1.
Jemi mësuar që në letërsi, dhe përgjithësisht, në krijimtarinë artistike, të mendojmë për paraardhësit që ndikuan më së tepërmi në krijimtarinë e autorëve. Te Asdreni duken qartë gjurmët dhe pëlqimet e Naim Frashërit. Te Lasgush Poradeci mund të ndjesh afërsitë e Asdrenit dhe të Emineskut. Proza e Mitrush Kutelit shfaq dukshëm pëlqimin e Nikola Gogolit, ashtu si dhe tregimet elegante dhe njëkohësisht dramatike të Ernest Koliqit të afrojnë me tregimet e Pirandelos. Në letërsinë botërore Walt Witman ka dhënë Pablo Neruden, Karl Sandberg dhe poetin beat generation Allan Ginsberg, po të përmendnim veç disa prej dishepujve të poetit të madh amerikan. Në letërsinë dhe në krijimtarinë artistike ky fenomen është ndër më të natyrshmit, sepse, siç na thonë plot mendimtarë dhe shkrimtarë të shquar, fundja e gjithë letërsia botërore është veç një libër i vetëm, dhe ne vetëm sa shkruajmë ca radhë në këtë libër të madh. Borhesi nga ana tjetër thoshte se është e pamundur që të mos imitosh. Puna është që të jesh i paimituar.
Por në këtë rregull të madh, ekzistojnë dhe ca krijues të një race tjetër: ata që nuk kanë paraardhës. Në letërsinë shqipe i tillë është Migjeni. Shkrimtarët si Migjeni, paradoksalisht rrjedhin jo nga paraardhësit e tyre, por nga pasardhësit e tyre. Janë krijues, vepra e te cilëve dominohet nga parandjenja e asaj që do të vijë në letërsi e në art. Janë krijues që përcaktohen nga një kohë që vjen pas vdekjes së tyre, dhe jo nga koha që ka ekzistuar më parë. Migjeni dhe shkrimtarët si Migjeni e presin rrjedhën e kohës. Për ta koha rrjedh nga e ardhmja tek e sotmja.
2.
Shekulli i XX do të mbetet në histori si shekulli i Proceseve, na thotë Milan Kundera. Ne do të përmendnim vetëm shkrimtarët, artistët dhe mendimtarët që u akuzuan gjatë shekullit të njëzet. Në vitet njëzet të shekulli të kaluar, viktimat e Gjykatës së Moralit të rreptë Revolucionar janë Andre Bunin, Andrejev, Shostakoviç, Bulgakov, Isak Babel, Ana Ahmetova, Mandelshtajm, Pasternak, Solxhenicin, Celine, Knut Hamsun. Jo më larg se në vitin 1999, një kryetar Bashkie në Francë refuzoi që në shtëpinë e lindjes së F. Celin-it të vendosej një pllakë përkujtimore. Pas tyre presin radhën për t’u gjykuar nga Proceset naziste: Breht, Thomas Mann dhe Heinrick Mann, Lorca që vritet në mënyrën më absurde… Vijnë pastaj grupi që akuzohet si i përlyer me Musolinin, Sain Jon Perse dhe më i madhi prej tyre, Ezra Pound, i mbajtur në një kafaz hekuri në diellin përvëlues të qytetit Piza nga ushtria amerikane. Por kjo nuk do ta shpëtojë vepren e Ezra Pound që të gjykohet rreptas nga komunistët, si një vepër e errët dhe e pakuptueshme. Tek ne mjaftojmë të kujtojmë sulmet dhe denigrimet ndaj Fishtës, Konicës, Koliqit dhe Kutelit, të quajtur koloboracionistë – një term aq i pëlqyer prej ca mendjeve të klasit të katërt dhe sot e kësaj dite – bash prej atyre që kolaburuan me jugosllavinë titiste, rusinë staliniste dhe Kinën e revolucionit kriminal kultural…Një grup shkrimtarësh dhe krijuesish gjykohen njëherazi nga komunistët dhe fashistët: Pier Paolo Pasolini është një komunist që shpreh haptazi simpatinë e tij të thellë për Ezra Pound, duke u bërë njëherësh armik i së majtës dhe i së djathtës. Po këtë kish bërë në vitin 1954 Ernest Heminguej. Dhe kjo tregon fare qartë se, duke përdorur ambalazhin e sulmeve politike, në fakt këta Procese e kanë me veprën artistike.
3.
Në asnjë vend tjetër të botes së Qytetëruar Proceset nuk kanë qene më të suksesshme se sa në vendin tonë. Ngase vendi ynë ka patur dhe vazhdon të ketë një legjitimitet të konsoliduar të perandorisë Osmane, që predispozon një bezdisje të qitabxhive të administratës kundër mendimit intelektual dhe kundër krijimtarisë.
Pasi kemi dënuar Fishtën, Konicën, Koliqin, Mitrush Kutelin, Vincent Prenushin, Ndoc Nikajn, Lazër Shantojën, i jemi kthyer shkrimtarëve botërorë, duke dënuar me tonet me serioze Bodlerin, Verlenin, Rembon, Pikason, Kafkën, John Updike-n si shkrimtarë imoralë dhe dekadentë që duheshin mbajtur sa me larg nga lexuesi ynë i panjollë dhe i virtytshëm. Edhe Kadare shpesh herë i nënshtrohet një Procesi të dyfishtë: në kohen e Komunizmit ai konsiderohej nga gjykuesit puritan si tepër i dyshimtë dhe si rrënues i kështjellës së Komunizmit; në periudhën postkomuniste shpeshherë ai akuzohet nga të njëjtit gjyqtarë hipokritë si një njeri që ka bërë flirte me komunizmin.
4.
Nga shumë njerëz naivë mendohet se Migjeni akuzohet si një shkrimtar ateist dhe antiklerikal. Për këtë arsye, mendojnë ata, si mund të qëndrojë Migjeni në të njëjtin komunitet letrar me Fishtën a Lazër Shantojën? Si mund të qëndrojë Migjeni në të njëjtin komunitet me shkrimtarë , ta zemë, si Ernest Koliqi, Martin Camaj apo Arshi Pipa?
Ashtu si të gjithë shkrimtarët e talentuar, Migjeni shpesh herë, në mënyrë të heshtur, është vënë në bankën e të akuzuarve për shkak të krijimtarisë së tij. Njerëzit mediokër nuk e durojnë talentin dhe mendimin e lirë. Është historia e vjetër e Mozartit me Salierin. Jo domosdoshmërisht me Salierin krijues. Salierë të politikës, të mendimit estetik, Salierë të kritikës letrare dhe të mendimit letrar, Salierë të administratës. Mendimi se Migjeni nuk përkujtohet nga arsyeja se ai është antiklerikal, ateist dhe përkrahës i komunizmit është një mit i shpikur nga gjykatësit modern që duan ta fshehin arsyen e vërtetë brenda një ambalazhi imponues politik.
Mendimi (i shprehur a i pa shprehur) se Migjeni dhe Fishta, Koliqi, Prenushi, Anton Arapi, përjashtojnë njëri-tjetrin është një mendim spekulativ, po aq sa dhe mendimi tjetër, se Migjenin ndonjëherë përpiqen ta vendosin në rrethinat e letërsisë shqipe nga shkaku i klerit katolik. Imzot Zef Simoni, në librin me studime nga letërsia shqipe (“Letërsia e parë ndryshe”), i jep një vend të veçantë Migjenit, duke e çmuar së tepërmi talentin e tij dhe kontributin e tij në letërsinë tonë. Ernest Koliqi qe ndër njerëzit që e ndihmoi pa rezerva Migjenin, duke e çmuar ndër të parët talentin e tij. Por mendimi se shkrimtarë të ndryshëm përjashtojnë njëri-tjetrin, është një mendim që nuk ka të bëj me letërsinë dhe gjykimin estetik të saj. Mendimi i pranuar natyrshëm se një letërsi është më e pasur kur ka zëra nga më të ndryshëm, duket se nuk ngjet te ne. Uniformiteti i mendimit në jetën shqiptare ka përpunuar shije te dyshimta sidomos tek gjykuesit zyrtar të letërsisë. Shija e kritikes shqiptare, e përpunuar në ca punishte universitare, ka këmbëngulur dhe vazhdon të këmbëngul që orkestra simfonike duhet të përmbaje vetëm një a dy instrumente frymore, dhe vetëm kaq. Por neglizhimi i Migjenit do të ishte po aq i mëkatshëm sa ç’ishte dje dënimi i Fishtës, Konicës dhe i Koliqit. Sepse Letërsia e vërtetë është pranuese, jo përjashtuese. Sidomos jo përjashtuese për ca arsye të politikës së ditës.
5.
E gjithë krijimtaria e Migjenit jo vetëm që nuk i kundërvihet Krishterimit, por në të kundërt, është në thelb e krishterë. Nuk them se është klerikaliste, them se është e krishterë. Nuk është faji i Migjenit se spekulantë të ndryshëm u përpoqën që rebelizmin niçeanian të tij ta keqpërkthejnë në simpati të komunizmit (“Të Lindet Njeriu” ka madje si nëntitull Dithiramb Niçean). Nuk është faji i Migjenit që spekulantë të proceseve shpikin si element determinues të krijimtarisë së Migjenit miqësitë e paprovuar me Vojo Kushin e panjohur a me furrtarin terrorist Vasil Shanto a me ca personazhe minore të grupeve komuniste të Shkodrës. Të gjitha këto një studiues i përkushtuar ndaj principeve estetike i injoron lehtësisht si të parëndësishme për analizën e veprës së Migjenit.
Migjeni shkrimtar i krishterë? – do të thonë në mënyrë jokomforte shumë lexues. Them se po, ngase Migjeni në të gjithë krijimtarinë e vet ka një ndjeshmëri të jashtëzakonshme kristiane për të ndjerë vuajtjet e të tjerëve. Ka një ndjeshmëri të pabarabartë me asnjë shkrimtar tjetër të letrave shqipe për t’iu afruar të vuajturve, të pangopurve, lypsave dhe prostitutave, zhelemelave dhe fëmijëve të leckosur, për t’u bërë njësh me to. Migjeni ka një dhembshuri kristiane në gjithë krijimtarinë e vet. Dhe nëse ai konfrontohet me klerikët, këtë e bën se ai mendonte se klerikët kanë filluar ta harrojnë varfërinë dhe mjerimin e të varfërve. Kanë filluar ta humbasin ndjeshmërinë për të ndjerë varfërinë… Kjo ndjeshmëri e bën Migjenin ndoshta shkrimtarin më të krishterë të letërsisë tone. Është e vërtetë se Migjeni jo rrallëherë paraqet lypsat nën hijen indiferente te kishave e te xhamive. Por kjo nuk e pengon Migjenin që të jetë një shkrimtar i krishterë. A nuk ishte dhe Shën Françesku ai që kritikonte në kohën e vet mosndjeshmërinë e priftërinjve ndaj të varfërve? Skepticizmi ndaj klerikalizmit nuk e përjashton mbrojtjen dhe simpatinë e thellë për Krishterimin. Dhe në kritikën e Migjenit nuk ka malicitet, nuk gjejmë atë cinizmin e mbrapsht të Niçes; ka vetëm një dhembje njerëzore për ata që sot, më tepër se kurrë, janë të përjashtuar nga letërsia shqipe si të padenjë për t’u marrë si objekt i saj.
Në mendjen time Migjenin gjithmonë e kam përqasur me poetin anglez Wilfrid Oëen. Wifrid Owen i vrarë në moshën 23 vjeçare. Migjeni vdekur në moshën 27-vjeçare. Një poemë te Owenit të titulluar “Pandjeshmëri” mund ta kishte shkruar në të njëjtat rrethana dhe Migjeni. Sepse asgjë nuk ka urryer më shumë poeti ynë se sa pandjeshmërinë. Atë pandjeshmëri që është normë morale e jetës së shoqërisë sonë në kohërat moderne të shekullit të XXI.