More
    KreuLetërsiBibliotekëProzë e shkurtër nga Nerinda Hysa

    Prozë e shkurtër nga Nerinda Hysa

    Andërrimtarë

    …Asht bukur me ia ndi praninë , me e cik qoftë edhe lehtësisht ose padashje … Me e pa asht paqe për shpirtin. Mendja, shpirti dhe trupi hedhin valle në këtë soditje …

    Atyre s’u duhet me folë që me u marrë vesht . Mjafton nji shikim edhe shkarazi apo me bisht të synit ose s’ka nevojë me u pa hiç! Ata kanë ndejtë vite pa u pa dhe janë kuptue. Me shpirt, përmes andrrash.

    S’u lodhen t’u pritë. Plot vite. Pa numërim.

    Me nji fill të hollë lidhej dashuria e tyne. Nji fill që askush se shihte por ia ndiente aromën. Njerëzit e nuhasnin, por s’e kuptonin ça ishte.

    Gjithsesi kjo dashni asht barrë e randë për shpirtin .

    Kajherë ikin vetëm mos me e ndi peshën. Por shndrit aq fort, ma tepër se nji monedhë e artë.

    Ma fort se dielli.


    Gabimtar

    Ka aftësinë me thye gjithcka me atë shikim që ia hedh sipri objekteve  si pluhun. Gjithçka e zhvok dhe e ban të duket e padallueshme, e shpifun.

    Po të shihte ylberin, do të vrejtej dhe do të kapsallitte sytë , mandej do t’i kthente shpinën: – Asht thjesht nji bashkim i kotë ngjyrash, do të komentonte thatë.

    Arti asht fëlliqësinë para syve të tij, qielli nji rreckë.

    Fëmijët disa bubazhela që prodhojnë zhurmë , deti ujë me krypë …

    Ai, i merr gjanat ma të mrekullueshme të botës dhe i përplas përtokë, të pajeta, mbasi ua ka thithë shpirtin, që i mban gjallë.

    Mendoja se kisha nji emën të veçantë, deri sa takova atë, më bani me dije se emni jem ka kenë i modës atëherë, i padallueshëm prej shumë të tjerëve, i njitrajtë. Ato kohë emna të tillë që mbarojnë padallim me këtë mbaresë –inda ,si Erinda, Nerinda, Nerejda dhe të tjerë janë si emna  në seri.

    Mbeta si e ngrime, qe nji tullë e hedhun turinjve ose thjesht prakticitet por unë parapëlqej ta quej mizori ose përplasje e realitetit me copa të mëdha .

    E shoh si  thahet gjithçka, si bien puplat e magjisë, si shprishen andrrat … dhe më vjen me qa dhe qaj duke ndi se magjija ekziston mbrenda meje dhe kudo tjetër.Mjafton me hapë synin e mbrendshëm dhe me pa. Mjafton me zgju shpirtin dhe me e pa duke ju shkëput pak realitetit , duke guxu me hedh pak pluhun magjijet në krahë …Magjija ekziston për ata që kanë sy me e pa dhe me e përfshi me vedin , në token e andërrt të jetës!


    Ditë dimri ra mbi pezulin e dritares

    I shof këto sy … të thamë për miratim. Sytë e grues së plakun. E injoroj.

    Por dikur ajo më flet dhe se kuptoj çfarë don prej mejet.

    Më prek lehtë dhe shkon. Shkon për me vdekë diku tu e lëshu trupin butë rrazë luleve të kalbuna me nji erë të vrashtë

    Ndonjiherë du me kenë e sjellshme e atëbotë rri në pritje . Pres…

    I shqyej sytë dhe prirem kah ajo . E kqyri bukur dhe ndjej pëshpërimen e qiellit në mue .

    Nji fllad i lehtë.

    Nji puhi vdekjet.

    Ndarja po vjen.

    Po afrohet ngadalë dhe po na rrin si hije mbi krye .

    Ftohtësia e nji mëngjezi zijosh , të pakufi në errnim .

    Se di si do t’duket atëbotë kur të mos marrim ma frymë … mundem veç ta imagjinoj , ndërkohë që rri në pritje .

    Pres bukur dhe nuk ankohem nën dellin e ftohtë të dimrit , që s’din me ik.


    Ditë e zakonshme vaji

    E kam mendu shpesh; ata u bënë shkrumb e hi, në nji ditë të përvëluar në mes të verës.

    Ishte nji ditë e bardhë, pa naze, nji ditë e qetë, si e ngathët ndoshta.

    Ata u futën shpejt e shpejt në makinë. Mandej nji minute para, si nji lloj qetësie e tendosun, që mund ta prekje me dorë .

    Rruga ishte e qetë, në fakt ishte si në nji paqe të patrazueme, nji ose dy makina .Mandej diçka ndodhi; fëmija ma i vogël filloi me ulëritë. Ata ndalen diku në nji cep. Nji vend me shkurre  të lagështa dhe barishte të vocrra gjembaçe.

    Dikush i thirri. Nji za i shplam (nga erdhi )

    I thirri me emrat e secilit.

    Mandej, kur banen me u nisë sërisht, makina shpërtheu . U tallazit ajria e plogësht e ditës. Flaka e purpurt, e vlueme që shkapëndante trupat e tyne të bamë shkrumb.

    Pas dy apo tri orësh familjet kishin kuptu ç’kish ndodh . Mbledhje e përgjithshme. Anekand ulërima dhe të bërtituna. Njerëz që hidhen pupthi, vetëm ata kanë ngec aty brendë. Nuk do të lëvizin ma, nuk do të ikin ma s’andejmi.

    Lanë nji si tym të vogël të rrëshqitshëm. Lanë shumë dhimbë dyersh e odash .

    Pa ata jeta s’do të jetë e njejtë. Njerëzit i përkujtojnë, u çojnë lule. I thërrasin në emra. Qajnë për to.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË