More
    KreuLetërsiBibliotekë"Secili shkruan tregimin e vet" nga Granit Zela

    “Secili shkruan tregimin e vet” nga Granit Zela

    Personazhi, një shqiptar që vdes, nis e rrëfen në pasvdekje. Asgjë tjetër nuk di unë autori, as për rrëfimin, as për fabulën, as për kompozicionin, as për subjektin, as për dialogët, monologët, etj, etj.  A do të ketë ky tregim analogji me mitet e lashta, nëse po, mitet do të sillen në bashkëkohësi? Cila do të jetë teknika rrëfimore? Do të jetë tregimi prozë realiste, moderniste, postmoderniste, përzierje e këtyre dhe e shumë metodave të tjera të shkrimit apo asnjëra prej tyre? A do të ketë në këtë tregim ironi, humor të bardhë, humor të zi, parodi, alegori, grotesk, pastish, kolazh, lojë me gjuhën apo lojë me vetë tregimin?

    Një shkrimtar tregon se lidhja e fjalëve ka rëndësi të madhe dhe kjo lidhje që kërkon mund të gjendet në përfytyrimin mendor. Ky përfytyrim e lind këtë lidhje dhe përcakton nëse fjalia do të jetë e përbërë ose jo, do të pëlcasë ose do të vdes, do të jetë e gjatë ose e shkurtër, veprore ose pësore. Ky përfytyrim të thotë si t’i lidhësh fjalët dhe lidhja e fjalëve do të thotë se çfarë po ndodh në përfytyrimin tuaj mendor.“Merre si të vijë”, na tregon, pa nocionin e “personazhit”, “intrigës” dhe “ngjarjes”.

     Duke kujtuar këto, pyetja që mua më lind është, ky shqiptar i vdekur, kush është? A është femër apo mashkull? A është një trembëdhjetë vjeçar që ka vrarë veten për shkak të mungesave apo një tre vjeçar që mbytet në pus? A ka gjasa që i vdekur të jetë fëmijë i abuzuar seksualisht, vajzë e përdhunuar, i shtypur nga një makinë ndërsa kthehej nga dasma e shokut ose nga dasma e vet, i therur në një sallë lojërash fati nga një bashkëmoshatar pasi u zunë për lojën në kompjuter, një nënë e vrarë nga i biri pas grindjes?

    Personazhi ynë dergjet në mendjet tona pa emër e pa mbiemër, pa identitet,  i vdekur i panjohur që vetëm qëndron në këtë tregim duke na lënë në pritje para tij.

    I them….

    A je ti i vdekuri im, një i vdekur nën dëborë ngase të zuri në mes të rrugës dhe ti the me vete “ndjehem i lodhur, ja të shtrihem pak rrëzë asaj pemës ndanë rruge, të marr një sy gjumë, dhe kur të kaloj këtë malin do të kem kaluar në tokën e huaj, dhe pasi të kem kaluar në tokën e huaj, do të marr ndonjë taksi për të shkuar si emigrant i paligjshëm në Askund, atje ku më pret im vëlla dhe ku pastaj mund të tërheq edhe të fejuarën për të krijuar një familje dhe për të lindur shumë fëmijë….”

    Ai ka gjasë të jesh i vdekur i freskët, ndoshta tani sapo dhe shpirt, në një ndërtesë të kapluar nga flakët, në një shtëpi të djegur nga rivali në biznes ose thjesht nga një shkëndijë elektrike, nga tezja e denoncuar si tutore prostitutash ose nga dikush që kërkonte një leje ndërtimi ose nga një i vdekur që ka rënë në një humnerë dhe tani ka ardhur për të jetësuar hakmarrjen e tij?

    Nëse i vdekuri është vetëhelmuar me fotoksinë, në tregim do të vendos një thënie të shkëputur nga Friedrich Nietzche:

    Perspektiva e sigurtë e vdekjes

    Mund të përziente me jetën një pikëz të shijshme

    Dhe të parfumuar moskokëçarjeje-por, o shpirtra të

    Çuditshëm farmacistësh, ju e keni kthyer këtë pikëz në

    Një helm të qelbur që e ka bërë të shpifur

    Tërë jetën!

    A je ti personazhi im, një shqiptar që rreh gruan ngase dyshon se të ka tradhëtuar dhe i ke vënë flakën shtëpisë? A je  i vrarë për një vijë uji nga bashkëfshatari me të cilin dje hëngre e pive raki në lokalin e fshatit? A je fantazma e Hamletit që do të më rrëfejë krimet e shestuara në Pallatin e Brigadave në Tiranë? Më thuaj Hamlet përse më shfaqesh me trupin e një babai që sapo ka varur veten ngaqë djali i vdiq nga temperatura apo mendove se kjo është mënyra e vetme për të përballuar vështirësinë e papërballueshme të qenies?

    Apo ka edhe më keq: ti je nënë e vetëhelmuar ngase babai yt ka përdhunuar bijën e vet?  A je një nga kushërinjtë e dehur që masakruan njëri-tjetrin pas një darke ku festuan një vrasje të kryehershme të shestuar me marifet duke i dërguar viktimës dhuratë një televizor dhe mandej fap! ndizet televizori, shpërthen eksplozivi dhe fiket jeta e të shenjuarit nga kobi. Në mos qofsh ai, atëherë je gruaja e masakruar nga burri ngase nuk i bëre darkën. Burri ishte shumë i lodhur atë ditë, shumë i stresuar, kishte humbur shumë para në kumar dhe ti nuk e kuptove farë se nuk duhej t’i flisje pasi rrugës ai e kishte ndarë mendjen nëse ime shoqe më flet, qoftë edhe një fjalë të më thotë, do të ja marr shpirtin dhe ja ti bëre atë gabimin që ai priste ta bëje, ti fole, ndërkohë që mund të rrije si statujë para tij, madje të mos lëvizje, të mos mendoje, dhe shumë gjëra të tjera me “mos-e” përpara.

    Tregomë, tregomë ogurkob….

    Heshtja e tij thotë se ai mund të jetë ai burri që u vra nga fqinji ngase kulloti lopa në livadhin e tij. Mund të jetë ai që vrau me thikë gruan (prapë gruan) dhe dogji më pas veten. Një i djegur, apo më saktë një i vetëdjegur pret të rrëfehet ose një grua e vrarë me thikë pret të rrëfej historinë e jetës së saj, një histori ku për çudinë tonë, besoj edhe të tuajën ajo nuk përmend fare vrasjen me thikë nga bashkëshorti, por thjesht rrëfen historinë e jetës.

    Ndoshta është i ri shqiptar emigrant në itali që sapo ka vrarë kunatën, motrën e saj dhe vajzën tre vjeç ndërkohë që pikërisht në atë çast një i ri tjetër këtu në Shqipëri sapo ka mbytur babain e tij mu në mes të arës për shkak se nuk i jepte lekë. Të dy janë të rinj, kanë të njëjtën moshë, dhe po të ishin në vend të njëri tjetrit do të kryenin vrasjet e sho-shoqit, pasi nuk ka rëndësi nëse ata do të ishin aty ku ishin, vendodhja fizike, koha, vendi, gjeografia e vendosjes së të dyve është e pafuqishme përballë vrasjes së tyre të paracaktuar. Dhe siç merret me mend, apo siç mund ta përfytyrojmë ne, ata takohen një-ditë dhe vrasin njëri-tjetrin, sepse historia e vrasjeve të tyre, lidhet prej një filli të padukshëm.

    Nuk e dimë nëse është i vdekuri dyzetë e tre vjeçar, i cili është vrarë me armë pasi djali i tij ishte shtypur me makinë nga vrasësi dhe gruaja e tij helmon veten me fotoksinë (prapë fotoksinë). Konflikti, siç mund të përfytyrohet, ka lindur para dy vjetësh ngase dhia e vrasësit kishte ngrënë barin e të vrarit, madje i vdekuri kishte qëlluar policinë me armë. Por e gjithë kjo “fabul” le ta quajmë, nuk mund të shtjellohet me tej në këtë tregim, pasi në këtë tregim, rrëfimi i këtij të vrari, apo i kësaj gruaje të vetëhelmuar ose i djalit që shtypet me makinë, apo qoftë edhe thjeshtë rrëfimi i njërit prej policëve ndaj të cilëve u qëllua në komisariatin e policisë, ngjan të jetë një rrëfim që nuk është i njëjtë me atë të personazhit të tregimit tonë, një personazh-enigmë që vetëm hesht.

    Ndoshta ka vdekur nga pickimi i vejushës së zezë a shembja e një tavani mbi kokë. Ndoshta ka vdekur nga bombolat e gazit apo nga shmangia e një autobuzi që ka rënë në humnerë duket se është në paqe me botën dhe e vetmja kërkesë  a nevojë që ai ndjen është që kjo botë të mos e mbaj më peng, të harruar në dhomën e harruar të një qyteti që ne dimë se është “qyteti S”.

    Ndosha ka vdekur nga mbytja në detin Adriatik, nfga përdorimi i drogës apo pluhuri i makinave apo nga zemra siç vdes gjysma e shqiptarëve.  Ndoshta ka marrë peng ish-të fejuarën për shkaqe xhelozie dhe ajo i ka shkaktuar vdekjen apo ka vdekur në një spital të qytetit S ngase e kanë mjekuar infermierë pa arsimin përkatës.

    Subjekti krijohet kësisoj në këtë tregim dhe secili prej jush shkruan tregimin e vet.

    Kini parasysh diçka, përveç minisubjekteve që përmenda më sipër, mund të shkruani për një vajzë që vetëvritet sepse donin ta fejonin me zor, dhe historinë e saj mund ta rrëfeni duke e shoqëruar me një linjë tjetër rrëfimi, atë të vdekjes së një gruaje që goditet nga burri me levë (prapë një burrë që vret një grua).

    Tregimi rrëfehet nga gruaja natyrisht. Mund të shkruani se si një burrë del për peshk dhe mbytet në Osum.  Mund të prisni të rrëfej një personazh që është vrarë gabimisht ngaqë i ngjante një biznesmeni, një i ri që vret një të panjohur ngaqë i bën makinën me pluhur apo “e shikon vëngër”, një pronar lokali që vritet “për nder”, për një të penduar që vret me kallash babanë, shokun, nënë, nipçen me kusht që të mos thoni por të nënkuptohet që vrasësi ka qenë i dehur dhe në tregim po rrëfen pasi i ka dalë pija duke ndërruar identitet nga “i dehur” në “i pandehur”.

    Dy të vrarë për një copë tokë, duket subjekt i zakonshëm në fshatrat shqiptarë, prisni të rrëfej njëri prej tyre dhe prisni që rrëfimi të ndodh pikërisht tek ajo copë tokë e mallkuar, por, para së gjithash, nëse doni të tregoni në tregimin tuaj dramën e shqiptarit në tranzicion prisni që në rrëfimin tuaj të flas dikush që i kanë bërë atentat me bombë.

    I vdekuri im që rrëfen nuk është një i mbytur në det, nuk është babai i therur me thikë, as viktimë e një vrasësi me pagesë, as i papunë që vrau veten, as i therur sepse pa shtrembër një bashkëmoshatarin e tij, as nëna e shtatë fëmijëve që vari veten, as dikush që rreket të përdhunojë fqinjën dhe vret veten ngaqë nuk e përdhunoi dot, as një aktivist politik i vrarë, as vajzë e vdekur nga një aksident, as një i vdekur i gjetur në pyll, as i vetëvarur për borxhet e familjes, as i vdekur nga rakia, as i vdekur nga vapa, as i vdekur në galerinë e minierës, as gazetar i masakruar për arsye politike, as i rënë në greminë, as i vdekur nga përplasja e një kamioni, as i mbytur në rezervuar, as grua e masakruar me gurë dhe e hedhur në kanal, as babai i shtypur me makinë nga i dashuri i të bijës, as biznesmen i hedhur në erë me telekomandë në makinë, as vjehrri i vrarë pas divorcit, as as i vdekur i gjetur në lumin Shkumbin.

    Ndodh që një personazh nuk tregon se kush është por se kush nuk është.

    E gjitha kjo zgjat sa një minutë heshtje për një të vdekur dhe asgjë më.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË