More
    KreuLetërsiBotime të rejaRexhep Qosja: Sfinga e gjallë

    Rexhep Qosja: Sfinga e gjallë

    “Sfinga e gjallë”, si metadramë, manifeston të gjitha elementet e rëndësishme të poetikës së teatrit postmodern, përfshirë këtu intertekstin, pastishin, fragmentaritetin e karaktereve, teatralitetin, ironinë, paradoksin, kodin e dyfishtë etj. Interteksti e bën atë të shihet si nyje në një rrjet prej kryeveprash botërore; pastishi shfaq imitimin e modeleve të dramës bashkëkohore; fragmentariteti i karaktereve përjashton mundësinë e ndërtimit të biografive të personazheve, duke sugjeruar që personazhet të shihen si figura, jo si njerëz; teatraliteti shkaktohet nga gjuha metaforike dhe intelektualiste, si dhe nga disa veprime artificiale (veprimet e fqinjëve dhe vallëzimi); ironia në ballafaqim me temën e madhe prodhon parodinë; paradoksi zbulohet me fqinjët që janë një lloj kori që bën aminin, pa e kuptuar lutjen, ndërsa kodi i dyfishtë përmban dy linjat e dramës, njërën nëpërmjet tensionit dramatik që shfaq kuptimi semantik, kurse tjetrën nëpërmjet provokimit intelektual që fsheh kuptimi semiotik.

    Pasi teatri postmodernist, metadramatik, karakterizohet nga vënia e së vërtetës në pikëpyetje, duke u artikuluar përgjithësisht si dramë sugjestive që ngre pyetje dhe si dramë që pastishizon tekstet dhe kanonet tradicionale, edhe Sfinga e gjallë refuzon të vërtetën kanunore, primitive dhe ndërton të vërtetën moderne, intelektuale.

    Fragment nga libri:

    AKTI I PARË

    Një dhomë e madhe, dukshëm më e gjatë se e gjerë. Në

    murin e majtë është varur një pushkë e vjetër, kurse në

    murin e djathtë një pushkë e re. Kabili e mbulon me beze

    të zezë një bust, që qëndron në fund të dhomës. Kur e

    mbulon bustin, hyn Hinda, dukshëm e frikësuar. Kabili

    kthehet dhe e shikon me hidhërim.

    Skena e parë

    HINDA

    Kuku për mua! Çka do të më gjejë! Më ka dalë djali

    duarsh! Nuk më rri natën në shtëpi! Nuk e shoh kur

    del, as kur vjen! Nuk e di ku ka shkuar sonte! Kuku

    për mua!

    KABILI

    Në mos di ti, e di ai vetë.

    HINDA

    E di ai, e di ti, por duhet ta di edhe unë; aq më

    takon në këtë shtëpi.

    KABILI

    Ndeze një pishë të madhe, dil rrugëve dhe

    oborreve, lype qosheve dhe dhomave, e diku mund

    të ketë hyrë! I kanë dalë qimet e burrërisë, do të

    dijë çfarë burri do të jetë!

    HINDA

    E ke fjalën e rëndë, më të rëndë se gurët e bjeshkës!

    Dhe kurrë të lehtë s’e ke pasur!

    KABILI

    Prej se ke ardhur në këtë shtëpi, vetëm kujën tënde

    e dëgjoj! Kur do të pushosh një herë?!

    HINDA

    (duke qarë)

    Kurrë nuk do të pushoj!

    KABILI

    (pisket)

    Pusho! Pusho!

    HINDA

    Mos bërtit me të madhe se po dëgjojnë fqinjët dhe

    thonë se ke luajtur mendsh!

    KABILI

    Prej tyre të ruhem dhe mos të flas siç dua?! E ata

    kur bërtasin a i dëgjojmë këtu?

    HINDA

    Ata s’dëgjohen asnjëherë.

    KABILI

    I ke futur veshët në lesh, nuk dëgjon asgjë, nuk

    sheh asgjë, nuk do të dish asgjë; kënaqesh me

    bukën e gojës dhe me rrobat e trupit…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË