dhe pas një mosmarrëveshje me kryesinë e shoqërisë “Besa-Besë” më 25 shkurt 1910 dorëhiqet nga drejtimi i “Diellit”. Dorëheqja e tij nga drejtimi i “Diellit” i çuditi të gjithë: u vendos nga anëtarët si drejtor i gazetës gjer më 1 korrik, kur gazeta për shkak të fondeve u mbyll. Gazeta u botua tre muaj më vonë (7 tetor 1910) nën drejtimin e Fan S. Nolit. Dy vjet më vonë, më 18 korrik 1912 përsëri Faik Konica4 do të jetë drejtues i “Diellit”. Tashmë e ka hequr edhe titullin bej pas emrit ‘e shkruan për Komisionin Federal: Faik Konitza’. Ai do të mbajë detyrën e redaktorit dhe sekretarit të përgjithshëm të Vatrës deri më 8 korrik 1913 (edhe pse është larguar nga Bostoni më 16 dhjetor 1912.) Ai është zotuar se do të dërgojë në gazetën “Dielli” për botim një sërë korrespondencash: botohen vetëm dy prej tyre për çështjen shqiptare5. Ndërkaq në gazetën “Dielli” nga 19 dhjetori 1912 deri më 8 korrik 1913 njoftohet se Faik Konica do të dërgojë nga Evropa kryeartikullin dhe korrespondencat e nënshkruara. Në të vërtetë botohen vetëm dy letra: në të parën, që mban datën 28 maj 1913, Konica rrëfen se ka botuar rreth njëqind artikuj gjermanisht për çështjen shqiptare në Vjenë. Ai ka kundërshtuar kandidaturën e princit Mexhid të Turqisë dhe princit Fuad të Egjiptit për fronin e Shqipërisë. Ndërsa letra e dytë është dërguar nga Konica për shkak të një shkrimi6 ku ankohen pse i dërguari i tyre nuk shkruan asnjëherë për gazetën “Dielli’. Në letrën e botuar më 4 mars 1914 Konica i bën me dije se nuk ka vajtur në Evropë nga Vatra për të dërguar korrespondenca për gazetën “Dielli”, por ka vajtur me një mision të veçantë që kishte për qëllim të sillte një princ evropian për fronin e Shqipërisë dhe të përpiqej që kushtetuta e Shqipërisë të ishte liberale. Dy vjet më pas “Vatra” i dërgon 100 dollarë për të blerë broshurën L’Allemange et l’Albanie [Gjermania dhe Shqipëria] dhe ishte marrë vendim që broshura të përkthehet në anglisht. Jo vetëm që broshura nuk e pa dritën e botimin në anglisht, por e detyruan Konicën t’i kthejë paratë. Për shkak se Konica (diplomat  me formim shkencor e historik – siç thotë Luan Starova) e kritikonte Gjermaninë që kishte kurdisur një plan për copëtimin e Shqipërisë nga Greqia dhe Bullgaria. Me këtë rast marrëdhëniet e Konicës me Vatrën u ndërpren. Por më vonë, në vitin 1921, do të shkruajë se “Të gjitha këto më vijnë nga “Vatra”, se s’më shkonte as n’ëndër që të më nxjerin pa tjetër shkak veç se thashë të vërtetën”.

Tani për tani nuk mund të pohet me siguri (nuk kemi shumë të dhëna) se në çfarë rrethana ekonomike jetonte Konica në Zvicër dhe në Austri. Ndërsa sa përket qëndrimit në Itali vetë Konica hedh dritë në një letër që (mban datën 25 maj 1921) i dërgon  nga Roma dy të rinjve Sotir Noke e Konstantin Demo, botuesit e gazetës “Shkëndija” në Watertown:

«Që të mundim t’i bëjmë një shërbim të vërtetë vëndit t’onë, më duhet nonjë mot të mos merem me tjatër gjë, veç se me të ndriturit e mëndjes së përgjithëshme në Shqipëri. Po këtë punë jo vetëm s’e bëj se s’ m’ arrijnë mjetet që kam për të jetuar në një vënt si Italia, po kam bërë dhe borxhe që më vënë në një ndodhje të dëshpëruar. Përveç kësaj, kam me vete një mbesë që i ka vdekur i ati. »

Në vitin 1921 Konica kthehet përgjithmonë në SHBA. Ai si kryetar i Vatrës dhe kryeredaktor i “Diellit” më 1926 kishte një pagë javore rreth 60 dollarë, kurse si amasador i Shqipërisë pagën javore e kishte 28 dollarë.  

Së fundi, Faik Konica ndërroi jetë më 15 dhjetor 1942. Edhe në çastin e fundit: Ai vdiq i vetmuar dhe me borxhe.

Nga anë tjetër, është për t’u përmendur se, Faik Konica nuk ka pasur mjetet ekonomike t’i botonte vetë librat që i shkruante. I pari botim që bëri, është fjala për shqipërimin e përrallave arabe7 Një-mijë net dhe një natë me titullin Nën hien e hurmave, i mbeti borxh shtypshkronjës. Duke u nisur nga pohimet e tij se “shumë Vatranë më dhanë një përkrahje fisnike dhe shitnë disa libra e më dërguan paratë, – janë ca të tjerë që i shitnë dhe ose harruan të më dërgojnë gjësëndi ose muarnë paratë dhe shkuan në Shqipëri”. Më vonë Konica vendosi për librat që do të shkruante t’i botonte pjesë-pjesë nëpër shtyllat e gazetave me qëllim që të shpëtonte nga borxhet e shtypshkronjës. Siç dihet Faik Konica ka botuar në shtyllat e gazetës “Dielli” veprat e papërfunduara:  Dr. Gjëlpëra zbulon rënjët e dramës së Mamurrasit, dhe Shqipëria s’i m’ u-duk.

F. Andrea pasi ka qëmtuar me durim e këmbëngulje ka arritur në përfundim se Faiku ynë nuk i përmend askund romanet “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka” sepse nuk ka:

«asnjë dokument, fakt, gjurmë nuk ka për to, as edhe një aluzion i vetëm, edhe pse  Konica herë-herë nuk mungon të fliste për artikuj, studime, shkrime të tij lart e poshtë, tek botonte në shtypin e huaj, me emër e pa emër, madje edhe për projekte libash që niste, i linte përgjysmë apo i çonte gjer në fund. Pra, as edhe një gjurmë nga ana e tij për këto dy romane, edhe enigma bëhej më e çuditshme e misterioze!»

Më bën përshtypje se si Fotaq Andrea nuk ngurron para hipotezave dhe ec përpara pa fakte. Pajtohem pjesërisht se Konica nuk i ka përmendur, por kjo nuk do të thotë se ai nuk kishte dijeni për ‘romanet misterioze’. (Në parim, romanet nuk janë të panjohura për Konicën). Romani “Sotiri e Mitka” është shitur për lexuesit gjatë kohës që Konica e drejtonte “Diellin”, ndërsa Fan S. Noli ka qenë i pari që na njofton për romanin në fjalë më 1911. Pastaj romani “Sotiri e Mitka” është shitur për disa vjet: herë në shoqërinë “Besa-Besa”, herë në “Vatër”.

Do të ndalem edhe një herë në hipotezën e pakuptimshme të F. Andreas kinse Konica i dorëzon ‘romanet në dorë Aladros kundrejt një pagese për punën e bërë’ dhe nga ana tjetër mbetet një problem i hapur mosgjetja e shumës imagjinare të parave!!!

 Vlen të theksojmë në këtë rast se F. Andrea nuk e njeh veprën Faik Konicës.

Në letërkëmbimin e Faik Konicës gjenden tregues të shumtë për të vërtetuar se çfarë do të thotë marrëveshje për librin. Kështu për shembull:

a)   Faik Konica u propozon S. Nokës dhe K. Demos që t’i botojnë kujtimet e tij që nga Lufta Ballkanike e deri në ikjen e princ Wied-it nga Durrësi (1912-1914). U bën me dije se libri do të ketë rreth 300 faqe në një formë me “Othellon” e Fan Nolit. U propozon në  tirazh 4000 copë. Ndërsa sa i përket çmimit, po ashtu u propozon $1.50 ose $ 2.00 për copë, ndërsa për vete kërkon 0.50 centë. Po ashtu, Konica bën me dije se pjesën e parë të dorëshkrimit e kishte gati dhe me të pranuar ofertën do ta dërgonte menjëherë në postë.

b)   Më 10 qershor 1930 botohet në gazetën “Dielli” një letër e Fuad I. Babametos, kryetari i Shoqërisë “Drita” të gjirokastritëve nga East Pittsburgh-u (PA), ku na bën me dije se Faik Konica nuk e kishte bërë gati librin e blerë nga Shoqëria “Drita”, sepse e patën penguar “shumë punëra serioze që ka patur, dhe do t’ketë për një kohë të shkurtër”. Po aty mësojmë se Konica i pati kthyer të hollat si paradhënie që i kishte marrë dhe ai pati premtuar se librin ‘do t’ja dhuroj “Dritës” darovisht kur t’a përgatitë’. Se për çfarë libri bëhet fjalë dhe se a ka mbetur për gjysmë sot për sot nuk mund të dimë.

Kjo qe një përpjekje e kotë e Fotaq Andreas për të provuar, se edhe kjo hipotezë ndihmon për të përcaktuar autorësinë e romaneve. Pikërisht kjo hipotezë8, do të përsëritet në një rast tjetër nga Andrea si ide e ngjashme me një vepër tjetër të Konicës. Është fjala për librin A Short History of Albania [Një histori e shkurtër e Shqipërisë], libër që mbeti i papërfunduar dhe nuk e pa dritën e botimit në gjallje të autorit. U botua më 1957 nga Qerim Panariti me titull të ndryshuar Albania: The Rock Garden of Southeastern Europe and Other Essays [Shqipëria: kopsht shkëmbor i Evropës Juglindore dhe ese të tjera].

vijon

4Jup Kastrati gabimisht përmend datën 1 gusht në monografinë e tij për Faik Konicën në faqen 165.

5Shih Faik Konica: Mbretëria shqipëtare edhe paanësia e saj, “Dielli”, 16 janar 1913, nr. 184, f. 2 dhe Problemi i kufireve, “Dielli”, 6 shkurt 1913, nr. 178, f, 2.

6Yll’ i Shqipërisë: Shqiptarët e Amerikës dhe Faik Konica, “Dielli”, 27 janar 1914, nr. 281, f. 1.

7Edhe në këtë rast J. Kastrati gabon kur thotë se botimi i parë u bë nga “Vatra”. (Në fakt është ‘shtypur me harxhet e përkthenjësit’). Shih Jup Kastrati: Faik Konica, “Gjonlekaj Publishing Company”, New York, 1995, f. 66.

8Shih Fotaq Andrea, Zbulim i rrallë në Letrat koniciane (Faik Konica alias Gjoni i Krujës me dy romane të reja, të panjohura deri më sot, “Martesa e Lejlës” – “Sotiri dhe Mitka’), “Illyria”, 28 nëntor 2016, f. 51

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Henri Matisse, “Shënimet e një piktori”, 1908

Një piktor i cili i drejtohet publikut jo vetëm që t’i paraqesë veprat e tij, por për t’i shfaqur edhe ca nga...

Anisa Markarian: Disa pikla dëshmi në oqeanin e kujtesës së përbashkët

Bisedoi Andreas Dushi A.D: Tuj rrëmue n’do gjana t’vjetra / gjeta nji fotografi. Këto dy vargje nga një...

Anisa Markarian: Trupat e rinj

fragment nga romani «15 ditë prilli» – Botime Çabej Tavolina e laboratorit të anatomisë, e gjatë dhe e...

Sevdai Kastrati: Romanet që janë konsideruar gabimisht (pjesa 5)

Më bën përshtypje se si Fotaq Andrea nuk ngurron para hipotezave dhe ec përpara pa fakte. Pajtohem pjesërisht se Konica nuk...

KATEGORITË