I dashur armik Koronavirus,
U ngjize në tregun e një lagje kineze dhe u nise furishëm nëpërmjet frymëmarrjeve të njerëzve për t’i pushtuar të gjitha kontinentet e globit.
Rrugën e udhëtimit e shtrove pamëshirshëm me trupa njerëzish, duke i trandur kështu menaxhuesit e këtij planeti: njerëzit.
I përdore qeniet njerëzore sikurse përdoren veturat, trenat, anijet dhe aeroplanat për ta bërë xhiron e botës dhe në të njëjtën kohë i ngulfate pabesisht duke i kthyer në kufoma, e kështu duke shkaktuar dhimbje, pikëllim, frikë, dhe ankth tek bashkëkohësit e tyre. Siç po shihet veprove me tinëzari, pabesi dhe pashpirtësi duke na zënë në befasi!
I dashur armik, ma thuaj përse ndeze luftë kundër racës njerëzore? Urrejtja e kujt të jetësoj kundër njerëzimit? Përse ky mision makabër? Ç’t’u desht dhimbja, vuajtja dhe vdekja e njerëzve?
A s’ishe i vetëdishëm se çdo betej me njerëzit pëson disfatë?
Ti po hesht, por unë do të vazhdoj të helmoj.
Në këtë kohë na bërë të dëgjojmë shumë lajme të kobshme, por, ja edhe një të tillë për ty: a je i informuar që të kemi shpallur armik të njerëzve?
E din se ç’do të thot kur damkosësh si armik i gjithë njerëzimit, sidomos në shekullin XXI?
Ja do ta them, madje me shumë kënaqësi: do të thot të fillosh t’i numërosh ditët mbi këtë tokë, sepse, ato nga çasti në çastë po t’u ngushtohen për të ngulfatur mizorisht ashtu siç dite vetëm ti të na ngulfatësh.
Ti mund ta konsiderosh s’i të duash këtë kumt, si të rremë, grotesk, tragjik apo edhe të më quajsh të çmendur. Por, kjo fare s’më bënë përshtypje, sepse, jam thellë i bindur që së shpejti do ta marrësh rrugën e hidhur, atë të zhbërjes së qenies tuaj ashtu siç ishe inekzistent. S’ke pse dyshon, ky është fati yt i pashmangshëm dhe do të ulërish deri në gërrhamat e fundit. Do të jesh jetëshkurtë, i dashur armik.
E din ti që e ke zgjuar zemërimin e mendjeve njerëzore, sidomos tek ato më me peshë siç janë shkenctarët dhe mjekët? Këto mendje punojnë ditë e natë pa pushuar deri sa ta gjejnë dermanin për të asgjasuar tërsisht dhe përjetësisht.
Këshilla ime për ty është: të heqësh dorë nga gjëma që je duke ju shkaktuar qenieve njerëzore dhe të fillosh ta qajsh fatin tënd të kobshëm.
Në kokën tënde mund të vërtitet pyetja: kush je ti që guxon t’i flasësh kështu vdekjeprurësit më të madh të kohës?
Unë me buzëqeshje po ta them, që jam një qenie letrare dhe fuqia ime aktualisht qëndëron në nxitjen e njerëzve për të mallkuar. E din ti se c’do të thot kur të mallëkohesh nga gjithë njerëzit njëzëri?
Do të thotë vdekje dramatike për ty, i dashur armik Koronavirus.