More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSali Bashota: Poetika e rrëfimit të figurshëm

    Sali Bashota: Poetika e rrëfimit të figurshëm

    Hyrje

    Tematika e zgjedhur  dhe struktura rrëfimore, janë dy karakeristika të veçanta të prozës së Gëzim Aliut. Të gjitha shenjat e kërkimit shpiejnë të këta dy përbërës, të cilët e konstituojnë poetikën shkrimore të këtij autori. Prandaj, struktura narrative e veprave të tij në prozë, e parapëlqen një dije të sistemuar në planin e ideve, të tematikës, të procedimit, si dhe të komponenteve të tjera, të cilat ndërlidhen me fenomene letrare dhe estetike. Në këtë mënyrë, vlera dhe afirmimi i kësaj proze, pa dyshim, përcaktues kryesor mund ta kenë edhe invencionin dhe fantazinë, por edhe edhe prirje të tjera, për t’i shqiptuar tendencat rrëfimore përmes një elegance stilistike, figurative dhe gjuhësore në domenin e prozës bashkëkohore shqipe, sidomos me romanet e tij: “Në Klubin e të shëmtuarve”, “Katedralja pa kryq” dhe “Gosti në natën e parë të vjeshtës” dhe

    Gëzim Aliu e ka krijuar një parabolë rrëfimore me ngjarjet që i trajton në romanet e tij. Ky dimension parabolik, pastaj edhe një qëndrim distancues në rrfjedhën romanore, e fuqizon ironinë dhe paradkosin, por edhe përbërësit e tjerë në disa rrafshe, kryesisht përmes rrëfimit dhe përshkrimit mjaft  preciz. Në fakt, temat që korrespondojnë me realitetin, i mundësojnë autorit, në radhë të parë, për të përcaktuar strategjinë e rrëfimit sipas një ndjeshmërie me konceptim të qartë  dhe shumë domethënës.

    Në lidhje me karakeristikat e rrëfimit në të tri romanet e Gëzim Aliut, del sheshit mjeshtëria e sajimit të situatave, të cilat e fuqizojnë përmasën e një ndjeshmërie poetike që i rri pranë e pranë përshkrimit  dhe figurës, stilit dhe gjuhës, pozicionimit të rrëfimtarit.  Në rendin e fuqizimit të domethënies së ngjarjeve, autori e parapëlqen kontratën midis rrëfimtarit dhe personazhit, kur rrëfimi bëhet në veten e parë, siç ndodh në romanin “Në Klubin e të shëmtuarve”, pastaj në romanin e dytë,  kur kemi dy pozicione dhe perspektiva rrëfimore (shkrimtari që rrëfen për kryepersonazhin e romanit, ndërsa në vijën e dytë narrative, është vetë piktori që shndërrohet në narrator…, siç konstaton autori), ndërsa në romanin e tretë “Gostia në natën e parë të vjeshtës”, rrëfimi bëhet në veten e tretë.

    Në këto tri romane të Gëzim Aliut, strukturohen tri nivele të rrëfimit, duke sistemuar dhe funksionalizuar temat që ndërlidhen me jetën, dashurinë, artin, të mirën, të keqen, të panjohurën, ideologjinë,  frikën, fatin, moralin, pabesinë, banalitetin, injorancën, trishtimin, zemërimin, vetminë, vrasjen, vdekjen etj. Prandaj, struktura rrëfimore zhvillohet në atë mënyrë, sa që intriga e fabulës, pastaj mbizotërimi i përshkrimit magjepsës dhe psikologjik i personazheve, botëndijimi dhe botëkuptimi i tyre, rikthimi në situatat e ndodhura si kujtesë, barten nga procesi i ngjarjes në procesin e veprimit, midis përditshmërisë, ëndrrës dhe iluzionit. Gjithsesi, idetë, tematika, motivet, etj., konceptohen qartë në rrjedhën romanore dhe  ndëtojnë një relacion kuptimor e simbolik midis rrëfimtarit-personazhit dhe ngjarjeve. Kësomënyre, fuqizohet edhe ambienti i figurshëm përmes ironisë, groteskut, alegorisë, paradoksit, etj., për të problematizuar dukuri dhe fenomene të realitetit ekzistues dhe të atyre që mbahen mend si përjetim i  të ndodhurave në retrospektivë. Ky aspekt, ka të bëjë me rrëfimin parallel të ngjarjeve, duke ofruar vëmendjen për receptimin e tyre edhe te lexuesi.

    Funksioni rrëfimor i shenjës

    Tregimi “Kokrra e zezë”, i cili është shpërblyer në një konkurs letrar dhe i cili është botuar në librin e tij me tregime, është zanafilla e romanit “Në Klubin e të shëmtuarve”. Forma e shkurtër e tregimit bëhet model i madh i romanit, aty ku motivohet ngjarja dhe shfaqet admirimi për të rrëfyer deri në fund të bukurën, edhe pse e shëmtuara portetizohet e zbërthehet në koleksionin e ëndrrave të rrëfimtarit. Esenca qëndron në relacionin e ndërtuar përbrenda konturave të rrëfimit, aty ku procedeu zhvillohet në planin e ideve, të cilat synojnë dhe arrijnë bukurinë e pastër të imazhit. Konceptimi i situatave erotike, përbrenda tablove të përshkrimit, gjithsesi edhe në krijimin e efektit estetik përmes një rrëfimi të tillë të shkathët dhe të zbukuruar me fantazi, rezulton në krijimin e ndjenjës kryetipore për të thënë se rrëfimi në këtë roman mund të ketë ngjashmërinë e krahasimit të bukur e magjepsës, në radhë të parë, në domenin e përshkrimit, fjala vjen, me romanin “Inati” të Philip Roth.  

    Në romanin “Në Klubin e të shëmtuarve”, kuptimi i dashurisë ndërtohet në variantet e rrëfimit qoftë si copëza kujtimesh, dromca përjetimesh apo si sfond psikologjik. Po aty, përcaktohet rendi gjuhësor, stilistik, sintaktik ku paraqitet hapësira letrare për meditim. Admirimi i flaktë i rrëfimtarit për ta zbërthyer enigmën dhe fatin e njeriut të traumatizuar nga të këqijat e kësaj bote, me imazhin e mbindërtuar nga situatat erotike në roman dekompozohet përmes përmasës së shpjegimit të  dimensionit të dashurisë, të cilat janë: përvuajtnia, kënaqësia, mëkati, pasioni, shpëtimi.
    Romani “Në Klubin e të shëmtuarve”, në mënyrë kronologjike ndërtohen skena simbolike ku rrëfehen ngjarjet, ku tipizohen personazhet, ku ndërthuren vizionet e rrëfimtarit. Situata rrëfimore përkufizohet me gjendjen e përfytyruar dhe të shpërfytyruar: përcaktimi i ambientit, gjërat që ndodhin, soditja nga dritarja; pastaj pasqyra, ëndrra, telefoni, si dhe përcaktuesit e tjerë: ftesa për të shkuar në Klubin e të shëmtuarve, krahasimi apo pararelizmi midis ngjarjeve që ndodhin në roman dhe atyre që kanë ndodhur më pare në jetë, si çast i ruajtur në kujtesën e rrëfimtarit.
    Romani i Gëzim Aliut e funksionizon tematikën e dashurisë, duke karakterizuar personazhe (Liria, Besa, Shpresa, Selvia, Luljeta, Shkëndia, Lavdia etj. ), pastaj  ngjarje, ndodhi, situata, skena, akte, përjetime, etj., vështruar nga rrëfimtari aktiv, i cili me halucionacionin e “Kokrrës së Zezë”, i shtreson modelin e prozës psikologjike, vizionin specifik për karakteret e çuditshme.
    Alegoria e filozofisë së romanit nis që nga episodet e kohës së fëmijërisë, nga ambienti rural për t’u bartur në ambientin urban, pastaj mentaliteti, doket, zakonet, veset deri te shenjat e ashpërsisë njerëzore, në njërën anë dhe deri te përmbushja e lumturisë së njeriut, në anën tjetër.
    Gëzim Aliu i ka parashikuar gjashtëmbëdhjetë kapituj të këtij romani, ku secili kapitull është një episod i shkëlqyeshëm i rrëfimit, prandaj shkreptima figurative e përshkrimit mbizotëron, pothuajse,  në pjesën më të madhe të  rrëfimit.
    Topika e romanit e përcakton kohën dhe hapësirën, pikërisht me gjendjen shpirtërore të rrëfimtarit. Në Klubin e të shëmtuarve funksionon intriga e fabulës në raportin: rrëfimtari-Luani specialisti i estetikës, të cilët i thurin dhe i shthurin aktet e dramës së personazheve të tjera në ambiente të caktuara, aty ku shkallë-shkallë shtjellimi simbolik i imazheve krijon ambientin e figurshëm për rrëfim.Për më tepër, idealizimi dhe karakterizimi i situatave rrëfimore nënkuptohet përmes gjesteve dhe sjelljeve të personazheve, jo rrallë si harlisje e instinkteve të tyre për t’i motivuar skenat dashurore. Assesi, përshkrimi i tyre nuk ka të bëje me rutinën, që si zakonisht është e pranishme në tipin e romaneve me dekor realist, por është theksim i fuqishëm i komponentes stilistike dhe figurative, që del pikërisht nga esenca e rrëfimit dhe përshkrimit.

    Nivelet e shqiptimit të ngjarjeve

    Romani i ka dy nivele të shqiptimit të ngjarjeve. Niveli i pare, ndërlidhet me rrëfimin e ngjarjeve në kohën e tashme dhe niveli i dytë,  ndërlidhet me  përkujtimin e ngjarjeve nga koha e shkuar, ndërkaq  analiza e simbolikës së romanit, e cila projektohet  përmes Kokrrës së Zezë, e krijon tezën mbizotëruese  të rrëfimit që ndërlidhet me parandjenjën, e cila shpërfaqet  në marrëdhënie të caktuar me shenjat që krijojnë gjithmonë efekt të ri psikologjik në zhvillimin kronologjik të fabulës.

    Gëzim Aliu e funksionalizon rrëfimin përbrenda pyetjes së rrëfimtarit: ”në zemrën time rrotullohen vetëm dy gjëra-unë dhe Kokrra e Zezë”. Romani “Në Kubin e të shëmtuarve”, është roman i ndërtuar përmes episodesh, siç janë: shpërngulja në Shehër të Madh, detaji i varrosjes së gruas së dytë të xhaxhait, imazhi i shtëpisë së vjetër, rrëfimi për Bahtirin, rrëfimi për Selvijen, analogjia rrëfimore me filma të ndryshëm erotikë, pacientët që duhet të shërohen për të mos  dalluar të shëmtuarën dhe për ta paraqitur atë si të bukur (përcaktimi i kuotës së shëmtisë) deri te klithma e rrëfimtarit se e bukura nuk do të ekzistojë më. Të gjitha këto paraqiten me mjeshtëri në romanin e Gëzim Aliut.

    Po kështu, romani “Në Klubin e të shëmtuarve”, krijon një modalitet të ri në procesin e të rrëfyerit për të ndërtuar fushën semantike midis ngjarjes dhe kundërngjarjes. Ky fenomen është i pranishëm në situatat e krijimit të pesë pavijoneve të ndërtuara në laboratorin krijues të rrëfimtarit: pavijoni i pranimit, pavijoni i kontrollit, pavijoni i rrëfimit, pavijoni i pajtimit dhe pavijoni  i paqes. Tipizimi i personazheve, krijimi i tablove, i situatave dhe ngjarjeve, sikur ngjan me skenat, akttet dhe dramën shpirtërore të personazheve, si te “Komedia Hyjnore”  e Dantes. 

    Pra, bëhet fjalë për shërimin e Kokrrës së Zezë, një ndjeshmëri e shtresuar përmes rregullave të katarsisit, për t’i shenjuar pikat e afrimit dhe të largimit, midis asaj që është shpikur, tjetrës që është prani rrëfimore dhe asaj që mund të ndodhë, që është faktikisht filozofi e të përfytyruarit. Kësimënyre, mund të formësohej akti i rrëfimit dhe përftesa e përshkrimit: 

    “Në atë zbrazëtirë të kristaltë, vezulluese, gdhendej relievi i qytetit, i qytezës, i katundit, shihja edhe bllokun e shtatë ndërtesave të rrjepura, në njërën prej të cilave jetoja unë, në katin e tretë, nga dritarja e së cilës vështroja bërllokishtën dhe hollinën e tymit që shkonte përpjetë qiellit të mbushur me vranësira të zeza. Larg, shumë larg, plasaritje të kaltra, të herëpashershme, gjëmonin shurdhshëm, pa i dëgjuar askush.”

    Autori sikur bën një hulumtim sistematik,  për t’i evidentuar dhe karakterizuar fenomenet dhe dukuritë e  realitetit jetësor, madje sikur të ishte fushë e psikanalizës, për të ndërtuar formula fatesh në kuptimin e jetës dhe të ekistencës, madje  për të dëshmuar sikur të ishte rrëfimi i vërtetë dhe jo një trillim i bukur poetik e magjiplotë.   

    Synimi i ngjarjeve shpjegohet përmes tipizimit të personazheve në raport me fabulën, intrigën dhe rrëfimin. Episodet përshkruhen në mënyrë simbolike përmes përcaktimit të shenjave emërtuese për tipizimin e personazheve: të shëmtuar, gjysmë të shëmtuar apo në shëmtim e sipër.
    Metanarrativiteti në këtë roman ndërlidhen me zërin e narratorit, i cili e fton personazhin (Luanin) që të jetë bartës dhe realizues i veprimeve, pastaj rrjedha e rrëfimit funksionalizohet në disa plane të veprimit dhe të rrëfimit: njeriu me gungë maje hundës së madhe, gruaja me gjinj të mëdhenj e ballë të vogël; epiteti, gjesti, veprimi, hapja e dosjeve, postet, karrierizmi, defektet e shoqërisë, lakmia, prostitucioni; zhdukja e së bukurës dhe zëvendësimi i saj me të shëmtuarën, pastaj legjenda për Kokrrën e Zezë, si dhe ndjenja e katarsisit, e shqiptuar përmes rrëfimtarit për të ndodhurat në klubin e të shëmtuarve.

    Në kapitullin e nëntë të romanit shqiptohet më fuqishëm ironia ndërtekstuale. Pavijoni i rikthehet  rrëfimtarisë postmoderne, pikërisht me ngjarjet e ndodhura në ku frymon groteskja, ndodhitë e Sherifit, Azizit, Sheremetit; pastaj muret e bardha, lapsi, fletorja, dhoma e rrëfimit. Secili në mënyrën e vet në shkallën e vet  të ideografisë, për temat e përshkruara.
    Gëzim Aliu e funksionalizon strategjinë e rrëfimit, duke e kapërcyer sfondin moralizues për të arritur tek domethënia alegorike, nga kureshtja e rrëfimtarit deri te kënaqësia e personazhit.
    Gjithashtu, edhe fjalët: Kotësi, Gënjeshtër, Pakuptim, paraqiten në një kontekst të ri semantik, duke u bërë simbole përmes funksionit të tyre, ndërkaq dalja nga klubi i të shëmtuarve është realja e rikthyer në fantastikë. Aty zbërthehet kodi i rrëfimit përmes paragjykimit se çmenduria ishte udha më e lehtë për të mbërritur deri te shërimi, kështu që klithja e rrëfimtarit : “Shërimi varet nga vullneti yt nënshtrues  ta pranosh të shëmtuarën e ta urresh të bukurën”, është deshifrim i koncepteve estetike përbrenda dramaticitetit të ngjarjeve.

    Autori flet për një klub, në të cilin mbizotëron kategoria e personazheve të shëmtuara. Lumturia dhe virtyti i tyre ka të bëjë me shëmtinë, në një ambient ku shpiket misteri edhe për fytyrat e karakterizuara që shprehin gëzim, sikur edhe për ato që shprehin pikëllim. Në fakt, zvogëlimi apo zhdukja e shëmtisë sikur nënkuptohet nga parandjenja e rrëfimtarit për të hyrë në botën e llahtarshme të veprimit të skenave të përfytyruara. Mbase këtu kemi të bëjmë me parandjenjën e ikshme, pikërisht për atë se çka do të ndodhë në situatën tjetër të rrëfimit, mbase shkatërrimi i Klubit të shëmtuarve është fshirja e kujtesës.

    Duke e përkufizuar natyrën e zhvillimit të rrëfimit, përshkrimet e brendshme dhe të jashtme, gjithsesi, domethënia e ngjarjeve në romanin “Në Klubin e të shëmtuarve”, ndërlidhet me figurat e tablove të krijuara sipas statusit dhe pikëshikimit të rrëfimtarit për gjendjen psikologjike të personazheve, aty ku zbërthehet e ndodhura, mendësia provinciale, njohja, vetënjohja, kujtimi, ëndrra, halucinacioni, bota e kënaqësive fizike e shpirtërore, problemi dashuror e seksual, aventurizmi, vokabulari vulgar, etj.

    Romani “Në Klubin e të shëmtuarve”, është roman i ngjarjeve dhe njëkohësisht edhe roman i personazhit. Nëse personazhi, është shpirti i prozës, sipas Forsterit, në romanin e Gëzim Aliut, shpirti i prozës është rrëfimi. Gjithsesi, një rrëfim i mrekullueshëm me vlerë letrare dhe estetike në të gjitha nivelet.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË