Kreu Letërsi Kritikë Rudolf Marku: Shkrimtarët që rrjedhin nga pasardhësit (Një homazh për Migjenin)

Rudolf Marku: Shkrimtarët që rrjedhin nga pasardhësit (Një homazh për Migjenin)

1.

Jemi mësuar që në letërsi, dhe përgjithësisht, në krijimtarinë artistike, të mendojmë për paraardhësit që ndikuan më së tepërmi në krijimtarinë e autorëve. Te Asdreni duken qartë gjurmët dhe pëlqimet e Naim Frashërit.  Te Lasgush Poradeci mund të ndjesh afërsitë   e Asdrenit dhe të Emineskut. Proza e Mitrush Kutelit shfaq dukshëm pëlqimin e Nikola Gogolit, ashtu si dhe tregimet elegante dhe njëkohësisht dramatike të Ernest Koliqit të afrojnë me tregimet e Pirandelos. Në letërsinë botërore Walt Witman ka dhënë Pablo Neruden, Karl Sandberg dhe poetin beat generation Allan Ginsberg, po të përmendnim veç disa prej dishepujve të poetit të madh amerikan.  Në letërsinë  dhe në krijimtarinë artistike ky fenomen është ndër më të natyrshmit, sepse, siç  na thonë plot mendimtarë  dhe shkrimtarë të shquar, fundja e gjithë letërsia botërore është veç një libër i vetëm, dhe ne vetëm sa shkruajmë ca radhë në këtë libër të madh. Borhesi nga ana tjetër  thoshte se është e pamundur që të mos imitosh.  Puna është që të jesh i paimituar.

Por në këtë rregull të madh, ekzistojnë dhe ca krijues të një race tjetër: ata që nuk kanë paraardhës. Në letërsinë shqipe i tillë është Migjeni.   Shkrimtarët  si Migjeni, paradoksalisht  rrjedhin jo nga paraardhësit e tyre, por nga pasardhësit e tyre.  Janë krijues, vepra e te cilëve dominohet nga parandjenja e asaj që do të vijë në letërsi e në art. Janë krijues që përcaktohen nga një kohë që vjen pas vdekjes së  tyre, dhe jo nga koha që  ka ekzistuar më parë. Migjeni dhe shkrimtarët  si Migjeni e presin rrjedhën e kohës. Për ta koha rrjedh nga e ardhmja tek e sotmja.

2.

Shekulli i XX  do të mbetet në histori si shekulli i Proceseve, na thotë Milan Kundera.  Ne do të përmendnim vetëm shkrimtarët, artistët  dhe mendimtarët  që u akuzuan  gjatë shekullit të njëzet. Në vitet  njëzet të shekulli të kaluar, viktimat e Gjykatës së  Moralit të rreptë Revolucionar janë Andre  Bunin, Andrejev, Shostakoviç, Bulgakov, Isak Babel, Ana  Ahmetova, Mandelshtajm, Pasternak, Solxhenicin, Celine, Knut Hamsun. Jo më larg se në  vitin 1999, një  kryetar Bashkie në  Francë  refuzoi  që  në  shtëpinë  e lindjes së  F. Celin-it  të  vendosej një pllakë përkujtimore. Pas tyre presin radhën për  t’u gjykuar nga Proceset naziste: Breht, Thomas Mann  dhe Heinrick Mann, Lorca që  vritet në  mënyrën më  absurde… Vijnë  pastaj grupi që  akuzohet si  i  përlyer me Musolinin, Sain Jon Perse dhe më  i madhi prej tyre, Ezra Pound, i mbajtur në  një  kafaz hekuri në  diellin përvëlues të  qytetit Piza  nga ushtria amerikane. Por kjo nuk do ta shpëtojë  vepren  e Ezra Pound që   të  gjykohet rreptas nga komunistët, si një  vepër e errët dhe e pakuptueshme. Tek ne mjaftojmë të kujtojmë sulmet dhe denigrimet ndaj Fishtës, Konicës, Koliqit dhe Kutelit, të quajtur koloboracionistë – një term aq i pëlqyer prej ca mendjeve të klasit të katërt dhe sot e kësaj dite – bash prej atyre që kolaburuan me jugosllavinë titiste, rusinë staliniste dhe Kinën e revolucionit kriminal kultural…Një  grup shkrimtarësh dhe krijuesish gjykohen njëherazi nga komunistët dhe fashistët: Pier Paolo Pasolini është  një  komunist që  shpreh haptazi simpatinë e tij të  thellë  për Ezra Pound, duke u bërë  njëherësh armik i së  majtës dhe i së  djathtës. Po këtë  kish bërë  në  vitin 1954 Ernest Heminguej. Dhe kjo tregon fare qartë se, duke përdorur ambalazhin e sulmeve  politike, në  fakt këta Procese e kanë  me veprën artistike.

3.

Në  asnjë vend tjetër të botes së Qytetëruar Proceset nuk kanë qene më të suksesshme se sa në  vendin tonë. Ngase vendi ynë ka  patur  dhe vazhdon të  ketë  një legjitimitet  të konsoliduar të perandorisë Osmane, që predispozon një bezdisje të qitabxhive të  administratës kundër mendimit intelektual dhe kundër krijimtarisë.

Pasi kemi dënuar Fishtën, Konicën, Koliqin, Mitrush Kutelin, Vincent Prenushin, Ndoc Nikajn, Lazër Shantojën, i jemi kthyer shkrimtarëve botërorë, duke dënuar me tonet me serioze Bodlerin, Verlenin, Rembon, Pikason, Kafkën, John Updike-n si shkrimtarë  imoralë  dhe dekadentë  që  duheshin mbajtur sa me larg nga lexuesi ynë  i panjollë  dhe i virtytshëm. Edhe Kadare shpesh herë  i nënshtrohet një Procesi  të dyfishtë: në kohen e Komunizmit ai konsiderohej nga gjykuesit puritan si tepër i dyshimtë   dhe si rrënues i kështjellës së  Komunizmit; në periudhën  postkomuniste shpeshherë   ai akuzohet nga të  njëjtit   gjyqtarë hipokritë  si  një njeri që ka bërë flirte me komunizmin.

4.

Nga  shumë  njerëz naivë  mendohet se Migjeni akuzohet si një shkrimtar ateist dhe antiklerikal. Për këtë  arsye, mendojnë ata, si mund të  qëndrojë Migjeni në  të  njëjtin komunitet letrar me Fishtën a Lazër Shantojën?    Si mund të  qëndrojë  Migjeni në të njëjtin komunitet me shkrimtarë , ta zemë, si Ernest Koliqi, Martin Camaj apo Arshi Pipa?

Ashtu si të gjithë shkrimtarët e talentuar, Migjeni shpesh herë, në mënyrë të heshtur, është vënë në bankën e të akuzuarve për shkak të krijimtarisë së tij.  Njerëzit  mediokër nuk e durojnë talentin dhe mendimin e lirë. Është historia e vjetër e Mozartit me Salierin.  Jo domosdoshmërisht me Salierin krijues.  Salierë  të politikës, të mendimit estetik, Salierë të kritikës letrare dhe të mendimit letrar, Salierë të administratës.  Mendimi se Migjeni nuk përkujtohet nga arsyeja se ai është antiklerikal, ateist dhe përkrahës i komunizmit është një mit i shpikur nga gjykatësit modern që duan ta fshehin arsyen e vërtetë  brenda një ambalazhi imponues  politik.

Mendimi (i shprehur a i pa shprehur) se Migjeni dhe Fishta, Koliqi,  Prenushi, Anton Arapi, përjashtojnë  njëri-tjetrin është një  mendim spekulativ,  po aq sa dhe mendimi tjetër,  se Migjenin ndonjëherë përpiqen  ta vendosin në rrethinat e letërsisë  shqipe  nga shkaku i klerit katolik. Imzot Zef Simoni, në  librin me studime nga letërsia shqipe (“Letërsia e parë ndryshe”), i jep një vend të veçantë  Migjenit, duke e çmuar së  tepërmi talentin e tij dhe kontributin e tij në letërsinë tonë. Ernest Koliqi qe ndër njerëzit që e ndihmoi pa rezerva Migjenin, duke   e çmuar ndër të parët talentin e tij. Por mendimi se shkrimtarë të ndryshëm përjashtojnë njëri-tjetrin, është një mendim që nuk ka të bëj me letërsinë dhe gjykimin  estetik  të saj. Mendimi i pranuar natyrshëm se një  letërsi është më e pasur kur ka zëra  nga më të ndryshëm, duket se nuk ngjet te ne. Uniformiteti i mendimit në jetën shqiptare ka përpunuar shije te dyshimta sidomos tek gjykuesit zyrtar të letërsisë. Shija e kritikes shqiptare, e përpunuar në ca punishte universitare, ka këmbëngulur dhe vazhdon të këmbëngul që orkestra simfonike duhet të përmbaje vetëm një  a dy instrumente frymore, dhe vetëm kaq.  Por neglizhimi i Migjenit do të ishte po aq i mëkatshëm sa  ç’ishte dje dënimi i Fishtës, Konicës dhe i Koliqit. Sepse Letërsia e vërtetë është pranuese, jo përjashtuese. Sidomos  jo përjashtuese për ca arsye të politikës së ditës.

