More
    KreuLetërsiBotime të rejaPromovohet në Shkup libri "Shpresë e venitur" i Delvina Kërluku

    Promovohet në Shkup libri “Shpresë e venitur” i Delvina Kërluku

    NJË LIBËR QË I JEP KUPTIM JETËS SONË

    Nga Doc. Dr. Demush Bajrami

    “Shpresë e venitur” – skena më e frikshme e përditshmërisë sonë…

    Shumë rrëfime shqetësuese për shumë ngjarje të vërteta. Historitë e fateve njerëzore që i sjell autorja e librit SHPRESË E VENITUR, Delvina Kërluku, do të prekin thellë ndjenjat e të gjithë atyre që do t’u bie në duar ky libër. Mbase, thelbi i fjalëve dhe fjalive të shkruara pasi ta lexosh këtë libër, të çon të mendosh se çfarë do të thoje e do të bëje për t’u ndihmuar këtyre njerëzve në nevojë.

    Libri vjen me një stil autorial dhe një narracion shumë të qartë, që nga titulli, që është edhe vet mesazhi shqetësues për dramën sociale dhe psikologjike të njeriut të pashpresë.  Libri “Shpresë e venitur”, është i organizuar mirë dhe i shoqëruar me një sërë faktesh për ngjarjet dhe personazhet që shfaqen në të, si histori të trishta të një kohe që po ndodhë aktualisht. Në fillim, zhduket shpresa, pastaj vjen dëshpërimi, rraskapitja fizike dhe emocionale, uria, etja… Të gjitha këto, që për ironinë e fatit, janë pjesë e këtyre dramave familjare, nuk iu shpëtojnë klithmave të vuajtjeve të tmerrshme. Ky libër, zbulon probleme të shtresuara, por në të njëjtën kohë, nxjerr në pah edhe distancimin e heshtur të shoqërisë. Tmerri i portretizuar si një ogur i zi, në mënyrë eksplicite, lë të kuptohet se shpresa është ende larg. Saga e vuajtjeve njerëzore, plot tension e dhimbje, ka ndrydhur shpirtin dhe ka prishur fantazinë e tyre.

    Nuk jam aspak ithtar i thadrimit të një gjuhe patetike që ua vret humorin njerëzve, por ndjehem i shqetësuar nga stigmatizimi e demonizimi i njeriut të braktisur. Prandaj, druaj për interpretimin e saktë të këtij libri, sakaq që nuk arrij ta shijoj dot leximin e këtyre rrëfimeve kaq drithëruese e rrëqethëse.

    Drama njerëzore është e pakuptimtë në këtë shekull. Ajo na kthen pas në kohë. Personazhet në këtë libër, nuk janë kukulla, por njerëz, që jetojnë jetën e tyre të harruar nga institucionet dhe shoqëria. E gjitha fillon me skamjen. E gjithkund ku ka skamje nuk ka lumturi. Pa veçuar ndonjë personazh, sepse thuaja të gjithë janë njësoj, do të mundohem të ndajë me ju atë që na e sjell autorja përmes rrëfimeve të saj në formë libri. Skenat e vërteta janë portretizimi rrëqethës që do të duhej të godiste çdo qenie njerëzore. Gjithçka përreth tyre është përpirëse, e çrregullt, gëluese… Në sytë e tyre lexojmë ankthin dhe frikën. Për ta, çdo ditë gdhinë njësoj. Nuk ka gjë që nuk i shqetëson. Secila histori në vetvete, shpalos ankthin e pritjes dhe të shpresës që nuk do të vijë. U është venitur e këputur në mes shpresa. Njerëz pa çati mbi kokë, ose nën ndonjë çati të huaj, në shtëpi-rrënoja të braktisura. Dridhen nga të ftohtit, uria… Të varfër dhe të sëmurë. Të humbur në errësirë. Do t’u pëlqente alternimi i dritës dhe errësirës. Por, në skutat e tyre nuk depërton drita, aty ka vetëm errësirë. Duan ndihmë, por s’ka kush t’i ndihmojë. Pamje të llahtarshme njerëzore! Askush nuk e sheh dot këtë dhembshuri. Të braktisur nga të gjithë e të lënë në mëshirën e fatit, ata i thërrasin vdekjes. Kjo, është skena më e frikshme e përditshmërisë sonë…

    Autorja shprehet e tronditur për heshtjen që ka pllakosur këtë fatkeqësi njerëzore. Asaj, aspak nuk i pëlqen heshtja. Prandaj, nuk do të rresht për t’u bërë zëri kumbues i britmave të këtyre njerëzve, me shpresën se një ditë ky zë do të bëhet kumt i zgjidhjes së problemeve të tyre. Plot pezëm, duke bashkëndjerë dhimbjen, ajo lufton që të mbizotërojë e mira mbi të keqen. Kështu, Delvina, në mos më shumë, të paktën ua lë gjallë ëndrrat.

    Më tej, autorja sjell përpara lexuesit ndërgjegjet e fjetura, të atyre që vetëm i konstatojnë pasojat e vërteta të tragjedive njerëzore, por pa ndryshuar gjë. Kaq shumë ‘zhurmë’, në vesh të shurdhër. Qoftë edhe përmes shprehjesh  simbolike ndaj së keqes, autorja nuk mund të qëndrojë indiferente.

    Në libër, nuk mungojnë as rrëfimet e shumta që kanë personazhe fëmijët këmbëzbathur e të sëmurë, pa rroba e libra. E, sa për lodrat, ato do të ishin gjëja e fundit për ta. Shpirti i bukur i fëmijëve, akoma duhet të presë për ta gjetur lumturinë. 

    Ky libër, rrëfim pas rrëfimi, histori pas historie, sikur na vë në siklet, duke na çuar drejt një detyrimi për të pyetur veten: a thua do të vijë dita kur këta fëmijë do t’i kthehen lojës?! Ata nuk dinë se ç’janë dhuratat për festa. Brenda mureve të ftohta, shikon vetëm fytyra të zbehta që gjithnjë të shikojnë me shqetësim. Këto pamje të zymta, kanë detyruar autoren të shpërthejë, duke na treguar se këta fëmijë kanë shumë nevojë për mirësinë e kësaj bote, për pak të qeshura dhe për pak momente gëzimi.

    Delvina nuk na lë rehat, duke mos i lënë mënjanë temat që trishtojnë. Ky narrativ nuk ka qenë aspak i lehtë as për vet autoren e librit. Pafuqia, dobësia, dorëzimi, paniku, dëshpërimi, ankthi, vuajtja… ndoshta nuk janë asnjëherë të vërteta, janë vetëm pasojë e perceptimit tonë, mënyra sesi e shohim, e kuptojmë dhe e përjetojmë veten dhe botën e jashtme. Perceptimi ynë është gjithmonë për shkak të këndvështrimit që ne, me ose pa vetëdije, pushtojmë një pjesë të hapësirës sonë. Mbase, psikologët do të thoshin se problemi lind atëherë kur nuk jemi të vetëdijshëm për këndvështrimin se si e perceptojmë realitetin, sepse atëherë ne nuk arrijmë ta bëjmë dallimin e vërtetë midis realitetit dhe perceptimit tonë mbi atë realitet. Por, këtu nuk bëhet fjalë për perceptimin tonë të gabuar dhe për rolin e viktimës, por për vetë viktimën. Tek këta njerëz nuk shteron ndjenja e pafuqisë. Asgjë nuk ndryshon. Asgjë nuk ua shëron plagët. Asgjë nuk i çliron këta personazhe nga vuajtjet e tyre. Ky është tmerri që ka regjistruar Delvina, e cila sjell përpara lexuesit dhembjet e familjeve që jetojnë në mjerim. Edhe vet ajo, si duket, lufton me veten e saj, teksa kudo ndeshet me kontrastin e dy botëve që bashkëjetojnë, por që janë skajshmërisht të ndryshme.

    Delvina sikur i riaktualizon edhe njëherë vargjet e “Poemës së Mjerimit”, ku dominon fati i njerëzve në skamje dhe mjerim. Tek lexuesi do të ketë një efekt kthjellimi lakuriqësia e plotë e dramës njerëzore. Migjeni e kishte ndërtuar poemën e tij nëpërmjet një toni plot mllef kundër kësaj ‘të keqeje që duhet zhdukur nga faqja e dheut, se është turp i njerëzimit’. Tek “Poema e Mjerimit”, kemi jo vetëm një përshkrim realist të mjerimit, por edhe ndjeshmëri të thellë të unit të brendshëm të poetit, i cili bëhet bashkëvuajtës në mjerim.

    Ngjashëm si Migjeni, edhe Delvina revoltohet në këtë pasqyrë skëterrë, me qëndrimin e saj kritik ndaj shoqërisë. Vuajtja, në mënyrë kronologjike, po vazhdon ende…, përgjithmonë prej kohësh…

    Dikush do të thoshte: po a nuk iu bind edhe Platoni fatit të tij dhe përsëri vuajti pa u ankuar? Po, sepse në një përplasje me të keqen, gjithnjë në anën e heroit është forca e tij e brendshme, e cila e ndihmon atë të mos dorëzohet, duke u rebeluar kundër autoriteteve.

    Për fund, më duhet ta mbyllë me këtë konstatim: ndoshta ky libër, mund të shërbejë edhe si një ‘terapi’ për lehtësimin e vuajtjeve personale dhe sociale. Për faktin se libri i Delvinës, na flet me një gjuhë që na mëson se gjithçka që duhet të ngjizë në zemrën dhe mendjen e njeriut janë përpjekjet që çojnë në mirëkuptimin dhe funksionimin tonë me të tjerët, duke sjellë më shumë dashuri, dhembshuri dhe jo urrejtje dhe nxitje të dhembshurisë. Jeta është e vështirë, por problemet dhe vështirësitë në jetë e shpalosin guximin dhe mençurinë tonë. E, këto së bashku i japin kuptim jetës sonë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË