Në moshën gjashtë vjeç doja të bëhesha kuzhinier. Në moshën shtatë vjeç, Napoleon. Edhe më vonë dëshirat e mia shtoheshin jo më pak sesa synimi për t’u ngjitur sa më lart drejt madhështisë.
Në ditarin e Stendalit përmenden fjalët e njëfarë markeze italiane, e cila, në një mbrëmje vere me vapë përvëluese, kishte provuar akulloren: “Sa keq që kjo nuk është një kënaqësi mëkatare!”. Kështu pra, kur unë isha gjashtë vjeç, ishte mëkat i madh të haje bukë në kuzhinë. E kisha të ndaluar nga prindërit të hyja në atë pjesë të shtëpisë. Mbaj mend që, duke kapërdirë jargët, gjeja rastin të depërtoja në sancta sanctorum (vendin e shenjtë), domethënë në vendin e kënaqësive të papërfytyrueshme. Megjithatë, ndonjëherë arrija të hyja atje, i ndjekur nga britmat e shërbyeseve… Dhe, ndonëse më kërcënonte ndonjë shuplakë e mirë, me shpirt ndër dhëmbë, rrëmbeja ose ndonjë copë mishi, ose ndonjë kërpudhë të skuqur dhe, në kulmin e ngazëllimit, dilja me vrap, gjë që e rëndonte edhe më tepër fajin.
Çdo gjë tjetër më lejohej. Ndërsa të hyja në kuzhinë, në asnjë mënyrë. Deri në moshën tetë vjeç shkruaja duke ndenjur shtrirë në shtrat, vetëm e vetëm sepse ashtu më pëlqente. Në shtëpi isha unë që mbretëroja e jepja urdhra. Për mua nuk kishte asgjë të pamundur. Babai dhe nëna vetëm që nuk faleshin përpara meje. Ditën e Infantës, midis dhuratave të shumta, mora edhe një kostum të mrekullueshëm mbretëror, një pelerinë të qëndisur me lëkurë të vërtetë kunadheje dhe një kurorë prej ari me gurë të çmuar. E kam ruajtur për një kohë shumë të gjatë atë vërtetim të shkëlqyer (ndonëse si në maskaradë) të të qenit i zgjedhuri i familjes. Mbaj mend se shërbëtoret ruanin syçelë që gjëja e ndaluar për mua të mos shkelej në asnjë mënyrë, kështu që, sa më pikasnin, më zbonin… Dhe ja, unë po rrija si i ngurosur në gjysmerrësirën e korridorit, i veshur me rrobat mbretërore, në njërën dorë mbaja skeptrin, ndërsa në tjetrën, që më dridhej vazhdimisht, një kamxhik: isha gati t’i fshikulloja ato kafshë në mënyrë që ta merrnin vesh se me mua nuk mund të talleshin! Skena të tilla luheshin zakonisht afër mesditës, në atë orë sfilitëse të verës, kur në ajrin që nuk të mjafton për të mbushur mushkëritë, fillojnë e lindin vegime. Fshihem pas derës gjysmë të hapur të kuzhinës dhe dëgjoj se si vrapojnë, me sa kanë fuqi prapa meje, ato gra-kafshë me duar të kuqërremta, shoh trupat e tyre të fuqishëm dhe jelet e shpupuritura. Në vapën e mesditës, midis zhurmës së shurdhët të përgatitjeve të drekës, arrin deri tek unë duhma e thartë e djersës së grave, e kokrrave të rrushit, e vajit të nxehtë, e qimeve të hequra nga lëkura e lepujve të butë, e veshkave dhe e majonezës, që e mbulojnë aromën e gjellëve, dhe të gjitha këto bashkohen e bëhen njësh duke më krijuar ndjesinë e erës së kalit. E bardha e rrahur e vezës, që shkëlqen si rreze dielli, shpërthen nëpërmjet shtëllungave të tymit dhe resë së mizave duke ndriçuar pikërisht si shkuma që u del kuajve, të cilët, pas një vrapimi të gjatë nëpër rrugën e pluhurosur, fshikullohen deri në përgjakje. Siç edhe e thashë, unë kam qenë fëmijë i llastuar e i mbrapshtë…
Vëllai im vdiq tre vjet përpara se të lindja unë, në moshën shtatëvjeçare, nga meningjiti. Babai dhe mamaja ime e ngushëlluan dëshpërimin e tyre me ardhjen time në jetë. Unë me tim vëlla ngjanim si dy pika uji: po ato fillesa gjenialiteti (më vonë, në vitin 1929, mua m’u shfaq vetëdija e prerë e gjenialitetit dhe, ndonëse u përforcua shumë brenda meje, nuk më shkaktoi asnjë shenjë nga ajo që quhet mani e madhështisë) dhe po ajo shprehje e shqetësimeve të kota. Ne dallonim vetëm në disa tipare psikologjike. Jo vetëm kaq, por edhe vështrimin ai e kishte pasur të ndryshëm, si të mbështjellë nga melankolia, nga një meditim “i pakapërcyeshëm”. Unë nuk isha dhe aq i mençur dhe, si për ta plotësuar këtë, më ishte dhënë aftësia të reflektoja për gjithçka. U bëra reflektues i shkallës më të lartë për shkak të “polimorfizmit tim të shtrembëruar”,* si dhe i prapambetjes fenomenale në zhvillim. Meqenëse më ishin ngulitur në tru disa kujtime të turbullta nga parajsa me prejardhje erotike të fëmijës së gjirit, me një kryeneçësi prej egoisti, kapesha fort pas kënaqësive. Në këtë fushë nuk hasja në kundërshtime, prandaj edhe bëhesha i rrezikshëm. Një mbrëmje, sesi i gërvishta me gjilpërë faqen tajës sime, vetëm e vetëm sepse shitorja ku ajo më çonte për të blerë ëmbëlsirat e mia të dashura ishte e mbyllur. Kështu pra, nuk kishte dyshim që unë isha një fëmijë plot gjallëri. Vëllai im ishte vetëm prova e parë e vetes sime, që ishte ngjizur tek unë me tepricë absolute.
Tani ne e kemi të qartë që forma është rezultat i dhunës prej inkuizitori mbi materien. Hapësira e shtyp atë nga të gjitha anët, kështu që materies i duhet të mbrohet dhe të tendoset, të arrijë deri në kufijtë e mundësive të saj. Kushedi sa herë, materia e frymëzuar nga vrulli i tepricës absolute, vdes, zhduket? Edhe materia më e aftë për t’u përshtatur, që është shumë më e thjeshtë në kërkesat e saj, i kundërvihet tiranisë së hapësirës, duke u rrekur t’i përmbahet thelbit të formës së saj origjinale. A ka gjë më të lehtë, më të lirë dhe më me fantazi se ngjyrimet e kristaleve minerale? Por edhe ato janë prodhim i “mjedisit koloidal” të përqendruar, i cili, duke i munduar, i mbërthen dhe i përmbledh në një strukturë të ngurtë. Degëzimet më të përkryera dhe më ajrore janë vetëm e vetëm një grafik i agonisë, i vuajtjeve të dëshpëruara, i frymëmarrjeve të fundit të materies, e cila vdes, por nuk dorëzohet, është ngjyrimi i fundit i botës së mineraleve. Por edhe për trëndafilin, ligji është po ai! Çdo lule bulëzon nën trysni. Liria është pa formë. Morfologjia (lavdi Gëtes që e ka shpikur këtë fjalë i ngazëllyer nga pafundësia krijuese e Leonardos), pra morfologjia na zbulon se, krahas mbretërisë fitimtare të hierarkisë së ngurtë të formave, ka edhe prirje më anarkike dhe më të ndryshme në lloje, të cilat gërryhen nga kundërshtitë.
Në këtë mënyrë mendjet e ngushta e të kufizuara u dogjën nga zjarret e Inkuizicionit të Shenjtë, shpirtrat heterogjenë dhe anarkikë mbartën mbi vete pasqyrimin e zjarrit të madhërishëm të morfologjisë së tyre shpirtërore. Siç e përmenda, vëllai im kishte pasur aftësi meditimi të një vetie të veçantë, të papërballueshme, e paaftë të ndryshonte pamje dhe që ndrydhte vetveten. Ndërsa unë, si e kundërta e tij, isha një shthurje polimorfe, e gjallë dhe anarkike. Të gjitha veprimet e mia të vetëdijshme shpreheshin në makutërinë time, dhe e gjithë makutëria bëhej një veprim i vetëdijshëm. Gjithçka ma ndryshonte pamjen dhe asgjë nuk ma ndryshoi thelbin. Unë kam qenë i plogët, frikacak dhe kundërthënës. Në ashpërsinë e mendimit spanjoll, natyra ime kërkonte shfaqjen më të madhërishme të kristaleve të gjalla, të përsosura dhe trillane të gjenialitetit tim të papërsëritshëm. Prindërit më pagëzuan Salvador, ashtu si tim vëlla. Dhe, nga kuptimi i emrit, mua më ishte paracaktuar, as më shumë e as më pak, por të shpëtoja Pikturën nga paqenësitë e modernizmit dhe kjo do të ndodhte në epokën e katastrofave, në atë gjithësi mekanike e të zakonshme, në të cilën ne, për fat të mirë dhe për fat të keq, jetojmë. Sikur të kisha mundësi të gjendesha në të Kaluarën, Rafaeli dhe të ngjashmit me të do të më dukeshin perëndi të vërteta. Ka të ngjarë që unë të jem i vetmi njeri që e kam kuptuar se pse sot është e pamundur t’u afrohemi formave rafaeliane. Krijimtaria ime, mua vetë më duket një fatkeqësi e madhe. Si mund të jetoja unë në epokën time, kur nuk do të kisha mundësi të shpëtoja dot asgjë! Por duke u kthyer tek e Tanishmja e quaj ogur të mirë që shumë mjeshtra i kam vlerësuar më tepër se veten, por, megjithatë, nuk do të doja të ndërroja vendin me asnjërin nga ata që sot janë gjallë.
Ta arrish dhe ta shprehësh kuptimin e jetës i vetmuar do të thotë të krahasohesh me titanët e mëdhenj të Rilindjes. E tillë është gruaja ime Gala (Elena Dmitrievna Djakonova, me prejardhje ruse), e cila qe lumturi për mua. Lëvizjet e saj fluturake, gjestet dhe aftësia për t’u shprehur, i ngjajnë Simfonisë së Dytë: shfaq tiparet arkitektonike të shpirtit të përkryer, që kristalizohet në begatinë e vetë trupit, në aromën e lëkurës, në shkumën detare të shndritshme të jetës së saj. Duke shprehur frymëmarrjen e stërholluar të frymëmarrjes së ndjenjave, plastika dhe aftësia e të shprehurit materializohen në arkitekturën e patëmetë prej mishi e gjaku.
Kur Gala pushon, mund të them se i ngjan kishëzës Tempieto di Bramanti, që ndodhet në afërsi të Shën Pjetrit Montozio, në Romë. Dhe ashtu si Stendali në Vatikan, unë më vonë, dhe pavarësisht prej tij, mund të vë në një rrafsh krenarinë e saj, kolonat e bukura, parmakët e butë e të qëndrueshëm, me pamjen fëmijërore të saj, shkallët hyjnore me buzëqeshjen e saj. Orë të tëra përpara këmbalecit të piktorit, duke e admiruar vjedhurazi, në kohën kur ajo nuk e vinte re këtë, unë i thosha vetes se ajo është një tablo po aq e bukur sa punimet e Vermejerit dhe të Rafaelit. Në një kohë që të tjerët, ata që na rrethojnë, na duken të vizatuar aq dobët, të skalitur aq dobët, saqë ngjajnë më tepër me karikatura të pështira, të laparosura në ngut e sipër nga ndonjë piktor i uritur në tarracën e ndonjë kafeneje.
Në moshën shtatëvjeçare unë doja të bëhesha si Napoleoni… Ja se si ndodhi. Në katin e dytë të shtëpisë sonë banonin argjentinasit Mammas. Njëra nga vajzat e asaj familjeje, me një bukuri përrallore, Ursula Mammas, sipas zërave që u dëgjuan, u bë katalanasja e vitit 1900. Flitej gjithashtu se Eugjenio d’Ors, në librin e vet “La Ben Plantada” (“Shtathedhura”), pamjen e kata-lanases e kishte pikturuar duke u nisur nga fytyra e saj. Në vitin tim të shtatë më kaploi joshja seksualo-aristokratike ndaj katit të dytë. Gjatë buzëmbrëmjeve të ngrohta, unë rrija për orë të tëra në tarracë, derisa fëshfërima sipër, që me zor ndihej, më tregonte se mbi mua po hapej dera e ballkonit. Në katin e dytë më donin aq sa edhe në shtëpinë time. Rreth orës gjashtë të mbrëmjes, përreth tavolinës monumentale në sallon, mbi të cilën qëndronte varur një i balsamosur lejlek, mblidheshin për të pirë mate disa zonja të mahnitshme, me flokët të fryrë dhe që flisnin me theks argjentinas. Mate-në e shërbenin në një enë të madhe argjendi, e cila kalonte nga njëra buzë te tjetra. Ajo afërsi e ngushtë buzësh më emociononte dhe më lindte në shpirt një qerthull i tërë pasionesh, në të cilin fillonin të shndrisnin majat e mprehta të xhelozisë.
Kur më vinte radha, edhe unë e gjerbja lëngun e ëmbël, që për shijen time ishte më i ëmbël se mjalti, ndërsa mjalti, më i ëmbël se gjaku. Sepse ime më, gjaku im, ishte gjithmonë po aty. Në këtë mënyrë, fillesa ime aristokratike ishte një marshim triumfal nga buzët në buzë, nga goja në gojë, kështu që unë doja të pija kupën e Napoleonit, pasi Perandori ndodhej gjithashtu në sallonin e katit të dytë, ndonëse jo personalisht, gjithsesi, aty ndodhej përfytyrimi i tij në faqen e një fuçie të vogël druri, në të cilën ruhej mate-ja. Ai Napoleon me rëndësi olimpike, me barkun e bardhë e të ngopur, me faqet e tij perandorake të trëndafilta, me kapelë të zezë, i përgjigjej pikë për pikë përfytyrimit tim të asaj se çfarë monarku mund të isha unë vetë.
Në atë kohë ishte në modë kënga:
Napoleon en el final
De un ramillet colossal.
Paraqitja e Napoleonit në faqen e fuçisë e kishte përpirë përfytyrimin tim, po aq të egër sa edhe e bardha e vezës në pjatë (apo ndoshta pa pjatë). Dhe i ndikuar nga Napoleoni i pijshëm, nëpërmjet mate-së ndodhi një kërcim i fortë i joshjeve të mia, nga kuzhinieri deri tek perandori. Pikërisht në këtë mënyrë, ndjesitë e mia erotike të grave-kuaj, që ecnin me galop nëpër kuzhinën tonë, u nxorën jashtë fushës sime të pamjes nga përfytyrimi i shndritshëm i Ursula Mammasit, i bukuroshes të llojit të vitit 1900. Më vonë do t’i përshkruaj me hollësitë e “makinës që mendon” zbulimet e mia. Njëra prej tyre, të paktën, është e bazuar në idenë e Napoleonit të pijshëm, në të cilin u mishëruan dy fantazmat e fëmijërisë sime të hershme. Jermi i buzëve (gojëve) dhe imperializmi i verbër shpirtëror. Kjo e shpjegon se pse pesëdhjetë kupa me qumësht të ngrohtë, të vendosura mbi një karrige të lëkundshme, ishin për mua njëlloj si kofshët buçkane të Napoleonit. Për ta përfytyruar një gjë të tillë, nuk duhet të jesh i çmendur! Kjo shprehej edhe në sende të tjera, që, të para në dritën e këtij libri, nuk janë më pak të çuditshme dhe më të pakundërshtueshme. Gjithsesi është e vërtetë: gjithçka, absolutisht gjithçka që them këtu, është tërësisht mëkati im, mëkati im i vetëm.
Përktheu Guri Shyti