More
    KreuLetërsiBibliotekëRoland Gjoza: Instinkti i trëndafilave (fragment nga romani)

    Roland Gjoza: Instinkti i trëndafilave (fragment nga romani)

    Balloja e madhe kishte emrin e nënës. Hoteli ishte mbushur me afishe të mëdha dhe drita. Ditëlindja e nënës përkonte me Krishtlindjen, po më fort me fikun e asaj të Burretos, që sapo kishte vënë këmbë si nuse në shtëpinë e fundit të rrugicës. Ai fik, siç tha Zoi bardhoshi, kasapi i ri i hotelit, i kishte kokrrat si herdhet e demave të rinj. Vërtet, si mund të bëjë kokrra fiku në dimër dhe, veç kësaj, ato t’u ngjanin organeve mashkullore të demit? Pastaj ra dëbora e parë që zuri mbi fik dhe mbi oborrin e hotelit, ku sapo kishin zbritur prej një karroje me katër kuaj, demat e rinj që do të bëheshin biftekë dhe rosto për festën e madhe.

    Aty te muri e pinin kafenë nëna dhe babai. Zgjasnin kokat dhe shikonin Zoin që mprihte thikat. Mbi trapezën e gjatë prej metali ishin tre çekiçë të mëdhenj, një satër, pesë thika me dy tehe. Ç’bardhosh që është, i nxiri, të kall datën, po kështu nga shtati sindozot si një dem race duket. Zoi e shikonte nënën dhe buzëqeshte, i tregonte thikën dhe shkonte nëpër tehet e saj gjuhën sikur ta lëpinte. Shiko ç’bën, mavria, po a bëhet kjo? Shikon ti qyp, i kthehej babait, merr shembull, as një pulë s’di të therësh dhe më je veshur kapter, pale, mban dhe pisqollë në brez. Vër sy e mend të mësosh, djali ty të ka ngjarë. Unë do shkoj, tha babai, jam vonë për punë! E mbarove kafenë? E mbarova. Fryj tani! Unë po bëj sehir, se ky shejtan Zoi qenka për thagmë! Demat rrinin lidhur në fund të oborrit dhe çukërmonin e tërhuzeshin me hov, kërcenin e shfrynin, se nuk iu pëlqente ai litar i trashë dhe ato kanxha që i kishin mbërthyer. Po si ia bën, more mavri? S’ke frikë? Jo, aspak, përkundrazi, ata kanë frikë prej meje. Ky është një lloj sporti, e kam trashëguar nga prindërit, edhe mëma tredhte e vriste dema. Ata, e shikon si tërbohen, janë në afsh, i kemi shkëputur nga fusha me mjegull e anëdetit, ku i linim të kullosnin në gjendje të lirë. Kërkojnë femrën, iu vjen lëngu i saj prej larg, iu shpon hundët ajo erë e dalldisur dhe duan të shkëputen nga litari. Shiko si e brejnë me dhëmbë. Iu ka rënë në kokë të bien me femër, po femrat i kanë larg dhe domosdo që i kanë tradhtuar me dema më të vjetër, se të rinjtë, këta me mish më të mirë, më të njomë, më ndjellës e më trallisës, i sjellim këtu! E, ç’mish që kanë, zonjë! Ç’mish! E ha dhe të ngjallen ato që ke dashuruar! More ç’flet kështu, iu çor nëna, llafe turpe s’dua unë! Pastaj këta, zonjë, vazhdoi Zoi, sikur t’i kishte veshët të zënë me dyllë, kanë herdhe më të mëdha, ke për t’i parë si do ta lëshojnë spermën kur të hanë goditjen e parë. Prandaj zuri ai fiku i asaj nuses së Burretajve, prej kësaj sperme. Ka qenë fik femër! Pse, o i flamosur, fik femër? Posi, nuk ke dëgjuar për ujë femër? Ç’mollois ky i zi me bojë, ore ti, e çon nëpër mend se me kë ke të bësh? Dukesh nga boja, zonjë, që je e bredhur, e shëtitur, di nga bota. Në ç’kuptim, more fyell? Keni lëkurë të hollë prej aristokrateje, e keni të shkruar në ballë. Nëna qeshi, shkoi duart nëpër flokë, u krekos, donte të thoshte diçka, po nuk foli, vetëm ngriti njërën dorë, dha shenjën se ai i kishte rënë pikës. Shiko, thirri Zoi dhe menjëherë liroi litarin, uli kanxhën që mbante të mbërthyer demin dhe e la të lirë. Demi u rrotullua përqark vetes me kërcime e hove të befta, pastaj rendi me të katra drejt Zoit që mbante në dorë çekiçin e madh. Uli pak kokën dhe drejtoi brirët, po Zoi e goditi me çekiç në ballë, i nguli njërën thikë, pas saj katër të tjerat dhe demi u lëkund, fërgëlloi i tëri, një fiskajë gjaku i spërkati Zoit përparësen prej gome të zezë, shkau e ra para këmbëve të tij. Nëna kishte ngrirë. Demi ishte shtrirë me kurriz dhe herdhet e mëdha lëshuan një shkulmë sperme që i mbuloi barkun. Nëna mbylli sytë. Zoi nxori një shishe raki nga xhepi i madh i përparëses dhe e piu surba-surba gjersa i rrodhi nëpër mjekër, ia bëri një ah! që iu shkëput nga shpirti dhe fshiu lotët nga sytë. Ai qante vërtet, me zë, me gulçe. Pse qan? i tha nëna. Vrava birin tim, tha ai. Kë bir, more! Eh, s’kupton ti!… Demi i dytë, bëri atë rrotullimin e egër përqark vetes si i pari dhe në vend që të sulmonte Zoin, i ra me brirë murit të shtëpisë, e çau, u fut brenda me rrëmbim, përshkoi të gjitha dhomat, goditi e rrënoi mure, bufe, komo, prishi shtretër dhe më në fund ra në gjunjë, me një plagë të madhe në brinjë. Nëna ulërinte, Zoi qeshte. Ndodh nganjëherë edhe kjo, zonjë! Dema janë, ku dinë ata se ku i fusin brirët. Janë pa mend e të verbër në këtë anë. More ti, këlthiti nëna duke shkulur flokët, ke shpirt apo s’ke! Ç’më bëre, që ta bëftë perëndia! Zoi e goditi demin në ballë, i nguli thikat dhe e tërhoqi zvarrë. Nënës i kishte rënë të fikët. Zoi e mbushi dorën me spermën e demit dhe ia vuri nënës në hundë, ajo menjëherë u përmend. Mos u bëj merak, zonjë, gjëra që rregullohen. Më të mirë do ta bëjmë shtëpinë, ke për të parë! Ç’nishan njeri! tha nëna. Po kjo ç’është që më ngjit? Spermë demi! Ua, edhe këtë ma bëre, mor zorzop!

    Shtëpinë ma prishe, na tani dhe kjo… Është ilaç, qeshte Zoi. Pas pak, si në ëndërr, nëna pa me çudi si erdhën gjithë ata ustallarë, kuzhinierët me të bardha zgjasnin kokat, Zoi jepte urdhra: zbrazini dy dhomat e madamave në katin e fundit dhe atë të zotit Kiki. Sillini këtu. Zonjës, do t’i vini në dhomë krevatin tim dopio. Kjo punë duhet të mbarojë për dy-tre orë. Nxitoni! Nëna dëgjonte me njërin vesh, se me tjetrin ndiqte punën që bënin ustallarët. Kush je ti, more Zoi? Pronari i hotelit! Ua, ia bëri nëna dhe vuri dorën në faqe.

    Pse çuditesh? Po ja, flokë të bardha, vetulla të bar-dha, qerpikë të bardhë, sy të shpëlarë, që kur të shikon të kall datën. Po ty të thonë të gjithë kasapi, ai që vret dema e derra. E bëj për sport. I rris vetë në fushat në pyllin tim. Vërtet kështu të shtie frikën, po kur ka ballo jam tjetër njeri. E si, më qafsh, me kë tallesh ti? Do ta shikosh! Zoi e pa në fytyrë nënën dhe i buzëqeshi: Ti duhet të kesh lindur në një ditë feste. Ku e di ti, qeshi nëna, po për festë kam lindur. Për Krishtlindje! Atëherë do të organizoj ballon e madhe të Krishtlindjes dhe ajo do të mbajë emrin tënd!

    Kjo ndodhi pati dy të mira për djalin: gjeti bllokun e shkelur keqas nga demi, çarçafët këtej e tutje s’do të kishin arna.

    Rrugicën e kishte gjetur belaja me kasapin, se ai po humbte shumë në sy të botës, sidomos të grave, ngaqë i kish dalë rival Zoi. Kishte frikë se mos i merrte Evanthinë. Që pas asaj ngjarjeje të bujshme me demin që i kishte prishur shtëpinë nënës, kasapi mprihte thikat jashtë, para shkallëve të dyqanit që ta shikonin të gjithë, nga tre i kishte bërë trembëdhjetë dhe, një e dy, mprihte thika. Njëri i zi, tjetri i bardhë, dy kasapë, po i bardhi na doli që ishte dhe pronari i hotelit, kjo më fort e kishte tërbuar të ziun. Evanthia i thoshte të priste dhe nuk e pranonte më në shtëpi. Ai donte të nxitonte të vinte unazë me të që të qetësohej, po ajo i vinte shumë kushte dhe ai nuk mbante mend asgjë. Sa dilte prej saj nuk i kujtohej asnjë kusht. Veç donte ta rrëmbente e ta kishte në shtrat. Nuk ngopej me mishrat e saj, i çohej qimja përpjetë kur e kishte nën vete dhe ia dëgjonte rënkimet. Po kishte teka të mëdha, diçka nuk shkonte dhe ai fajin më të madh ia vinte Zoit, që kishte fituar aq shumë famë. Po edhe ai kopili i vogël, ia nxinte shpirtin me dyshime. I vogël, i vogël, po thonin se e kishte të madh. Eh, bela, ç’e kishte gjetur, i thoshte me mburrje se kishte fituar shumë para, se do ta mbante në pëllëmbë të dorës, po ajo hiç, sa mbaronin atë punë mirë e bukur, i shkisnin lot e ngrysej prej një brenge. Një ditë i tha, pas derës: Shko, nuk të dua! Mirë, mirë, mishin po ta lë këtu! Mish viçi i freskët, nëntë muajsh! Merr vesh ti, dëgjohej pas derës zëri i trishtuar i Evanthisë: Kam rënë në dashuri! Me kë?

    Shko tani, dashke dhe emrin ti! Mirë, mirë, kujdes mishin, ta kam lënë këtu te dera. Kujdes, se ta hanë macet! Dhe ikte, po harronte shpejt ç’i kish ndodhur dhe mprehte thika.

    Ta mbaj apo ta djeg, ta mbaj apo ta djeg, thoshte me vete djali për bllokun që e mbante në duar. Një bllok i zakonshëm që s’peshonte më shumë se një krah zogu.

    I mbushur me një shkrim si këmbë pate, plot shkarravina dhe njolla boje. Sa punë që kishte, duhej të daktilografohej, të korrigjohej, të çohej në një gazetë a… po ku çohen romancat? Ai s’dinte asgjë. E mbante në duar si diçka të tepërt. Do ta djeg, tha me mend e shkoi drejt mangallit në oborr mbushur me qymyr që digjej e nxirrte flakë të furishme. Sa u bë gati ta flakte, një vajzë e vogël i la në dorë një pusullë. Ai lexoi: Eja, se po vdes. Evanthia. E harroi bllokun, e futi në xhep në mënyrë krejt instinktive dhe vrapoi, kapërceu murin dhe ngjiti një palë shkallë me furi, ndaloi para derës dhe disa sekonda dëgjoi zemrën e vet se si rrihte dhe frymëmarrjen si fishkëllimë. Erdha, hape derën. Hapur është!

    E gjeti mbi shtrat, të shtrirë, të palëvizur, sikur po hiqte shpirt. Mbylle derën nga brenda! Të pa njeri? Dëgjo: Të dua! Vetëm ty të dua në këtë botë! Ai u hodh mbi të dhe ajo e pushtoi me zjarr, e puthi, qau. Aq shumë të dua, sa s’pyes për moshën tënde! E di që është marrëzi, s’do të na e falin, po kjo më qe shkruar! Më zhvish, shpirt, me ato duart e tua që i dua shumë, se dinë të përkëdhelin… Sa më pëlqen me ty, sa më pëlqen të bëj çdo marrëzi me ty! Me ty e ndiej, me ty, vetëm me ty! Oh, unë e zeza, që nuk zë mend! Bie në dashuri dhe marrosem! Po ti, më do ndonjë çikë? Të dua shumë! Edhe më shumë, ngaqë më mbaje larg. Atëherë e kuptova se sa të doja. T’i lëmë të kaluarat, tha ajo, të mos rrëmojmë për të kaluarat, e di, kam bëre gabime, kam dashuruar njeriun e gabuar, po si kjo gjendje lëngate që po më merr frymën, nuk kam kaluar asnjëherë. Ti sikur më ke bërë magji. E vulosa kur më tha ajo hajdutja e dashnorëve, e Tolajve, se ti e kishe kyçur gojën, nuk i kishe treguar asgjë për marrëdhëniet tona. Aty më ra në kokë! Po si ndodhi? Nuk e di! Je gati për luftë? O, do na vrasin, o do i vrasim!

    Se kjo dashuri s’do të ketë jetë të gjatë, e njoh veten, e mallkuar jam, ftohem një ditë… E merr parasysh këtë dobësi, shpirt? E marr, tha djali. Sido që të ndodhë, do të ruaj kujtimin tënd! Ose do pi helmin e do vdes, ose do t’i marr babait revolen dhe do vras veten! E bën? Po më dhe urdhër ti e bëj që tani! E dija, e dija këtë, sa me fat që jam! I kam menduar të gjitha, shpirt, na pret një udhëtim i vështirë, se për disa kohë do të zhdukemi, gjersa të bien gjakrat.

    Kur po zhvishej, atij i ra blloku nga xhepi, ajo e pa dhe e mori në duar. Ç’është kjo, ti i ke shkruar këto? Ç’shkrim! Kot, është një romancë. Sa bukur! Ta botosh! Lëre fare, unë kam dashur ta djeg. S’më pëlqen më. Jo, jo, do ta daktilografojmë dhe do ta dërgojmë në ndonjë shtëpi botuese. Lëre këtu, dua ta lexoj. Ta kam falur, tha ai. Ajo buzëqeshi, ishte zhveshur lakuriq, e priste.

    Balloja kishte filluar që në mesditë, dëgjohej që larg muzika. Kasapi mprehte thika. Ishte tërbuar, Evanthia nuk ia hapte më derën dhe ai nuk i dërgonte më mish.

    Ajo ballo madhështore me tryezat mbushur plot e përplot me haje të zgjedhura, plot me qirinj të ndezur që lëshonin flakë drithëruese, me shandanët e mëdhenj që vareshin nga tavani i gdhendur, me lloj-lloj njerëz të veshur si për festë, ishte kaq grishëse, sa asaj të Burretajve i ra të fikët. Dy muaj më vonë, atë erdhën dhe e morën të sajët, se burri i qëlloi i ftohtë. Nëna shkëlqente nga bukuria. Ku e kish patur tërë atë bukuri të fshehur? Tani që kish bërë flokët dhe ish stolisur si nuse, ajo të merrte sytë. Ish bërë e butë, nuk fliste shumë, sytë i shkëlqenin, dridhej e fërgëllonte me një si komb në grykë, sikur nuk përcillej dot. Më vjen për të qarë, i tha Evanthisë, po ty të vjen për të qarë? Më vjen dhe mua, si kjo ballo s’më kanë zënë sytë. E ka taksur për mua ai i flamosur, shtoi nëna, seç më vjen rrotull ditëziu dhe unë bëj sikur nuk e kuptoj! Më vjen rrotull, kupton ti, tutkune? Si s’të kuptoj, moj, po ai yti thotë gjë? Ç’ne, ai s’sheh asgjë! Këta burrat janë miopë, vetëm kur ia bën bamp, i hapin xëlat! Ajo e Tolajve s’mbahet. Me kolonelin e saj, la nam… Ai dorac, si s’ka turp, se kësaj tonës, i kanë ikur me kohë. I shoqi është gjallë, kjo cipëplasur hargaliset… Ç’pate ti, moj Evanthi, ku të gremisi mendja? Nuk e shikon, kasapi më tregon thikën! I ka rënë në kokë për mua, o do të më bëjë gruan e tij, o s’ka! Kujt ia tregon thikën, ai buburrec, dale pa i them Zoit unë!

    Muzika dëgjohej aq shumë, sa të dyja gratë e mby-llën gojën. Kasapi iu afrua Evanthisë dhe e ftoi për një kërcim. Ajo nuk po tundej nga vendi. Nëna e goditi me bërryl: çohu, moj, mos lerë nam! Kërcim është! Ajo u ngrit dhe e ndoqi deri te pista. Atje ai i vuri dorën në bel dhe ajo zgjati të sajën në supin e tij, pastaj u shuan dritat dhe në pistë ra terri. Dëgjohej ndonjë ulërimë, shkrepte ndonjë e qeshur, dikush qëllonte me shuplakë, kërcisnin të puthura. Po kjo ishte shkruar në ftesë: kërcim në errësirë. Dhe të gjithë e kishin pranuar duke u hequr se ishte pak e tepruar, po prapë s’kishte ndonjë gjë të paturpshme, se s’mund të bëhej ajo punë për tre minuta sa zgjat një kërcim. Në të vërtetë kjo u pëlqye fort se, siç u shpreh ajo e Burretajve, gjella e huaj është ku e ku më e shijshme se ajo e shtëpisë. Sa herë thoshte fjalë të tilla, ajo shtrëngonte gjinjtë e mëdhenj. Kësaj s’i bëka gjë ai dordoleci i saj, qeshte nën buzë ajo e Tolajve. Atë e ftonin për të kërcyer, por vjehrra nuk e linte. Kudo shoqërohej nga vjehrra, edhe te kasapi, që gratë nuk e llogarisnin për burrë, se ishte i zi dhe vinte erë. Evanthia erdhi duke qeshur, rregullonte fustanin, fshinte faqet dhe buzët, shtronte flokët. Ç’të bëri, moj? e shtyu me bërryl nëna. E bëri si e bëri, po… Sa më shijoi! Ç’turp! Qofsh ti si i thua këto fjalë! Budallaçkë!

    Atë kohë para nënës u paraqit Zoi, ai u përkul lehtë dhe e ftoi me mirësjellje për një tango: A e kam nderin të vallëzoj me gruan më të bukur të kësaj balloje? Nëna ngriu. Nuk ia kish thënë njeri tjetër ato fjalë. Ndoshta ju, zonjë, jeni mësuar me sallone më mondane, po ama zemra e kësaj balloje është zemra juaj! Nëna u ngrit si e goditur, nuk u besonte fjalëve të tij, po i vinte mirë që ai e respektonte kaq shumë. Ku kish parë ajo të tillë sjellje? Dhe nga kush pa, nga burri më i fuqishëm, që vriste dema me një goditje dhe me pesë thika me dy tehe!

    Zgjati shumë ajo tango dhe kur mbaroi më në fund, me një klithmë entuziazmi, nëna erdhi me nxitim duke fshirë me shami fustanin e zhubravitur, duke rregulluar flokët, e hutuar, tepër e tronditur, sikur t’i ishte prishur shtëpia për herë të dytë. E, i tha Evanthia, si t’u duk? Nëna s’foli. E bëri? Oj, ç’të bërë, zorzopi! Nëna qeshi. Do ta mbaj mend këtë ballo! S’kishe faj. Të shijonte shumë, ç’turp! Prandaj ishte ajo errësirë në ftesë, ta kishim ndaluar! shpërtheu nëna. Ç’flet, moj, ç’do t’i mbajmë mend kësaj bote! Ku të shkoj, tha nëna, banjoja ishte dingas me gra e meshkuj, kam njolla sperme në fustan. Mbaji, i tha Evanthia, mbaji për kujtim! Po duken, moj, do lë nam! S’ta vë veshin njeri, sonte të gjithë e duan atë punë! Po sa në qejf më hyri ai kasap ziu? tha Evanthia. Sonte do të luaj për ty, më tha, do t’i bie violinës. Do t’i bjerë këngës cigane: Nata e syrit të zi. I thashë, po unë s’i kam sytë të zinj, o i luajtur, e ai më tha, do t’ia ndryshoj titullin, do ta quaj: Nata e syve blu! Sa më pëlqeu, po të presim, kur t’i bjerë violinës… Inatin e kishte me Zoin! Mos shkosh me të, më thoshte! Ç’ne, more, ç’më di ti mua! Jo, po ai po i merr me radhë gratë! Të bëjnë sytë, i thashë! Je çmendur, më duket! Ti më ke çmendur, më tha! Po a dëgjohen më këto fjalë, ka burra që digjen e përvëlohen për ty? Ja, kjo më pëlqen!

    Djali rrinte në një cep, i menduar, sikur vuante e hiqte me shpirt. Ai i shikonte të gjitha ç’ndodhnin në atë ballo dhe vendosi t’ia marrë bllokun Evanthisë dhe ta ripunonte romancën. Ç’grua, mendonte, më tha të dua vetëm ty e më kërcen me kasapin, që e urren, gjoja… Do të vuaj në këtë jetë, do të vuaj e do të vdes i ri. Atë kohë u dëgjua violina, violina cigane dhe asaj i binte kasapi, që ishte shndërruar befas në magjistarin e ballos, ai i këndonte si me të qarë natës së syve blu e cila kishte kaq shume fjalë prekëse, sa të bënte të dridheshe nga një ndjenjë molisëse, ajo këngë aq prekëse fliste për një dashuri të madhe po tradhtare që përfundonte me një thikë në zemër. Të gjithë u ngritën në këmbë dhe duartrokitën, thërrisnin: edhe një herë, po ti qenke i madh, ku ishe fshehur deri tani, lëre dyqanin, bëj disqe, bëhu i famshëm! E shikon, tha Evanthia, e shikon kush është ai? Dhe ju, lëre evgjitin, vjen erë, po unë shikoj shpirtin e tij, talentin. Më ka rënë në kokë!

    Ajo nxitoi ta përqafonte me lot në sy dhe ai, pa pyetur fare, kërkoi qetësi dhe pasi gjithçka u platit, tha, i larë në djersë: E dua këtë grua, po pranoi, i vë unazën në gisht dhe kjo punë merr fund! Pres të thotë: po! Po! Po, thërrisnin njerëzia, thuaj po! Edhe nëna ishte ngritur në këmbë dhe ulërinte: Puthe, moj, e nxirë! Ai i vuri unazën në gisht, e ngriti në krahë dhe u zhduk, ndërkohë që violina ra përtokë dhe u thye.

    Djali doli nga salla dhe eci kuturu nëpër rrugë, ku ta shpinin këmbët. Ata bëjnë dashuri, ndërsa mbrëmë ajo ishte me mua dhe me lexonte pjesë nga romanca ime. A t’i besoj kësaj nate, asaj violine të mallkuar, që ta ngjethte mishtë, asaj Evanthie që shkëlqente, më e bukur se kurrë, që më tradhtoi me një kasap? Ia mori mendjen me atë violinën e mallkuar, me atë këngë të jashtëzakonshme. Ç’këngë! Kishte shumë shpirt. Ah, kasap, ma çave zemrën! Merre dhe shite nesër në atë dyqanin tënd të ndyrë! Ose gatuaja asaj dhe mbaroi kjo punë. Po si ndodhi ky ndryshim i menjëhershëm, kaq papritur? Ja, këtë nuk e besoj dot. Mos kthen mendje? Të shpresoj? Pëlqeu violinën e tij, romanca ime i është dukur kot fare. S’ka faj, unë s’di të shkruaj! Fitoi kasapi, ja, kjo s’durohet! Tani ata bëjnë dashuri dhe ai buburrec është duke kënaqur fluturën e tij. Ajo lëshon rënkime si me mua, e bën me të si me mua, i thotë po ato fjalë turpi si me mua, ja, ky është fundi i një dashurie! Ndoshta e merr në krahë dhe më vijnë rrotull, më tallin, po unë s’i vë re, ndonëse i ndiej. Flutura dhe buburreci, fluturojnë të dy, i ziu dhe bluja, nata dhe deti, zia dhe qielli, toka dhe ajri… Kishte pirë ca dhe po i pëlqente shumë kjo lesh-arapnajë e fjalëve pa ndonjë kuptim, kjo kotni, ky kaos i shpirtit që vuan. Ai e tregoi veten me atë këngë, me atë violinë, unë duhet ta tregoj veten me diçka, që t’ia kaloj kasapit. Këtë dashka dashuria! Fiton ai që ka sukses më shumë, ai që bën përshtypje të madhe, ai që dallohet mbi të tjerët, po unë jam ende kalama, ç’mund të bëjë një picirruk si unë? Unë nuk kisha guxim të kë një grua për vallëzim, druhesha se mos më qeshnin, ose këtë përshtypje e kisha vetëm unë. Evanthia s’m’i hodhi asnjëherë sytë, sikur të mos ekzistoja më. Po natën e kaluar ishim bashkë, natën e kaluar, kaq shpejt i harroi ajo ato orë të mrekullueshme, me aq shumë fjalë, plane, betime? Ç’di të bëj unë? Të shkarravis! I vinte për të qarë, po nuk qau, i dukej sikur e shikonte kasapi dhe kënaqej. Tani Evanthia i dukej e largët, e ftohtë, kaq e harrueshme, sa ia ndjeu harresën dhe u trondit. I hoqi këmbët zvarrë deri në shtëpi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË