More
    KreuLetërsiShënime mbi libraRefleksion: vazhdimësi dhe risi në vëllimin “Paralele dhe kryqëzime” të Klara Kodrës

    Refleksion: vazhdimësi dhe risi në vëllimin “Paralele dhe kryqëzime” të Klara Kodrës

    nga Hasan Gremi

    Vëllimi me studime me titullin tepër shprehës “Paralele dhe kryqëzime” të studiueses Prof. Klara Kodrës, botuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike (në 2018-ën, po që u fut në qarkullim vetëm tani), ka vazhdimësi në monografitë e saj për letërsinë arbëreshe dhe vëllimin  saj të mëparshëm me studime “Rrenjët e lisit” , kurse në këtë vëllim shfaq edhe një risi, depërton në shkencën letrare të krahasuar që ka filluar të lëvrohet tani vonë.

    Studiuesja bën krahasime të veprave të letërsisë shqiptare me vepra të letërsive të kombeve ndryshme, italiane, frenge, greke, turke dhe persiane dhe me një paratekst me ndikim ndërkombëtar, Biblën; gjithashtu përpiqet të vendosë disa autorë në kuadrin e letërsisë shqiptare apo të analizojë evolucionin e tyre në raport me vetveten.

    Vëllimi rrok një hapësirë të gjerë historiko-letrare (40 vjet të krijimtarisë së saj, një shekull për sa u përket autorëve) dhe një hapësirë po aq të gjerë gjeografike ( duke përfshirë letërsinë kosovare dhe diasporën arbëreshe), po gjerësia shkon paralelisht me thellësinë, meqenëse autorja gërmon thellë në formë për të nxjerrë në dritë literalitetin të lenë menjëanë gjatë nga kritika sociologjike.

    Artikujt e kësaj përmbledhjeje gërshetojnë metodën sociologjike me elementë të analizës tekstuale. Një pjesë të artikujve i përkasin periudhës së para viteve ’90, po nuk janë ripunuar thellë, meqenëse autorja ka menduar se ato qendrojnë.

    Në vëllim ka hipoteza që hidhen për herë të parë si hipoteza për ta krahasuar “Adrinën” e De Radës me “Murgeshën” e Dideroit, për të krahasuar “Ervehenë” e Kyçykut me novelën e nentë të ditës së dytë të “Dekameronit” të Bokaçios, për të evidentuar motivin bibliko-kuranor të fatit të Jozefit te Kyçyku dhe për ta krahasuar këtë autor me vepra të letërsisë turke e persiane. Për herë të parë  Camaj shihet si lëvrues i llojit fantastiko-shkencor dhe romani “Oh”  i Anton Pashkut kundrohet si ndërthurje e antiromanit me romanin ekzistencialist.

    Studiuesja rimerr edhe krahasimin që bënte Arshi Pipa midis “Moisiut” të Nolit dhe atij të Alfred de Vinjisë, po për të nxjerrë përfundimin e kundërt me studiuesin tjetër, atë të origjinalitetit të Nolit si poet. Noli, sipas saj, nuk është vetëm gjeni rikrijues si pretendon Pipa, po edhe poet krijues.

    Gjithashtu ajo ndalet në analizën e poetikave individuale si në ato të Skiroit dhe të Agollit. Studiuesja u kushton vëmendje autorëve që sollën modernitetin në letërsinë shqiptare si Anton Pashku dhe Camaj dhe në caqet e Shqipërisë, Petro Marko dhe Faik Ballanca. Gjithashtu ajo e pranon De Radën si pararendës të drejtimeve moderniste duke rënë dakord me Gradilonen dhe Kadarenë . Në vepër ka edhe krahasime midis autorëve të letërsisë së kultivuar dhe të letërsisë gojore “Zef Serembja dhe folklori”, “Ruajtja e identitetit kombëtar përmes baladave epiko-lirike arbëreshe”.) për të evidencuar ngjajshmëritë dhe bashkëndikimet.

    Ndonjë autor i njohur rishihet në aspekte të veta si Naimi në përmasën e vet erotike ose Dora d’ Istria si studiuese e problemit të gruas. Romantizmi shqiptar kundrohet në origjinalitetin e vet mjaft të debatuar. Gjithashtu mjaft autorë shihen si ” lërues të tokave të virgjëra” si Santori fabulist, lëvrues i satirës dhe romancier, Camaj lëvrues i llojit fantastiko-shkencor apo utopik.

    Disa hipoteza të autores janë të diskutueshme, po studiuesja përpiqet t’i argumentojë.

    Në vepër ka autorë që rivlerësohen ose vlerësohen për herë të parë. Studiuesja është e bindur për vlerat europiane të letërsisë shqiptare dhe i evidencon ato.

    Vëllimi, pra, ka meritën e origjinalitetit dhe të një synimi drejt objektivitetit, ndonëse autorja që është edhe poete, jo rrallë rrëmbehet nga pasioni në analizat e saj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË