Shënime mbi romanin “Vajzat e mjegullës” të autorit Namik Dokle
Romani “Vajzat e mjegullës” i shkrimtarit shqiptar Namik Dokle është një narrativë magjike e vendosur në shekullin e njëzetë, kur, në të vërtetë u përjetua një histori e gjatë europiane e terrorit dhe, në këtë roman, gjejmë mjedisin e përshtatshëm për dimensionet e pafundme të këtij makthi.
Është njëherësh edhe binjakëzim me narrativën popullore për gjuhën e thjeshtë e të pasur, elokuente dhe të drejtpërdrejt, gjithashtu edhe për vargun e ngjarjeve, rrathët e të cilave bashkohen në magjinë e zezë të një mashtruesi ose të ligjeve absurde të një tiranie. Kjo tiraní e kishte fronin në kryeqytetin e vendit dhe në atë lagjen e autoriteteve komuniste, të quajtur Blloku, ku kishte gjithçka, ndërsa bijtë e popullit vdisnin në baltëra të ftohta. Gjithashtu, narrativa e romanit ushqehet edhe nga figurat magjike të traditës lindore…
! Dervishi i Kolshit i futi duart disa herë në ujërat e lumit (…) dhe i ngriti ato drejt qiellit duke thirrur: ‘Ky lumë është i mallkuar! I mallkuar!’”
(….)
Më vonë të gjithë e kuptuan të vërtetën e fjalëve të dervishit. Ura qe hedhur në erë gjatë luftës dhe, menjëherë pas saj, u rindërtua. E rindërtoi
i njejti inxhinier gjerman, një farë Irving Hartman, i cili, vetëm një javë më parë e kishte shkatërruar… Në një hartë, mes shumë kalkulimeve, kishte lënë një shënim: “ Këtu do të varroset ura dhe ky qytet do të dridhet nga mallkimi im.”
Na ra mbi krye edhe mallkimi i gjermanit – tha Majka.
Rrëfimtari i romanit është një djalë 13 vjeçar që përshkruan Shqipërinë dhe fshatin ku është rritur, nëpërmjet ngjarjes qendrore të romanit; i ashtuquajturi “aksion” që merr të gjitha Vajzat e fshatit, veprim ky me rëndesë të dyfishtë, sepse ndodh edhe në prag të festës së Shën Gjergjit, të cilës vajzat i japin shpirt dhe haré, takohen e dashurohen me djemtë, e ky është një nga gëzimet e pakta të fshatarëve të Gorës në vitet pesëdhjetë, nën peshën e rëndë të diktaturës së Enver Hoxhës.
Ky roman ka edhe një vlerë të shtuar në atë çka rrëfen dhe kjo ka të bëjë me nevojën për të kuptuar peripecitë e Europës së shekullit të kaluar, veçanërisht të Europës Lindore, pasojat e të cilave kërcasin akoma edhe sot. Shqipëria ishte përjashtimi që vërteton rregullin; e vogël, e pangjashme, e panjohur, me një kulturë të përzier mes Perëndimit dhe Lindjes, mes populizmit dhe anarkisë, e harruar në ndarjen e pushteteve dhe influencave, sikur të kishte qenë një copë e humbur në një rrobëmbajtëse, e izoluar brenda sistemit komunist, jashtë traktatit të Varshavës.
“Katër ditë më vonë, edhe familjet e njëmbëdhjetë vajzave që në fillim nuk patën pranuar, u detyruan të nënshkruajnë dhe të lejojnë që edhe vajzat e tyre të shkojnë në aksion…Të gjitha të trembura nga fjalët e të dërguarit të qendrës: Kështu do ta pësojë cilido që do të përpiqet të kafshojë shtetin tonë të ri.”
Enver Hoxha ishte një lider më stalinist se vetë Stalini. Policia e tij politike kontrollonte gjithë jetën e vendit e të njerëzve nëpërmjet frikës dhe një represioni që ndalonte shumëçka, deri edhe larmishmërinë në veshje dhe në art, aq sa u burgos një grup këngëtarësh vetëm sepse u shfaqën në një festival muzike me flokë të gjata dhe me një “instrument rrezikshmërisht subversiv dhe borgjez” si saksofoni.
Përse, pra, romani “Vajzat e mjegullës” ka të bëjë me një narrativë magjike? Natyrisht, aspak me versionet e sheqerosura, apo me adoptimet për filmat Disney, veçse po, ka të bëjë me historitë origjinale mbi të cilat bazohet kjo narrativë. Është e mrekullueshme; folklori, traditat, supersticionet, duke i dhënë një formë poetike dhe të kuptueshme asaj çka na rrëfehet, duke na zbuluar edhe atë që nuk i vë dot emër dhe as që mund të dihet: një pushtet i korruptuar dhe i padurueshëm. Është, pra, magjia e shpjegimit të absurdit. Njerëz që janë verbuar qëllimisht për të mos e parë botën, që janë mbyllur brenda tokës së vet, por që, megjithatë, përpiqen të hapin sytë, të shikojnë përtej realitetit nëpërmjet imagjinatës së tyre. Nuk është aspak rastësi që këtë libër e rrëfen një fëmi.
Është një lexim i thjeshtë dhe i bukur, por edhe i mbushur me thellësinë e historisë që na tregon. Mbyllja e romanit nuk ngjan me fundin e lumtur të përrallave popullore të mbledhura nga romantikët, ashtu siç edhe nuk ndodh në jetën reale. Se çfarë mbylljeje i ka bërë Dokle romanit të tij, të rekomandoj ta zbulosh ti vetë.
Libri i Namik Dokles, i përkthyer në spanjisht, prezantohet në Madrid, Fuenlabrada, Malaga dhe Oviedo
Ditët e fundit, romani “ Vajzat e mjegullës”, i përkthyer nga Maria Roces Gonzales, kaloi një tur prezantimesh në disa qytete të Spanjës. Më i rëndësishmi prej tyre ishte ai që u zhvillua në Institutin Cervantes, institucioni qëndror i Mbretërisë së Spanjës për gjuhën spanjolle dhe nxitjen e kulturës e të letërsisë.
“Vajzat e mjegullës” është romani i parë i letërsisë shqipe që prezantohet në këtë institut. Sekretarja e Përgjithshme e institutit, Carmen Noguero Galilea, në hapje të eventit, mes të tjerash, tha:
“Historia e botës përjeton një kohë të veçantë dhe pluraliste.Kjo bën që, në vazhdimësi, midis gjuhëve dhe kulturave të ndryshme, të mjaftojë edhe një fill i vetëm lidhës mes përvojave për të kuptuar veçantitë e të tjerëve. Kjo na ndodh kur afrohemi te “ VAJZAT e MJEGULLËS”, roman i jashtëzakonshëm i Namik Dokles, prezantimin e të cilit kemi kënaqësinë ta mirëpresim sot, në një përkthim mjeshtëror të Maria Roces Gonzales.
“Vajzat e mjegullës” është rrëfimi i një jete të jetuar nën shtypjen e diktaturës së ashpër të Enver Hoxhës. Dokle na e tregon këtë jetë përmes përjetimeve të një fëmije kurioz dhe të zgjuar, që na e zbulon këtë histori nën këndvështrimin unamunian, si intrahistori, pa lënë mënjanë edhe përsiatje të tjera. Kështu njihemi me memorien e një fshati dhe të një krahine, por që në romanin e Dokles kondensohet me atë të një kombi të tërë dhe të një pjese të Europës së shekullit të kaluar. Duke e lexuar, jo vetëm që kalojmë nëpër faqet e një letësie të nivelit të lartë, por edhe mësojmë për jetën e njerëzve të Gorës, për gjeografinë e saj, për historinë, kulturën dhe traditat. Dhe, në të njejtën kohë, në këtë pasqyrë kuptojmë më mirë historinë tonë.
Mirëseerdhe, Namik, dhe është kënaqësi që ky roman prezantohet në Institutin Cervantes. Urojmë sukses dhe le të jetë ky një hap më shumë në njohjen tonë me një letërsi, letërsinë shqipe, që tashmë i ka dhënë letërsisë universale emra të padiskutueshëm si Ismail Kadare, fitues i çmimit “Princi i Asturias” për letërsinë në vitin 2009, apo Fatos Kongoli, ose poetja Luljeta Lleshanaku, e cila, edhe pse në moshë të re, është njohur si poete e rradhës së parë.
Gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër amëtare, ka përpikmërinë për të shprehur ndjeshmërinë e saj të veçantë në një botë gjithnjë e më shumë globale. Falë përkthimit nga Maria Roces, kuptojmë sot që zëri i Namik Dokles është një nga ata që, më së miri, na ndihmon të kuptojmë vetveten.”
Në reçencën e shkrimtarit dhe historianit Emilio Sola, theksohej se libri i Namik Dokles është një roman i bukur, një narrativë e parë në sytë e një djali në prag të jetës, që na zbulon një jetë të margjinalizuar në kufijtë ballkanikë,-Shqipëri, Serbi, Maqedoni, Bullgari dhe të vetë Kosovës,- qysh prej një nate të errët të kohëve thuajse të zanafillës, të evokuara nga Majka, një plakë vizionare dhe e ditur, e cila, bashkë me Mësuesin, janë shprehësit e kujtesës historike të një fshati dhe të një krahine, që gjithëherë ka qenë toka e një ikjeje të paskaj, që nga bogomilët e mesjetës deri në kohët tona. E gjithë kjo bën që protagonisti i romanit të kuptojë thelbin e jetës së njerëzve që e rrethojnë:’Nga mjegulla vijmë, në mjegull e kalojmë jetën; jemi jetimë në shtëpinë tonë.’
Krahas vuajtjes, romani përshkohet edhe nga një gëzim i kthjelltë në atë realitet të ashpër, nga zëri i vajzave që këndojnë në shtatë portat e fshatit, apo edhe nga përjetime të tjera poetike.”
Në prezantimin e romanit në Malaga, profesori i universitetit Vicente Fernández, i njohur si një nga përkthyesit më të mirë nga greqishtja në spanjisht, pasi vlerësoi përkthimin e romanit nga Maria Roces, tha:” Në romanin e Dokles vibrojnë të gjitha ndjesitë njerëzore, dashuria dhe urrejtja, trishtimi dhe gëzimi, represioni dhe rezistenca shpirtërore.” Ndërsa botuesi Antonio Ruiz tha se “çdo botues do të ishte i kënaqur po të kishte në dorë romanin “Vajzat e mjegullës”. Falë këtij romani që përshfaqet si një baladë e mrekullueshme, në sytë e lexuesit shfaqet Bukojna magjike e shtatë portave dhe ku dielli lind dy herë çdo ditë, që reziston përballë represionit të pamëshirëshëm në kohërat e dashurisë për Stalinin.”
Në Oviedo, në takimin e zhvilluar në librarinë “Cervantes”, vlerësimet për romanin i bëri profesori i universitetit të atij qyteti, Javier Ballina: “ Një roman i bukur, shumë interesant, shumë shqiptar dhe duke qenë i tillë është i mirëpritur në gjuhë të tjera.”
Në të gjitha prezantimet u bënë pyetje nga pjesëmarrësit dhe vlerësime nga lexuesit e romanit. Folën edhe përkthyesja Maria Roces dhe autori Namik Dokle.