More
    KreuLetërsiShënime mbi libraRudolf Marku: Historia e një poezie që u dënua me vdekje 

    Rudolf Marku: Historia e një poezie që u dënua me vdekje 

    1.

    Në një bisedë me poetin dhe studiuesin Sadik Bejko rreth Antologjisë së Poezisë Moderne Shqipe, me të cilën sapo kisha filluar të merresha, ai më sugjeroi që të mos harroja poezinë e Asdrenit Mërzi Vjeshte. Është një poezi aq e bukur, më paralajmëroi ai,  jo krejtësisht me të qeshur, sa e pat kritikuar dhe Koço Bihiku, shefi i dikurshëm i kritikës së soc-realizmit tonë. Asdreni është një poet që, si shumë poetë të kësaj Bote, ka një lidhje intime dhe shpirtërore me stinën e  Vjeshtës. Ka tre-katër poezi që ia kushton kësaj Stine, e cila  në anglishten e amerikanëve thërritet Fall, rënje, rënia e gjetheve, rënia e gjendjes shpirtërore, rënia e gëzimit të Verës që sapo shkoi. Thashë se Mërzi Vjeshte mund të jetë ndonjëra nga këto poezi të lexuara herët, të cilat i kujtoja se i kisha lexuar shumë vite më parë, dhe që nuk më kishin lënë ndonjë përshtypje të veçantë. I rilexova edhe një herë të gjitha poezitë për Vjeshtën, të shkruara nga Asdreni. Nuk bindesha se poezia për të cilën më kishte folur Bejko ishte njëra prej tyre. I shkrova edhe njëherë mikut tim, i cili më tha se dhe ai vetë e kishte me të dëgjuar se Asdreni kishte një poezi shumë të bukur, tronditëse bodleriane, me këtë titull, por ai vetë nuk kishte arritur ta gjente gjëkundi që ta lexonte.

    Bleva të gjitha vëllimet poetike të Asdrenit, që munda të gjejë, nëpër Librari dhe tek shitësit ambulantë të rrugëve. Asnjëra prej tyre nuk e kishte poezinë me titull Mërzi Vjeshte.

    Historia e poezisë së Asdrenit pak nga pak po merrte natyrën e një triller të  romaneve të Agatha Christe-it dhe të Arthur Conan Doyle! Në Bibliotekën Kombëtare porosita të gjithë  përmbledhjet poetike të botuara në Tiranë dhe në Prishtinë. Qenë ndoca mbi tridhjetë a dyzet botime, nëpër vite, por në asnjërën prej tyre nuk gjendej një poezi me titull Mërzi Vjeshte. U kujtova për Bibliotekën e Françeskanëve të Shkodrës. Dija se Asdreni, së bashku me Lasgush Poradecin, në Shkurtin e vitit 1938, u  patën  ftuar në Shkodër, nga At Gjergj Fishta dhe Ernest Koliqi- vizitë e përjetësuar në një fotografi brilante të Marubit. M’u kujtua se Asdreni i pat dhuruar bibliotekës Françeskane të Shkodrës tre vëllimet e veta poetike “Rreze dielli’’- botim i vitit 1904, Bukuresht, ‘’Ëndrra dhe lotë’’- Bukuresht, në 1912 si dhe librin poetik ‘’Psalme Murgu’’, po në kryeqytetin rumun, në vitin 1930. Mërzi Vjeshte duhej të qe botuar në librin ‘’Psalme Murgu’’- njëri nga dy a tre librat  më të mirë dhe më të rëndësishëm poetikë të  letërsisë Shqipe, i konsideruar që herët nga Eq’rem Çabej si libri i parë që shënon hyrjen e frymës moderniste në gjithë letërsinë Shqipe (një parantezë- kjo konsideratë e Eq’rem Çabejt shpesh herë, prej studjuesve retard të letersisë tonë, kam parë në dy vende t’i atribuohet gabimisht amatorit dashamirës Robert Elsie-t!!!). Gjithashtu, i kujdesshmi Çabej vë re se nuk është Migjeni ai që shkruan për herë të parë në poezinë Shqipe me varg të lirë, siç thuhet në një korale tipike të studiuesve tanë, por është Asdreni. Provë e kësaj është, krahas shumë provave të tjera, dhe poezia Mërzi Vjeshte. Dhe do  mjaftonte   kjo konsideratë e lartë e Çabejt, se Asdreni është i pari modernist i letërsisë Shqipe, që ai të shihej me dyshim prej studiuesve të vigjilencës së pastërtisë ideologjike.

    I telefonova një mikut tim, profesor në Universitetit e Shkodrës, të ma siguronte kopjen e Psalme Murgu – që ta lexoja në Bibliotekën Françeskane. Shkova atje dhe më së fundi enigma e poezisë së shumë kërkuar u zgjidh: Mërzi Vjeshte qe botuar vërtetë, siç e mora me mënd, në librin Psalme Murgu.

    2.

    Është e tepert të them se poezia e Asdreni e sipërpërmendur është njëra ndër poezitë më të tronditëse të poezisë shqipe, dhe njëra ndër poezitë e para  ekzistencialiste dhe simboliste, poezi e kerkimeve formale dhe e përsosmërisë së formës, më e afërm ndoshta nga çdo poezi tjetër Shqipe, me poezinë më të mirë Europiane   dhe atë botërore. Por po aq tronditëse është dhe fati i saj. I botuar vetëm një herë, në librin Psalme Murgu– ajo u bë object qitjeje e shefit Zhdanovist të kritikës letrare. Ndonëse poezi e krijuesit të Hymnit të Flamurit, poezia e një patrioti të madh, kjo poezi e kritikuar  njëherë, nuk pa asnjëhere tjetër një ribotim të dytë (gazeta ExLibris ka nderin ta botojë sot për herë të dytë, pas botimit në librin e Asdrenit në 1930, këtë poezi në këtë numër!).

     Paradoksi më i madh është se Asdreni, ndryshe nga Fishta,  apo Koliqi, Haxhiademi a ndonjë tjetër, nuk qe i përfshirë tek autorët e ndaluar për shkaqe ideologjike. E megjithatë poezia e tij Mërzi Vjeshte nuk u botua kurrë,edhe pse antologjitë e poezisë Shqipe e përfshinin Asdrenit si njërin ndër poetët e njohur shqiptar. Cilat ishin arsyet e kësaj ndalese kokëforte?

    Mendoj se kritikët letrarë dhe studiuesit e letërsisë tek ne lavdëronin në rresht dhe shanin në rresht- në një rresht të disiplinës dhe atrofizimit mendor dhe estetik militarist- një zakon dhe mentalitet  që shumica e kritikëve e kanë të trashëguar sot e kësaj dite. Mjafton që poezia e Asdrenit të shahej njëherë nga Shefi i kritikës, a nga dikush tjetër, pas kuintave, mjaftonte që ajo të konsiderohej e vrarë, e asgjësuar, mos-ekzistente nga një studiues me autoritet  zyrtar si një poezi e dyshimtë dekadente, dhe që nuk i bën nder emrit të Adrenit, dhe menjëherë  pas këtij verdikti death penalty, asnjë studjues tjetër shqiptar, duke përfshirë dhe një asdrenolog si Qosja përtej kufirit  shtetëror me gjemba të  Tiranës zyrtare, nuk pat guxuar t’i afrohet kësaj poezie të prekur nga leproza e dënimit ideologjik!

    Por krahas këtij dënimi tipologjik bihikian, kemi vlerësimin teorik të Çabejt.

    Çabej, ndonëse krijon kurorën teorike të romantizmit, nuk mbetet këtu, me që tek ai nuk ka pushuar dëshira  kërkimtare për të  krijuar, një skicë të historisë së letërsisë shqipe. Dhe përpara i shfaqet i zbuluar “Asdreni që formon kalimin nga brezi i kaluar në poezinë moderne shqiptare.
    Brezi i kaluar, për Çabejn,  janë: Jeronim de Rada e Naim Frashëri e brezi i ardhshëm është poezia moderne shqiptare. Asdreni është kalimi. Pra, cili është ky kalim si inicim e si rezultat?
    Çabej saktëson që ky kalim ka tendencën që poezia të shngarkohet nga detyrimet nacionale për t’u bërë më tepër vepër arti. Çabej  këtë përpiqet ta dëshmojë nëpërmjet karakterizimit të poezisë së Asdrenit që shkon kah përsosmëria formale. Përshkruhen veprat lirike të Asdrenit: Rreze djelli, Ëndrra e lotë e Psalme murgu, që kanë strukturë formale poetike, për të perfunduar, për autorin, se “ay është mjeshtër i formës”. Por ky vlerësim i Çabejt duket se vetëm i ka prishur punë Asdrenit, duke i ngatërruar dhe xhelozuar keqas kritikët skematikë.

    Duke lexuar Antologjitë poetike para-rendëse, që mbajnë si emëra hartuesish ca emëra akademikësh të sterilizuar, gjendesh përpara një fenomeni shumë interesant : 30 e më shumë hartues Antologjish jo vetëm që zgjedhin të njëjtit autorë, por dhe të njëjtat poezi të këtyre autorëve. Si ka mundësi që tridhjetë Hartues të ndryshëm Antologjish pelqejnë të gjithë, në kor, të njejtat poezi të 80 autorëve të ndryshëm, kur krijimtaria e këtyre autorëve mund të numërojë mbi 300 poezi të ndryshme seicili perj tyre? Po të shohësh me kujdes Antologjitë e botuara  gjatë dekadave, e që nuk janë të pakta, ajo që bie në sy është  se  krijimtaria e zgjedhur prej autorëve është pothuajse e njëjta nga Antologjia në Antologji, edhe pse hartuesit e tyre janë të ndryshëm. Ky lloj uniformiteti në shije tregon se  studiuesit tanë vazhdojnë të qëndrojnë në rrjesht, duke respektuar vijat e bardha të vendosura nga baballarët e tyre Bihikianë!

    Kriteri më i injoruar dhe më i harruar nga hartuesit e mëparshëm të Antologjive tek ne- është shija estetike e atij që zgjedh nga krijimtaria e autorëve. Një studiuesve e letërsisë, shijet poetike të së cilës nuk mund ta shkapërcejnë lavdërimin e poezisë së Çajupit (deri këtu nuk ka asgjë të keqe, që të pëlqesh Çajupin), nuk mund ta gjykojë poezinë Mërzi Vjeshte, e aq më tepër poezinë bashkëkohore. Por kjo studiuesve e tipit Koço Bihik me fustan jo vetëm që    vazhdon ta  gjykojë letërsisë  Shqipe bashkëkohore, por shpesh herë ndodhet  në krye të Jurive që gjykojnë veprat  bashkëkohore të letërsisë duke shpallur dhe vendosur, në emrin e Ministrisë së Kulturës, hierarkinë  e veprave të letërsisë!

    3.

    Poezinë Mërzi Vjeshte po e botoj këtu, që lexuesit t’i gjykojnë vetë vlerat e saj. Ajo që më bëri përshtypje në këtë poezi, krahas atyre vlerësimeve të bëra më parë, duke cituar të diturin Eq’rem Çabej, këtë studiues të pashkapërcyer të letërsisë  deri më sot, është   dhe ndikimi i dukshëm i kësaj  poezie te krijimtaria poetike e një mjeshtri të rrallë të lirikës Shqipe, Lasgushit.

    Krahas botimit të poezisë, po publikoj edhe njëherë fotografinë e Marubit, të shkurtit të vitit 1938, Shkodër, për t’ua kujtuar lexuesve se të mëdhenjtë janë përherë  bashkë dhe jo gjykues, ndërsa mediokrit janë gjyqtarë, duke vënë të gjitha energjitë e tyre në shërbim të ndarjeve!

    Po japim një fragment të poezisë. Variantin e plotë do ta gjeni në  Antologjia Moderne e Poezisë Shqipe, e cila do të dalë nga shtypi në fillimin e Marsit që vjen.

    MÊRZI VJESHTE…

     U-mverth pylli, u-shkretua

    Mvarren fletët vêthesh vargje,

    Shelgjet derdhin lotesh krua

    Degët epur argje, argje.  

    Tek liqení lahet djelli

    Thyer copra nga shtërgata ;

    Zallit plepat, sheh, tek qielli

    Majat ngulur sí ca shpata.

    Gjurmë shtërgu s’ka mê sipër…

    Zi mban kopshti, treten hijet

    Mi stolit’e fushës, sipër

    Vdekje bryma natën shtrihet.

    Me plot turpit virgjëreshe

    Rêsh del hêna vajzë-mplakur,

    Pa pik zjar si måll murgeshe

    Buzë-thart’e sy-përgjakur.

    Era fryn me vërshëllime

    Fletët ashpër poshtë ndiqen,

    Zê muzike plot kuptime:

    Sa që shduken prap mê s’piqen.

    Pellgjet uji prej thëllimit…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË