More
    KreuLetërsiBibliotekëRina Katseli: Paranoja (fragment nga romani)

    Rina Katseli: Paranoja (fragment nga romani)

    botime Omgra GVG
    Përktheu: Isida Foçi

    31 Mars 2020 (E martë)

    Nikozia, Mars 2020

    Nipi im i dashur,

    motra jote më tha se keni folur në skype dhe e ke pyetur se çfarë bëj dhe me se merrem tani. Do të telefonoj brenda këtyre ditëve, por për momentin po të shkruaj. Dua t’i tregoj problematikat e mia me shkrim, pasi kështu më vjen mbarë më mirë qysh kur ke qenë i vogël.

    Edhe pse u bënë dy vite që nuk jap mësim në universitet, vijoj të ndjek disa studentë të masterit dhe t’i këshilloj në studimet e tyre doktorale.

    Studimi im i fundit për krijimin dhe tregtinë e aromave të Epokës Kalkolitike në Qipro, u botua në serinë e botimeve të universitetit dhe u vlerësua shumë nga kolegët.

    Nuk kam nisur e nuk do të nis studim tjetër, sepse studimet duan kërkime në arkiva, muzeume, si dhe në vende arkeologjike. Mendova se tetëdhjetë e dy vjeçe është mjaft dhe, mos qesh, vendosa të shkruaj një roman që nuk do kërkime gjetkë. Do të shkruaj për gjëra që shoh përreth dhe që më nervozojnë: rrëmujat nga persona të papërgjegjshëm, jashtëqitjet e qenve në parqe, të cilat më acarojnë gjatë shëtitjeve të pasdites, stemën angleze në hyrje të pallatit presidencial, që shfaqet shpesh gjatë lajmeve në televizor, njerëzit pa tru, të cilët më nxjerrin nga vetja, kur duke ditur që jam nga Kerinia, më pyesin: -“Si mendon, do të të lejojnë Turqit të shkosh në Kerinia?” dhe budallenjtë e shoqërojnë dhe me një buzëqeshje ironike. Nuk e dinë që edhe ata rrezikojnë të katandisen refugjatë më keq se unë.

    Por më e rëndësishmja, do të shkruaj për falsifikimin e fakteve historike në atë pikë që humbet çdo gjurmë e të vërtetës historike. Njerëzia shikon ngjarje historike kozmogonike, mizori ekstreme në televizor, në telefonat e tyre celularë, në tablet, në rrjete sociale dhe nuk shqetësohet nëse këto që u serviren kanë ndodhur realisht kështu apo nëse janë të falsifikuara me mençuri që në gjenezë nga zyra sekrete të propagandës së shteteve për të realizuar planet e tyre. Një shembull është propaganda e Turqisë  që ka bindur edhe disa prej nesh, se ne jemi autorët dhe jo ajo vetë që zyrtarisht ka urdhëruar ushtrinë të mësyjë në ishullin tonë.

    Tani do të më pyesësh pse e marr mundimin të shkruaj një roman? Jo për sfidë letrare. Aq më tepër që sot shkrimtarët duan që profesioni i tyre të jetë fitimprurës, si çdo profesion tjetër. Unë nuk pres asgjë, ashtu si nuk kam pritur nga studimet e mia historike. Të mira janë lavdërimet dhe çmimet që kam marrë, por për mua kënaqësia e të shkruarit është e pazëvendësueshme.

    Kolegia ime, Dafina, pasi lexoi studimin tim për aromat e vjetra qipriote, më telefonoi. “Teodora, ky studim siguroi edhe një herë vendin e parë në studimet rreth historisë qipriote. Emri yt si historiane është gdhendur në përjetësi”. “Dafinë e dashur”, i thashë, “çfarë përjetësie? Gjithçka harrohet dhe zhduket. Këtu po harrohen ngjarje të rëndësishme dhe do të mbetet në përjetësi studimi im për aromat antike në një ishull të vogël?” Gjithmonë me ekzagjerime Dafina, por nejse…

    Pra, nipi im i dashur,  do të shkruaj një roman për veten, për ndjenjat e mia më të thella, në mënyrë që të harroj se, ndërsa si qenie njerëzore duhet të mendojmë si të gëzohemi dhe të shijojmë natyrën dhe gjithçka tjetër që lartëson ai të cilin e quajmë shpirt për ta bërë jetën tonë të durueshme, ne bëjmë krejt të kundërtën: na kaplon lakmia dhe hedhim gjithçka poshtë. Kështu që nuk do të rrezikoj duke prerë me dëshpërim damarët.

    Shpresoj që ta përdorësh izolimin në Londër si diçka të vlefshme dhe të këndshme për ty. Shpresoj që të mund të kthehesh shpejt që të të takojmë dhe të dy bashkë ta rregullojmë për të shkuar në ekskursion, diku këtu afër, të hamë në ndonjë tavernë të vogël dhe të përhumbemi duke biseduar.

    Me dashuri,

    tezja jote,

    Teodora Andronikos Margariti

    ***

    E mbajta goxha gjatë në dorë letrën e tezes dhe turfullova me vete. Teze Teodora të shkruajë roman në pleqëri!… Më erdhi në mendje e gjithë fëmijëria ime me Teodorën që vinte në shtëpinë tonë për të sjellë libra, lojëra inteligjence dhe, më pas, në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare mbeta jetim nga babai, se si më mbështeti dhe ndihmoi për të kaluar një adoleshencë të lënduar thellë, duke plotësuar në maksimum mungesën e babait. Atëherë teze Teodora ishte një grua e bukur trupvogël, rreth dyzet e pesë vjeçe, “kukull porcelani” i thoshte me përkëdheli ime më, me lëkurë tejet të bardhë, e bukur, e hollë, me flokë të bukur gështenjë, që inkuadronin një fytyrë që ndriçonte si drita e hënës, me dy sy shumë të bukur jeshilë dhe gjithmonë e veshur mirë. E apasionuar çmendurisht pas historisë, letërsisë dhe veçanërisht me poezinë, por edhe me bimët endemike dhe natyrën në përgjithësi. I dashuronte të gjitha artet e bukura dhe nuk ishin të pakta herët që më merrte me vete në teatër, kinema, ekspozita pikture, në muzeume të çdo lloji.

    Për të qenë më i saktë, Teodora Andronikos Margariti nuk është tezja ime, me baba refugjat nga RumeLea e vjetër dhe nënë të ndjerën Teognosia, motra e nënës sime, tezes sime të vërtetë. Ndaj nëna ime këmbëngulte se për mua dhe motrën time është “tezja jonë”. Gjithmonë e injorojmë këtë detaj. Veç të tjerash, tani nuk është më e vogël, rreth të tetëdhjetave, me flokë të bardhë dhe gjunjë që i dhembin, me një shkop të zi me dorezë argjendi, pjesë e pandarë e saj.

    Kur isha në vit të parë të gjimnazit, asaj i pata thënë se doja të bëhesha shkrimtar. U pranova në Departamentin e Filologjisë së Universitetit të Athinës. Fitova dhe në një universitet në Londër për biokimi, pasi kisha dalë shkëlqyeshëm në fizikë, kimi dhe matematikë. Nëna ngulte këmbë që të studioja për këtë të dytën, pasi aty do të më hapeshin më shumë horizonte për punësim. Babai, pedagog filolog, kishte mbaruar për drejtues gjimnazi në një shkollë në Nikozi. Kurrë nuk ankohej për profesionin dhe pagën e tij, por nëna thoshte se me greqishten antike dhe të renë nuk mund të shkonte shumë larg. Por këtë “larg” kurrë nuk e përcaktonte. Përsa më përket mua, e gjithë sjellja e saj tregonte se donte “që të shkoja larg”. U fut në borxhe që unë të studioja dhe kishte absolutisht të drejtë në zgjedhjen e saj. Fillova menjëherë punë në një kompani të madhe eksporti të hidrokarbureve. U preukupova dhe mora dhe dy diploma që kishin lidhje me atë punë, u specializova për hidrokarbure, përparova edhe më shumë me studime të tjera. Bëra doktoraturën dhe përparimi im ishte i shpejtë. Nuk lexoja më romane dhe ëndrra  ime për të shkruar mbeti në disa botime tek revista e shkollës.

    Duke qenë se fillova të paguhesha mirë,  mundësinë e kisha dhe u martova me Marien, e cila edhe pse një edukatore e zonja, e la punën dhe iu dedikua rritjes së tre fëmijëve tanë: Irosë, Stavrit dhe Andreas. Para shtatë vjetësh Irosa, e cila u nda shpejt nga burri, na bëri gjyshër me nipin tonë të parë, Vangjelin e vogël. Histori e dhimbshme për ne, por e pranuam dhe e mbështesim me sa mundemi. Fatmirësisht ajo vetë punon si avokate në një zyrë të madhe ligjore. Për momentin, të dy djemtë tanë studiojnë në Nju-Jork.

    A nuk do të mund të shkruaja dhe unë në moshën pesëdhjetë e dy vjeçare një roman, tani që jam larg familjes, i mbyllur brenda një zyre mikroskopike në Londrën e lagësht?

    Fillimisht u mundova për të gjetur temën. Çfarëdo që mendoja, e gjeja të pavlerë. Më në fund pyeta veten pse mundohem të shkruaj një roman. Sigurisht arsyeja e parë ishte për të mbushur kohën nga dembelizmi që më kishte kapluar nga izolimi i detyruar në këtë apartament, të cilin dukej se do ta anashkaloja, edhe pse brenda vetes kisha ndjesinë e frikës nëse do t’ia dilja, pasi nuk kisha provuar më parë diçka të tillë.

    M’u kujtua diçka që kishte shkruar Ezra Pound dhe që e kisha lexuar  kohë më parë: “Arti është një përpjekje për komunikim”. Me cilët dua të komunikoj? Ndjej sikur një ngjarje që ka ndodhur në familjen time para dy vitesh, na ka çorganizuar disi. Shumica e të afërmve janë mbyllur në vetvete, disa as mirëmëngjes nuk thonë. Personalisht, si zakonisht shumicën e kohës nuk jam prezent në Qipro (dëshira e nënës sime për të shkuar larg me sa duket u keqkuptua nga Zoti dhe largësia për sukses u interpretua si largësi nga vendi im), dhe vura re se disa pjesëtarë të familjes as mua nuk më thonë mirëmëngjes ose më shmangin, gjë që më mërzit në mënyrë të veçantë. Mendoj se veçanërisht është një person që vuan shumë dhe tani për shumicën është delja e zezë e familjes. I mëshoj mendimit se nëse e shkruaj atë që ndodhi në mënyrë sa më objektive që të mundem dhe ua jap për ta lexuar, mbase u bën mirë dhe do të mund të qetësoheshim sadopak.

    Pound gjithashtu na tregon se mënyra në të cilën filologët analizojnë dhe zbërthejnë tekstet letrare është e neveritshme dhe se si i shpjegojmë tekstet letrare duke i zbërthyer, është diçka e keqe sepse e vrasin krijimin[1]. Domethënë, faktin që nuk studiova për filologji, Pound ma atribuon si virtyt! Por kam shkruar mijëra faqe raportesh profesionalë për punën time dhe jo pak studime, pas kërkimeve shkencore gjeologjike në lidhje me nëntokën dhe me çfarë përmban në zona të caktuara.

    Kështu pra vendosa të shkruaj se çfarë ndodhi dy vite më parë, kur motra ime festoi gjashtëdhjetë vjetorin dhe se si vijoi më pas. Do ta shkruaj ashtu siç ma thanë më vonë sepse unë nuk isha në Qipro në ngjarje shumë të rëndësishme. Ditëlindja veçanërisht më gjente në mbledhjen e stafit të kompanisë në Nju-Jork. Mbaj mend se tema jonë ishte një diskutim paraprak për tokat e rralla, të cilat tani janë thelbësore për parqet eolike, telefonat dhe një sërë aplikacionesh të tjera. Ne po përgatisnim një ekip shkencëtarësh për të shkuar për kërkime dhe për të regjistruar të gjitha të dhënat, për të vendosur nëse gërmimi i tokave të rralla të  ndodhura në një thellësi oqeanike të veçantë ishte fitimprurëse, dhe sa do të dëmtonte faunën dhe florën, që ekzistonin atje për mijëra vjet.  

    Motra ime, Anastasia është dhjetë vite më e madhe se unë. Pas lindjes së saj, nëna pati disa barra të pasuksesshme, por këmbënguli deri sa më solli mua në jetë. Jemi shumë të lidhur, veçanërisht pas vdekjes së parakohshme të babait u lidhëm edhe më shumë.  Ajo jeton në shtëpinë e prindërve në Agios Omologites, aty ku fillon gjelbërimi i ekualipteve të lumit Pedieos.

    Tani është një mesogrua, por e mbajtur mirë. Kujdeset gjithmonë për ushqimin dhe ka një jetë që paguan për këshillat e dietologëve. Ndoshta është e gjatë si grua, ka të njëjtën gjatësi me mua, që si burrë nuk i kaloj provimet për basketbollist. Pak ezmere, me flokë gështenjë që inkuadrojnë një fytyrë simetrike me tipare fine dhe sygështenjë. Unë jam më ezmer dhe nuk ka qenë e nevojshme t’i lyej flokët për të mbuluar thinjat si ajo. Dobësia ime për restorante të mira dhe verë të zgjedhur më ka ngarkuar me dhjetë kile tepër se sa lejon gjatësia ime. Unë i urrej palestrat, por adhuroj ecjen dhe notin, të cilat fatkeqësisht nuk kam kohë që t’i shijoj shumë.

    Anastasia ishte nxënëse e zgjuar dhe studioze, rrëmbente të gjitha çmimet  shkollës në klasën e saj dhe dhe u shndërrua në një nëpunëse të shquar në departamentin teknik të Ministrisë së Arsimit, “punëtore e tepruar”, komentonin kolegët e saj.

    Kur vdiq babai, kishte mbaruar shkëlqyeshëm Politeknikun Mecovio për Arkitekturë dhe kishte filluar punë në departamentin teknik të Ministrisë së Arsimit. I vetmi rebelim ishte dashuria me shikim të parë me Neoklis Dimitriou, apo Klikli, me sy bojëqiell mbresëlënës, me të cilin u divorcua pas tri vitesh, për fat të mirë me një djalë, përsëri mund të them për fat të mirë. Vetë ajo, në të pesëdhjetat, doli në pension të parakohshëm dhe vendosi të hapë një zyrë arkitekturore, fakt që ma rriti vlerësimin që kisha për të, sidomos për guximin, ndërsa vazhdoja ta doja njësoj.

    Unë, e pranoj, se tani që jam tek të pesëdhjetat, sikur e diskutoj me veten diçka të ngjashme, por më mungon rezerva e nevojshme e guximit. Është e vërtetë që vajza ime punon dhe të ardhurat e saj nuk janë të këqija, por dy djem në universitetet amerikane, të iki nga kompania dhe të hyj në ujëra të paeksploruar sa i përket të ardhurave të mia…

    Por është koha për të gjetur guximin e kërkuar dhe për të filluar historinë time, e cila fillon dy vjet më parë.


    [1]  “I gjithë arti i madh është një luftë për komunikim. Të gjitha gjërat që e kundërshtojnë këtë janë të liga, qofshin ato tallje pa kuptim apo tarifat penguese. Sakaq ky komunikim nuk është një eliminim i dallimeve që ekzistojnë, interesit për të gjetur gjëra të ndryshme. Kultura është e neveritshme; filologjia është e neveritshme, i gjithë edukimi informues është një e keqe”. Erza Pound, Ese letrare të Ezra Pound, Libri i një drejtimi të ri, 1968, f. 298.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË