Kreu Arte pamore Salvador Dalí: Pse e sulmojnë Mona Lizën (Mars 1963)

Salvador Dalí: Pse e sulmojnë Mona Lizën (Mars 1963)

Ishte e pashmangshme që Salvador Dalí të zbulonte publikisht se pse Mona Liza — një “portret i thjeshtë” i pikturuar nga një prej artistëve më të ndërlikuar dhe më dykuptimshëm — ka pasur një fuqi, unike në të gjithë historinë e artit, për të provokuar sulme nga më të dhunshmet dhe më të ndryshmet.

Mona Liza ka kaluar dy lloj sulmesh kryesore mbi praninë e saj arketipike.

1. Sulmi ultra-intelektual, i kryer nga lëvizja Dada. Marcel Duchamp, në 1919, vizaton mustaqe mbi një fotografi të Mona Lizës, dhe në fund shkruan inicialet e famshme “L.H.O.O.Q.” (Elle a chaud au cul.)

2. Sulmi i llojit naiv apo primitiv, kryer nga bolivianë pakashumë anonim. Ai konsiston ose në hedhjen e një guraleci drejt pikturës ose në vjedhjen e saj të përkohshme.

I pari është një rast sulmi nga një artist kundër një kryevepre që mishëron maksimumin e idealizimit artistik. Shpjegohet nga një vështrim i Frojdit, përkufizimi sublim i të cilit për Heroin është: “Njeriu që revoltohet kundër autoritetit të babait dhe më në fund e tejkalon.” Ky përcaktim është antiteza e Dada, e cila përfaqëson një kulminacion të anti-heroikes, një qasje anti-Niçe ndaj jetës. Dada kërkon zonën anale, erogjene të Mona Lizës, dhe ndërkohë që e pranon “agjitacionin termik” të Mamasë si Vepër-Arti, rebelohet kundër idealizimit të saj duke e maskulinizuar. Dada i pikturon mustaqet e babait mbi Mona Lizën për të kërkuar ndihmë në denigrimin e Artit.  Me këtë gjest, aspektet anti-artistike, anti-heroike, anti-glorifikuese dhe anti-sublime të Dada, u mishëruan.

Për të shpjeguar “sulmet naive” kundrejt Mona Lizës, duke mbajtur në mend zbulimin e libidos së Leonardos nga Frojdi dhe fantazitë erotike të nënvetëdijshme për mamanë e tij, na duhet gjenia e Michelangelo Antonioni (unik në historinë e kinemasë) për të filmuar sekuencën në vijim: Një bir i thjeshtë naiv, në nënvetëdije i dashuruar me mamanë e tij, i tërbuar nga kompleksi i Edipit, viziton një muze. Për këtë bir naiv, pakashumë bolivian, muzetë barazohen me shtëpitë publike, dhomat publike — me fjalë të tjera, bordello, dhe ngjashmëria përforcohet nga moria e ekspozitave erotike që gjen aty: nudo, statuja të paturpshme, Rubensi. Në mes të gjithë kësaj shthurjeje trupore dhe libidinale, biri Edipian trulloset teksa gjen një portret të mamasë së tij, të shpërfytyruar nga idealizmi maksimal femëror. Mamaja e tij, aty! Dhe më e keqja, mamaja e tij i buzëqesh në mënyrë dykuptimshme, e cila, në rrethanat e tij, mund të duket vetëm e dyshimtë dhe skandaloze. Sulmi është përgjigjja e tij e vetme ndaj një buzëqeshjeje të tillë — ose mund ta vjedhë pikturën për ta fshehur me devotshmëri nga skandali dhe turpi i ekspozimit në një shtëpi publike.

Çdokush i cili mund të më japë shpjegime të tjera për sulmet që ka vuajtur Mona Liza duhet të më hedhë gurin e parë; do ta kap dhe do të vazhdoj me detyrën time të ndërtimit të së vërtetës.

Përktheu Enxhi Hudhri

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Lindita Tahiri: Zija Çela ka krijuar një autoritet të ri, atë të lexuesit

1 Kur përuroi romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, Zija Çela u paraqit në sallë përballë gazetarëve pa asnjë kritik...

Dhjetë poezi nga Antonella Carmen Caggiano

Përktheu nga orgjinali Eda Agaj Zhiti Italia dhe poezia kanë një përbashkësi të vijueshme si bregu me detin, do...

“Njerëz prej buke”, tregim nga Faruk Myrtaj

Gardiani nuk po bëhej i gjallë dhe unë u ngrita. Në një hapësirë si e kësaj qelie, të ngrihesh...

Feride Papleka: Frymëzimet bodleriane të poezisë së Shuteriqit liceist

Në vitet e para të liceut francez të Korçës, një ngjarje e rrallë i trazoi ëndrrat dhe dëshirat e Shuteriqit të ri....

KATEGORITË