More
    KreuLetërsiBibliotekë"Puthja e zezë", tregim nga Roland Gjoza

    “Puthja e zezë”, tregim nga Roland Gjoza

    Askush nuk të pret në Nju Jork. Je si në një ring. Manhatani është një ring. Ha ca grushte të fortë dhe je në gjendje nokdauni. Nuk po merrja dot një çek. Nuk po më ecte. Aq shumë me pëlqente të kisha në dorë një çek, sa në çdo bisedë, mu bë zakon të pyesja për çekun. Kaloi muaji i parë pa punë. I dyti, i treti, paratë e shtepisë që kisha shitur në Tiranë po përgjysmoheshin. Më hyri paniku. U treta e u shëmtova, më ranë faqet, flokët mu thinjën, filloi pagjumësia dhe harresa. E gjeja veten duke përsëritur po ato gjëra. Humbi përkorja dhe finesa. Zëri i dytë mu largua. Më lanë gjërat gjer dhe manierat e imta që i kriposnin pak çastet e jetës sime. Po vinte neveria. Mjaft! A kthehemi mbrapsht? Ku të shkojmë? Po, vërtet, ku të shkojmë? A ishe ti që mburreshe;ia hodha,po shkoj në Amerikë? Po, ke të drejtë, unë u mburra, madje thashë se nuk do të kthehem më. Në Amerikë ka një shprehje, që besoj ka dalë nga emigrantet, Take it easy, që përkthehet, merre lehtë. Po ishte krejt e pamundur, nuk e kisha veten në dorë.

    Kërkoja punë, një punë çfarëdo, po njerëzit vetëm më dëgjonin të qetë, pinin kafe dhe cigare. Sot luan Milan Mancester. Do të grumbullohemi te kafe Roma, po ti do te vish? Doja të thërrisja, Ej, më dëgjoni, unë kërkoj një punë, se po më mbarojnë paratë. Më thoni, ju lutem, ku të mbytem? Te kafe Roma, në orën dy..

    Në Nju Jork nuk të japin informacion. Ku të paraqitem, zotërinj? Te kafe Roma. A ka ndonjë zyrë ku mund të marrësh ndonjë informacion të thjeshtë për punë? Te kafe Roma. Atje shkova, te kafe Roma. Ishte e shtunë. Prit, më thanë. Prita. Në orën dymbëdhjetë të natës, u thyen shishe birre, u kërcye mbi tavolina, u shanë,u rrahën,dikush qante,njëri bëri shurrën në mes të lokalit.Dollarët derdheshin lumë.Dollarët e një jave pune. Dollari është jeshil si vreri, kur s’ke ç’të nxjerrësh më.

    Në Nju Jork nuk merret njeri me ty. Ika. Në kafe Roma u bëra si i shtëpise..Kam një ëndërr, i thashë dikujt, të prek një çek. Ai nxorri kuletën nga xhepi i pasmë i xhinseve dhe më la në dorë një çek. Ky është, tha. Shiko sa marr unë. 630 dollarë në javë. O,merrke shumë. Hyj te mesataret. Nuk jam i kënaqur. Po unë që s’marr asgjë.? Epo, Amerika është me të ecur, burrë i dheut. Këtu ka një shprehje; Të marrtë me të mirë Amerika. Ata që s’i merr me të mirë, kthehen mbrapsht. Une jam bere per te qare hallin, i thashe, s’kam me para, do te kerkoj borxh. Po në Nju Jork nuk të japin borxh. Është e vërtetë? Nuk e di. Sa muaj u bëre pa punë? Katër muaj. Do të të lënë një vit pa punë, do të të lënë të zvarritesh si qen. Të vuash edhe ti si të tjerët. Ky është një rregull i ashpër, po,ama, është një rregull i drejtë. Ke shkuar te mjeku? Jo. Akoma s’i ke marrë ilaçet? Jo. Po si rri pa ilaçe? Do të çmëndesh vërtet? Merr ilaçet, se përdryshe do ta hash. Ti, tani, i dashur, zëre se je shtruar në një pavion të çmendurish.Ti qofsh. As këtë s’ta kanë thënë? Jo.Të pashpirtët. Në Nju Jork nuk i vjen keq njeriu. O zot, o perëndi, mos m’i merr mendtë. 630 dollarëshi më shikonte nga lart poshtë me një ndjenjë të sigurtë për veten. Kushedi si i dukesha, se ai po më shikonte me njëfarë dhimbjeje. Unë s’të rregulloj dot një punë. Kam paguar 3000 dollarë për të siguruar këtë punë. Pastroj katër kate te një grataçieli. Supervajser kam një nga Mali i Zi, ai m’i përlau paratë, tani e ka rritur gjobën, kërkon 5000, po s’është për ty. Ai që të rekomandon do 2000 për vete, pra behën 7000. Je në gjendje të paguash? Jo.Sigurisht që jo. E vranë një supervajser, se u tregua maskara. Mori paratë, e la një fakir të punonte dy muaj dhe e fajri, pra,e hoqi nga puna. E kishte bërë këtë marifet me tetë shqiptarë. E gjetën copa copa të paketuar brënda në garbixh, në plehra. More vesh? Unë dridhesha, më vinte si të fikët. U mbulova nga djersët. Ç’pate? Merr urgjentisht ilaçet.Tre vjet kështu do të vuash.Tre vjet, me e pakta, se vazhdon dhe pesë e gjashtë vjet. Duhet të durosh. Pastaj, pasi të bëhet lëkura si shollë këpuce, s’ndjen më asgjë, s’heq e s’vuan, ke mbaruar me të gjitha, e merr jetën si të vjen dhe vidha,ajo vidha që rri shtrënguar, të është spanuar, paraja para, fëmijët me shkolla të mira, ti qyqar, s’ecën më me këmbët në tokë, po me këmbët lart nga dielli, i qeshur, më i lumtur se një reklamë për brekët e banjos, i shendoshe dhe buzagaz siç i ka hije një amerikani. Kjo të pret. O zot, o perëndi, ky është fundi, po unë ende s’kam filluar, jam pa punë. Unë s’të ndihmoj dot, siç ta bëra të qartë, duhen 7000 dollarë, po edhe kjo është e rrezikshme, sepse. .të paketojnë, burre i dheut. Pikërisht aty në kafe Roma qëlloi një nga ata që lindin me talentin për të ndihmuar të tjerët. Këta njerëz janë të rralle, i quajnë zakonisht të leshtë dhe s’gëzojnë fort personalitet, ngaqë prishin rregullat e 7000 mijësheve. Ai më tha me thjeshtësi duke më habitur pa masë. Është një vend bosh në një Makdonald’s në Manhattan. Porter, me një fjalë hamall. I ke letrat? Po. Menaxheri është shqiptar. Shko takoje sa më parë. Ai punon nga mëngjesi në mbrëmje dhe fle atje në Mekdonald’s, në bezme, bodrum. Lus zotin të kesh fat. Unë s’i di rrugët, i thashë. Mos u shqetëso, po të çoj unë. Faleminderit shumë. S’ka gjë. Hymë në metronë e Nju Jorkut, në rrjetën e merimangës, në rrjetën e një merimange të vjetër, që të ha e të grin me shkatërrimet dhe pisllëkun kutërbues dhe, pasi ndërruam pesë trena, mbërritëm në Times Square, zemrën e Manhattanit. Menazheri shqiptar qe shumë i pashëm, i qetë, serioz. Ai më pranoi menjëherë. Ke fat, më tha, ai që prisja s’ka mbërritur ende, fitove ti. Në Nju Jork s’ka kohë. Nesër në 7 fiks në punë. Kur them fiks, fiks, shqiptar. Asnjë minutë para, asnjë minutë prapa. Ndryshe fluturon.

    Nuk fjeta. Shikoja hartën. U nisa tri orë përpara. Nju Jorku është qyteti gjigant që s’fle. Po njerëzit, ama, flinin nëpër trena. 7 milion njujorkezë udhetonin nën tokë njëkohësisht me mua bashkë me gjumin e tyre të ndërprerë nëpër stacione. U nisa me trenin M nga Metropolitan Avenue, zbrita në Myrtle Avenue. Prita pesë minuta në stacionin ajror mbi rrugë. Shikoja pëllumbat që bënin dashuri. Mora trenin J. Zbrita në Esseks, pashë dy amerikano- latinë që këndonin me kitarre tango të vjetra. Prita shtatë minuta në këmbë i mbështetur në një kolonë me pllaka të bardha. Nju Jorku është i bukur. Isha në barkun e merimangës, një bark i zbrazët plot drita. Ky stacion është rikonstruktuar, të bën përshtypje pastërtia dhe ndjehet parfumi i grave. Amerikanët vënë shumë parfum. Erdhi treni F. Hipa me të shpejtë dhe zura një vend. Gazeta, libra të harruar mbi ndenjëse. Dua të marr një libër, po s’kam kohë, se stacioni tjetër vjen shpejt dhe koha këtu ikën sikur e ndjekin. Mbërrij në Union Square,14 strit. Këtu më pret një rrëmujë e madhe. Është një nga nyjet më të rëndësishme të metrosë. Pikërisht në këtë vend takohen pjesa më e madhe e trenave. Përtokë shesin kaseta me filma. Një kinez i bie lutës, një vegle popullore, plot me gdhendje fantastike. Ai merr nga unë një dollarëshin e parë. O zot, me ço në vend në orën e caktuar. Në kaosin e Sheshit të Bashkimit, e humba fillin. Ç’tren do të merrja? Sheshi i Bashkimit u bë Sheshi i Ndarjes. Këtu marr trenin 5, up town, që të çon lart, në pjesën veriore të Manhanit. Mbërrij në 59 street, në Levingston Avenue, zbres me një mbresë dështimi. Kam gabuar. Jam pranë Central Park. Duhet të kisha zbritur në Grand Central, në 42 street. Kthehem mbrapsht dhe mbërrij përsëri në Union Square. Po pse këtu? Më kapi paniku. Mund të kisha zbritur në 42 street. Pastaj të merrja B, D, V, ose V. E kisha humbur. Nxorra hartën, po s’kuptoja asgjë. U ula në një stol dhe mblodha veten. Pranë meje, një vajzë e bukur bionde lexonte një roman bestseller. Amerikanet nuk të shikojnë në sy dhe ti s’duhet t’i shikosh. Bukuria e saj e pastër ala Hollivud ma mori mëndjen fare. U ngrita dhe vrapova. Në vend që të merrja trenin F, D, B, ose V,  mora sërish 5, po kisha mëndjen që të zbrisja në Grand Central, 42 strit. Atje ishte katrahurë e vërtetë. Merimanga e vjetër 100 vjeçare, kishte dalë për gjueti. Miliona viktima në barkun e saj. Një nga ata isha dhe unë. Nxitonim të përfundonim në barkun e saj të pafundmë, nxitonim për t’u ngrënë. U shikoja njujorkezëve vetëm tabanet e këpucëve, me thembrat e pangrëna, që tregonin mirëqenie, xhepat e fryrë, u pikasja gjithashtu dhe lehtësimin e madh që ndienin teksa flakeshin si jashtëqitje plot gas dhe sërish vraponin sikur i ndiqte dikush nga pas. O zot, ç’trullosje, s’dija ku isha. Harrova ku po shkoja. U ula përsëri në një stol të ndyrë ku flinte një homles. Ai kishte vënë biblën si nënkresë. Ishte pjekur me Krishtin. Unë po shkoja të filloja  punën e parë dhe ndieja ankth, emocion, mundim, gati lumturi që do të filloja  një punë dhe do të merrja një çek. Krishti është me homlesin, mendova, Rokfelleri është me mua. Homlesi flinte, unë vrapoja. Ora ishte gjashtë e dyzetë. Ku shkoi kaq shpejt, mos ishte koha e shpirtrave kjo, që rrëshqet tinëzisht dhe s’të pyet? Po më linin fuqitë. Të lutem Amerikë, më merr me të mirë. S’kam bërë asgjë të keqe, veç ca vjershave që s’mi lexon njeri. I vetmi mëkat. Ma fal këtë mëkat. Trenat vinë njëherë në dhjetë minuta, të paktën treni që pres unë, treni 7. Ai s’po vjen. Po erdhi tani, unë kam kohë të mjaftueshme, po jo të tepërt. Mund të mbërrijë pesë minuta përpara. Nuk është keq. Treni s’po vjen. Kam dhe një copë rrugë për të vrapuar. Ai po vjen, me shpejtësi si prej akulli. Vjen dhe s’vjen, si për t’u tallur. O zot, pse s’fjeta sonte në një stol metroje si ai homlesi?Më në fund treni 7 erdhi. Dridhesha i tëri. U hap dera automatike me ngjyrë argjendti dhe prita të dilte turma e njerezve. Kur u bëra gati të vija këmbën në të, një vajzë e zezë përplot bukuri bishe dhe ajri të savanave të Afrikës, parfum trullosës lektisës dhe seks te bujshëm që po shkrumbohej nga flakët, i zgjati buzët e mishtorme një djaloshi të zi me kaçurrela dhe sakaq u mbërthyen të dy aty te dera, ngjitur me mua, që doja të hyja brenda, por s’po s’hyja dot. Ishte një puthje e zezë që kishte një bukuri të mahnitshme .Ai i vuri dorën prapa te bythët e kërcyera dhe ajo iu dha me dhimbjen e thelle të dashurise që s’do të ndahet për asnjë çast. Ajo po e tepronte, ai u tërhoq pak prapa, po ajo i futi dorën poshtë dhe ai iu dha si i mrekulluar. Dyert u mbyllen dhe u hapën sërish. Në atë katrahurë të Grand Central, ajo puthje që më la pa mënd, kërciti për të fundit herë me një pasion përvëlues të natës afrikane kur luanët shkojnë pas luaneshave nën shiun e zjarrtë të yjeve. Dera u mbyll para syve të mi. Djaloshi brënda, ajo jashtë, unë në këmbë duke mos dalë ende nga ajo puthje e zezë, me një parfum shkrumbi të Afrikës që digjet. Unë gomari, ndieja ende poezinë, që po më merrte më qafe. Kur u kujtova për trenin që më iku, gati sa s’qava nga dëshpërimi. Ora ishte gjashtë pa dhjetë. Ndieva një si thikë në bark. I hipa trenit tjetër, me tronditjen e puthjes së zeze, dola nga dera i pari dhe ia dhashë vrapit nëpër Times Square. Mbërrita atje në shtatë e katër minuta. Hyra brenda. Pse ta fsheh, puthja e zezë më ndiqte si tundim i djallit. Menazheri më pa, ma bëri me shenjë, shko, unë u ktheva dhe ika. Kisha humbur punën për katër minuta, aq sa zgjat një puthje. Një puthje e zezë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË