More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSabri Hamiti: Zahiri, kipci i autorit (Me rastin e 70-vjetorit të lindjes...

    Sabri Hamiti: Zahiri, kipci i autorit (Me rastin e 70-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Zejnullah Rrahmani)

    Libri Djemtë e Ballofcit (2021) i Zejnullah Rrahmanit është libër binjak me librin e tij Tregimet e Ballofcit (2008). Në njërin karakterizim letrar përqendrohet në rrëfim, në tjetrin në personazh, ndërsa Ballofci del si topos letrar, kaq i lidhur me Autorin dhe pikëvështrimi e tij letrar.

    Duke e çmuar tregimin Dhe…Zahiri, si kurorë të librit Djemtë e Ballofcit, përqendrimi i leximit dhe interpretimit të tij, hap mundësinë për të shpaluar mënyrën e krijimit letrar të Zejnullah Rrahmanit, në këtë fazë të krijimtarisë së tij.

    Dy këmbë për t`u nisur në shtegtim dhe dy këmbë dhe për t`u kthyer, ja kushtet elementare për Autorin që nisë aventurën e imagjinimeve, të cilat stërpiken me pikat e reales dhe autentikes.

    Kanë kaluar decenie qëkur Zejnullah Rrahmani thuri enigmën ‘LB’N’ për të kërkuar zanoret e humbura të autenticitetit. Mbasi me thurjet e ndërliqshme romansore i gjeti zanoret për ta shqiptuar ALBANIN me veprat Zanoret e humbura, Sheshi i unazës, Udhëtimi arbdhetar e Romani për Kosovën; ka dy decenie që i lidh rruzaret e smaragdit për të shpallur autentiken si kërkim të përbotshëm për të zbuluar qenien e plotë të vetes, individualen. 

    Tashmë trajta letrare e braktis vullnetshëm ligjërimin si thurje për të pëlqyer kombinimet e mozaikut letrar. Ky prosede letrar thekson paradoksin e ri ku përsiatja krijon rrethin e ri imagjinativ që përcaktohet me toposet letrare Ballofc e Prishtinë, si pika mbështetëse të kohës në hapësirë, për ta lakuar lajtmotivin e dashurisë me sytë e Erosit që lotojnë në imagjinatën tejkohore. Kjo, pastaj, merr trajtën e veprës letrare, ku personazhet shumëzohen, porse janë përherë kipca të autorit, krijuesit.

    Tani, duke kaluar nëpër filtrin e poezisë, proza kalon në shkallën e flirtit me poezinë. Dhe Zena vijon të rendisë rruzuaret e smaragdit, me një ndjeshmëri prustiane (a la Proust), duke kulluar dhembjen që bëhet e bukur. Jo vetëm për të tallur sistemin letrar të shkak-pasojës me çudibërjen e zbulimit të mrekullitares.

    Po, jemi te trajta e prozës poetike që sajohet nga format e thjeshta, me figurën dhe enigmën e vet, e cila, kur synon formën e rrëfimit më të gjatë, në fakt është vetëm bashkim i kombinuar i formave të thjeshta.

    Këto venerime bëhen më të qarta, po të lexohet tregimi përmbyllës i librit Djemtë e Ballofcit, Dhe…Zahiri, që për shumëcka është kurorë e gjithë librit, duke qenë i lidhur edhe me tregimet Ylli e Meneliku.

    Tregimi nis me vetën e tretë neutrale të rrëfimit e të ekspozimit, për të vijuar menjëherë me vetën e parë të përbrendësimit e të poezisë. Në tregimin e përbërë nga 38 fragmente tekstesh të emërtuara, në trajtë të fragmenteve të prozës poetike, për të shpaluar edukimin sentimental dhe rritën cognitive të Zahirit, që nga fëmijëria deri në pjekuri, sa për t’iu drejtuar me dashuri Zotit të vet. Autori rendit në vepër letrare tekstet e fletoreve të Zahirit, të mbetura në dorëshkrim në kohën e vajtje-ardhjeve në vendlindje, duke u larguar, si një yll që përshkoi qiellin dhe u zhduk.

    Në të vërtetë ai nisi udhëtimin vetanak për të njohur Dritën, Lumturinë, Udhën e prirë nga Dashuria e dhembja e saj; për ta njohur të bukurën dhe njohjen dhe Kosmosin e Absolutin për të ndier aktin madhështor të krijimit. Është mrekullia e krijimit, nën veprimiin e habitshëm të imagjinatës, që të bëjnë poet e profet. Atëherë shfaqet shtretëtira në zemër, tretja e pasionit, vetmia për të përballuar jetën në mes të kurrkundit e të kurrfarës. Kriza e Unit kërkoj daljen që, në fragmentin 12, gjen degën e lisit për varje, si obsession e si shpëtim, duke imagjinuar variantet e vdekjes. Shpëtimi është gjithmonë Ti-a, sepse pa një Unë e një Ti nuk ka dashuri, bile as ligjërim për dashurinë. Zemrën e ngrirë nuk e shkrin as udhëtimi e njohja, përtej maleve e përtej deteve, por thirrja e emrit Zahir e ngjall pasionin. Duke ndier e hapur shpirtin Zahiri bëhet nyje para së cilës në trajtë të rrëfimeve personale happen rrëfimet e njerëzve për jetën si në një libër të hapur.

    Janë kujtimet personale, kur si fëmijë luan me diellin, e si djalë, kur e përshkon vapa, diellin e lëshon në kopshtin e Asaj si dhuratë fshehtësie.

    Dhe nis e nuk sos drama e dashurisë, e cila ngatërron kohët, vendet e moshat e individit, duke e prishur rendin e ëndërrave e të kujtimeve.

    Në fragmentin 19 Fitorja drama kërkon zgjidhjen mbasi tashmë janë skalitur protagonistët Djali, me diell në dorë e Vasha me hënë në kaptyell, që luan me hënën. Atëherë kipci i autorit bëhet autor, e autori i kipcit bëhet kipc: se jemi në botën mrekullitare të përrallës, të imagjinimit, ku realja dhe irealja shkëmbejnë dhuratat.

    Jemi në kohën kur nis faza e parantezës së madhe të interpretimit, që shtrihet në fragmente në tri tregime të lidhura: Ylli, Meneliku e Zahiri përballë Thanës, Lulediellës e Fitores, relacione të lidhura në faza të ndryshme të tekstit të dashuruar, në fëmijëri, në djalëri e në pjekuri, me ngjarjet në mal, në fushë e në qytet.

    Në rastin e parë: nën lis po rrinte djali (Ylli), kur vjen e puth në ëndërr bukuroshja (Thana). Në rastin e dytë: nën hije të mollës së egër po rrinte (Meneliku), kur iu shfaq përpara Lulediella, të cilën e pa si fatin e vet. Pamjet e shfaqjet e të dy rasteve, të shqiptuara në dimensione përrallore e fantastike, tani te tregimi Zahiri ndeshen me realen për të krijuar një dramë fantazmagorike, në një natë në Prishtinë, ku, mbas thirrjesh e takimesh, e kalojnë një udhëtim me veturë, nga Dardania deri te Bregu i Diellit në Prishtinë. Burri i pjekur që në Fitoren ngjason apo njeh dashurinë e përjetshme të Hanës e të Diellit, përderisa shtriga krijon eklipsin: Hana bëhet e zezë dhe mbulon Diellin ndërsa Fitorja me klithma zhduket, për të humbur rruga e kërkuar.

    Kur në fragmentin 22 Aktori shtrohet shtrati i konfesionit letrar, kalimi nga emocioni te refleksioni është punë e mbaruar. Ligjërimi i dorëzohet meditimit për Artistin, Librin, Librin e jetës, Mitin e krijuesit. Duke kaluar midis dramatikës së jetës kolektive dhe tragjedisë së fatit individual, Aktori e Artisti janë “komedianë të përditshmërisë”.

    “Ndonjëherë kur forca e krijimit na shtypë dhe e çmend natyrën tonë të përditshme, shënojmë disa shenja në letër, shkruajmë me fjalë të kuptueshme për gjëra të errëta.”

    Prandaj vjen lexuesi i çuditshëm, për të ngjallur botën e veprës siç është shfaqur në botën e krijuesit, bota si ka qenë e si do të jetë. Atëherë krijuesi do të thotë: “Njeri jam”, që kur rikujton veprimet e veta, për t`i bërë të lira në imagjinatën e pafrè. Ky refleksion lind prozën eseistike që i lidhë në mënyrë të barabartë mënyrën e krijimit e të komunikimit letrar dhe reflektimin e krijuesit si figurë zbuluesi, për të krijuar mitin e Librit, sepse “vetëm Libri mbijeton”; duke pasur në vete të lidhura: liri e robëri si dashuria, jetë e vdekje si përjetësia. Vetëm në shkallën sipërore të  vetërrëfimit artikulohen në trajtë të urtisë së moshës fjalët fatidike: “Kjo është buka ime, ky është gjaku im”; “Këtu lumtunia âsht vetëm nji dromcë, si grimcë sheqeri në bukën e pelimit”; Dashunia, zemërimi e urrejtja janë prej nji burimi”. Janë këto verseta për jetën e vdekjen të përsëritura në variante si rituali.

    Krijimi i Mitit të Krijuesit si Demiurg e do një ndodhi apo tregimin për një ndodhi. Kjo shpalohet në kragmentin/rrëfimin 29 Memorie. Djali lind në shêjë, është i shejuar në lindje “kur çelen zogjtë e shqiponjës”. Një shenjë që djali kishte të shkruar fatin në këtë botë; shpalohet memorja amtore e djalit. Prandaj, u pre kënduesi i kuqe u hodh mbi kulm të shtëpisë; u vu rrueza e mësyshit në flokë të djalit. Djali foshjnjë, djali barí e djali i arratisur përjetë lidh kontratën me shqiponjën, ky duke ushqyer zogjtë e saj, e ajo duke e ndjekur moshën e fatin e tij. Ajo fluturon përjetë mbas famullit të vet.

    Djali i shenjuar u bë krijues, duke njohur botën për ta zbuluar veten, në Libër të jetës në literaturë. E humbi vendlindjen për të gjetur atdheun, një copë toke të Kosovës, të cilën e rigjeti në letërsi duke shenjtëruar shkrimin e vet. Ligjërimin e vet të drejtë e të zhdrejtë e bazoi në idiomën e gegnishtes, duke e lakuar për të kaluar nga emocioni në nivel të refleksionit. Në këtë proces transformimi figura u bë dëshmi dhe dëshmia figure, për të kurorëzuar zhargonin e vet të autenticitetit letrar. Kërkoi të rrëfehet para hyjnisë së vet, duke iu drejtuar atij; I Dashtun. Porse rrëfimi i tij final bëhet nëpërmjet pyetjeve, që nënkuptojnë përgjigje; sepse e shkroi me dorë te vet në letrën e përbotshme: “Shenja të hyjnores kam në zemër, zjarr të përjetësisë në shpirt. Hyjnor jam”.

    Proza poetike e Zejnullah Rrahmanit është një kaptinë e re në veprën e tij, po dhe një zhvillim i llojit letrar në sistemin e letërsisë shqipe. Në këtë vështrim është e krahasueshme me sensibilitetin naimian të Erosit te Hi e zhpuzë (1915) e Lumo Skendos; me obsesionin vetënjohës të Narcisit te Pasqyrat e Narçizit (1934) të Ernest Koliqit; me Tat Tanushin e Bubutimes (1984) të Mitrush Kutelit e, më në fund, me madrigalet Dranja (1979) të Martin Camajt. Kudo dashuria posesive, ndonëse e pasqyruar me variante të shumta, që poetikisht mund të kthehen në një amëz poetike. Kudo ndjeshmëri e rrallë, fantazi, mallëngjim, gjuhë poetike e përrallore.

    Proza poetike me temën kapitale të dashurisë, me variantet e veta: dorëzimi, vetënjohja, mëkati, sprova e ndryshimit; dhe te Zena: dhembja e pafund.

    Tani Zenë i dashur (Zahir apo Z.) të ndjej e ta njoh mundin e gatimit të veprës, që nuk ka mbarim; se pati shkruar Lasgush Poradeci: “Bukuri! tmerisht e dashur/llaftari! tmerisht e bukur”, kurse diturakut plank antik i atribuohet të ketë thënë, shumë para se ta pinte kukutën “Scio me nihil scire”.

    Për ta bërë situatën më të lehtë, le të kalojmë nga komedia hyjnore në komedinë njerëzore, duke përsëritur që “gaca e mbulueme e gaca e shpalueme djeg njisoj, se âsht zjarr”, ashtu si “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr” mund ta ketë mbrapa edhe një “Shtatëdhjetë vjeç dhëndërr”.

    Zahiri, bimë e vendit: Cephalaria pastricensis (Kokrat e Pashtrikut) i kthyer nga personazhi autobiografik në figurë letrare. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË