Sadiu, tani që ka dalë në pension, e ka bërë si punë rituali që, të shtunën e katërt të çdo muaji, i hipën makinës dhe shkon në fshatin ku ka lindur. Pasi pi një kafe në klubin pranë shkollës, zbret për te shtëpia ku kaloi vitet e fëmijërisë. Pastaj shëtit ngeshëm në vendinat ku mblidheshin e luanin kur ishin fëmijë, si te sheshi i manave të mëhallës, poshtë në Hasullore, buzë lumit deri në Gjere, ku verës vinin prita dhe laheshin, pushonin nën hijet e rrapeve e vidhave, zinin ndonjë peshk mustak e, më rrallë, ndonjë troftë pikaloshe.
Herë të tjera e fillon shëtitjen nga arat e gjera përreth shtëpisë së tyre të dikurshme. Aty ndalon gjatë dhe kujton mëngjeset e gushtit e të shtatorit, kur çohej herët dhe këpuste fiqtë e ëmbël me vesë. Në Kopadel e deri në Markore kapte degët dhe merrte kokrrat më të pjekura nga dhjetë a më shumë varietetet e fiqve e bistakë të gjatë rrushi, që gjyshi s’dihej se prej nga ç’vende i kishte sjellë e i kishte mbjellë rrënjët e tyre, shtonte edhe disa kokrra sheftelie e kumbullash kosture, mollësh verige apo pak majoshe.
Ndërsa në fund të tetorit, kur është ngrohtë, por jo vapë, Sadiu ka qejf të bëjë atë rrugën e gjatë prej më shumë se një ore, ku dikur shkonte për të bërë shkollën tetëvjeçare. Pasi kalon rrugën e sheshtë, por të ngushtë nëpër Benere, kapërcen Përroin e Shatës, ecën nëpër ferrishtën ku dikur ishin qarret madhështorë, zbret në anë të Kolobardhit e Veshteprit për te Gurra e Gajorit, freskon fytyrën me ujin e rrahur që buron nga Gurshpata dhe fillon ngjitjen për më shumë se një gjysmë ore nëpër Zabelin e Madhës. Kur mbërrin te vija e dikurshme e ujit që përshkonte bokat, më në fund mbërrin në Sopkuq, ku janë ende rrënojat e shkollës së vjetër.
Kështu bën herë pas here: shëtit më këmbë nëpër vendet e fëmijërisë. Dhe, duke shëtitur nëpër to, shëtit edhe nëpër kujtime. Por atë të shtunë shtatori Sadiu nuk shkoi as në Domjon, as në Kopadel, as te gurra që kalon në anë të shtëpisë së tij të dikurshme, as nëpër Kopile, që përfundonin te lumi i Gostimës.
Atë fundjavë, vendet e fëmijërisë nuk i shëtiti me këmbë, por me mendje. Shkak u bë një emër i shqiptuar nga goja e një vajze katër-pesë vjeçe, që befas i kishte hapur një derë të vjetër të kujtesës. Ishte emri Tatë.
…
Pas shumë e shumë vitesh, atë ditë Sadiu takoi shokun e tij të fëmijërisë, Lanin. Ai kishte ardhur nga kontinenti i largët, ku tashmë jetonte me të birin, të cilit i kishte dalë lotaria amerikane. Mbante përdore një vajzë të vogël. Sadiu u takua përzemërsisht me Lanin dhe përkëdheli vajzën e vogël.
Pastaj e pyeti në anglisht:
– Si e ke emrin?
Lani buzëqeshi.
– Pyete në shqip, se e kupton dhe e flet shumë mirë.
Sadiu e pyeti përsëri vogëlushen, këtë herë në shqip.
Vajza e vogël cicëroi:
– Unë jam Tata!
Sadiu shtangu një çast.
Tata!
Kishte qenë emri me të cilin fëmijët e mëhallës thërrisnin Lemen, nënën e Lanit.
Lani e pa Sadiun në sy dhe buzëqeshi.
– Doja ta kujtonim për mirë nënën tonë, që na rriti me aq mundime. Prandaj ia vumë mbesës emrin e saj. Dhe nuk i vumë emrin që kishte në pasaportë, Leme. I vumë emrin me të cilin e thërrisnin ne, fëmijët e saj, por dhe gjithë fëmijët e mëhallës. Ashtu siç e thërrisje edhe ti. Tatë. Tata e Lanit.
– Po, Tatë… – tha Sadiu. – Ashtu e thërrisja vërtet. – U mendua një imtë me sytë përtokë dhe i doli një psherëtimë. – Eh, Tata…
Sadiut i mjaftuan vetëm ato fjalë për të kthyer kohën e pesëdhjetë viteve të shkuara. Iu shfaq përpara syve një grua e vogël thatanike, me fytyrën e rreshkur nga dielli i verës dhe fraqi i dimrit. Bashkë me portretin e gruas iu shfaq edhe diçka tjetër. Ishte xhepi i Tatës. Sidomos atë, xhepin e Tatës, nuk e kishte harruar asnjëherë.
…
Tata lindi e rriti shtatë fëmijë në një shtëpi të vogël me dy dhoma e dysheme prej balte të ngjeshur. Në mëngjes i duhej të ngrihej herët, të zgjonte fëmijët, t’i bënte gati për shkollë katër më të mëdhenjtë dhe pastaj të shkonte të punonte në arat e kooperativës.
Ishin vitet e çmendurisë së hiperkolektivizimit. Me parullën e mbështetjes në forcat e veta dhe të prodhimit të bukës në vend, në mëhallën e Domjonit erdhën dy traktorë që, me uturima e zhurmë zinxhirësh, filluan të shkulnin me kavo metalike bungat, qarret, shkozat, dëllinjat dhe qindra e mijëra rrënjë mollësh (vetëm në lagjen e tyre ishin më shumë se katërmbëdhjetë lloje mollësh), hardhish, kumbullash, manash, dardhash e fiqsh. U zhdukën pyllishtat e bukura dhe rreshtat e gjatë të pemëve nëpër mezhda. Pas dy vjetësh, domjonakët nuk e njihnin më vendin e tyre të shqyer e të rrafshuar, sikur ta kishin kafshuar përbindëshat. Gjithsesi, kooperativa nuk bëri përpara dhe çdo kooperativist, nëse plotësonte normën ditore, do të merrte tre lekë në ditë. Ose nëntëdhjetë lekë në muaj. Mjerimi ishte ulur këmbëkryq në familjet e tyre. Gjoja me propozim nga poshtë, por në të vërtetë me urdhër të partisë, familjet nuk kishin më as një dynym tokë si kopsht vetjak. Nuk u lejohej të mbanin as bagëti të imta, madje as pula. Nënat nuk u jepnin dot fëmijëve as qumësht, as djathë, as vezë. Mish mund të hanin vetëm një apo dy herë në vit. Familjet me pak fëmijë bënin si bënin dhe i kalonin dimrat duke dhënë e marrë me njëri-tjetrin e me të afërmit, ndërsa familjet me shumë fëmijë ishin të uritura në kuptimin e plotë të fjalës, në kufijtë e mbijetesës.
…
Tatën e Lanit, bashkë me gratë e tjera të brigadës, e shihje tek nxitonte me shatin në krah për të prashitur misrin, me kazmën në dorë për të hapur toka të reja, me barrët e rënda të kashtës e të barit. Por edhe me barrët e druve për oxhakun e familjes, për të ngrohur fëmijët.
Burri i saj, Saliu, ngrihej çdo ditë dhe shkonte të punonte në ndërtim. Kur kthehej mbrëmjeve në shtëpi, sillte nga tri bukë të verdha misri, të bëra me një miell si rërë lumi. Por edhe ato bukë mezi i merrte, sepse as lekët për bukë nuk mjaftonin. Punonin burrë e grua dhe nuk u siguronin fëmijëve as bukën pa gjellë.
Fëmijët donin edhe rroba, donin opinga. Po me se t’i blinin? Rrobat e vjetra i kishin arnë mbi arnë. Opingat e thesit i ati ua mbërthente me tela.
Kur Tata donte t’ua lante rrobat fëmijëve, ua hiqte ato që në mëngjes herët, i mbulonte me jorgan, ua lante rrobat në govate dhe pastaj i vinte ato të thaheshin përreth oxhakut. Kur thaheshin, i merrte fëmijët një e nga një, i lante dhe ua vishte rrobat. Të nesërmen ata duhej të shkonin në shkollë të larë e me rrobat e pastra.
Tata asnjëherë nuk e prishi zemrën me fëmijët dhe i mbronte si pula zogjtë. Përpiqej t’i ushqente, t’i ngrohte, t’i lante e t’i mbante gjallë.
Netëve, kur fliste me të shoqin për hallet e ditës, Tata psherëtinte për fatin e fëmijëve dhe vriste mendjen si e si t’i shpëtonte nga uria. Mendja e asaj gruaje trupvogël, thatanike, me një qerre fëmijësh pas vetes, punonte vetëm për ta.
…
Sadiu, ndërsa pinte kafenë me Lanin në klubin e fshatit, ndiente se kujtimet po i vinin njëri pas tjetrit që nga pesëdhjetë e kusur vite më parë, kur ata ishin ende fëmijë në tetëvjeçare, kur lufta për mbijetesë ishte e përditshme. Sadiut iu kujtua një ditë e largët, aty nga fillimi i viteve shtatëdhjetë. Ishte dimër. Fëmijët e Domjonit po ecnin nëpër rrugën me baltë për të shkuar në shkollë. Opingat iu ngecnin në baltë, këmbët iu ishin lagur ende pa shkuar në shkollë, ku mësonin për “Lulin e vocërr” të Migjenit, por që ishin vetë shëmbëlltyra të personazhit migjenian. Si çdo ditë, fëmijët ndaluan përpara shtëpisë së Lanit. Por Lani dhe motrat e vëllezërit nuk ishin bërë ende gati, kështu që Sadiu, bashkë me taborin e fëmijëve që vinin nga mëhalla tjetër, u futën te dhoma që të ngrohnin duart te zjarri që kishte ndezur Tata. Pikërisht atë mëngjes, Sadiu, si më i rrituri i fëmijëve të lagjes së përtejme, pa diçka që nuk iu hoq kurrë nga mendja.
Tata kishte vënë një tenxhere me ujë në vatër. I hodhi kripë. Pastaj theu vetëm një kokërr vezë. E trazoi me ujin e ngrohtë me kripë, e la dhe pak në zjarr, e hodhi në një sahan dhe ua vuri në sofër shtatë fëmijëve. Shtatë fëmijë, vetëm një kokërr vezë! Ata hanin duke ngjyer copat e bukës së misrit në sahan.
Sadiu atëherë ishte pak më shumë se dymbëdhjetë vjeç, por ajo pamje iu ngulit në mendje. Ndoshta sepse një fëmijë nuk e harron lehtë urinë e një fëmije tjetër.
…
Lufta e Tatës kishte qenë e përditshme dhe Sadiut iu kujtua përsëri xhepi.
Ato kohë, gratë e fshatit, kur shkonin në punë, vishnin pantallona dhe mbi to mbanin fundin e gjerë me pala. Kjo ishte, si të thuash, “uniforma” e tyre për në punë, por edhe për në shtëpi.
Tata u kishte bërë pantallonave një xhep të madh sa një qese. Fundi i gjerë me pala e me llastik, e bënte xhepin të mos dallohej fare. Dhe ai xhep, për pak kohë, do të bëhej shpëtimi i fëmijëve të saj.
Kur donte t’u bënte ndonjë një vakt me fasule, Tata kalonte në anë të ngastrës pranë shtëpisë, ku ishin mbjellë fasulet e kooperativës. Kërrusej, merrte dy-tre kacekë dhe i fuste në xhep.
Pastaj shkonte në punë. Kur kthehej më vonë, e bënte përsëri. Mbase edhe disa herë në ditë, derisa, më në fund mund të ishin bërë edhe dyqind gramë kokrra fasulesh.
I fuste kokrrat e fasuleve në vorbë dhe ua gatuante fëmijëve. Ata mbushnin barkun me misërnike e fasule dhe flinin të ngopur. Tata i shikonte dhe gëzohej.
Ndoshta për të, ajo ishte gjëja më e madhe që mund t’u jepte fëmijëve: t’ua mbushte barkun dhe të flinin një natë pa ndjerë uri.
…
Kjo puna e xhepit vazhdoi gjatë. Edhe në ngastrat përtej përroit, poshtë Kolokoçit, ndërsa gratë e brigadës vilnin fasule, kur nuk e shikonin të tjerat, Tata shkërmoqte disa kokrra herë pas here dhe i fuste në xhep. Dhe kur xhepi mbushej plot, Tata gëzohej, sepse fëmijët do të hanin.
Duhet thënë se atë kohë brigada mbillte fasule, por ato shkonin në magazinat e shtetit dhe vetë kooperativistët nuk mund t’i përdornin si gjellë. Vetëm nëse kishte te dyqani i fshatit, mund t’i blinin.
Por Tata e kishte gjetur zgjidhjen e saj. Xhepi ishte bërë si një minierë floriri për fëmijët.
Atë vit, në arat e brigadës, përveç ngastrave të mbjella vetëm me fasule, ishte dhënë urdhër që edhe në arat me misër, të futeshin si kulturë bujqësore bashkëshoqëruese rreshta me fasule.
Për Tatën kjo ishte një mundësi e mirë, sepse do të shtoheshin ditët e punës për vjeljen e fasuleve dhe xhepi do të mbushej plot, fëmijët do të kishin çfarë të hanin.
Por nuk zgjati shumë.
Çulja, një burrë dembel e shpirtlig, e spiunoi Tatën te brigadieri. I tha atij se kishte disa ditë që Tata vidhte fasule dhe i fuste në xhep. Brigadieri donte ta kapte me presh në duar, por Tata ishte grua dhe nuk ia kontrollonte dot xhepin poshtë fustanit. Atëherë brigadieri raportoi te përgjegjësi i sektorit. Pastaj fjala vajti deri te kryetari i kooperativës. Për fat, kryetar Hyseni qëlloi burrë i mirë, babaxhan e zemërbardhë.
– Lëreni rehat Tatën, se ka shtatë fëmijë, – i tha brigadierit. – Ato kokrra fasulesh që ajo i ka mbledhur me thonj nëpër ara, do të kalbeshin e do t’i hanin milingonat. Tata ua çon fëmijëve që të mbushin barkun.
Fjala u përhap në mëhallë. Dikush e quajti Tatën hajdute. Hajdute të pronës së përbashkët socialiste. Të tjerë e quajtën grua të zonjën, nikoqire e rravgore, një grua që bënte gjithçka për fëmijët e saj.
Ngjarja shkoi edhe në veshët e fëmijëve, por ata nuk e quajtëm hajdute. Ata ishim fëmijë dhe ndoshta nuk kuptonim shumë nga prona socialiste, por ama e dinin se Tata nuk i merrte fasulet për vete, por për fëmijët. Në sytë e tyre, Tatë imcakja u bë si një mbrojtëse e fëmijëve. Dhe që atëherë, nuk e thërrisnin më teta Leme, por Tatë. Ashtu siç e thërrisnin fëmijët e saj. Dhe Tata, sa herë i shihte në rrugë, ua përkëdhelte kokën secilit prej tyre dhe u thoshte:
– Të keqen tata, sa je rritur!
…
Sadiu gjerbi edhe një herë kafenë që po ftohej. Lani po përkëdhelte mbesën lozonjare dhe e pyeti:
– U mërzite, Tatë?
Sadiu e pa.
Atë çast iu duk sikur nuk ishte më në klubin e fshatit, por sikur kishte përpara shtëpinë e vogël me dy dhoma. Aty dëgjonte zërat e shtatë fëmijëve të Tatës. Shihte zjarrin në vatër, sahanin me ujë të ngrohtë e kripë dhe një kokërr vezë për shtatë fëmijë.
E mbi të gjitha, xhepin e madh të fshehur nën fundin me pala. Xhepin që mbushej kokërr pas kokrre e që, për fëmijët e Tatës, ishte bërë si një minierë floriri.
Tata ka ndërruar jetë prej kohësh, por fëmijët e asaj kohe nuk e kanë harruar. Ndoshta nuk mbajnë mend çdo gjë që ka ndodhur dhe kanë harruar shumë fytyra, shumë ditë, shumë dimra, por xhepin e Tatës nuk e kanë harruar. As vetë të mirën Tatë.
Ndonjëherë, në kohë të këqija, dashuria nuk vjen me fjalë të mëdha, por vjen edhe nga një copë bukë, nga një sahan me ujë e kripë, nga një kokërr vezë për shtatë fëmijë. Por, ndonjëherë, dashuria u fshehka edhe në një xhep të madh nën një fund me pala.
Eh, Tatë…