5.

E  gjithë krijimtaria e Migjenit jo vetëm që nuk i kundërvihet Krishterimit, por në të kundërt, është në thelb e krishterë. Nuk them se është klerikaliste, them se është e krishterë. Nuk është faji  i  Migjenit se spekulantë të ndryshëm u përpoqën që rebelizmin niçeanian të tij ta keqpërkthejnë në simpati të komunizmit (“Të Lindet  Njeriu” ka madje si nëntitull Dithiramb Niçean). Nuk është faji i Migjenit që spekulantë të proceseve shpikin si element determinues të krijimtarisë së  Migjenit miqësitë e paprovuar me Vojo Kushin e panjohur a me furrtarin terrorist Vasil Shanto a me ca personazhe minore të grupeve komuniste të Shkodrës. Të gjitha këto një studiues i përkushtuar  ndaj principeve  estetike i injoron lehtësisht si të parëndësishme për analizën e veprës së Migjenit.

Migjeni shkrimtar i krishterë? – do të  thonë në mënyrë jokomforte shumë lexues. Them se po, ngase Migjeni në të  gjithë krijimtarinë e vet ka një ndjeshmëri  të jashtëzakonshme kristiane për të ndjerë vuajtjet e të  tjerëve.  Ka një ndjeshmëri të pabarabartë me asnjë shkrimtar tjetër të letrave shqipe  për t’iu afruar të vuajturve, të pangopurve, lypsave dhe prostitutave, zhelemelave dhe fëmijëve të leckosur, për t’u bërë njësh me to. Migjeni ka një dhembshuri kristiane në gjithë krijimtarinë e vet. Dhe nëse ai konfrontohet me klerikët, këtë e bën se ai mendonte se klerikët kanë filluar ta harrojnë varfërinë dhe mjerimin e të varfërve. Kanë filluar ta humbasin ndjeshmërinë për të ndjerë varfërinë… Kjo ndjeshmëri  e bën  Migjenin ndoshta shkrimtarin më të krishterë  të letërsisë tone.  Është e vërtetë se  Migjeni  jo  rrallëherë paraqet lypsat nën hijen indiferente te kishave e te xhamive.  Por kjo nuk e pengon Migjenin që të jetë një shkrimtar i krishterë. A nuk ishte dhe Shën Françesku ai që kritikonte në kohën e vet  mosndjeshmërinë e  priftërinjve ndaj  të varfërve? Skepticizmi ndaj klerikalizmit nuk e përjashton mbrojtjen dhe simpatinë e thellë për Krishterimin. Dhe në kritikën e Migjenit nuk ka malicitet, nuk gjejmë atë cinizmin e mbrapsht të Niçes; ka vetëm një dhembje njerëzore për ata që sot, më tepër se kurrë, janë të përjashtuar nga letërsia shqipe si të padenjë për t’u marrë si objekt i saj.

Në mendjen time Migjenin gjithmonë e kam përqasur me poetin anglez Wilfrid Oëen. Wifrid  Owen i vrarë në moshën 23 vjeçare.  Migjeni   vdekur në  moshën 27-vjeçare. Një poemë te Owenit të titulluar “Pandjeshmëri” mund ta kishte shkruar në të njëjtat rrethana dhe Migjeni.  Sepse asgjë nuk ka urryer më shumë poeti ynë se sa pandjeshmërinë.  Atë pandjeshmëri  që është normë morale e jetës së shoqërisë sonë në kohërat moderne  të shekullit  të XXI.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Roland Gjoza: Kënga e fundit e mjellmës, apo…

Faslli Haliti na la, zemra e tij e artë u këmbye me amshimin. Ajo ngeci për njeriun dhe rron për përjetësinë. Atje...

Xhevair Lleshi: Faslli Haliti, shpirti i poetit si arë e punuar…

Mos më shiko nga duart për ndonjë dhuratë, / Dhurata më e bukur e duarve – / Shtrëngimi. Ai recitoi me mërmërimë...

Poezi nga Sadik Bejko

Brigje dhe brezni Gjyshit tim Për mua fëmijënpleqtë ishin të përjetshëm si brigjet(s’dija ç’ishte vdekja:djemtë do...

Nehas Sopaj: Dritëhija, këndi nga vëzhgohet bota

(Ramadan Rexhepi: Udhëkryqi, roman, Agoraprint, Shkup, 2021) Vepra e parë e shkrimtarit Ramadan Rexhepi, Kumbonaret, është libër me...

KATEGORITË