More
    KreuLetërsiBibliotekë"Sekreti i jetës", nga Susanna Kaysen

    “Sekreti i jetës”, nga Susanna Kaysen

    Përktheu nga origjinali anglisht: Miranda Enesi

    Një ditë, dikush erdhi për të më bërë një vizitë. Atë çast ndodhesha në sallën e televizorit, me vështrimin nga Lisa që po ndiqte një program. Papritur, aty u shfaq një infermiere, e cila tha:

    “Ka ardhur dikush për t’ju takuar. Një burrë.”

    I dashuri im, një tip i vështirë, nuk mund të ishte. Pikësëpari, ai nuk ishte më i dashuri im. E si mund të kisha unë të dashur, në një kohë që isha mbyllur në një spital psikiatrik? Sido që të ishte, ai nuk do ta përballonte dot një vizitë të tillë. Unë e dija, se edhe nëna e tij kishte qenë e shtruar në një spital psikiatrik, ndaj, ai nuk ndihej mirë kur ia kujtonin një gjë të tillë.

    Që të ishte babai im, nuk kishte gjasë; ai ishte gjithmonë i zhytur në punë.

    As mësuesi i anglishtes në shkollën e mesme nuk mund të ishte. Ai qe pushuar nga puna, dhe më pas, ishte shpërngulur në Karolinën Jugore.

    Shkova për të parë se kush kishte ardhur.

    Ai po qëndronte në këmbë pranë njërës prej dritareve në dhomën e ndenjjes, duke soditur jashtë: ishte shumë i gjatë, supet i kishte të rëna si ato të një akademiku, nyjat e dorës i dilnin jashtë mëngëve të xhaketës, kurse flokët e zbërdhulët i kërcenin nga koka si një krifë luani. Kur dëgjoi hapat e mia, në çastin që po futesha në dhomë, ai ktheu trupin nga unë.

    Ishte Jim Watson. U lumturova kur e pashë, pasi në vitet pesëdhjetë, ai kishte zbuluar sekretin e jetës, dhe ndoshta tani, atë, do të ma tregonte edhe mua.

    “Jim!” thirra unë.

    Me një hap të ngathët, ai bëri drejt meje. U afrua dalëngadalë, duke u lëkundur dhe njëkohësisht i zbehur, në një kohë që pritshmëria ishte që ai të bisedonte me njerëzit; gjithmonë më kishte pëlqyer për këtë.

    “Më dukesh shumë mirë,” tha ai.

    “Pse, çfarë prisje ti?” pyeta unë.

    Ai tundi kokën në shenjë mohimi.

    “Çfarë po të bëjnë këtu?” pyeti ai si nëpër dhëmbë.

    “Asgjë,” thashë unë. “Absolutisht asgjë.”

    “Këtu qenka e tmerrshme,’ u shpreh ai.

    Dhoma e ndenjjes, në veçanti, ishte ndër pjesët më të këqija të pavijonit tonë. Ajo ishte tepër e madhe dhe e mbushur me kolltukë të veshur me material termoplastik, që kërcitnin sa herë dikush ulej në to.

    “Këtu nuk është dhe aq keq,” thashë unë, ngaqë isha mësuar aty. Ai nuk ishte.

    Me hapa të vegjël, ai iu drejtua përsëri dritares dhe me të mbërritur aty, hodhi shikimin jashtë. Pas pak, më bëri shenjë me krahun e tij të gjatë, që t’i shkoja pranë.

    “Shiko.” Ai tregoi diçka me gisht.

    “Çfarë të shikoj?”

    “Atë.” Gishti tregues ishte drejtuar nga makina. Ajo ishte një makinë sportive e kuqe, ndoshta një MG. “Është e imja,” tha ai. Jim-i kishte fituar çmimin Nobel, ndaj kishte shumë mundësi që makinën ta kishte blerë me paratë e fituara me atë rast.

    “E bukur,” thashë unë. “Shumë e bukur!”

    Në atë çast, ai filloi të fliste me zë të ulët. “Ne mund të ikim bashkë që këtej,” pëshpëriti ai.

    “Qysh?”

    “Ti dhe unë, mund t’ia mbathim që këtej.”

    ‘Me makinë, do të thuash?” E kisha humbur fare toruan. Të ishte ky sekreti i jetës? Arratisja paska qenë sekreti i jetës?

    “Kanë për të më ndjekur,” thashë unë.

    “Është makinë e shpejtë,” u përgjigj ai. “Nuk e kam të vështirë të të nxjerr prej këtej.”

    Papritur, e ndjeva se duhej t’i dilja në mbrojtje. “Faleminderit,” thashë unë. “Për ofertën. Je shumë i mirë.”

    “Nuk do të vish?” Ai përkuli trupin drejt meje. “Nëse dëshiron, shkojmë në Angli.”

    “Në Angli?” Ç’hynte Anglia këtu? “Jo, në Angli nuk mund të vij,” ia ktheva unë.

    “Mund të punosh si governante,” tha ai.

    Për dhjetë sekonda përfytyrova një jetë të re, atë me Xhimin, që filloi nga çasti kur u futa në makinën e kuqe dhe pastaj lamë pas me shpejtësi spitalin psikiatrik, në drejtim të aeroportit. Çështja e punësimit si governante ishte e mjegullt. Në fakt, i gjithë plani, ishte i mjegullt. Kolltukët e veshur me material termoplastik, kamerat e sigurisë, gërvima e derës së infermierisë: nuk kishin asnjë grimë mjegullimi.

    “Xhim, tani për tani, vendi im është këtu,”  thashë unë. “Mendoj se nuk duhet të “Në rregull.” Ai nuk shfaqi kurrfarë mërzitjeje. I hodhi një vështrim të shpejtë dhomës përUnë qëndrova pranë dritares. Pasi kaluan disa minuta, e pashë tek u fut në makinën e kuqe dhe u largua menjëherë, duke lënë shtëllunga të vogla tymi nga pas. Mbas disa çastesh, u ktheva në sallën e televizorit.

    “Përshëndetje, Lisa,” thashë unë. M’u bë qejfi që ajo ishte ende aty.

    “Mbathjaaa!” klithi Lisa.

    Në vazhdim, vendosëm të përqendroheshim përpara ekranit të televizorit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË