Nga Thanas Dino
Peizazhet e para më të mira të Bashkim Ahmetit ishin aq të lira, sa dukej se do t’u iknin telajove për të zënë vend në natyrë, aty prej nga ishin marrë, si për ta bërë këtë vend më të bukur. Bashkë me kolorin, ngjyrat e ngjeshura të përdorura veçanshëm, ato ishin shumë tematike, kishin një ngjeshje që dukej se donte të dilte e të ngrihej mbi pëlhurë, të fliste e thoshte diçka. Ndoshta kaloi pak më shumë kohë seç duhej kur e gjeti; ishin portretet dhe kompozimi, i ftuari i fundit ku do të shkriheshin me dëshirë edhe vetë. Piktori ishte realizuar.
Për të dhënë sa më shumë jetë kombëtare, misioni më i lartë i çdo krijimtarie, piktura e Bashkim Ahmetit ftoi për ndihmë historinë, kulturën popullore dhe letërsinë, duke marrë prej tyre motive dhe duke i lartësuar figurativisht ato. Afri e veçantë duket me veprën e Kadaresë, temat mbretërore, gjarpri i luleve të ftohta të marsit, vetë portreti i tij në një ekspozitë të tërë, galeri sui-generis e parë për herë të parë. Subjektet dhe tematika e kërkuar në këta lëmenj e kanë ngjeshur më shumë dhe shtuar edhe më peshën e veprës së mëparshme figurative.
Bagazhi i kompletuar me të cilin u nis piktori nëpër botë bëri që të ngjajnë dy të pangjashmet, Gjirokastra dhe Nju-Jorku. Ajo që i lidhi, sa duket, është parimi i lartësisë e dendurisë, zbuluar së pari në peizazhet e hedhura këtu. Kjo pikturë shtoi edhe më shumë bindjen e njohur: Një shqiptar bëhet shumë lehtë parisian, që e kemi shkruar diku.
Shumë prisnin që të goditurit ose të përgojuarit në pranverat e shkurtra, që zgjatnin më pak se një stinë, të socializmit të ashpër shqiptar, në kohën e hapjes dhe lirisë të shpërthenin me ekstravagancën dhe super-modernizmin e tyre, për të cilin ishin akuzuar ose dyshuar. Ngjau e kundërta, duke dëshmuar seriozitetin, me ruajtjen e realizmit që nuk e ka shpikur realizmi socialist, identitetin e llojit dhe gjinisë, përmbajtjen e thellë, formën e cilësisë së lartë, duke synuar përkryerjen vetë. Modestë si dhe ahere, në kohën e goditjeve, ata forcojnë mesazhin, Sa ka humbur arti i këtij vendi nga pengimi i lirisë dhe eksperimentimit, pa të cilën nuk mund të realizohet asnjë lloj krijimtarie. (Gjirokastër, 28 dhjetor 2017.)
Nuk e di pse ca ditë, si shkrova këtë tekst, më erdhi në kujtesë një moment me Bashkimin, vite më parë kur ishim të rinj dhe sa duket, sapo kishim zgjedhur ç’do donim të bëheshim, ai në Liceun Artistik në Tiranë, unë në Gjimnazin e Gjirokastrës. Prisnim në hollin e kinemasë dimërore të hynim për të parë filmin. Në faqen e gjerë të tij ishte shkruar me germa të mëdha të kohës si parullë një thënie e Leninit ose e Stalinit, ndruhem sa i saktë jam: Kinemaja është arti më i bukur dhe më i pashtershëm për masat. Bashkimi tha si e rilexoi disa herë: Më i përshtatshmi ndoshta, po pse më i bukuri; mund të ketë të tjerë më të bukur, me një fjalë. U menduam mbi këtë koment kritik mbi citatin e klasikut të madh proletar.
Ishte, ndoshta, një thirrje e thellë gjenetike e tablosë, veprës së gjerë të ardhme pikturike, asaj që dëshmon se është e aftë t’i shfrytëzojë e përdorë tërë artet që njëherësh kanë nevojë për të.