More
    KreuIn memoriamRudolf Marku: 170 vjetori i lindjes së nobelistit Seferis

    Rudolf Marku: 170 vjetori i lindjes së nobelistit Seferis

    Një mikja ime-një grua vertetë e kulturuar dhe njohëse e madhe dhe sqimtare e poezisë-më dërgoi dje këtë foto nga Korça, qyteti i saj i lindjes, e cila paraqet pamjen e gërmadhë-fantazmës së godinës së ish Konsullatës greke në atë qytet, ku sherbeu si konsull poeti i shquar, njëri ndër poetët e mëdhenj të shekullit të XX, Jorgos Seferis.

    Për 36 vite Seferis (1926-1962)  pat shërbyer si diplomat, ndihmëskëshilltar, konsull, ambassador në vende të ndryshme të botës.

    Në Korçë ka qënë konsull gjatë viteve 1936-1937.

    Seferis nuk është i vetmi ndër poetët e mëdhenj grek që shkruan për vendin tonë. Një poet tjetër po aq i madh, ndër më të mëdhenj e poezisë botërore, Odysseus Elytis, ka shkruar poezi për Shqipërinë dhe shqiptarët, aq hollësisht, sa të përmend emëra si Delvina, Tepelena, Himara Saranda, Korça, a të shkruaj dy vargje të tilla antropologjike si: Toska i shkurtë/ dhe Gega shtalart.

    Është interesant të vihet re si një përkujdesje e tillë nuk mund të gjëndet tek një fqinj tjetër i yni, te poezia moderne italjane.Katuli ( Catullo- kënga XXXVI…quaeque Durrachium Hadraia tabernam- Në Durrës, Perandor i gjithë Adriatikut) dhe me sa më kujtohet, Ovidi te Metamorfozat, janë ndër poetët e vetëm latinë që përmendin vendin tonë , duke lënë pas vetes një boshllëk më shumë se 2000 mijëvjeçarë në kujtesen poetike të poezisë së fqinjit tonë italik.

    Më poshtë po jap në përkthimin tim njëren nga poezitë e Jorgos Seferisit të shkruar në Korçë. Duket se poshtë godinës së Konsullatës, në një shtëpi me një kopësht të vogël mbushur me trëndafila, jetonte, së bashku me teton e saj a gjyshen e saj, një vajzë e bukur me emërin Antigoni/a. Seferisi nuk është indifferent ndaj bukurisë së korçares. Përkundrazi, poezia tregon se Seferesi-n e ndjek kujtimi se dikur ajo i kishte dhënë  një trëndafil, me një premtim  dashurie. Vetë poezia mbart ndjenjen e  trishtimit të një dashurie të madhe shpirtërore, një dashuri, siç duket, platonike, e  parealizuar, shkruar në një prozadi Eliot-iane (Seferis ishte një njohës i shkëlqyer dhe adhurues i poezisë së T.S. Eliotit).

    Për një koinçidencë të këndshme, unë vetë jetoj, këtu në Londër, as dhe 300 metra larg nga shtëpia ku jetoi Jorgos Seferis  (Sloan Avenue, SW3), kur greku i madh ishte ambasador i vendit të vet në Mbretërinë e Bashkuar.


    Mathias Paskalis mes trëndafilash

    JORGOS SEFERIS

    Kam  gjithë mëngjezin që tymos papushim,
    Po ta ndërpres, trëndafilat do më përqafonin,
    Do më mbysnin me gjëmbat dhe petalet e rëna,
    Trëndafilat rriten shtrembt, secili me ngjyrën rozë,
    Kqyrin, presin dikë t’u kalojë pranë; por askush nuk shkon pranë.
    Që pas tymit të llullës time i shoh, pa aromë në kërcejt e veta.
    Në jetën tjetër një grua më pat thënë-Mund ta prekësh këtë dorë,
    Dhe ky trëndafil është yti, është yti, mund ta marrësh,
    Tani a më vonë, kurdo që të pëlqejë!

    Zbres shkallët prapë duke tymos,
    Dhe trëndafilat më shoqërojnë poshtë gjallërisht,
    Dhe në mënyrën e tyre është diçka në atë zë
    Si në rrënjën e të qarës, atje ku fillon britma
    ‘Nënë, a ‘ Ndihmë,
     Apo e qara e bardhë dhe njomëzake e dashurisë.

    Është një kopësht i vogël plot me trëndafila,
    Një kopësht i vogël katror me të cilin zbresim bashkë
    Dhe unë zbres shkallët, pa qiellin përsipër
    Dhe tetoja e saj mund t’i thotë: ‘’ Antigonë, ke harruar ushtrimet për sot,
    Në moshën tënde kurr nuk vishnja korset, në asnjë moshë, jo në kohën time!,,

    Tetoja e saj është një krijesë mëshire: damarët e dalë,
    Rrudhat rreth veshëve, hunda e vyshkur,
    Por fjalët e saj janë gjithë mençuri.
    Një ditë e pashë tek prekte gjoksin e Antigonës
    Si një fëmijë i vogël tek vjedh një mollë.
    Mund të ndodh ta takoj atë plakë tani tek zbres poshtë?
    Ajo më pat thënë tek ikja : Kushedi e di nëse do shihemi prapë?
    Më vonë lexova në gazetat e vjetra për vdekjen e saj,
    Për martesen e Antigonës dhe për martesen e së bijës së Antigonës
    Pa arritë zbritjen e shkallëve a tymosjen time
    Që më lë në buzë shijen e një anijeje fantazëm
    Me një sirëne të kryqëzuar në timon që prej kohësh që ajo qe  e bukur.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË