Çka bëni ju atje të dielën
A dilni në ajër të pastër
Për gjimnastikë të mëngjesit
A i përjetoni të gjitha dhimbjet
Në secilën stinë të vitit
Si atëherë kur ishit në botën tonë
A iu merr malli ndonjëherë për ne
Kur çdo ditë shkurtoni vetëm mërzi
A i merrni shpirtrat me vete
Kur ndizet ai zjarr i madh
Në ferr e purgator
Në krojet e parajsës
A flasin me ju poetët
Pa fluturuar dallëndyshet e detit
Pa i kryer detyrat e shtëpisë
Çka iu thonë gratë e bukura
Sa herë mërziteni me heshtjen
Pa u mësuar kurrë me vdekjen
Pa ndërruar asnjë fjalë me njëri-tjetrin
A bjen shi atje ende pa shkrirë bora
Toka a dridhet si në pëllëmbë dore
Pa u larë në lumenjtë e parajsës
Të dielave herët në mëngjes
Ndoshta nuk e keni harruar notin
As rregullat e reja të lojës
Ku do t’i vjerrni çelësat e përjetësisë
Pa u ndryshkur nga vetmia
Pa iu treguar rojtarëve të dashurisë
Secili mund t’i vjedh kujtimet e pashkruara
Kur i matni hijet me këmbë të zbathura
Mos harroni dritaren mbyllur
Pa hyrë rrezja e parë e diellit
Derisa ta njihni vetveten
Para atyre pasqyrave ngjyrë varri
Ju çka bëni atje të dielën në mesditë
Gjumi a iu zë në krahun e djathtë
Pa lëshuar asnjë ofshamë
Pa derdhur asnjë pikë lot
Mos keni frikë nga shpejtësia e territ
Atje poshtë në udhën e ëndrrave
Është një qiell tjetër
Çka bëni ju atje të dielën në mbrëmje
A i pushoni shpirtrat në dritën e hënës
Kur i mbushni çantat me mollë të ndaluara
Me fruta të ëmbla
Kur i numëroni ngjyrat e ylberit
Dhe bëheni të lumtur
Si të parët e asaj bote
Mos flini aty përgjithmonë
Në shtretërit e bardhë
Pa çelur gur gojën
Pikërisht atje do të vijmë të gjithë
Duke prishur rendin
Atëherë ne
Çka do të bëjmë atje të dielën
Shënim:
Kjo poezi është nderuar me çmimin letrar “Ali Podrimja”, poezia më e mirë, e lexuar në edicionin e 60-të jubilar të Mitingut të Poezisë në Gjakovë, mbajtur më 8 nëntor 2024.
60-VJETORI I MITINGUT TË POEZISË NË GJAKOVË
Me Çmimin “Ali Podrimja” për poezinë më të mirë të lexuar në Orën e Madhe Letrare, është nderuar poeti Sali Bashota për poezinë “Çka bëni ju atje të dielën”, ndërsa fitues i çmimit për librin poetik më të mirë midis dy mitingjeve është nderuar poeti Lulzim Tafa, për librin “Rivali i Adamit”.
Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, organizoi manifestimin tradicional Mitingu i Poezisë në Gjakovë me Akademi Jubilare, për të shënuar 60 – vjetorin e themelimit.
Siç dihet, Mitingu i Poezisë është themeluar në vitin 1964, në qytetin e Gjakovës, ndërsa shumica e aktiviteteve janë organizuar në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Në ceremoninë solemne me fjalët e tyre përshëndetëse u paraqitën: Ardian Gjini, kryetar i Komunës së Gjakovës, Muharrem Kurti, kryetar i Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, shkrimtari Jusuf Buxhovi, njëri ndër themeluesit e Mitingut, Agim Byci etj.
U tha, se në aktivitetet e këtij Mitingu, vite më radhë madje edhe në periudha të mbijetesës së fjalës shqipe, përveç shkrimtarëve të Kosovës, kanë marrë pjesë shkrimtarë të njohur nga Shqipëria, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Visar Zhiti, Natasha Lako, Fatos Kongoli, Zija Çela e shumë të tjerë, si dhe poetë të shquar nga ish – republikat e Jugosllavisë, si Jasha Zllobec, Jevrem Bërkoviq etj.
Në Orën Qendrore të Mitingut, poezitë e tyre i lexuan Sabri Hamiti, Naime Beqiraj, Milazim Krasniqi, Sali Bashota, Lulzim Logu, Lulzim Tafa, Anton Marku, Migena Arllati, Prend Buzhala, Agim Desku etj.
Duke qenë se poezitë i nënshtrohen konkurrimit për çmimin “Ali Podrimja”, fitues i poezisë më të mirë, u shpall poeti Sali Bashota, me poezinë “Çka bëni ju atje të dielën”.
Çmimi letrar për krijues të rinj “Yllka Domi” iu nda katër nxënësve: Sara Gjoshi, Albiona Fetahu, Alisa Kodraj dhe Erjon Xhiha.
Në këtë përvjetor, Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, ndau Çmime Jubilare post – mortum, për ish-kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, shkrimtarin Din Mehmeti dhe shkrimtarin Teki Dërvishi. Me Çmime Jubilare u nderuan Jusuf Buxhovi, Besnik Mustafaj, Sabri Hamiti dhe Agim Byci, ndërsa me Mirënjohje Jubilare u nderuan Milazim Krasniqi, Agim Vinca, Naime Beqiraj, Jeton Kelmendi, Iljaz Bobaj, Qemajl Juniku, Albert Shala, Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë. Po kështu, me mirënjohje u nderua edhe kryesia e klubit “Gjon Nikollë Kazazi”, Muharrem Kurti, Engjëll I. Berisha, Migena Arllati dhe Vjollca Kuqi, pastaj Blerim Valla dhe Shefqet Dinaj, si dhe mediet Radio Gjakova dhe “Syri Vision”.
Me çmimin tradicional “Din Mehmeti”, për librin më të mirë të botuar midis dy mitingjeve u vlerësua poeti Lulzim Tafa për librin me poezi “Rivali i Adamit”.
Në kuadër të aktiviteteve të Mitingut, u promovua romani “Libri për Gjakovën”, i shkrimtarit Jusuf Buxhovi, dy libra të autores Diana Marku: “Brenga me fytyrë vajze” (poezi) dhe “Të gjithë poshtë urës” (dramë), libri me poezi “Duke pritur ditën e tetë”, i poetit Anton Marku dhe libri me tregime “Albani nuk flet shqip”, i autores Angjelina Marku.