Nga Veronica Esposito
Në krye të këtij viti bëra vizitën time të parë në Kolumbi. Gjatë qëndrimit tim, u njoha me shumë nga emblemat rreth të cilave rrotullohet imazhi i këtij kombi të mrekullueshëm. Është, sigurisht, kafeja, një nga më të mirat në botë dhe e njohur kryesisht nga amerikanët prej Juan Valdez-it me mustaqe. Ka gjithashtu shumë qytetërime të lashta indigjene, artifaktet e të cilave mund t’i gjesh në muze kudo. Më pas është piktori me famë botërore Fernando Botero, i cili ka përshtatur stilin e tij unik për të përshkruar ikona kombëtare të panumërta, si dhe torturën e ushtruar nga ushtarët amerikanë në burgun Abu Ghraib të Irakut. Dhe mbi të gjitha, kur arrijmë majën, është shkrimtari më i dashur i Kolumbisë, Gabriel García Márquez.
Ka një anekdotë që prek në zemër madhështinë e këtij shkrimtari. Ndërkohë që shkruante Njëqind vjet vetmi, ai takohej rregullisht me mikun e tij, autorin e madh kolumbian Álvaro Mutis, duke e përditësuar për ecurinë tek i rrëfente për ndodhitë e fundit nga romani i tij. Kishte vetëm një problem: asgjë nga ato që García Márquez-i i tha Mutis-it nuk ndodh në libër. Ai qëllimisht kishte sajuar një roman-hije të tërë ndërkohë që shkruante një nga librat më me imagjinatë dhe të ngjeshur në historinë e letërsisë moderne. Kjo është një masë e sa realiteteve konkurruese ekzistonin në mendjen e etur të García Márquez-it.
Po shkruaj për këtë shkrimtar sot pasi vepra e tij më e madhe, Njëqind vjet vetmi, mbush 50 vjeç, dhe doja të kuptoja se pse ka pasur një sukses kaq të mahnitshëm. Ky roman i shkëlqyeshëm pretendohet të jetë një përpjekje për të shprehur çdo gjë që ka frymëzuar García Márquez-in përgjatë fëmijërisë së tij. Është quajtur një zanafillë e ditëve të fundit, gjëja më madhështore në spanjisht që prej Don Kishotit, dhe unike edhe nga standardet e kolosëve të periudhës Boom. García Márquez-i e shkroi në një vit të rrëmbyer në Mexico City, gjoja duke tymosur 60 cigare në ditë, i izoluar dhe i mbështetur nga e shoqja e tij për nevojat e jetesës. Për të parafrazuar kritikun Harold Bloom, nuk ka një rresht të vetëm që nuk përmbytet me detaj: “Është e gjitha rrëfim, ku çdo gjë e mendueshme dhe e pamendueshme ndodh njëkohësisht.”
Ka suksese, pastaj suksese të bujshme, dhe më pas ka anije kozmike për në Mars – Njëqind vjet vetmi klasifikohet tek e fundit. Llogaritjet e shitjes së tij janë rreth 50 milionë në të gjithë botën, që e rendit krah librave, si Aventurat e Sherlock Holmes, Lolita, Të vrasësh zogun përqeshës dhe 1984. Programet mësimore mund të ndikojnë për një pjesë të këtyre shifrave, por kur merr parasysh shitjet e pakta të sivëllezërve të tij të bumit të madh – Carlos Fuentos, Mario Vargas Llosa dhe Julio Cortázar – mund të llogaritet diçka më shumë se edukimi i lartë. As nuk është e lehtë të shpjegohet përhapja globale e Njëqind vjet vetmi: botuar të paktën në 44 gjuhë, është vepra në gjuhën spanjolle më e përkthyer pas Don Kishotit.
Mendoj se ajo që mund të thuhet për këtë libër është se kap diçka jetike për eksperiencën historike të qindra miliona njerëzve, jo vetëm në Amerikën Latine, por edhe në tokat e tjera të kolonizuara. Nii Ayikwei Parkes, shkrimtari çmimfitues britanik i lindur nga emigrantë ghanezë, ka thënë për librin: “I ka mësuar Perëndimit si të lexojë një realitet alternativ nga i tyri, i cili si shkëmbim hap dyert për shkrimtarët e tjerë joperëndimorë, si unë, dhe shkrimtarë të tjerë nga Afrika dhe Azia.” Ai shtoi se: “Përveç faktit se është një libër i mrekullueshëm, u mësoi lexuesve perëndimorë tolerancën për perspektiva të tjera.”
Është e vërtetë se ky libër ka transportuar diçka thelbësore për Amerikën Latine drejt vendeve të largëta, por unë do të shkoja më larg se kaq – do ta quaja Njëqind vjet vetmi librin më gjerësisht të lexuar të historisë amerikano-latine. E shoh si një vepër ku tradita e rrëfimeve të themeleve antike, si Eneida e Virgjilit dhe Iliada e Homerit – ose edhe, meqë po flasim për këtë, Biblën – një version modern i këtyre veprave që ka filtruar historinë përmes regjistrave mitikë dhe heroikë. Shqyrtimi i tij më 1970 në The New York Times – viti kur amerikano-veriorët më në fund morën përkthimin “më të mirë se origjinali” (duke perifrazuar García Márquez-in) – dijetari Robert Kiely tha: “Ky libër është një histori, jo e qeverive apo institucioneve të tilla formale që mban regjistra publikë, por e njerëzve, të cilët si pasardhësit e hershëm të Abrahamit, kuptohen më mirë për sa i përket marrëdhënies së tyre me një familje të vetme… është një zanafillë amerikano-jugore.” Dyzet e katër vjet më vonë, kur García Márquez-i vdiq, Times e rishkroi atë opinion në nekrologjinë e tyre për shkrimtarin e madh, duke e quajtur Njëqind vjet vetmi “saga përcaktuese e historisë shoqërore dhe politike të Amerikës Latine”.
Historia themelore që García Márquez-i rrëfen nuk është aq heroike sa ato të Virgjilit dhe Homerit: përkundrazi, e tija është prej zhgënjimesh dhe në formë qarkore, procesi i ngadaltë i një kontinenti për të gjetur zërin e tij, tejkalimi i përpjekjeve për t’i imponuar një histori dhe trajektore. Por megjithëse García Márquez-i do të rrëfente histori dhe ngjarje aktuale historike në libër, ai nuk do të shkruante diçka që ndiqte skllavërisht faktet. Frymëzuar nga Kafka dhe Joyce, García Márquez-i besonte se që të fliste të vërtetën e tij “nuk ishte e nevojshme të demonstronte fakte: mjaftonte e që autori të shkruante diçka që ajo të ishte e vërtetë, pa asnjë provë tjetër përveç talentit dhe autoritetit të zërit të tij”.
Kjo do të thotë se, edhe pse Njëqind vjet vetmi buron nga politika shumë të vërteta kolumbiane, e tejkalon kontekstin e saj politik. Vetë autori ka thënë se ideja e romanit duhet të “trazojë jo vetëm prej përmbajtjes politike dhe shoqërore, por edhe prej fuqisë së tij për të penetruar realitetin, dhe akoma më mirë, prej kapacitetit të tij për të kthyer realitetin me kokë poshtë që të shohim anën tjetër të tij”. Dhe kjo shkon mu në zemër të dhuntisë së tij: një eksponent udhëheqës i realizmit magjik, Njëqind vjet vetmi është i mbushur me thesare mashtruese që magjepsin imagjinatën e lexuesit. Aq të gjata sa janë këto rrëfime – murtaja e pagjumësisë, ose një grua aq e këndshme dhe e bukur sa ngjitet drejt e në parajsë – ato kanë gjithashtu një lidhje të padiskutueshme me jetën tonë të përditshme prozaike. Kjo është çfarë mund të bëjë miti letrar, që historia faktike nuk e bën dot – siç thotë García Márquez, kjo letërsi e kthen realitetin kokëposhtë dhe na tregon çfarë fshihet nën të.
Çfarë mund të jetë një mit themelor më i mirë për një kontinent thellësisht të thyer përmes linjave politike, historike dhe etnike, që ndërkohë gjithashtu dëshiron të artikulojë një eksperiencë zakonisht të kuptueshme? Jo vetëm kjo, kjo histori gjithashtu lejoi ata në anën tjetër – ata që krijuan këto kushte për shtypje dhe shfrytëzime – për të kuptuar dhe për të vlerësuar gjithashtu këtë eksperiencë të përbashkët. Ishte përmes këtyre akteve të imagjinatës që García Márquez-i farkëtoi lidhje të komunitetit. Siç tha më 1982, ndërkohë që pranonte Çmimin Nobel për Letërsi, “poetë, lypës, muzikantë dhe profetë, luftëtarë dhe faqezinj… neve na është dashur të kërkojmë veç pak imagjinatë, pasi problemi ynë vendimtar ishte mungesa e mjeteve tradicionale për t’i bërë jetët tona të besueshme. Ky, miqtë e mi, është thelbi i vetmisë sonë”.
Duke i dhënë rrëfime të reja botës, García Márquez-i ndihmoi t’ia lehtësonte atë vetmi. Kështu na frymëzojnë libra si Njëqind vjet vetmi: na ofrojnë imazhe të reja, mite të reja, ide të reja dhe forma të reja kuptimi që kundërshtojnë ato që na mbajnë të ndarë dhe në moskuptim.
Megjithëse një autor nuk ka nevojë të jetë i motivuar politikisht që të krijojë art të tillë, ky është një akt politik i natyrshëm, pasi politika është e krijuar nga rrëfime – më shumë se kaq, varet nga këto më shumë se çdo gjë tjetër – dhe kurdo që arti krijon rrëfime pushtuese të reja, kundërshton autoritetin e politikanëve tanë. Më lejoni t’ju shpjegoj çfarë dua të them. Sa herë që dëgjojmë fjalimet e politikanëve, fushatat politike, politizimin legjislativ, e kështu me radhë, nuk është asnjëherë larg ideja e “kontrollimit të rrëfimit”. Zgjedhjet përbëhen nga përcaktimi i rrëfimit që ti do dhe shpresa se do të rezonojë me votuesit; pastaj, kur arrin në zyrë, duhet të kapesh pas komandave të rrëfimit në mënyrë që të përkrahësh me sukses politikat për të cilat do që të mbledhësh mbështetje. Vendosja e rrëfimit tënd të preferuar për kombin është shumë thelbësore për të transformuar vullnetin tënd në ligj.
Sipas këtij nocioni të politikave, rrëfimet janë gjëra jashtëzakonisht të fuqishme. Prandaj burra të pasur dhe të fuqishëm (thuajse gjithmonë janë burra) kanë investuar miliarda dollarë për të ndërtuar perandori mediatike për të kapur prej fyti rrëfime kombëtare të caktuara. Kështu mediat, si Fox News dhe Breitbart, kanë bindur miliona njerëz që disa minoritete abuzojnë me programet e ndihmave sociale, ose që deficiti kërkon gjithmonë të shkurtohen shpenzimet qeveritare (përveçse kur bëhet fjalë për ushtrinë), dhe që islamikët radikalë janë vazhdimisht në prag të pushtimit të kombit tonë. Kundër këtyre rrëfimeve, e majta luan të vetën, dhe nëse unë e quaj veten si progresiv është pikërisht sepse e shoh rrëfimin e së majtës për botën shumë më tërheqës, të dhembshur, autentik, të sinqertë dhe më produktiv se e djathta.
Në mbretërinë e rrëfimeve arti mund të bëjë ndërhyrjet më të fuqishme në politikat tona. Nuk dua ta ul një libër si Njëqind vjet vetmi në një kornizë “liberale vs. konservatore” – edhe pse ky libër merret shumë me “Luftën Dymijëditëshe” të Kolumbisë, e cila ishte pikërisht një luftë mes liberalëve dhe konservatorëve, si çdo vepër e vërtetë arti, ajo mposht binare të tilla të gatshme për të na treguar se bota është shumë më misterioze dhe e ndërlikuar. Dhe vërtet, duhet të ketë një masë tjetër të suksesit të García Márquez-it: që na ka dhënë libra që na prekin thellë, edhe pse ne nuk dimë asgjë mbi burimin e materialit. Romanet e tij kanë ndryshuar rrëfimet tona edhe kur ato u rezistojnë interpretimeve të thjeshta, duke u rritur me shoqërinë ndërkohë që vjetrohet dhe mbetet bashkëkohore dhe e përshtatshme. Të citoj sërish Bloom-in: “García Márquez i ka dhënë kulturës bashkëkohore, në Amerikën Veriore dhe Europë, po aq shumë sa në Amerikën Latine, një nga grumbujt e dyfishtë të rrëfimeve të nevojshme, pa të cilat ne nuk do të kuptonim as njëri-tjetrin as veten tonë.”
Në historinë moderne, arti i madh ka treguar gjithnjë mënyra të tjera për të parë botën. Duhet të na kujtojë gjithmonë se askush nuk ka monopol mbi të vërtetën dhe që edhe rrëfimet politike që mbajmë më me vendosmëri prapë kapin vetëm një pjesë të kësaj bote që është shumë më komplekse se ç’mund të thotë mendimi apo gjuha. Të përjetosh një vepër të lartë si Njëqind vjet vetmi do të thotë të kujtohesh për përulësinë që duhet të ndiejmë të gjithë kur përpiqemi të pohojmë çfarë është e vërtetë e çfarë false. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se progresivët nuk duhet të përkrahin botën që ne duam me pasion dhe bindje – politika pikërisht këtë kërkon – do të thotë se dhembshuria dhe empatia jonë duhet të jetë gjithmonë pranë nesh, pavarësisht më çfarë kemi të bëjmë. Dhe duhet të kërkojmë gjithmonë të zgjerojmë pikëpamjen tonë të botës nëpërmjet librave. Edhe në këtë epokë të mbingopur nga media – kur kemi filma, TV, Facebook, seriale, Twitter, e kaq shumë të tjera – nuk besoj se ka një medium më të mirë për të përcjellë rrëfime sfiduese, të nuancuara, origjinale dhe të rëndësishme në mendjet tona. Janë pikërisht këto histori që e mbajnë Njëqind vjet vetmi të re, dhe e mban botën duke e lexuar atë.
Përktheu E. H.