More
    KreuOpinionSevdai Kastrati: Ku gabon Fotaq Andrea

    Sevdai Kastrati: Ku gabon Fotaq Andrea

    Mbi autorësinë e romaneve “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka” 

    Vijon nga: https://exlibris.al/sevdai-kastrati-romanet-qe-jane-konsideruar-gabimisht-pjesa-5/

    5.Personazhet

    Fotaq Andrea për të vërtetuar autorësinë se romanet i takojnë Konicës thellohet në studimin e personazheve duke shkruar veç e veç pothuajse për të gjithë. Në shikim të parë duke si një studim i thelluar dhe i argumentuar me krahasimet që bën për aksh personazh me aksh person, pra duket sikur ka vënë pikën mbi i. Ai gërmon në ‘minierën e personazheve’ me qëllim që të nxjerrë në dritë të dhëna e fakte të reja, fare pak ose aspak të njohura, që deri më sot janë lënë thuajse në harresë. Ai merr në analizë tiparet e personazheve duke dhënë ndonjë sqarim, edhe kur nuk ka asnjë dëshmi. Në qoftë se Lubomir Dolželi¹ ka qenë i sukseshëm në studimin e tij për emrat e përveçëm në romanin “Procesi” të Franc Kafkës, pa dyshim, Fotaq Andrea ka dalë i sukseshëm në fushën e trillimeve letrare.

    Sa i përket të dhënave që na jep F. Andrea se kinse Faik Konica i përdorte emrat e familjarëve dhe emrat e miqëve për personazhet e romaneve “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka” (por edhe vetë Faiku ynë – sipas Andreas – është personazh në të dy romanet) nuk jemi në një mendje me shpjegimet e tij. Shkruesi i këtyre radhëve e ka vënë re se Konica qoftë në polemikë ose letërkëmbim (as njëherë në vepër letrare) nuk përmend emrat e familjarëve. Kështu për shembull: 

    1. Lumo Skëndo, pasi e kishte humbur betejën në polemikë me Faik Konicën lidhur me çështjen e flamurit kombëtar, e akuzon Faik Konicën se kur ai punonte për përgatitjen e Kongresit të Elbasanit, Faiku ynë fshihej në vallto të Artës. Dhe përgjigjia e Konicës ishte: “Nuk fshihesha në Nartë, por kisha vajtur të shoh t’im vëlla, pas 14 vjet mërgim, para se të vij n’Amerikë, ku më prisjin. Pse jini aqë zemër-liq… që edhe kur mbaroj një detyrë shtëpiake m’a vëni për faj?” ²

    2. Faik Konica në një letër (letra mban datën 28 maj 1913) që i dërgon nga Vjena gazetës “Dielli” i bën me dije për një ngjarje të tmerrshme: “Mbesa ime³, e cila ndodhej në Alpet e Austrisë për të veruar, u vra prej të shoqit, i cili u-prish mëntsh, edhe i cili pastaj vrau veten. Gjithë gazetat këtu lëvdojnë mëndjen, urtësinë dhe bukurin’ e saja”.

     3. Leila: kryepersonazhi i romanit Martesa e Leilës, sipas Andreas e lindur më 1909 dhe është burimi i kryesor për të vërtetuar autorësinë se romanet i takojnë Konicës. Ai është mbështetur në një pohim të Sh. Delvinës, (edhe pse është pohim i paverfikuar) të cilin do ta marrë si burim kryesor duke e quajtur çelësi i artë i zbërthimit4. Kjo e dhënë nga njëra anë konfirmon hipotezën se F. Andrea beson më lehtë burimet e tërthorta, sesa burimet e drejtpërdrejta dhe kjo është një nga arsyet pse e ka çuar drejt një ngatërrese pështjelluese. Ai, duke u nisur nga ky fakt, pohon se viti 1909 përkon me kohën se kur janë shkruar romanet. Ai gabon kur e merr për cak kohor vitin 1909 si shkas për të cilin është shkruar romani “Martesa e Leilës” sepse Leila, mbesa e Faik Konicës, ka lindur një vit më vonë d.m.th. më 7 korrik 1910 në Artë të Çamërisë.

    Po kështu Fotaq Andrea përsëri gabon kur thotë se kinse Faik Konica e shkruan emrin e Leilës me j dhe jo me i te romani Martesa e Leilës me qëllim “për t’i qëndruar më besnik fonetikës dhe alfabetit shqip, të pasur me një fonemë e germë më shumë se frëngjishtja5”.

    Është e qartë se këtu nuk kemi të bëjmë me një gabim pakujdesie, por kemi të bëjmë me një gabim të qëllimshëm: emri i Leilës shkruhet me ï me dy pika Leïla. Ky është një element kyç se çfarë besushmërie kanë hipotezat e F. Andreas. 

    Veçse ky shtrembërim nuk është bërë pa  pikë logjike. Në të vërtetë, ky shtrembërim është bërë për një qëllim të caktuar: të vërtetojë hipotezën e tij se Leila është personazh edhe në romanin e pa përfunduar të Faik Konicës Dr. Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës Mamurrasit. 

    Në fakt Lejlaja: është një vajzë e vogël dhjetëvjeçare, e bija e Arife dhe Zulfikar Agait, personazh në romanin Dr. Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës Mamurrasit. Lejlaja e thirrur shkurt nga e ëma Lejla:

    Lejlá, shpjer-i darrën Doktór beut” , thirri Arifeja.

    … dëgjuan zërin e Arifesë që thosh, “Lejlá, çil derën se po vjen doktori”7.

    Në historinë e letërsisë shqipe kemi raste që lëvizin personazhet nga një vepër në tjetrën te shkrimtarët Jeronim De Rada, Zef Skiroi, Sterjo Spase, Jakov Xoxa, Ismail Kadare, Rexhep Qosja. Po kështu kemi raste kur një personazh lëviz nga një shkrimtar në tjetrin: Lokja e  poemës “Andrra e jetës” të Ndre Mjedës e hasim si personazh në dramën “Toka e jonë” e Kolë Jakovës, si dhe te drama “Cuca e maleve” e Loni Papës. 

    4.Dominik: personazh te romani “Sotiri e Mitka”, sipas Andreas personifikon Konicën, pra emrin e krishterë të pagëzimit kinse ka ndodhur më 18958. Edhe kjo hipotezë e Andreas mund të hyjë në fushën e hamendësimeve deri sa mungon një çertifikatë me emrin e pagëzimit në këtë periudhë.

    Do të doja të ndalem me dy fjalë mbi çështjen e pagëzimit të Faik Konicës në katolik. Për të parën e herë e kam ndeshur në gazetën “Immigranti” që dilte Worchester gjatë hulumtimeve të mia për polemikën në letrat shqipe. Në fakt shkrimi në fjalë nuk ishte bindës, sepse  kishte dalë nga rrethi i temës që trajtonte dhe hidhej thjesht në një sulm personal. 

    Po kështu nuk mund të pajtohem me disa studiues të Konicës, të cilët mbështetën në një letër që Faik Konica i ka dërgur Nikolla Naços, kryetarit të shoqërisë Drita, në Bukuresht. Lidhur me këtë letër që mban datën 24 janar 1896 është për të vënë re se si Faik Konica i prezantohet N. Naços: Emëri im është: beg Faik – Dominik Konica, jam diali i beg Shahin Konicës, edhe i afërtë i Ali Tepelenës që bëri shumë të liga, por bëri dhe të mira se hapi sytë e shqiptarëvet, edhe ju tregojti që s’janë as turq, as gerqiotarë, po djem të Shqipërisë. 

    Nga letërkëmbimi i Konicës me N. Naçon, V. Dodanin, Asdrenin, Át Pashk Bardhin etj. nuk kemi asnjë dëshmi nëse ai është pagëzuar në katolik. Në anën tjetër mbetet detyrë e studiuesve (pse jo edhe Fotaq Andreas) për të hulumtuar për aktin e pagëzimit në Arkivin e kishës katolike të Parisit. Pa dyshim, aty do të gjindet një Liber Baptizatorum-i nëse Faik Konica është pagëzuar në katolik. Po ashtu, do të doja të hulmtohet jo vetëm për vitin e supozuar 1895, por edhe më gjerë. 

    (vijon numrin e ardhshëm)

    ¹Shih Lubomir Doleželi, Proper Names, Definite Descriptions and the Semantic Structure of Kafka’s “The Trial”. Documents de travail et pré-publications Centro Internazionale di Semiotica et di Linguistica, Università di Urbino (prepublication).

    ²Shih [Faik Konica], Sharësi i Flamurit çfryn, “Dielli”, Boston, 18 mars 1910, nr. 51, f. 2.

    ³Është fjala për Sonja Fitnete Konicën, e cila u vra nga i shoqi Midhat Delvina,  më pas edhe ai bën vetëvrasje. Është e bija e Ismail pashë Konicës që ishte kushëriri dhe kunati i Faik Konicës.

    4Shih një dëshmi të historianit Luan Malltezi: “Miku i tij ishte edhe Fotaq Andrea, nxënës i Jusuf Vrionit, autor i shumë librave për Shqipërinë dhe shqiptarët. Delvina pati një bashkëpunim të ngushtë me të në vitet 2014; Delvina i dha shpjegime atij për një vajzë të quajtur “Lejla”; Fotaq Andrea kishte ndeshur këtë emër në një libër frëngjisht, që ai mendonte se mund të ishte shkruar prej Konicës; Sherifi i tha atij se “Lejla” kishte qenë e bija e Faik Konicës; befasia e z. Andrea kur dëgjoi këto, qe e madhe; Sherifi i solli më pas edhe fotografinë e “Lejlas” që e ruante në shtëpi, si fotografi të një njeriu të afërt të familjes. Njoftimi për z. Andrea ishte tepër i rëndësishëm; nëpërmjet këtij informacioni, ai arriti të zbulojë dhe botojë dy romane të panjohura të Konicës, të cilat i promovoi me shumë sukses pranë shoqatës “Vatra” në SHBA”: Luan Malltezi, Sherif Delvina, ishte jo vetëm një historian dhe studiues, por edhe një atdhetar i madh, Memorie.al, 8 prill 2022.

    5Faik Konica alias Gjoni i Krujës, Martesa e Lejlës pasuar nga Sotiri dhe Mitka, Botimet “Zenit”, Tiranë, 2016, f. 65. 

    6Shih Faik Konica, Dr. Gjëlpëra zbulon rënjët e dramës së Mamurrasit, “Dielli”, Boston, 18 shtator 1924, nr. 2765 (308), f. 4.

    7Shih Faik Konica, Dr. Gjëlpëra zbulon rënjët e dramës së Mamurrasit, “Dielli”, Boston, 2 tetor 1924, nr. 2771 (314), f. 4.

    8Fotaq Andrea, Faik Konica – përlindësi modern, Botimet “Zenit, Tiranë, 2016, f. 38.

    NJË KOMENT

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË