More
    KreuLetërsiBibliotekë“Publius Ovidius Naso” nga ISMAIL KADARE (udhëtim në Rumani)

    “Publius Ovidius Naso” nga ISMAIL KADARE (udhëtim në Rumani)

    Me Rumaninë nuk më ecën. Herën e parë kam qenë më 1974, i ftuar nga kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve rumunë, Zaharia Stanku. Meqenëse udhëtimet bëhen zakonisht dyshe, jam i shoqëruar nga Luan Qafëzezi.

    Zakonisht i ekzaltuar, këtë herë ka një arsye më shumë për të qenë i tillë: ndonëse shkrimtar tepër militant, komandant i shquar partizan gjatë luftës, është e para herë që del jashtë shtetit qysh nga viti 1945. Është shumë i njohur në Shqipëri, më tepër si luftëtar i çartur, sesa si shkrimtar. Flitej se emrin e tij, Luan Qafëzezi, italianët e përdornin të përkthyer në fraza të tilla, si: i tmerrshmi Leone Colonéro, ka sulmuar mbrëmë një depo vajguri ose një patrullë ushtarake etj. Midis “udhëheqjes” ka tre a katër që kanë qenë vartës të tij gjatë luftës. Megjithatë, dy pengesa serioze e kanë dëmtuar rëndë karrierën e tij. E para, gruaja malazeze, e cila ra në dashuri me të pikërisht në kohën e trimërive të tij të marra, dhe e dyta, ajo më seriozja, pasioni i tij për gratë në përgjithësi.

    Gjatë diktaturës, ashtu si të gjithë, e humbi trimërinë, por jo pasionin për gratë. Më saktë, trimëria iu konvertua në këtë të fundit, që, në njëfarë mënyre, në një vend si Shqipëria mund të quhej si formë e saj.

    Për shkak të grave disa herë ka qenë në zgrip. Të mos kishte qenë e kaluara heroike, prej kohësh do të ishte përjashtuar nga partia.

    Besimin e shtetit për ta çuar jashtë shtetit e pret me mirënjohje. Dhe, siç ndodh shpesh me ata që përjetojnë një gjë të tillë, retorika e besnikërisë politike në të folurën e tij shtohet dukshëm. Ngaqë e njoh mirë e di që kjo do të jetë e përkohshme.

    Gjendemi kështu në Bukuresht të dy. Është fillimi i majit. Çaushesku është në kulmin e terrorit të tij. Përderisa edhe neve, që vijmë nga një vend që për terror zë kryet e radhës, na bie në sy kjo gjë, merret me mend se ç’lemeri duhet të jetë.

    Të nesërmen na pret Zaharia Stanku, zotëri i vjetër, i lodhur, që jep përshtypjen se nuk merr vesh se ç’bëhet përreth. Kemi të dy të njëjtin botues në Paris dhe, natyrisht, flasim për të dhe për Parisin. Luan Qafëzezi, që nuk di frëngjisht, i kapur nga një vrujim mirësie, siç i ndodh shpesh, buzëqesh i lumtur.

    Befas hapet dera dhe hyn një grua me një fytyrë të hareshme. Me zë të lartë thotë: Sihariq! Pastaj në mënyrë teatrale shton: Sihariq! Ka honorar!

    Duhet një grimë kohe sa të marrim vesh përse bëhet fjalë. Ka dy javë që në Rumani është botuar Gjenerali i ushtrisë së vdekur dhe shtëpia botuese lajmëron se është gati të më japë honorarin.

    Fytyra ime, jo fort e entuziazmuar nga lajmi, bën përshtypje natyrisht. Ajo e Luan Qafëzezit që ngryset, gjithashtu.

    Gruaja e trembur nga ndonjë keqkuptim, e sqaron edhe një herë çështjen. Është fjala për romanin e botuar në rumanisht të zotit Kadare, GjeneraliGjenerali i ushtrisë së vdekur.

    I përgjigjem se e kam kuptuar drejt, por honorarin duhej ta dërgonin në Bankën e shtetit në Tiranë.

    Shpjegimi i shpërfilljes sime merret vesh më në fund. Atmosfera e takimit bëhet akull aty për aty.

    “Revizionistë të poshtër!”, shkrofëtin Luani, ndërsa largohemi. “Kujtojnë se mund të na gabojnë me kësi gjërash.”

    Nuk kam energji të pyes se ku qenkërka kjo përpjekje e tyre për të na gabuar. Me sa duket, ende nuk i ka dalë narkoza e mirënjohjes ndaj shtetit socialist për këtë udhëtim. Natyrisht është e bezdisshme të kalosh dy javë rresht me një bashkudhëtar që flet broçkulla politike. Por, ngaqë ia njoh mirë natyrën, jam i bindur se gjithçka do të ndryshojë shumë shpejt.

    Në të vërtetë, ndryshimi ndodh më parë se ç’e kam pritur. Qysh atë mbrëmje, pas darkës në restorantin e hotelit Ambasador, dalim të shëtisim pak. Në rrugë ka gra të bukura. Në fytyrën e Luanit ka një ndriçim të vazhdueshëm, një shpërqendrim mallëngjyes, fare të ndryshëm nga mirënjohja ndaj shtetit.

    Gjysmë seriozisht, gjysmë duke qeshur i them: “kujdes!”. Pastaj e pyes për ngatërresën e tij të fundit, atë me një bukuroshe nga Fieri, për shkak të së cilës desh kishte humbur të drejtën e botimit.

    Kaq mjafton që Luani të ngryset në fytyrë më keq se në zyrën e Zaharia Stankut. Lëshon një “eh!”, pastaj një tjetër “eh!” më të thekshme dhe duart i dridhen.

    Ta dish ti ç’më kanë punuar, thotë me zë të ulët. Dhe kush pa, ai puftja, ministri i Kulturës, ai shëmtira, mua që jam plagosur gjashtë herë gjatë luftës, që më dërgonin atje ku s’ia mbante askujt, Luan, hidhe në erë urën e Gjormit, Luan, digj prefekturën, Luan, bëj këtë e bëj atë, pastaj vjen puna të bëjnë ty leckë, jo se po fle me malazezen, jo po e ktheve me shqiptaren, mirë me malazezen qenkësh çështje politike, po me shqiptaren, pse?

    Zemërimi i tij, që ia njoh aq mirë, ashtu si herët e tjera, nuk njeh kufi. Nga ministri i kulturës kapërcen te të tjerët, ngjitet lart e më lart, duke u ndalur vetëm përpara Enver Hoxhës.

    Portreti që iu bën një pjese të udhëheqësve, lidhur me këtë pikë, është i pamëshirshëm. Ziliqarë, si gjithë dështakët, të padashur nga gratë, impotentë, pa dyshim. Dhe, ngaqë ishin të tillë, qen që ruanin barin që nuk e hanin vetë, mund të të falnin të tjerat, por kurrsesi pleksjen me një grua.

    Hipnoza dashamirëse ndaj shtetit është fikur. Përpara meje është prapë Luan Qafëzezi i parë, komunist skizofren par exellence, një lloj disidenti i rrallë erotik, në mund të përdorej kjo fjalë, ai që nga njëra anë të vetmin krim të partisë quan çështjen e dashurisë, por që nga ana tjetër është kaq i vendosur në këtë, saqë po të vinte puna e zgjedhjes, duket sikur është gati që mbi doktrinën e mbi partinë, të vejë përherë gratë. Dhe askush s’mund ta dijë se në këtë lëmsh të turbullt ka fituar apo ka humbur.

    *

    Këto më kujtohen pak a shumë tridhjetë vite më pas, në shtatorin e vitit 2003, ndërsa avioni i linjës Paris-Bukuresht po i afrohet kryeqytetit rumun. Luan Qafëzezi ka dy vjet që ka vdekur në Tiranë, duke marrë me vete enigmën e dyzimit të tij.

    Është e treta herë që ftesa e Lidhjes së Shkrimtarëve rumunë është përsëritur. Ashtu si dy herët e para, përveç listës të të ftuarve, që është mjaft mbresëlënëse, nënvizohet fakti që ky takim vjetor ndërkombëtar shkrimtarësh, bëhet në vendin ku dy mijë vite më parë ka qenë i internuar Ovidi i famshëm, emrin e të cilit e mban çmimi. Nga formulimi i mëtejshëm i letrës lihet të nënkuptohet se çmimi i këtij viti do t’i jepet të ftuarit shqiptar, ndaj prania është e domosdoshme. Një letër nga ambasadori shqiptar në Rumani, pohon të njëjtën gjë: ndonëse ende nuk shpallet, çmimi do të jetë i Shqipërisë.

    Antonio Lobo Atunes

    Nuk kam mundur të shkoj dy herët e tjera, jo se nuk kam pasur interes të vizitoj për herë të dytë Rumaninë, aq më pak se nuk e kam çmuar idenë e bukur për çmimin Ovidi, por thjesht nga një mosgjetje kohe. Veprimtaritë letrare sa vete shtohen në botë, e sidomos në Europë, koha e shkrimtarit ngushtohet, udhëtimet që ti i quaje të pashmangshme, njëra pas tjetrës shtyhen (më ka mbetur Moska e rinisë sime pa shkuar, Riga po ashtu), të tjera, për rrethana të rastit kryhen, një stres i vazhdueshëm e shoqëron gjithë këtë histori.

    Zbres pra, në aeroportin e Bukureshtit dhe aty për aty nisem drejt Kostancës, ku po mblidhen të ftuarit. Edhe gjysma e emrave që janë në listë po të vijnë është shumë bukur. Një pjesë i njoh, si Vargas Llosa, Ernesto Sabato, për të tjerët jam kureshtar, Amos Oz, Antonio Lobos Antunes. Vitin që shkoi ishin Michel Butor, Jorge Semprun.

    Kalojmë mespërmes Bukureshtit. Është herë e parë që e shoh të ndryshuar (ndryshimet famëkeqe të Çausheskut), domethënë të mbushur me ndërtesa banimi kolosale.

    Nuk e di nëse jam i ndikuar nga përçmimi kundër tiranit, por qyteti më duket si i bombarduar, si i zbrazët, pikërisht ngaqë është i mbushur me ndërtesa. Një ndjesi shkretie dhe mungese vjen nga pallatet e pafundme pesëmbëdhjetë-njëzetkatëshe. Gjithë shkretia, bashkë me mërzinë komuniste është ngurtësuar aty, bashkë me idenë fataliste se ky qytet i hijshëm dikur, ende i tillë madje, gjatë vizitës sime të parë më 1974, tani ishte i pandreqshëm.

    Për të shkuar në Kostancë i duhet rënë mespërmes Rumanisë. Ovidi duhet ta ketë bërë këtë rrugë gjatë një jave, ndoshta më shumë. Në karrocën e internimit, nën kërkëllimën e rrotave, pyetja se cili kishte qenë vallë shkaku i vërtetë i dënimit, ngjante më e mundimshme se natën e fundit në Romë.

    Vendi ku do të zhvillohet takimi është i bukur. Bregu i Detit të Zi, hotele, shtëpi pushimi. Më tej shtëpia e Lidhjes së Shkrimtarëve. Pak më tutje shtëpia verore e Çausheskut.

    Kam qenë dyzet vite më parë në anën tjetër të Detit të Zi. Pikërisht në një shtëpi shkrimtarësh sovjetikë. Në Jaltë. Ashtu si shumë herë e qortoj veten që s’kam bërë një udhëtim pas rënies së komunizmit atje. Dhe si çdo herë, betohem se sa të kthehem në Paris do të merrem me këtë punë. Ndërkaq e di fare mirë se pikërisht me të s’do të merrem.

    Si çdo vend i ish-Lindjes, Rumania më kujton diçka nga koha e ikur. Midis prapambetjes, sipas vizionit perëndimor, shfaqet diçka e ëmbël, gjithashtu e tillë, por sidoqoftë e ëmbël. Është, me sa duket, lexuesi rumun. Gjithë lexuesit e ish-Lindjes ende ngjajnë. Kanë një tjetër dritë në sy. Mbeturinë e asaj drite të vjetër, kur kishin aq shumë shpresë te shkrimtarët.

    E përjetoj këtë në panairin e librit në Kostancë, ku jam i ftuar të marr pjesë. Ka disa libra të mi të botuar në rumanisht. Gjatë seancës ku nënshkruaj librat, më duket sikur jam në Tiranë. Në seancë, s’di sesi, bashkë me kryetarin e Bashkisë merr pjesë peshkopi i Kostancës. Ai më bekon mua bashkë me librat e mi dhe përkthyesin tim, Marius Dobreskun. Bekon natyrisht edhe lexuesit.

    Pas seancës ka një konferencë shtypi. S’ka qenë në program dhe më duket se jam pak i pizmosur. Ose hiqem ashtu. Ose jam vërtet. Në sallë ka shumë gazetarë dhe shkrimtarë. Ngaqë vij nga Parisi, kam, me sa duket, një ndikim prej tij. Kjo shfaqet në formën e një mendjemadhësie tinzare. Në të vërtetë nuk e kam vështirë. Kundër zakonit tim, hyj me njëfarë ecjeje dinamike, për të zënë vend në tryezë. U përgjigjem pyetjeve pa shumë kujdes, them gjëra paradoksale dhe, pas gjysmë ore, me njëfarë pafytyrësie paralajmëroj se pas tri ose katër minutash press-konferenca mbaron. Me siguri lë përshtypjen e një mendjemadhi. Ndërkaq kam vënë re (më saktë, ia kam mbushur mendjen vetes) se ata që s’të duan tuten disi para mendjemadhësisë, kurse dashamirësit të duan më shumë.

    Pasdite jemi kthyer në breg të detit. Atmosfera është e këndshme. Ka shumë të ardhur nga lista e paralajmëruar. Nuk është Fuentes, por është Amos Oz. Antonio Lobos Antunes gjithashtu. Ka shumë shkrimtarë skandinavë, amerikanë, nga shumica e vendeve europiane. Nga ish-Lindja gjithashtu dhe nga fqinjët ballkanas. Midis tyre ka mjaft gra. Dikush më thotë se ka vënë re se ka mjaft shkrimtarë oftalmologë. Sidoqoftë, Rumania mund të krenohet për organizimin.

    Pikërisht për Rumaninë, në mbrëmje vonë përkthyesi im besnik, Marius Dobresku, më thotë diçka të kundërt. Nuk është fort i qartë, ngaqë çështja vetë nuk është e tillë. Njëfarë turpi mund të ndodhë, sipas tij. Më në fund, e marr vesh “turpin”: krerët e jurisë, domethënë të Lidhjes së Shkrimtarëve, bëhen gati të mos e mbajnë premtimin ndaj meje. Shkurt, çmimin Ovidi t’ia japin një tjetri.

    Fytyra e Mariusit ka një shprehje disi dramatike. E dëgjoj dhe aty për aty them: “punë e madhe”.

    S’dua të hiqem si personazhet pozitive të botës socialiste, që s’çajnë kokën për çmime e nderime, por, nga ana tjetër, s’më duket ndonjë hata.

    Ia them Mariusit, por e ndiej që s’më beson plotësisht. Më në fund, arrij t’ia shpjegoj. Kam marrë mjaft çmime ndërkombëtare dhe po aq kam humbur, kështu që çmimi rumun, i fituar ose i humbur, nuk ndryshon ndonjë gjë në jetën time.

    Po është turpi, thotë ai. Turpi i kujt? i them. Mariusi, më në fund, qetësohet disi. Nga të gjithë përkthyesit e mi në gjuhë të ndryshme, është ai që e shfaq në mënyrën më prekëse besnikërinë ndaj shkrimtarit që përkthen.

    *

    Qetësimi i Dobreskut nuk hyn në punë për asgjë. Të nesërmen mërmërima është përhapur, sidomos midis shkrimtarëve rumunë. E ndiej së pari në restorant nga shikimet e njerëzve, pastaj Mariusi ma shpjegon jo pa njëfarë kënaqësie. Sipas tij, thashethemja ka plasur keq. Të gjithë e quajnë turp të paparë. Të gjithë janë me ju.

    Fytyra ime duhet të jetë tepër e ngrysur, sepse Mariusi ngutet të thotë: unë s’hyj në këtë punë. Sipas porosisë suaj, as që jam përzier fare.

    Ia shpjegoj edhe një herë. Mua s’më bëhet vonë për këtë çmim, e kupton? Ma kanë premtuar dy vjet më parë dhe s’kam ardhur ta marr. Ma kanë premtuar vitin që shkoi dhe s’kam ardhur ta marr. E kupton tani që jam i sinqertë kur them se s’u bë hataja që s’po e marr?

    E kuptoj, përgjigjet. Ju s’keni nevojë për të. Por ama, është turp për Rumaninë.

    Lëre turpin, të lutem. Turp është për mua po të tregoj nervozizëm. Turp është nëse ti përzihesh në këto biseda, ngaqë do të kujtojnë se pas teje jam unë. Ndaj të lutem shumë, mos u përziej.

    Unë s’përzihem. Të kam dhënë fjalën.

    Ashtu thotë, por në të vërtetë ndodhet gjithmonë pikërisht atje ku zhvillohet ai që, qysh tani, cilësohet “skandal”.

    Pasdite vjen të më thotë se është marrë vesh emri i fituesit, atij që padrejtësisht, pafytyrësisht, pa… pa… pa… do t’i jepet çmimi që më është premtuar. Është Antonio Lobo Antunes.

    Vazhdon i njëjti ritual. Turp! Ti mos u përziej! Antonio Lobo Antunes është shkrimtar shumë i mirë. E di, e di, por, megjithatë.

    Ç’më gjeti, them me vete, këtë herë i shqetësuar vërtet. Kam rënë në një ngatërresë dëshpëruese. Të tregohem i prekur, është mjerim i madh. Por, edhe të hiqem i qeshur, sikur aq më bën, s’është ndonjë gjë e lakmuar. Të shtirem sikur s’e di, gjithashtu. Gazetarët më bëjnë hapur pyetjen: Ç’mendoni për çmimin Ovidi, që po e merr Antunes?

    Pasdite vonë Mariusi vjen në hotel. Fryma i merret nga ngutja. Qenka marrë vesh edhe shkaku i… asaj që ka ndodhur. Gjithë intrigat i ka thurur sekretari, apo nënkryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, që është dhe në juri. Ka shpresë të botohet në Portugali dhe të paguhet në euro!

    Kadare dhe përkthyesi i tij në rumanisht, Marius Dobrescu. Bar Juvenilja, Tiranë, 2016. Foto nga B. Hudhri

    Argument më qesharak s’kam dëgjuar ndonjëherë. Por Mariusit i ngjan bindës. Vazhdon të thotë se gjithë shkrimtarët janë të zemëruar. Tani skandali do të plasë edhe më keq. Se është një katastrofë morale. Gati sa s’thotë se Deti i Zi do të përligjë emrin e vet nga ky turp i shkrimtarëve rumunë.

    Para darkës ka një pritje, në të cilën përpiqem dhe më duket se ia arrij të jem i natyrshëm. Rastësisht gjendem përbri Antunes dhe, për të shtendosur gjendjen, i them diçka. Koka e tij qëndron e palëvizur. Kjo është ç’është, them me vete. Një francez i sjellshëm më thotë: zoti Kadare, Antunes nuk dëgjon nga ajo anë që i folët ju. Ndërkaq, francezi i ka thënë diçka dhe Antunes kthehet gjithë gëzim të më flasë. Me siguri e ka ndier atë që ndodh përreth dhe, në njëfarë mënyre, e përjeton. Ndoshta më bezdisshëm se unë.

    Në restorant gjatë darkës ndihet se përndezja po rritet. Nga fytyrat e atyre që vijnë nga klubi i shtëpisë së shkrimtarëve kuptohet se atje diçka po ndodh. Kërkoj me sy Mariusin, por s’e shoh gjëkund. Amos Oz diç kërkon të më thotë, por ngaqë flet një anglishte të përkryer, s’e marr dot vesh. Më në fund, Mariusi shfaqet. Fytyrën e ka më të ndezur se të tjerët. Te klubi ka plasur keq, më thotë. Pasi më sqaron se ai s’ka gisht në këtë punë, gjë që s’e besoj fare, më shpjegon se skandali ka kapërcyer çdo parashikim. Ka gjasë të krijohet një komitet në mbështetjen time. Tani s’janë vetëm rumunët që kanë dalldisur. Një poet brazilian, pas thirrjes: jemi të gjithë shqiptarë, po reciton një vjershë me këtë rast.

    Mariusi bindet më në fund se jam i dëshpëruar. Përpiqet të më qetësojë. Ç’punë keni ju? Vetë e gatuan këtë çorbë, vetë le ta zgjidhin.

    E ndiej se sido që të sillem, i pakënaqur, i kënaqur, përfillës, shpërfillës, gjithsesi jam i humbur.

    Mariusi, i shqetësuar për herë të parë edhe ai, përpiqet t’i japë një shpjegim disi filozofik gjendjes. Me sa duket, gjithë mllefet e shkrimtarëve rumunë kundër kryesisë së Lidhjes së tyre, kanë gjetur një vjegë për të shpërthyer.

    Dikush më lajmëron se më kërkojnë në telefon te sporteli. Është ambasadori ynë në Bukuresht. Ç’është kjo poshtërsi që mora vesh? Pa më lënë të flas, e ka braktisur çdo takt diplomacie dhe shfryn më keq se shkrimtarët rumunë. Maskarenjtë, horrat, ma kanë thënë troç se çmimin e ka Shqipëria, s’e prisja kurrë, do protestoj.

    Edhe kjo më duhej.

    Në tryezë, kur kthehem, gjej dy shkrimtarë të rinj rumunë që porsa kanë mbërritur nga Bukureshti. Në sy kanë një zemërim të përgjithshëm që mund t’i përshtatej çdo gjendjeje. Kuptohet që Mariusi i ka vënë në dijeni dhe fjala e parë që thonë është: e dinim se kështu do të ndodhte!

    Në orën dymbëdhjetë bëhem gati të ndahem me ta dhe e vetmja dëshirë që i thashë Mariusit ishte të mos shkonte në Klubin e shkrimtarëve.

    Më premton, por e di që do të bëjë të kundërtën. Tek më thotë “natën e mirë”, dëgjojmë ca belbëzime të dehuri dhe ia plasim gazit. I dehuri thotë, sipas tij, se kur nuk ishte tharë Deti i Zi nga realizmi socialist rumun, s’kishte gjasë të thahej kurrë.

    *

    Në mëngjes, në restorant Mariusi po vonon. Nuk do të habitesha po ta shikoja të vinte me shenja rrahjeje. Në vend të tyre ka plot lajme. Më në fund, enigma qenka zbuluar. S’është punë honoraresh apo eurosh, por tjetër gjë. Qenka Serbia që ka protestuar kundër dhënies së çmimit Ovidi një shkrimtari që, sipas tyre, ka nxitur bombardimin e Jugosllavisë, shkurt, që në vend të këtij çmimi meriton të thirret në gjyqin e Hagës.

    Ç’poshtërsi, thotë Mariusi.

    Më në fund, e kemi një shpjegim, thotë dikush. Habemus shpjegimus.

    Qeshim disi të lehtësuar.

    Dita është e kthjellët. E kam radhën të flas në forum dhe më duhet të rishikoj shënimet.

    Në pushimin midis dy seancave, Mariusi zhduket ca kohë. Vjen me një tufë gazetash dhe me lajme optimiste. Tani që shtypi flet, s’dinë nga t’ia mbajnë, më thotë. Kanë gjetur një kompromis: krijimin e një çmimi paralel, me të njëjtën peshë, ndoshta më tepër.

    Ndërkaq, “kompromisi” ende nuk dihet dhe trazimi në mjediset e forumit vazhdon. Një nga gazetat ka shkruar se pritet që I. K. të largohet i zemëruar nga Rumania.

    Tek më përkthen, më duket se sytë e Mariusit ndriçohen. S’do të habitesha po të më thoshte: ç’pret? Ik, që të bëhet nami!

    I lutem për një gjë: ky qëndrim në Rumani është tepër i gjatë dhe mua më ka marrë malli të shkruaj. A mund të më gjejë një kafene që nesër në mëngjes, rreth orës nëntë e gjysmë, ashtu si në Paris, të mund të punoj gjer në mesditë?

    Kujtoj se Mariusit, kjo ide aspak shkatërruese, nuk do t’i duket tërheqëse, por është e kundërta. E harron në çast joshjen demoniake dhe i lumtur ma premton.

    Kafeneja është më e bukur se ç’e prisja. Në verandën e një hoteli.

    Mariusi më lë, për të ardhur në mesditë. Jam duke shkruar kreun e fundit të Pasardhësit. I kam shënimet. Kam gjithçka. Më duhet vetëm pak qetësi.

    *

    Të nesërmen rituali përsëritet. Ngaqë vetë e kam harruar disi atë që ndodh, kujtoj se me të tjerët ndodh e njëjta gjë. Por ata s’harrojnë.

    Më shikojnë me ca sy pyetës: ç’bën këtu? Pse s’ikën? Me fjalë të tjera: kishim vënë një shpresë te ty. Po na zhgënjen.

    O Zot, mendoj, po fillon prapë.

    Është dita e fundit e forumit. Në mbrëmje jepet çmimi. Domethënë çmimet! Pastaj ka një tjetër ditë, njëfarë ekskursioni, kujtim i epokës socialiste. Vendos që këtë të fundit ta lë. Telefonoj në Bukuresht për të ndryshuar avionin. OK.

    Ceremonia është në orën shtatë të mbrëmjes. Është marrë vesh puna e çmimit të dytë, por prapëseprapë zemërimi zotëron nëpër erë. Ka ende shpresë për ndonjë ndryshim, refuzim, skandal.

    Salla është plot. Ka shumë gazetarë. Gra. Të ftuar.

    Dalim të dy, Antunes dhe unë, në tremen me cohë të kuqe: Antunes është pak i ngrysur. Është në dijeni, me siguri, për gjithë atë zhurmë, e sidomos, për qëndrimin e shtypit. Sipas Mariusit, ka ende një shpresë të zbehtë se mund ta refuzojë çmimin. Më çani kryet me gjithë atë zhurmë. Nuk e dua.

    Por, me ç’duket, as ai nuk i pëlqen skandalet. Jemi të dy zhgënjyes për grindësit. Një ndjenjë solidariteti për hallin e përbashkët më shtyn t’i them diçka, këtë herë jo në veshin e gabuar. Kam përshtypjen se i vjen mirë.

    Kryetari i jurisë jep çmimet njëri pas tjetrit. Çmimi Ovidi. Çmimi i madh.

    Lavdërimet më godasin si çekan. Skritoruli i famshëm I. K., që ka nderuar Shqipërinë përpara Ballkanit, e këtë të fundit përpara Europës, e Europën plakë përpara botës, qysh në romanin e tij të parë Gjeneralulin

    Nuk e di as vetë pse, prapashtesa e tyre tipike “ul” u ngjitet në mendjen time shumicës së fjalëve.

    Salla është tërë sy e veshë. Megjithatë, njëfarë harmonie rrezatohet. Ende e ndrojtur. Të lodhur nga mllefi… nga mllefuli… njerëzit duan, më në fund, paqe dhe shkrimtarulët… skritorulët… e shquar botërorë duken të pajtuar…

    Pas ceremonisë mbetet prova e fundit, pritja. Gazetarët mbijnë nga s’i pret. Po largoheni i zemëruar nga Rumania? Kurrsesi, zonjë. Besoj se nuk dukem ashtu. Megjithatë po e braktisni para kohe forumin. S’është e vërtetë se po e braktis. Madje, makinën e keni porositur më gjashtë të mëngjesit. Jam i detyruar të nisem herët për të kapur avionin e mesditës për Paris. Po largoheni që pa gdhirë në shenjë proteste? Ua thashë një herë, zotëri, është çështje orari, më kuptoni? Çështja e aeroplanit… e aeroplanulit…

    Më në fund pritja mbaron. Tek përshëndeten, të ftuarit i kujtojnë njëri-tjetrit ekskursionin e ditës së nesërme, kryesisht orën e nisjes së autobusëve. Si mëkatar i shmangem kësaj, por te dera, dy shkrimtarë rumunë më shkelin syrin dinakërisht. Nesër që pa gdhirë, he? Duket sikur duan të thonë: s’besojmë se këtë herë do të na zhgënjesh.

    Më në fund, gjendem i vetëm në dhomën e hotelit. S’më flihet. Dal në ballkon për të ndezur një cigare. Humnera e ujit nxin shqetësueshëm. Tamam Det i Zi.

    Mendimi se është kujtuar aq pak Ovidi në këtë forum, më përzihet me mendimin e paradokohshëm se Deti i Zi është i vetmi në Europë  e, me sa duket, në botë, që ka qenë rrethuar nga shtëpi krijimi shkrimtarësh të qeshur, optimistë. Optimizëm i padurueshëm shkrimtarësh sovjetikë, rumunë, bullgarë, moldavë, kaukazianë. Haré e turpshme, e skajshme gjer në marrëzi.

    Ndihem fajtor që nuk arrita ta them këtë. Mendja më shkon prapë tek internimi i Ovidit dy mijë vite më parë, pikërisht këtu, te ky det. Në një mënyrë misterioze, ndoshta, një nga ato që grekët e vjetër e merrnin si paralajmërim hyjnish, qysh atëherë, me anë të këtij internimi u dha shenja paralajmëruese, kundërmodeli turpërues ndaj shkrimtarëve të qeshur. Por ajo shenjë nuk u vu re dhe ajo kambanë nuk u dëgjua.

    Duhej të kisha rilexuar Tristia-n e Ovidit përpara këtij udhëtimi. Nuk e di nëse ndonjë tjetër e ka bërë.

    *

    Herët, pa gdhirë, ngrihem nga zilja e zgjimit. Makina është ndërkaq te hyrja e hotelit. Ka mjegull dhe rigon shi i hollë.

    Hoteli është i errët. Vetëm tek-tuk ka ndonjë dritë. Mendja më shkon se, ndoshta, dikush po përgjon nëse e mbajta fjalën që, më në fund, të bjerë në shtrat i qetë.

    Paranojë, them me vete dhe përpiqem të mos mendoj asgjë.

    Në aeroport e kap, më në fund, avionin e Parisit.

    Hë, më thotë Elena pas përqafimit, si u bë ajo puna e çmimit që s’ta dhanë?

    Ku e di ti?

    Telefonoi Mariusi. Vërtet ka pasur skandal?

    Nuk e di, i them. S’ke ndonjë pyetje tjetër?

    Tani është ajo që thotë: s’të marr vesh! Mariusi më tha se gazetat shkruanin që ti ke ikur i zemëruar.

    I them: mjaft, s’dua të dëgjoj më të tilla.

    Më vjen keq që atmosfera përherë e këndshme pas mbërritjes nga udhëtimi, është prishur krejt.

    Midis heshtjes së vështirë, më duket se do më thotë: mund ta kishe mbajtur një çikë veten për atë të shkretë çmim. Zemërohem edhe më fort, përpara se t’i dëgjoj ato fjalë.

    Por ajo, me zë të ulët, si të fliste me vete, thotë tjetër gjë:

    Edhe herën tjetër, vite më parë, më kujtohet fare mirë, kur u ktheve nga Rumania, ishe si i shkalluar.

    29 shtator 2005

    Rostand, Paris

    *Portreti nga Ina Lajthia

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË