More
    KreuLetërsiShënime mbi libraRomani - tipologjia e parapëlqyer e shkrimit letrar të Sterjo Spasses

    Romani – tipologjia e parapëlqyer e shkrimit letrar të Sterjo Spasses

    Nga Behar Gjoka

    Trashëgimia shkrimore e Sterjo Spasses, e autorit të dy periudhave të shekullit të kaluar, të viteve ’30 dhe të pas Luftës së Dytë Botërore, ka nisur me shkrimet publicistike, e pastaj ka vijuar me botimin e tregimeve dhe novelave. Qysh në krye të herës, bien në sy dy prirje: së pari, një përpjekje e vyer për të sjellë atmosferën e jetës sociale, përmes kritikës së hidhur; së dyti, aty shfaqen shenja të rrokshme të realizmit kritik, që përmblidhet në këta libra: Kuror rinie (1934), Në krahët e një femre (1934), Nusja pa duvak (1944) dhe Të fala nga fshati (1958). Krahas teksteve të shumta mësimore dhe disa përkthimeve, si përvojë shkrimi, të krijimtarisë letrare, përvoja shkrimore e Spasses mbizotërohet nga lëvrimi i romanit. Tipologjia e këtij lloji letrar, që në fillesë, bëhet vatra kryesore e letrares, endur nëpër kohëra, madje në kapërcyellin e 100-vjetorit të lindjes së autorit shndërrohet në shenjë përfaqësuese të krijimtarisë së tij, si dhe në një artefakt të përveçëm që bashkëshoqëron evoluimin e romanit. Sugjerimi i Milan Kunderës, te libri Arti i Romanit, kur nënvizon se “…bota e kohëve moderne lindi dhe bashkë me të, edhe romani me imazhin dhe modelin e tij…” vetvetiu të krijon gjasat e kërkimit të fillimit të romanit shqiptar, të ndihmesës së Sterjo Spasses, që zë fill me kryeveprën e tij, romanin Pse?. Ky tekst u bë pjesë e klimës letrare të viteve ’30 të shekullit të kaluar ku, siç thekson Robert Elsie, përveç botimeve të tjera të periudhës, në fushën e prozës shqiptare u botuan: romani nihilist Nga jeta në jetëPse?!, Korçë, 1935, nga Sterjo Spasse.

    Kuptohet se kontributi i S. Spasses në marrëdhënie me gjuhën dhe letërsinë shqipe, siç e kanë shqyrtuar studimet letrare, kohë mbas kohe është lëvrimi gjerësisht i romanit, që shkon në dhjetë tekste romanore dhe që konfigurojnë arritjet e autorit. Depërtimi në hapësirat e teksteve të prozëshkrimit, pa mëdyshje që do të kërkonte një punë të thelluar të institucioneve dhe studimeve letrare, për të shijuar kështu mozaikun e sendërtimit të këtyre romaneve. Kohështrirja e shkrimit, po kaq edhe tipat e ndryshëm romanorë që realizohen nga autori, e bëjnë të pashmangshëm, ravijëzimin e fillimit dhe të kontureve që përfaqëson romani i S. Spasses. Romani si tipologji ndërkohë pëson ulje-ngritje, por romani si lloj letrar asnjëherë nuk ndërpritet si proces dhe parapëlqim i autorit. Shqyrtimi i botës romanore, ku ndeshim sprovën dhe eksperimentin, dritat dhe hijet, aspiratën dhe dëshmitë artistike, edhe në këtë qasje përgjithësuese do të vështrohet në disa pamje dhe pista hulumtimi: parim i verifikimit simbas kronologjisë së botimit; problematika që përcjellin tekstet e romaneve; tipologjia dhe format e llojit letrar; vendi që ka proza e autorit në letërsinë shqipe. Varësisht kohës së shkrimit, bashkë me praninë e gjithkohshme të lëvrimit të romanit, si tipologji e parapëlqyer, romani shtrihet në dy kohë: a- Romani i shkruar para viteve 1944: Pse? (1935), Afërdita (1944), të shekullit të kaluar; b- Romani që shkruhet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Ata nuk ishin vetëm (1952), Afërdita përsëri në fshat (1954), Buzë liqenit (1965), Zjarre (1972), Zgjimi (1973), Pishtarë (1975), Ja vdekje ja liri (1978) dhe Kryengritësit (1983). Vështrimi kronologjik, aspektet që bartin tekstet, është më i gjerë dhe më i ndërlikuar. Shtjellimi i trashëgimisë letrare, në bazë të brendisë dhe tipologjisë shkrimore, ka gjasa që të na japë dorë për të depërtuar në universin e tyre. Prandaj përvoja e shkrimit të romaneve të tij mundet të kundrohet në varësi të problematikës që përcjellin tekstet: romane sociale, filozofike, të lëvizjes feministe të kohës, ku futen Pse?, Afërdita, që rimerret në kontestet e monizmit, me tekstin Afërdita përsëri në fshat. Me këtë ndërlidhet, me gjendjen që pohon Robert Elsje, përmbledhja e dytë e tregimeve të Ernest Koliqit, Tregtar flamujsh, Tiranë, 1935; romani i mirëpritur i kritikës sociale, Sikur të isha djalë, Tiranë, 1936, nga Haki Stërmilli; dhe vëllimi i parë i tregimeve të Mitrush Kutelit, Netë shqipëtare, Bukuresht, 1938. Edhe Migjeni botoi… Novelat e qytetit të Veriut, 1936. Së fundi, Republika Culli e vendos në një kontekst më të plotë shkrimin e romanit Pse?, kur shprehet: “Menjëherë pas botimit të këtij romani do të pasonin romane të tjerë me përmbajtje të fuqishme sociale dhe me tematikë aktuale, si Sikur të isha djalë e H. Stermillit, Gremina e dashurisë e M. Greblleshit etj.” Përfshirja e Spasses në shtjellat e realizmit socialist, që niset me romanin Ata nuk ishin vetëm (1952), që bashkë me romanin Çlirimtarët të Dhimitër Shuteriqit, promovojnë tipin e romanit të realizmit socialist, si dhe me ribotimin e Afërdita përsëri në fshat. Lidhur me këtë situatë, S. Hamiti në librin Letërsia moderne shqipe shkruan: “…veprat që Spasse shkruan mbas Luftës së Dytë Botërore, nuk lidhen as tematikisht dhe as me stil me veprat e periudhës së parë të krijimtarisë së tij letrare.” Përpjekja e S. Spasses për të ikur prej realizmit socialist, me romanet Zgjimi, Pishtarë, Ja vdekje ja liri, Kryengritësit dhe O sot, O kurrë, ku ndërton një situatë epike të mirëfilltë, i cila ka si epiqendër epokën e Rilindjes, duke realizuar kështu një sagë romanore të Rilindjes, me gjasë një sagë përlindëse të kombit shqiptar. Këto romane përplotësuan tiparet e realizmit në letërsinë shqipe, si dhe formësuan shenjat e romanit shqiptar të pasluftës dhe janë një pasqyrë e një epoke historike dhe letrare jetike për mbijetesën e botës shqiptare. Ato kanë vlerën e një dëshmie dhe procesi letrar, që megjithatë pati prurjet dhe kufizimet e saj. Vështrimi, kronologjik dhe përmbajtësor është i pamajftueshëm, për të hyrë në brendësi të materies letrare. Verifikimi i vlerave, bazuar në këtë tipologji, ka mundësi që ndihmon për të mbërritur në përfundime më të sakta. Vihet re se në trashëgiminë letrare të autorit kemi një larmi të tipologjisë shkrimore. Kështu me romanin e parë Pse? autori ka hedhur bazat e romanit psikologjik, filozofik dhe me jo pak shenja të romanit social. Ndërkaq, vetë struktura tekstore, konfigurimi i personazheve, magjia e shprehësisë, e radhit tekstin në fillesat e modernitetit të lëvrimit të romanit. Një tip tjetër romani sendërgjon libri Afërdita në fshat, që përkon me lëvizjen feministe, pra duke shënuar një roman social, me anësim të rrokshëm psikologjik.

    Në varësi të objektit të përcaktuar, cikli i romaneve për Rilindjen, ndërkaq ravijëzon tiparet e romanit historik, ndonëse imagjinarja sërish ka peshë specifike të përfillshme. Pavarësisht njohjes që mundësojnë rrafshet kronologjike dhe tipologjike, përvoja e shkrimit letrar të Spasses vetvetiu të ofron edhe diç më tepër. Esenca e tjetërsojshme dhe intenca estetike lidhet po ashtu edhe me larminë e formave shkrimore, pra edhe me llojin letrar, tashmë si një formësim përfundimtar. Në këtë këndvështrim, qysh në krye, bie në sy: romani Pse? është një prozë e gjatë, realizuar në formë ditari, që pasohet nga shkrimi i romanit ditar, Sikur të isha djalë të Haki Stërmillit, që shpalon dukshëm lëvizjen feministe të kohës; romani realist, në metodë dhe parashtrim, me kahe të një kritike të ashpër ndaj fatit të femrës, në periudhën para pushtimit fashist, ku përfshihen Pse?, Afërdita; romani i realizmit socialist, ku vihet re tendenca për të mishëruar tiparet më kryesore të modelit zyrtar, që përfaqësohet nga Ata nuk ishin vetëm, Afërdita përsëri në fshat etj.; romani realist me një rezonancë historike që, megjithatë, lëvrohet në gjirin e letërsisë së realizmit socialist, ku hyjnë Zjarre, Zgjimi, Pishtarë, Ja vdekje ja liri, O sot, o kurrë dhe Kryengritësit. Megjithatë, optikat shqyrtimore të shpien natyrshëm te një çështje thelbësore: cili është vendi që zë vepra romanore e Sterjo Spasses? Tipologjia e lëvrimit të romanit, e parapëlqyer nga S. Spasse, si një tregues i rritjes së letërsive kombëtare, pra edhe i letërsisë shqipe, përpos se përfaqëson shenjën unike të letrares së autorit, po ashtu është edhe shkasi për të diskutuar për rolin dhe vendin që do të zënë në letrat shqipe romanet e shkrimtarit S. Spasses. Studimet letrare, koha që ka rrjedhur, nga koha e botimit të romaneve të autorit, studimi real dhe përgjithësisht të përciptë, në fakt, kanë projektuar dy përfundime kryesore: 1. fillimi i modernitetit të shkrimit ndryshe të prozës shqipe, sidomos të lëvrimit të romanit, sido që të hartohet një antologji e letrave shqipe, nuk mundet të kuptohet pa tekstin e romanit Pse?; 2. Rilindja, tashmë si një përmasë ideale frymëzimi, na vjen e gdhendur në ciklin romanor të autorit, për këtë periudhë, madje në një formë të gërshetimit të faktikes dhe imagjinares, unike në letrat shqipe. Përvjetori i 105-të i Sterjo Sapsses është një shans leximi dhe reflektimi, po kaq është një shkas për ta vendosur veprën e gjerë letrare, pedagogjike dhe publicistike, e veçmas romanet e tij, aty ku i takon, si pjesë thelbësore e vetëdijes gjuhësore dhe letrare, si vatër e vetëdijes dhe lartimit të genit shqiptar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË