More
    KreuLetërsiBibliotekëRexhep Ferri: Pasqyra e shëmtuar

    Rexhep Ferri: Pasqyra e shëmtuar

    1.

    Po flitet se shekulli i kaluar, nga guximi i tepruar, ka qenë i pamëshirshëm.

    “Me nje nofull në qiell e me tjetrën në tokë”.

    Me shpikje gjeniale e kërkesa e shqetësime, pa ndalesa e pa kufizime.

    Çdo gjë ishte pak a shumë me kokë të gdhendur si me sakicë.

    Morali moralisht i harruar.

    Deri në fund i tejkaluar.

    Jashtë e brenda nesh për ta përjetuar të panjohurën.

    Te vendi i pyetjeve, pikëpyetjeve të gjithë shkuam dhe e prekëm fundin.

    Ky rebelim na zhveshi nga çdo realitet jetësor.

    Ngjarjeve të jetës së përditshme i dhamë pamje të tmerrshme, trishtuese.

    Jo vetëm për jetën, por edhe për maskën e re.

    Në katër sy humbja besimit qenka më e keqe se lufta.

    Seriozisht e kam.

    Për të kaluar përtej detit, duhet të jemi më të gjerë se deti.

    Unë ju them: s’ka matematikë.

    Për diçka që vjen, diçka që shkon, shpirti noton mbi det.

    Fytyrë për fytyrë me lindjen, jetën, vdekjen.

    Për një kuptim më të qartë nuk kemi kohë shtesë.

    Si ta themi se kush jemi?

    Në atë anë që po shkon zjarri, po shkojmë edhe ne.

    Gjatë ecjes i shprehim edhe dobësitë.

    Mundësia më e mirë është të shpresojmë.

    Për hir të së vërtetës çka po ndodhë.

    S’kemi telefon.

    Jemi frikacakë.

    Na dhimbset lëkura.

    Po si ta them vërtet se kush jemi. Për të vërtetën shkohet në burg ose vritesh kot.

    Mes dhimbjes dhe gëzimit vetëm tre minuta.

    Kur nuk ekziston asnjë rregull fjala njeri është me dy kuptime.

    Edhe pas çdo lufte nuk arrihet të largohemi nga krimet.

    Edhe pse nuk e dimë pse nuk është e lehtë të gjejmë njeri për të nxjerrë fjalë nga guri, kur e vërteta është e vërtetë.


    2.

    Tani është koha që të kalojmë në një mijëvjeçare të ri, të rrezikshëm.

    Për ta kuptuar nuk kemi nevojë për shumë hollësi.

    Porosia e fundit, para vdekjes, nuk e di se sa është e rëndë.

    Jeta është si ëndërr marshtruese.

    Me djersë të ftohta ta afron kuptimin e një miti.

    Kur nuk e dimë pse.

    Fati i njeriut mbahet i fshehur.

    Sipas një legjende tjetër, çmenduria prapë na ka hyrë në kotë.

    Vonë e kemi kuptuar Don Kishotin.

    Gjatë e kemi qeshur e përqeshur si të lajthitur.

    Koha jonë e mbrapshtë as marifetet e veta nuk i kupton.

    Nga humbja e besimit flasim kot.

    Mendoj se ia vlen.

    Për njeriun e të ardhmes, na duhet të kërkojmë diçka më larg se larg.

    Diku tjetër ku nuk ka të vërtetë të humbur.

    Me pa durim shkojmë për t’i mbuluar dobësitë tona.

    Kur e merr lumi, priteni detin.

    Nëse nuk plaken malet, plaket anatomia e njeriut.

    Me fjalë të shkruara, mes rreshtave zgjaten dhe shkurtohen mendimet.

    I di dobësitë.

    Si duket na mungon guximi.

    Për çka ta japim jetën.

    Miti për të Bukurën e Dheut ka vdekur.

    Para se të pendohemi, takohemi me armikun që na respekton.


    3.

    Për ne, E Bukura e Dheut tani ka kuptim dekorativ.

    Jo më shumë se për një paraqitje folklorike.

    Kur naiviteti provincial del në skenë.

    Para pasqyrës, natyra e njeriut qeshet.

    Qëllimi harrohet.

    Jemi lodhur duke besuar.

    Çka të korrigjohet.

    Tani u turpruam.

    As që dua t’ia di.

    Gjithmonë pyes: pse?

    E vërteta qenka një gabim.

    Me shumë thashetheme, heshtje e mashtrime.

    Dhe, varre të humbura.

    Në zjarr e në flakë pse kemi kaq të çmendur egon?

    Fshehurazi ku shkojmë.

    Është e panjohur dhe e çuditshme rruga që e ëndërrojmë.

    Tre mijë vjet pas Luftës së Trojës, ende historinë e kemi me pikëpyetje.

    Ajo luftë a ka qenë luftë apo jo.

    Më lini të flas.

    Kapërcejeni terrin.

    Mos më zhgënje.

    Do t’i themi diçka.

    Mos më pyet pse.

    Ende besoj.

    Kam një parandjenjë.

    Si nuk e kupton?

    Me gjithë vështirësitë, nuk di ç’të bëj më.

    Bashkë filluam.

    Bashkë humbim.

    Vetëm një heshtje.

    Si nuk e kuptoni?

    Historia që ne i besonim ka vdekur.


    4.

    Tani e kemi djegur virgjinitetin.

    Po kontrollojmë çka kemi ngrënë.

    Kur e kuptojmë do të kemi më shumë kohë për të qenë të lirë.

    Shikoni mirë!

    Ndoshta duhet të kemi dy palë sy.

    Për një fotografi e për ta kuptuar një pornografi, fundi i vijës së kuqe flet vet.

    Nuk iu kam treguar për bukurinë e djallit dhe se kush jemi ne.

    Si njerëz e kemi tepruar.

    Sepse e kemi tepruar, tani po na vjen turp.

    Sepse jemi kaq të pa besë e kaq të panjerëzishëm, nuk na duhet asgjë më shumë për t’u çmendur.

    Ekziston vetëm edhe një dilemë.

    Rasti më i keq është kur dashurohemi shpejt.

    Kur gënjejmë shpejt.

    Kur heshtim shpejt.

    Më në fund: kush jemi?!

    Dy herë mendojmë e një herë ia fusim kot.


    5.

    Për t’i treguar botës që edhe ne po flasim kot.

    Nuk e di sa është e drejtë.

    Vetëm kaq mund ta mendoj.

    Gjysh pas gjyshi e gjysh pas gjyshi.

    Pse shkojmë në luftë.

    Pasqyra qeshi.

    Ka dy mijë vjet që rri e pres kot së koti.

    S’di a e dini se çka i kemi bërë vetes.

    Merreni si të doni.

    Sa keq, apo jo?

    Ky qenkam unë.

    Pasqyra pyeti:

    -Shikoj diellin dhe qesh!

    As bota nuk është ajo që e njohim.

    Të gjithë jemi të uritur për të uzurpuar sa më shumë pushtet.

    Për përfitime personale, heshtja po na shqetëson.

    Nga inati nuk e bëjmë hesap as fjalën “turp” as fjalën “poshtërsi”.

    Me magji, edhe kur s’ka magji, o Zot i Madh, me lutje po ju pyes:

    -Nga njeriu çka po kërkoni më shumë. Si ndodhi që për mbrapsht e për mbrapshtira doli kaq i zoti. Unë nuk po kuptoj se çka po ndodh. Kemi shumë ëndrra të paëndërruara kur dalim përtej ëndrrave tona.


    6.

    Bota po përpiqet ta trefishojë famën.

    Me mençuri djallëzore kërkon kënaqësi mbi kënaqësi.

    Nga dita në ditë për bukurinë e djallit nuk kërkohet vetëm një hapësirë.

    Jemi në pritje.

    Nesër do të harrojmë.

    Rrugës do të shohim edhe sa do të ndryshojmë.

    Mos u mërzitni.

    Këtu afër ndoshta është larg.

    A është çmenduri, nuk e di.

    Në ëndërr pashë një përbindësh duke ngrënë një njeri.

    Kur u zgjova nga gjumi, kuptova edhe diçka që nuk e dija.

    Në Bolonjë, në kishën e Shën Pjetrit, kokëbishën e pashë të pikturuar.

    Tmerr i madh.

    Në rrugë.

    Në shesh.

    Pasqyra e shëmtuar nuk tregon asgjë të saktë.

    Sigurisht që do të humbim.

    Të mendosh është punë e lehtë.

    Djalli nuk pendohet për asgjë.

    Nuk po e them, por po  e mendoj.

    Pasqyrja flet ndryshe.

    Shihemi më vonë.

    Jemi në kërkim të vetvetes.

    Ç’të keqe ka.

    Kur nuk besojmë në asgjë jeta na helmon ngadalë.

    Çdo ditë me pika pika.

    Nga shishja e vogël ku ruhet helmi.


    7.

    Nuk po mund ta durojmë njëri tjetrin.

    Jemi dy.

    Kur bëhemi tre do të plasë lufta.

    Do të kendojë guri dhe qyqja.

    Nga kodra në kodër.

    Në një tjetër nivel, në një tjetër performancë fantastike jeton edhe miti i shejtanit i cili nuk rri në të njejtin vend dhe kurrë nuk e ka të njejtën fytyrë.

    Po më duket se fola.

    Kujtesa nuk po më pëlqen.

    Si historia që nuk po më pëlqen mua.

    Mund të mos më besoni.

    Nga frika ose nga besimi jeta mund të ndryshojë brenda një momenti.

    Fatkeqësisht jeta e rrëmujshme.

    Jeta e rrëmbyeshme, për të cilën s’kemi se çka të mendojmë.

    Në botë çdo gjë ka një histori lufte.

    E kuptojmë kur e harrojmë.

    Me të gjitha vështirësitë, më falni ta kapërcej kohën.

    Është hapësirë sekrete.

    Të gjithëve na kushton.

    Nuk mund të fshihemi nga vetvetja.

    Jemi duke jetuar në një kohë kur natyra rrezikohet.

    Nga ta di unë pse.

    Po thonë se me matematikë çdo kush sheh drejtimin e vet.

    Sytë i ka të vet.

    Humbjet e veta.

    Nga pamja e mjegullt as unë nuk po di se ku po shkoj.

    Kam parë ëndrra të frikshme.

    Me dy doza çmenduri.

    Kur njeri harron vetën.

    Gusht, 2020

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË